E marte, 23.04.2024, 05:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Elsa Lila: “Show im, falënderim për atë që më dha festivali 11 vite më parë”

E diele, 23.12.2007, 11:07 AM


Atëherë kur gjithmonë realizohet një gjë e bukur, pas saj ka gjithmonë kontestime, gjendet gjithmonë diccka për të dëshmuar të kundërtën.

Anila Mema Panorama

Elsa Lila
Megjithatë shkëlqimin e saj në Festivalin e Këngës në RTSH, asgjë prej tyre nuk mund ta heqë nga mendja publikut. Ndonëse jo një prezantuese e mirëfilltë, këngëtarja e njohur shqiptare, e cila prej vitesh ka prekur tregun italian dhe jo vetëm, Elsa Lila ka shkëlqyer në skenë. Plot batuta e humor, plot natyrshmëri, qoftë edhe me lapsuse të korrigjuara aty për aty, kanë bërë që Lila të cilësohet si një nga prezantueset më të mira, sot për sot në tregun shqiptar. Ndonëse vetë këngëtarja e njohur shqiptare, nuk e pranon një gjë të tillë, duke renditur pas saj një varg të gjatë prezantuesish të talentuar. Në këngë do ta pranonte një kompliment të tillë. Por fakti është fakt. Performanca e saj e mrekullueshme në natën finale të festivalit, shoqëruar nga Pirro Çako ka bërë që publiku të ngrihet në këmbë dhe ta duartrokasë, madje ta kthejë festivalin në një show të vërtetë. Por si ndihet vetë artistja tanimë pas kalimit të kësaj prove jo pak të vështirë, si ishte bashkëpunimi, cilat janë projektet e ardhshme, lexojini në këtë intervistë.

Festivali mbaroi, netët e lodhshme po ashtu, si ndiheni?
 
Po ç’të them unë, tani flisni ju, unë punën e bëra, tani bëni ju punën tuaj. Përveç lodhjes, pagjumësisë etj., natyrisht që ishte sadisfaksion i jashtëzakonshëm, eksperiencë e re, që më ka rritur në një farë mase jo vetëm profesionalisht, por edhe si njeri. Ishte një aktivitet me goxha peshë, për të cilën nuk pendohem absolutisht që mora pjesë, përkundrazi do ta ribëja me shumë dëshirë dhe herë tjetër. Më pëlqeu shumë, fillova të argëtohesha. Më pëlqeu atmosfera.

Jeni vlerësuar më e mira sot për sot nga prezantuesit, qofshin ata dhe meshkuj ose femra. Nga ju lind gjithë ajo energji me të cilën zotëroni skenën?

Kjo më tremb sinqerisht, sepse është një fushë për të cilën nuk jam absolutisht kompetente. Ishte një eksperimentim që unë bëra. Natyrisht kisha pasur mikro - eksperienca para 12-13 vjetësh, por në një rang shumë më të vogël në Pallatin e Pionierëve, shumë gjëra jo me kaq shumë peshë. Por para një publiku për tre net me radhë, me këto ritme, ishte hera e parë që punoja. Kështu që për mua është mbivlerësim. Sinqerisht, nëse do më vlerësonin për këngën, muzikën, jam dakord, se jam kompetente në atë fushë, edhe mund të pranoja një kompliment të tillë, por për prezantim jo, sepse mendoj se ka pasur dhe ka profesionistë shumë të mirë në Shqipëri, si femra dhe meshkuj, (nuk dua të them emra). Megjithatë i falënderoj të gjithë ata që më vlerësojnë, por nuk arrij ta shijoj dot këtë lloj vlerësimi, sepse nuk është fusha ime.

Megjithatë dukej që i kalonit kufijtë e skaletës dhe të spikereve standard...
 
Sepse natyrisht 11 vjet në skenë, 11 vjet eksperiencë, qoftë dhe me muzikën, skena skenë mbetet. Edhe një farë lirshmërie, një farë zotërimi i saj të vjen me vitet. Kam filluar që e vogël dhe jam rritur me skenën, të ndenjurit në të për mua nuk përbën më një problem, një tmerr, një terror, përkundrazi është kënaqësi që unë të ngjitem aty. Padyshim momenti i parë emocionant është gjithmonë, por kalon shpejt. Ndërsa improvizimet, shakarat, janë pjesë e karakterit tim. Unë u mundova të isha sa më e sinqertë, të isha vetvetja, ashtu sikurse do të bëja në një tavolinë të madhe me shumë miq, të njëjtën sjellje (natyrisht kësaj pak më e kontrolluar, sepse ishin telekamerat, publiku etj., etj.). Mbase fitoi natyraliteti, isha e natyrshme ashtu siç më vinte të bëja.

U cilësua jo vetëm një festival, por një show nga ana juaj, duke marrë pjesë me këngët tuaja dhe të reja të kompozuar enkas.

Kjo ishte dhe ideja fillestare e organizatorëve kur na ftuan të merrnin pjesë në drejtimin e këtij festivali. Si unë, ashtu edhe Pirro, jemi dy këngëtarë, por nuk jemi dy prezantues të mirëfilltë dhe patjetër që duhet të bënim edhe performancë. Të risillnim gjëra të bëra e të stërbëra, nuk kishte më kuptim. Ndaj dhe deshëm ta hapnim festivalin qëllimisht me këngën e Sanremos për një lloj lajtmotivi, me qëllimin që të gjithë artistët kanë mundësinë, sepse dyert janë hapur që të bëjnë sukses në gjithë botën dhe thjeshtë si simbol i asaj që të gjithë kanë tashmë mundësinë. Por nëse do vini re të gjitha performancat e tjera pak a shumë ishin të gjitha gjëra të reja. Ndonëse ishin p.sh. këngë si “Margjela” apo “Lule të bukura”, apo ku di unë të bëra e të stërbëra, sidoqoftë unë s’i kisha bërë ndonjëherë dhe u mundova t’i risillja ndryshe.

Një nga pikat kulminante tuaja në skenë ishte kënga “Margjelo” e Prenk Jakovës, e interpretuar në dy versione. Kujt i përket merita e duartrokitjeve?

Për “Margjelën” doja të falënderoja pa maaaaaaaasë, kompozitorin dhe aranxhatorin Edi Balili, sepse më vjen shumë turp, por nuk e citova në skenën e festivalit, si ai që e realizoj këtë punë. Ndoshta në skenë harrohen miqtë, por armiqtë nuk harrohen, për të mos iu bërë dëm atyre që ndoshta nuk ta duan të mirën. Miqtë edhe i anashkalon, sepse je e qetë që nuk ta marrin për keq dhe një nga këto ndodhi edhe me Edin, mikun tim shumë të ngushtë, ndaj dhe dua t’i kërkoj publikisht falje. Nuk e kam bërë qëllimisht, thjeshtë ka qenë emocioni i momentit, një ngarkesë psikologjike dhe e kam harruar. Por merita i takon atij që ajo këngë doli aq e bukur, me aq sukses. Ka punuar net të tëra pa gjumë, për mua dhe me mua.

Natën e tretë më shumë se një garë festivalit i dhatë notat e një show të vërtetë?

Në radhë të parë ai është një festival, show ishte i këngëtarëve, as i imi, as i Pirros, por edhe për publikun. Unë u mundova t’i jepja sa më shumë mbështetje. E kam thënë në një intervistë të mëparshme tuajën, që askush nuk ma kuptoi dhe nuk ma besoi atë që thashë në një pyetje, përse nuk merr më pjesë në festival si konkurrente? “Unë thashë: mua festivali ma dha atë që duhet të ma jepte dhe unë duhet t’i jap diçka festivalit”. Ndoshta pas festivalit mund të ma kuptojnë këtë frazë më mirë. U mundova t’i jap diçka nga vetja ime, një homazh, një faleminderit, për atë çfarë ka ndodhur në atë festival para 11 vjetësh. Faleminderit dhe arrita ta bëj. Pastaj definicionet jua lë juve. Ne ishim dy prezantues, bëmë të dy secili rolin tonë aq sa mundëm.

Gjatë festivalit zbuluat një surprizë tuajën, Francën. Ç’është ky projekt?

Unë e thashë edhe në skenë, po përgatit një album në gjuhën franceze për tregun francez dhe ndoshta atë kanadez, me qëllimin që ndoshta shkon mirë të përhapet edhe disi më tepër. Po punoj shumë. Do jetë pak a shumë zhanri i këngës që dëgjuat edhe në natën e dytë të festivalit, natyra ime. Natyrisht nuk kam dëshirë asnjëherë të bie në komercialitetin që shpesh kërkon populli dhe do ai, thjesht dua të jem gjithmonë vetvetja, të bëj atë lloj muzike që më rri mua përshtat (qoftë edhe nëse e pëlqejnë apo jo njerëzit) kudo qofsha unë, në Francë, Itali apo kudo tjetër. Megjithatë në këtë festival kam marrë disa këshilla të tipit, ta bëjmë këtë këngë pak më ritmike, pak më ndryshe, sepse në këtë mënyrë salla do ngrihet në këmbë, sepse njerëzit i këndojnë... por unë iu kam thënë jo, sepse nuk dua të dal nga natyra ime. Dhe njerëzit nëse duan të duartrokasin, më duartrokasin për atë që jam, jo sepse unë duhet t’ju përshtatem shijeve të njerëzve, as njerëzit nuk duhet t’i përshtaten shijeve të mia. Thjesht dua të jem vetvetja. Nuk jam dakord as me konceptin t’i përshtatemi tregut, që të shesim dhe të pëlqehemi sa më shumë. Jo.

Kur keni në plan largimin dhe përfundimin e albumit?

Nuk dua të jap afate, sepse pastaj thonë gënjen. Dhe punët artistike nuk kanë afate, nëse e thua në prill dhe mundohesh të mbarosh në prill, puna sforcohet, nuk del e mirë dhe arti do kohën e vetë.

Sa do të rrini në Shqipëri?

Edhe një javë në Shqipëri, për të takuar më në fund të afërmit e mi, të cilët nuk i kam parë fare gjatë këtyre ditëve të festivalit. Pastaj do të kthehem në Itali për të vazhduar projektin francez. Festivali nuk ishte zhgjandërr, por andërr.

Festat ku do t’i kaloni?

Në Itali, ku do të vazhdoj jetën normale.

Olta Boka, rastësisht mes “luftës”

Më fatlumja e festivalit, njëkohësisht më e përfolura dhe më e vogla e garës, fituesja e festivalit, Olta Boka, gjendet rastësisht në këtë histori, si “Liza në botën e çudirave”. E gjendur direkt pas garës, mes një grup “pretendentësh” për fitues, Boka, në vend që të merrte urimet e rastit, qofshin këto edhe për kortezi, ka dëgjuar veç të bërtitura dhe sharje të pafundme. Megjithatë ditët e saj kanë rrjedhur natyrshëm, ka shkuar në shkollë dhe ka ndjekur si gjithmonë orët e mësimit. Eshtë vetëm 16 vjeçe dhe debutimi i saj në skenë ka qenë i pari për të. Eshtë zbuluar nga “Gjeniu i vogël”. Dhe nuk i di ende “hilet” e këtij profesioni, apo garave pas të cilave fshihen interesa e klane.

Dyshja kosovare, shkak debati

Debati mes jurisë dhe drejtuesve të RTSH-së ka nisur për dy zero të dhëna nga Gjergj Xhuvani dhe Alban Skënderaj për këngën “Jeta kërkon dashuri”, të kompozuar nga Edmond Zhulali dhe orkestruar mbi poezinë e Agim Doçit. Kënga është interpretuar në skenën e festivalit nga dy vajzat e reja nga Kosova, Doruntina Disha dhe Flaka Krelani, të cilat në këtë garë janë vlerësuar me çmimin e dytë. Duket se mes jurisë kishte pasur një lloj marrëveshjeje paraprake për t’i shpallur ato fituese, por që në fund ka ndodhur krejt e kundërta. Megjithatë debati nuk ka ngelur vetëm te votat, por ka marrë edhe nuanca politike, gjë që vihet re edhe në mjaft komente të forumeve të ndryshme në site interneti.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora