E premte, 29.03.2024, 11:53 AM (GMT)

Mendime

Gani Qarri: Ç`po ndodhë në Kosovë?

E diele, 31.10.2010, 06:59 PM


Ç`po ndodhë në Kosovë?

 

Nga Gani Qarri

 

Ka disa kohë që në shtypin dhe mediat shqiptare, pothuajse fare nuk flitet për asgjë tjetër siç shkruhet e flitet çdo ditë për prishjen e qeverisë,dorëheqjen e Presidentit dhe dorëzimin e posteve ministrore nga ministrat e LDK-s, me porosi të po ati Presidenti,ndasitë dhe grupacionet e krijuara së fundi në LDK,e që siç duket tanimë ngjarjeve më të reja do ti shtohet edhe një temë ngase edhe gjysma e mbetur e qeverisë bashkë me parlamentin i kanë orët, tashmë të numëruara.

 

Ish Presidenti, Fatmir Sejdiu ashtu si edhe herë të tjera ka treguar edhe këto ditë me tërë vendosmërinë e një fanatiku, se përveç shkeljes me dashje të Kushtetutës së Vendit,ai  mbetet konsekuent edhe në masakrimin e serishëm të LDK-s të cilën në koordinim me EQËN njëherë jo vetëm se e ndau por edhe e sakatoi partinë e tij,duke i gjymtuar njerëzit me rrahje karrigesh.

 

Kaluan mbi dy decenie që kur në gjirin e LDK-s, në emër të demokracisë, të Popullit dhe Atdheut nën flamurin e antikomunizmit, veprojnë komunistë të tërbuar të cilët në radhë të parë iu shërbejnë interesave të tyre personale duke i vënë ato mbi gjithçka tjetër me çka po tregohen tepër mosmirënjohës ndaj durimit të stërzgjatur të popullit të varfër dhe të shumë vuajtur shqiptar i cili përkundër të gjitha përjetimeve  njerëzve të tillë ngatërrestar pa asnjë paraqitje dinjitioze, u mundësoi ngritjen,qëndrimin por ua lejoi pa asnjë reagim të vetëm kundërshtues edhe keqpërdorimin e të gjitha pozitave deri në piedestalin e pamerituar  të udhëheqjes vendore.

 

Kështu të emërtuarit ministra, kryeministra e deri te Presidenti i shtetit të cilët janë   bashkëpërgjegjës për varfërimin e skajshëm të këtij Populli dhe pasurimin e tyre marramendës, as pas kësaj gjendje të krijuar,nuk janë të ngopur vetëm me kaq ,por ata përpiqen me të gjitha mundësitë dhe me çdo kusht që ta mbajnë kështu dhe të vazhdoj edhe më tej kjo gjendje opiumi duke e vënë në gjumë popullin tonë me përralla për të larguar vëmendjen e tij nga problemet e ditës dhe korrupsioni galopant, i cili ia ka zënë frymën çdo pore të frymimit normal të jetës në Kosovë, duke mos e pasur fare për turp që të na imponohen edhe si parashikues të pagabueshëm të “fatit”politik, profet e hero me peshë historike dhe udhëheqës të “pazëvendësueshëm”kombëtar.

 

Deri këtu ka arritur marrëzia e njerëzve hakmarrës dhe mjeshtër intrigash duke fyer kështu popullin dhe shtetin tonë anipse Kosova tanimë cilësohet si e lirë dhe ka një parlament në të cilin shpresojmë të ketë parlamentar patriot dhe dinjitioz të cilët për çudinë e të gjithëve, njerëz të ngarkuar me përgjegjësi të cilët duhet të hetoheshin për shumë gjëra si edhe për shkeljen e Kushtetutës e anashkalojnë atë si të jetë ndonjë tubim amatorësh,pa u penguar në synimin e tyre perfid për arritjen e përfitimeve grupore dhe realizimin e interesave të tyre personale!

 

Ndaj edhe gjendja në Kosovë, është krejt ndryshe nga ajo që paraqitet sot për qëllime politike nga politikan pa moral,dje të varfër sot miliarderë derisa më shumë se gjysma e popullit përjeton mjerimin më të madh i mbërthyer nga darët e varfërisë së skajshme e cila tani është rritur dhe është kthyer në murtajë të Jetës së Shqiptarit të lirë!!!!i cili lëngon rënd nga  sëmundja me virus të korrupsionit,e që duke humbur shpresën për jetë  dhe besimin në drejtësi, bie në depresion deri në vetëvrasje apo largim i përjetshëm qoftë edhe me rrezikim jete,nga Atdheu i ëndrrave të tij.

 

Rasti më drastik i cili të shtynë të mendosh se vallë kanë funksionarët shqiptarë ndjenja pas pasurimit të tyre marramendës,në mënyra ende të pa sqaruara dhe marrjes së posteve të pamerituara,apo i kanë humbur ato përjetësisht edhe nëse dikur i kishin,është rasti i emetuar para pakë ditësh në RTK, ku Zonja Feride Selimi, mësuese në Shkollën e Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, bashkë me Prindërit ,tash e dhjet vjet jetonte në një Tendë të falur nga ndërkombëtarët të vendosur në oborrin e asaj Shkolle,e cila përkundër mosinteresimit vendor,edhe në këtë rast qenka kujtuar dikush i huaj ti vijë në ndihmë që nga Amerika e largët, Profesori Mark Lake nga Los Angelosi, për t’ia ndërtuar një shtëpi kësaj Familje të pa strehë .

 

Por që të jetë fatkeqësia edhe më e madhe, odisejada e kësaj familje nuk kishte të sosur,ngase me gjithë insistimet e pa reshtura edhe në vitin e njëmbëdhjetë Kërkesa e saj për ndarjen e një trualli,nuk gjente dot zgjidhje as nga drejtoria e strehimit e as ajo e urbanizmit,duke hedhur fajin diku tjetër,për mos ndarjen e truallit, familjes Selimi,as sot e kësaj dite,që edhe asaj më në fund ti ndërtohej një Shtëpi nga donatorët e huaj.

 

Ndarja e një trualli nuk realizohet dot nga pengesat administrative të komunarëve të pa shpirt shqiptar, ngase kjo familje për ti bindur përgjegjësit e ndarjes së trojeve për ndërtim, duhet të gjejë edhe donator për ti ngopur me KORRUPSION funksionarët e pangopur që për vete bëjnë jetë përrallore nëpër pallatet e pa merituara të ndërtuara apo përvetësuara nga ky lloj përfitimi.

 

Tashmë pothuajse që të gjithë janë mësuar me korrupsionin dhe askush nuk është i interesuar për atë që flasin njerëzit. Indiferenca e politikanëve të zgjedhur dhe të gjitha të këqijat që shoqërojnë udhëheqësin e këtij vendi,është një nga tiparet e këqija shqiptare,që edhe në të ardhmen cilido që ti fitoj zgjedhjet , nuk do të jetë një garanci për gjendje më të mirë, në këtë vend të mbushur me varfanjak të pa shpresë.

 

Pra mjerisht, kam shumë frikë se jemi në prag të një dështimi historik për jetë të dinjitetëshme në liri,Liri e cila është Dhuratë e Zotit për njerëzimin,por e mbytur nga padrejtësitë dhe korrupsioni më i madhe në gjithë Evropën, pjesë e së cilës po themi se jemi ,apo do pretendojmë të bëhemi, por si? Në këtë mënyrë? Jo!

 

Derisa aktivistët e të drejtave të njeriut dhe mjekët ligjorë vazhdojnë edhe më tejë përpjekjet për të gjetur viktimat dhe të kidnapuarit e luftës,ne konfrontohemi drejtpërsëdrejti edhe me prova e fakte tjera konkrete të brutalitetit, të jetës në vendin tonë,me Veriun e vendit të okupuar nga falangat serbe ku  administrojnë Rusët ,me veriun nga i cili janë dëbuar jo më pak se 23820 shqiptarë dhe uzurpuar 714 banesa të cilat janë okupuar nga serbët në veri ,derisa shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga pasuria dhe shtëpitë e tyre në atë pjesë të Kosovës duhet të paguajnë qira për të banuar dikund në pjesën jugore të Mitrovicës.

 

Për shkak të  të gjitha këtyre fakteve shqiptarët ikin edhe sot të tmerruar nga vendi i tyre i çliruar,për tu strehuar dhe mbijetuar në vende të huaja,por edhe nga fakti se funksionarët tanë në vend, kudo mbërritën sollën me vete ferrin e varfërisë, mbeten të tillë të korruptuar dhe të pa shpirt deri në çmenduri, duke qenë në gjendje që t’ia marrin edhe shpirtin shqiptarit të mjerë, sado i varfër dhe i pa shpresë që të jetë ai...

 

Para disa ditësh edhe Gazeta sllovene “Delo” shkruante se si shumica e politikanve të vendit tonë ,nga opingat dhe lloqi i katundeve kërceu në fotele dhe mercedesa,por kjo nuk ishte edhe e keqja më e madhe,mjerisht ajo pasonte me lajmin edhe më trishtues, se garnitura e  këtyre politikanve,nuk i ka knaq lakmitë deri në fundë......

 

Le të shpresojmë se Historia do ta gjykojë këtë gjendje alarmante në bazën e fakteve të cilat e quan vendin në një situatë të tillë, gjendje kjo që përveç tjerash ka shkaktuar edhe humbje  të jashtëzakonshme të besueshmërisë, në gjithë arenën ndërkombëtare,gjendje që është kthyer në histori të dhimbshme për vendin tonë,e cila nuk mund të shërohet vetëm me bërje vlerësimesh!

 

Cyrih 30.10.201



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora