E enjte, 25.04.2024, 11:17 AM (GMT+1)

Mendime

Ilir Sefaj: Vetëvendosje - për një shtet ndryshe!

E marte, 02.11.2010, 10:58 PM


VETËVENDOSJE- për një shtet ndryshe!

 

Të vetëdijshëm, se klasa politike e Kosovës në këtë dekadë të këtij fillim shekulli është karakterizuar me një politikë pasive, regresive, lëvizja VETËVENDOSJE u pa si imperativ i kohës

 

Nga Ilir SEFAJ

 

Më 29 të muajit që lamë pas, lëvizja VETËVENDOSJE! prezantoi programin e saj politik. Në një ambient të ngrohtë, ku ishin tubuar qindra qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, në mënyrën më dinjitoze, kjo lëvizje bëri prezantimin e programit të saj politik. Siç jemi në dijeni, intencë e lëvizjes VETËVENDOSJE, nuk qe asnjëherë lufta për pushtet. Përkundrazi, kjo lëvizje luftoi dhe do të vazhdojë të luftojë për shtet me qytetarë dhe pushtetarë aktiv. Kosovës sot i mungon pushteti aktiv, dhe me një pushtet pasiv i cili në qendër të vëmendjes ka vënë interesin personal, duke anashkaluar të drejtat elementare për qytetarët e saj, vështirë të arrihen synimet tona kombëtare. Dhe përderisa kjo e vërtet është e pakontestueshme, atëherë Kosovës i nevojitet një pushtet dhe shtet ndryshe. Me pak fjalë, kjo është e vërteta faktike e cila këtë lëvizje të gjerë tashmë, e ka detyruar të kërkojë votëbesimin e qytetarit, e kjo me qëllim të ndryshimit të imazhit të kësaj të vërtete e cila qytetarin e Kosovës e ka zvetënuar në mënyrën e saj më të pamëshirshme. Edhe pse formalisht Kosova e gëzon statusin e shtetit të pavarur, ajo kurrsesi të funksionojë si e tillë. Të vetëdijshëm, se klasa politike e Kosovës në këtë dekadë të këtij fillim shekulli është karakterizuar me një politikë pasive, regresive, lëvizja VETËVENDOSJE u pa si imperativ i kohës. Në këtë periudhë të veprimtarisë së saj, kjo lëvizje ishte tejet aktive duke ndihmuar drejtpërdrejt, me hapa konkret, në vetëdijesim e qytetarit të Kosovës për atë që po ngjet rreth tij. Kjo lëvizje në këtë periudhë të veprimtarisë së saj, ka shfaqur haptas pakënaqësinë e kompromiseve të dëmshme që i ka bërë pushteti në Kosovë, duke dëmtuar kështu imazhin e kësaj hapësire në gjeopolitikën ndërkombëtare. Edhe pas dhjetë viteve në liri, qytetari i Kosovës po zvetënohet, po i humbet dinjiteti, po katandiset. Pra, edhe pas një dekade në liri, ky qytetar kurrsesi të fitojë epitetin e një qytetari me dinjitet. 

Qytetarët e Kosovës sot, janë ndër njerëzit më fatkeq të botës. Në një shtet ku mbi 50% e popullsisë është e papunë nuk ka se si të jetë ndryshe.

Në kohën kur të gjitha shtet e rajonit, bile edhe Maqedonia artificiale e ka fituar të drejtën e lirisë së qarkullimit në Europë, Kosova ka mbetur një geto e izoluar. Përveç tjerash ky izolim flet direkt se një liberalizim eventual i vizave për kosovarët, do nënkuptonte një zbrazje totale të Kosovës, dhe përderisa Europa do ta rrezikojë vetën nga një fluks i madh i njerëzve që do t’ia mësynte asaj, vështirë të ndodh ky liberalizim.

E merituam ne si komb një trajtim të tillë pas gjithë asaj katrahure që përjetuam?! Merituan të rinjtë e Kosovës një trajtim të tillë, në një kohë kur shtetet e rajonit i prijnë proceseve integruese në strukturat euroatlantike?! Në asnjërën mënyrë. T’ia kujtojmë qytetarit të Kosovës se Sllovenia fqinje për më pak se një dekadë të shtetëzimit të saj ka arritur të jetë kryesuese e radhës së Bashkimit Europian.

Organizatat e ndryshme ndërkombëtare e renditin Kosovën ndër vendet më të korruptuara të botës. Kosova në sytë e qytetarit perëndimor është një vend i rrezikshëm ku ka kidnapime të njerëzve, mungon liria e shprehjes, është evidente dhe në rritje e sipër trafikimi i qenieve njerëzore. Pas të tërës së kësaj të vërtete, në Kosovë ngjajnë gjëra paradoksale. Një pushtet me një imazh të tillë, në shoqëritë e qytetëruara do të jepte dorëheqje të pa revokueshme, duke u ndjerë i fyer. Në Kosovë ngjet krejtësisht e kundërta. Përkundër, këtij dështimi me të cilën u karakterizua pushteti aktual; në të gjitha poret e jetës, ky pushtet kërkon prapë besimin e qytetarit të saj. Në një emërtim ndryshe kësaj i thonë; nonsens! Qytetarët e Kosovës duhet edhe një herë t’i bëjnë një rekapitullim  punës së këtij pushteti. Ky pushtet nuk ka ndonjë alternativë e cila çon vendin përpara, koha e zvarranikëve duhet marrë fund.

Gjithnjë në këtë linjë, jam i mendimit se Kosovës i nevojiten njerëz të rijnë, të cilët kanë vizion të qartë se si shpihet vendi përpara, njerëz e kaluara e të cilëve nuk vihet në dyshim. Një shtet ndryshe me një qytetar ndryshe, e shoh lëvizjen VETËVENDOJSE, të cilën në të njëjtën rrethanë e konsideroj edhe si imperativ të kohës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora