E shtune, 20.04.2024, 07:47 AM (GMT+1)

Editorial

Lavdrim Lita: Piramida, Dalai Lame dhe Amon-Ra-ma

E hene, 01.11.2010, 10:59 PM


Piramida, Dalai Lame dhe Amon-Ra-ma

 

Nga Lavdrim Lita

 

Njeriu ka frikë nga koha. Për t’i shpëtuar kohës ndërton piramida. Dhe piramida është shenja prekëse e kujtesës. Prandaj koha ka frikë nga muzetë. Për të shkruar këtë shkrim m’u desh të lexoja shumë. Në fund arrita në konkluzionin që të gjitha piramidat në botë janë pothuajse të përligjura në ndërtimin e tyre prej urdhrave të Zotave. Në tokën  e banuar prej milionave viteve ka pasur perëndi të paparë e njerëz meskinë të quajtur klerikë dogmatikë që kanë skllavëruar mendjen e njerëzve me forcën e frikës dhe injorancës. Përzierja e këtyre dy elementëve kanë krijuar opiumin e nevojshëm për të droguar popujt. Zakonisht përdornin piramida sepse mendon se ishin ura lidhëse me paraardhësit e racës së tyre. Sidomos klerikët e nomenklatura politike e Egjiptit të lashtë dhe atyre Azteke në Amerikën Latine besonin se vetëm kështu mund të lidheshin në një farë mënyrë me atë/ata që konsideronin Zota të tokës dhe nëntokës. I ndërtuan në formë piramidale sepse besonin se perëndia ishte një “rreze dritë”.

Klerikët dhe nomenklatura politike e sotshme pretendon në një farë mënyre të mbajë kontakt të paktën shpirtëror e nostalgjik me Zotin që i sundoi mendjen dhe shpirtrat 45 vjet. Bile i ndërtuan diktatorit një muze piramidal sepse besonin se perëndia komuniste ishte një rreze drite, por më pas kuptuam si ishte një “hije nate”.  Zoti i ri i plotfuqishëm në Tiranë Amon-Ra-ma preferon të lëvizë fije nostalgjike kundër vendimit të fundit të kryeministrit Berisha për të ndërtuar Parlamentin e ri. Përveç adhuruesve të idhujve më shqetëson më shumë investimin topografik i medies për të shantazhuar me top qeverinë kur i cenohen interesat e saj financiare. Gjithsesi është çështje perceptimi dhe jo arsyetimi.

Përtej kësaj kam një qëndrim pragmatist. Jam për ndërtimin e Parlamentit të ri të shqiptarëve. Dhe Piramida duhet prishur pa shumë stërhollime të sofistikuara kinse prishin trashëgiminë kulturore. Të vetmen dëshmi që jep ai muze i diktatorit është se ne jemi ende të sunduar nga frika dhe injoranca. Dhe nuk ka Dalai-Lame që mund të argumentojë me mirësi e qartësi të kundërtën.

Gjithashtu kam mendim e diskutueshëm se Parlamenti i ri ka më kuptim të ndërtohet diku tjetër. Hedh idenë: pse jo dhe jashtë Tirane? Kurrsesi jo në themelin e kompromentuar të mauzoleut të diktatorit. Të ndërtohet diçka funksionale për qytetarët e Tiranës. Mundësisht të zgjedhin me një referendum konsultativ se çfarë duan më shumë për t’ju përmirësuar jetesën në këtë qytetet me plot piramida të tjera betoni. Këto piramida të ndërtuara nga Zota paraardhës të kryezotit të sotëm Amon-Rama janë si gjemba në konshiencën e njerëzve. Kur njerëzit shikojnë gjembin në mes të TiRamës ndjejnë dhimbje në plagët e së kaluarës. Dhe ne jemi një popull që kemi vuajtur shumë, prandaj sa më pak dhimbje aq më mirë.

Sikurse është po aq e vërtetë një Kuvend që të jetë me të vërtetë oda e demokracisë është e pëlqyeshme pikësëpari  për një solemnitet sidomos në truallin e saj e mbi të gjitha duhet bekuar me ujin e bekuar të arsyes. Parlamenti i sotëm, edhe pse me një lifting (tërheqje lëkure) i ngjan  një plake 70 vjeçare sovjetike që tërheq lëkurën për t’i dhënë buzëqeshje të fundit fytyrës muzhike. Kësaj fytyre të buzëqeshur që fsheh trupin  e gangrenizuar nga një turpërim konstant 70 vjeçar. Trupi i saj i përdhunuar nga protektorë gangsterë si Enver Hoxha është në dekompozim e sipër, prandaj kemi pasur shumë jashtëqitje gojore në parlament. Oda e re Demokracisë shqiptare ka më kuptim të themelohet në 100 vjetorin e saj. Demokracia e vërtetë shqiptare ka pak dekada jetë. Do të kishte qenë mirë që mentorët e parlamentarizmit ta kishin ndërtuar sapo ndërroi regjimi. Por më mirë vonë se kurrë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora