E enjte, 25.04.2024, 08:01 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Qeveri dështakësh

E marte, 02.11.2010, 10:58 PM


PER TE QESHUR DHE PER TE QARE

 

QEVERI DESHTAKESH

 

Shkruan: IDRIZ ZEQIRAJ

 

     Në zgjedhjet vendore konkuruan për kryetarë komunash: Fatmir Limaj në Prishtinë; Enver Hoxhaj në Therandë; Hajredin Kuqaj në Pejë dhe dështuan. Çuditërisht, humbësit e mëdhenj u shpërblyen, duke marrë postin e ministrit, përkatësisht, të zëvendëskryeministrit!!! Rast unikal në botë, madje për të gjitha kohërat.

 

     Fqinjin tim Dautin e shihja gjithnjë e më të ngrysur. Bjerrja e humorit dhe e buzëqeshjes u bë e dukshme. I cytur nga kureshtja e këtij ndryshimi, një ditë vendosa ta pyes, me besimin se nuk do të ma marrë për të keq.

 

     - Ka kohë që jeni bërë më i heshtur, - i thashë unë. Dhe, ai, si kojshi, ma qajti hallin, ma hapi zemrën, sepse, siç thonë: "Kojshia ëshë më i afërt se sa vëllazëria".

 

    " - Kam qëlluar të jem dhëndërr i Drenicës. Me nusen kam harmoni e mirëkuptim. Por, kam hallin e fëmijëve", - u gjegj kojshia im Dauti.

 

     Kjo përgjigje nuk ishte e qartë për mua. Dhe, natyrshëm, pyeta se ç`lidhje kishte shqetësimi i tij pse fëmijtë janë nipër e mbesa të Drenicës?!

 

     "- Thonë se fëmija kur bën me ngja nga dajtë, i ngjan dajës më të keq,"- u gjegj, jo pa dilemë, fqinji im Dauti.

 

     - Të lutem më konkretisht, - ngulmova unë.

 

     "- Kur u bënë zgjedhjet lokale, disa nga ministrat e sotëm konkuruan për kryetarë komunash: Fatmir Limaj u përball në Prishtinë me dr. Isa Mustafën dhe u mund keqas. Dr. Enver Hoxhaj provoi në Therandë dhe humbi. Hajredin Kuqi i mati forcat në Pejë dhe pësoi fiasko. Me gjithë humbjet e thella, dështakët u bënë ministra, madje ky i fundit edhe zëvendëskryeministër!

 

     Kur katundi dhe qyteti yt nuk të beson, nuk të don, nuk të  voton, si të të besojë Kosova?! Por, për çudinë tonë, humbja u konsiderua si teke e popullit, injorancë e tij, që nuk dinë t`i vlerësojë aset e politikës të vendit dhe, kryeministri Thaçi, si me maxhi, mori vendimin historik dhe unikal, pa paraprijës deri me tani, jo vetëm në kohërat e pas Krishtit, por as para tij, duke i shpërblyer dështakët me poste të larta ministrore, madje edhe më shumë - zëvensëskryeministër," - shfryu shqetësueshëm dhe inatshëm fqinji im Dauti.

 

     - Po, pse, bash dajë e kanë fëmijtë Tuaj kryeministrin e Kosovës,- pyeta unë jo pa kureshtje?

 

     "- Kur isha fëmijë, bile edhe kur u rrita, kur shkoja me nënën time ke dajtë, i gjithë fshati më thërrisnin nipash dhe, rrjedhimisht, unë u thosha dajë. Bile, kur ndonjëri më shihte për herë parë dhe nuk më njihte, tjetri e ndihmonte, duke thënë se është i biri i filan bijës tonë, duke përmendur edhe emrin e nënës time. Fati që në atë kohë dhëndurët shkonin shumë rrallë, ose fare ke miqtë dhe jo si sot që nuk ke shansë të jeshë, qoftë edhe një ditë, pa praninë e dhëndërrit në konak, madje në qytet posedojnë edhe një palë çilësa të shtëpisë dhe hynë brenda pa trokitur fare,  bash si në shtëpi të babës! Përndryshe, po ta dëgjonte babai im emrin e nuses të tij, do të xhelozonte fort, bile në atë masë sa ta ndalonte shkuarjen e saj në familjen lindake. Sepse, do të thoshte se unë një shtëpi kam zënë mik dhe jo krejt katundin, që ata ta thonë kaq lirshëm emrin e nuses time.

 

     Pra, kryeministri i Kosovës është njëri nga dajtë e fëmijëve të mij, sepse një nënë nuk mund t`i bëjë të gjithë. Për rrjedhojë ky dajë kryeministër është shqetësues për mua, sepse nuk di se çfarë bën, nuk këshillohet me askënd, mendon se është mentari i botës dhe druaj se fëmijtë e mij t`i ngjajnë pikërisht atij," - përfundoi rrëfimin e shqetësimit të tij fqinji im Dauti.

 

     Por, dështakët zgjedhorë, ministra të qeverisë  dështake, kompensimin e dështimeve seriale e bënë me përlavdërimet panegjerike për shefin e tyre kryedështak, duke e krahasuar me burrështetasit e botës që nga shekulli i 18-të e deri me sot, madje të marrë sëbashku! Provo macë se kryet e buallit edhe mund ta luajsh, por shtabit të komunistëve stalinistë të Kosovës nuk ke shansë t`ua heqësh qoftë edhe një dogmë nga pocërka e tyre marroshe.

 

 

     Në zgjedhjet e fundit lokale u bë një fushatë e bujshme. Risia e kësaj palo-fushate ishin drekat dhe darkat e kryeministrit Thaçi me kolektivat e mësuesëve anekand Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake, i inkurajuar maksimalisht nga ministri kryepërlavdëraq Hoxhaj. Fundja, paraja ishte e shtetit, paçka se fushata ishte e partisë të kryeministrit dhe e ministrit të arsimit!

 

     Risia tjetër e kësaj fushate ishte shkëputja totale e kryeministrit nga drejtimi i qeverisë dhe përkushtimi i tërësishëm ndaj fushatës. "Prizreni është Jerusalemi i PDK-së"! Ishte ky krahasimi fatal i kryeministrit të Kosovës, ndonëse urrejtjen shumëshekullore e vrastare të popujve arab me atë izraelit e impulsonte brenda popullit shqiptar të Kosovës, i cili, më shumë se një dekadë më parë ishte i përbashkuar në mendime e qëllime në masën 96 %, duke u rrjeshtuar rreth lëvizjes madhore për liri dhe pavarësi, në kuadrin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të prirë nga Heroi i Kosovës, urtaku dhe hyjnori, Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova, i cili, pa asnjë hamendje, nuk ka ndërmjetës në historinë kombëtare shqiptare që nga Skënderbeu e deri me sot.

 

     Prania e kryeministrit Thaçi në Prizren, një ditë po dhe një ditë po, ngjalli simpati të ligjshme, se, mos vallë, do ta iniconte ëndërrën e kahmotshme dhe thellësisht fisnike të atdhetarëve të Lidhjes të Prizrenit dhe të Ballit Komnbëtar, për Prizrenin kryeqytet të Shqipërisë Etnike. Dhe, kjo ka qenë ëndrra më e përgjakshme në të gjithë historinë tonë mijëra vjeçare, me ç`rast komunizmi stalinian i kryetradhtarit Enver Hoxha shpuri në litar, plumb e burg mijëra atdhetarë, përfshi këtu edhe 348 të diplomuarit në universitetet e Austrisë!

 

     Por, kjo hamendje përjashtohet me koalicionin shpirtëror që kanë neokomunistët e Tiranës me enveristë-stalinistët e Prishtinës. Të parët patën deklaruar botërisht se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi, duke mos e pranuar si të tillë as Prishtinën, pa lëre më Prizrenin! Të dytët janë tërësisht të varur nga të parët, sepse instruktimi komunisto-ideologjik zë fill këtu e tri dekada më parë, me guidë sigurimsat "diplomatë" të Enver Hoxhës në përfaqësitë diplomatike të Evropës, të cilët themeluan edhe organizatën supërkriminale SHIK-un. Ata janë të parët që projektuan përçarjen e madhe ndërshqiptare të Kosovës, duke i konvertuar djemtë e Kosovës nga luftëtarë për liri, në vrasës serialë për pushtet dhe pasuri, pra, në profiterë të neveritshëm të luftës.

 

     Bredhjet e çdoditëshme nëpër komunat e Kosovës të kryeministrit Thaçi, në fakt, lidheshin me një shqetësim tjetër, madje krejt të virgjër. Dhe, këtë shqetësim e prodhoi vet ai, kur kandidatët dështakë për kryetarë komunash i bëri mimnistra! Dhe, tani, duke qenë më i preferuar posti i ministrit se sa ai i kryetarit të komunës, nuk besonte në angazhimin e tyre fushator, madje dyshonte në sabotim, vetëm e vetëm pë t`u bërë ministra!!

 

     Zgjedhjet e para të organizuara nga vetë shqiptarët e Kosovës ishin nga më të turpshmet në të gjithë hiostorinë e botës demokratike. Themi të botës demokratike, për ta shquar nga bota komuniste, ku pjesëmarrja në votim është 100 %, ndërsa kandidatët, pa rivalë, votohen 99, 99 %!!! Sipas vezhguesëve okularë, shqiptarë e ndërkombëtarë, votimi duhej të përsëritej në 22 komuna, ndërkohë që kjo ndodhi vetëm në tri sosh. Blerja e votave nga e majta e Kosovës ishte masive dhe, pothuajse, e hapur! I shituri duhej të konfirmonte votën e përshitur me fotografim telefonik, duke ia përcjellur blerësit. Këtë tregëti sa të turpshme, aq edhe primitive, ishte e majta ekstreme e Kosovës që e aplikoi në stil të gjerë.

 

     Një e majtë tjetër, në opozitë, pretenduese për t`u faktorizuar për qeverisje qendrore, i sugjeroi anëtarësisë të vetë përfundimin e votimit brenda orës 11-oo të ditës. Pastaj, porositi bandat partiake të krijonin incidente, qofshin ato edhe të rënda, për të frikësuar elektoratin, sidomnos atë të LDK-së, në mënyrë që të gatshmit për votime, të anulonin pjesëmarrjen, për t`iu shmangur provokimeve kriminale të partisë të kompozuar që në nismë me krime vrastare e reketi. Ky aplikim banditesk u praktikua gjerësisht e ngulmërisht, pa u skuqur dhe pa çarë kokën për thellimin e diskreditimit dhe të shkatërrimit të procesit zgjedhor.

 

     Ky brutalitet e banditizëm, pjellë e ekstremit të majtë stalinist, demanton bindshëm përrallisjet e Kryeparlamentarit tonë biban, se kinse "liria dhe demokracia në Kosovë nuk janë aspiratë, por realitet"! E vërteta është se liria dhe demokracia mbetën gjithnjë një aspirim, një ëndërr e dëshiruar për popullin e Kosovës. Krimet seriale politike dhe ekonomike e kanë ngulfatur fort këtë popull pa traditë lirie dhe demokracie. Mburrjet cinike dhe pa fije mbulese, shuajnë çdo shpresë që ëndërra e bukur e lirisë dhe e demokracisë të bëhet realitet, në një të ardhme të afërt.

 

     "Kosova është duke ndërtuar institucionet e veta kredibile, për të marrë përgjegjësitë që i takojnë në bazë të kushtetutës dhe ligjeve", - proklamon bujshëm Kryeministri ynë mburracak. Por, katandia aktuale institucionale demanton tullumbacët qejfbërëse të kryeministrit prepotent e mospërfillës deri në limitin e fodullëkut dhe të injorancës. Eshtë për t`u besuar, madje pa mëdyshje, përkufizimi i zotit Surroi se "kjo qeveri është antievropiane dhe aziatike. E pa arsimuar dhe e pandreqshme".

 

     Maskarada e fundit zgjedhore në partinë pushtetare të Kosovës, ku u ekranizuan të burgosur të krimit; të dënuarit për krime të shumëfishta që presin hekurat; të akuzuarit për krime makabre e seriale të SHIK-ut; të dosuarit të korrupsionit dhe të bandave vepruese përgjatë më shumë se një dekade, kulmuan mjerimin institucional të Kosovës të sotme. Thirrja në kushtetutshmëri e ligje, në fakt, shërben në amnestimin e krimeve dhe të kriminelëve në Kosovën tonë keqas të përtokur.

 

     Dje ankoheshim, me të drejt, se pushtuesi i shkatërronte institucionet tona legale. Po sot kush po i përdhos institucionet e Kosovës?! Fakt është se është stopuar e gjithë jeta institucionale në Kosovë dhe, kryesisht, për fajin e pushtetarëve aktualë, të cilët, me mendësinë e mykur komuniste staliniane, nuk përfillin asnjë ligj, normë dhe etikë morale, që obligon për një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet partnerit në koalicion apo të pozitës dhe të opozitës. Anarshia totale institucionale ka paralizuar jetën organizative shtetërore deri në prag të mos ekzistimit të shtetit. E tmerrshme, por, një e vërtetë, tashmë, e pamohueshme.

 

27 tetor 2010



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora