E marte, 23.04.2024, 10:51 PM (GMT+1)

Editorial

Frrok Kristaj: A po i rehabilitojmë okupatorët (?!)

E diele, 31.10.2010, 07:59 PM


A po i rehabilitojmë okupatorët (?!)

 

Hoteli “Union” është ndërtuar në vitin 1927, kohë kjo kur shqiptarët ishin të përndjekur dhe të përsekutuar. Kisha ortodokëse serbe shenjtëroi car Llazarin, kurse Sulltan Muratin e shenjtëruan legjendat. Po ashtu, Kisha ortodokëse serbe, e ngritur në territorin e Universitetit të Prishtinës, do të duhej të shndërrohet në muze mbi gjenocidin serb mbi shqiptarët etnik

 

Nga Frrok KRISTAJ

 

Është konstatim gati se edhe i dëshmuar se shqiptarët kur janë ngushtë janë tolerant, janë të bashkuar, janë solidar dhe dijnë t’i rënditin aktivitetet në të mirë të çështjes kombëtare. Mirëpo, në momentin e çlirimit sikur harrojmë çdo gjë, e harrojmë shpejtë të keqen që e kemi përjetuar në kohë të liga, e harrojmë afrinë e mbi të gjitha edhe gati se për hiqgjë e harrojmë edhe identitetin tonë kombëtar. Jemi të prirur që për ndonjë interes shumë të vogël gati edhe të heqim dorë edhe nga interesat më madhore. Sikur e kemi logjikën e robit, dhe në momentin kur çlirohemi nga okupatori, fillojmë ta restaurojmë okupatorin e mëhershëm. I përvetësojmë gjërat e huaja dhe fillojmë t’i ndijmë si tonat. Ndaj, është më se e nevojshme që sa më parë të çilrohemi nga ajo logjikë.

 

Hoteli “Union” nuk ishte i shqiptarëve

 

Tash e një kohë po flitet e përflitet për objektin e Hotelit “Union” të Prishtinës. Këtë objekt si përçudi shqiptarët e radhitën në mesin e objekteve të veta me vlera të trashëgimisë kulturore-historike. Si ndodhi kjo nuk e di, por dihet se ai objekt u ngrit nga pushteti okupator serb në vitin 1927, kohë kjo kur shqiptarët jo vetëm që nuk kishin pushtet, por as që dëgjoheshin, përkatësisht ishin të përndjekur dhe të përsekutuar. Atëbotë asgjë nuk frymonte shqipe, as shkollat, as administrata, me një fjalë asgjë.

Në fakt, para asaj kohe në atë vend kishte ekzistuar një objekt ku në kohën e Perandorisë Otomane kishte qenë e vendosur selia e Konsulatës së Serbisë, ku kishin shërbyer konzujt e njohur për antishqiptarizëm, si Milan Rakiq, Branislav Nushiqi e ndonjë tjetër.

Është fakt se objekti përkatës është ngritur sipas projektit të arkitektit austriak Andrija Kremer, por nuk është e vërtetë se mbi dritare e atij objekti ka qenë i skalitur portreti i Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, sepse atë nuk do ta lejonin serbët, por se portretet e gravuara nuk ishin asgjë tjetër pos figura të pushtuesve serb.

Ndërkaq, në vitin 1941, kur shqiptarët e përjetuan Shqipërinë etnike me administratë e shkolla shqipe, në atë objekt (Hotelin “Union”) u hap restauranti “Skënderbeu”, por shtrohet pyetja se pas përfundimit të Luftës Dytë Botërore, ku mbeti emërtimi i atij restauranti?

Dhe, një ditë pamëdyshje se marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë - Serbi do të normalizohen, dhe atëherë me siguri se Serbia pa marrë parasysh çmimin, atë objekt do ta kërkojë për ta vendosur Ambasadën e vet për të qenë në zemër të kryeqytetit të Republikës së Kosovës, por edhe për ta vazhduar kontinuitetin e diplomacisë së vet në atë vend.  

Në anën tjetër, pse policia e Kosovës edhe sot e kësaj dite nuk e bëri të ditur emrin e personit që e dogji objektin e Hotel “Unionit”, kur dihet se ai ishte një serb i Graçanicës, i cili me detyrë apo jo, banonte aty dhe kur ishte në gjendje të dehur, nga dritaret më të larta bërtiste parulla për Serbinë dhe për kryekriminelet serb.

Si zakonisht serbët krenohen kur kremtojnë humbjet, si me rastin e Gazimestanit. Po pse ne tash kemi arsye t’i rehabilitojmë ata apo Sulltan Muratin, kur ata ishte vetëm okupatorë e jo shenjtnor të besimeve të tyre. Apo këtë e bëjmë për t’iu “kundërvënë” serbëve kur ata kremtojnë humbjen, kurse ne për inat të tyre (serbëve) shënojmë fitorën e okupatorit të mëhershëm - Sulltan Muratit e të tjerëve. Sipas kësaj logjike ndoshta nesër do të pajtohemi që në vendbanimet e tashme serbe nëpër Kosovë t’u ngriten permendore edhe kriminelëve serb të kohës më të re.

Shtrohet pyetja: Çka ka bërë Sulltan Murati apo serbët e kohës së ngritjes së Hotelit “Union”, apo edhe të mëvonshmit, për shqiptarët përveç asaj se na kanë vrarë, masakruar e dëbuar nga trojet tona.

Kurse ne ende veprojmë me logjikën e robit. Nga kjo del se ende kemi nevojë të çlirohemi nga vetvetja, në mënyrë që ta gjejmë dhe ta begatojmë identitetin tonë kombëtar.

 

Sulltan Muratit - pushtues apo shenjtor?

 

Perandoria Otomane ishte pushtuesja më jetëgjate e trojeve tona. Ajo na ka lënë 500 vjet mbrapa. Megjithatë, për një kategori shqiptarësh komandanti i asaj perandorie ishte një i  shenjtë. Bile ka edhe të atillë që mendojnë se me Betejën e Kosovës (1389) u fitua beteja me Evropën. 

Për humbjen e Betejës së Fushë-Kosovës serbët i kanë marrë të gjitha “meritat” për vete, por kronikat e hershme osmane të shekullit XVI përmendin se ushtrisë së aleatëve të krishterë (shqiptarë, serbë, hungarezë, boshnjakë, etj.), u priu car Llazari i rebeluar. Beteja thuhet se ishte shumë e egër, por edhe humbjet ishin të mëdha. Të dy komandantët paten mbetur në fushëbetejë. Mirëpo, më vonë njëri u shenjtërua nga kisha ortodokëse serbe, Llazari, kurse Murati u shenjtërua nga legjendat.

Sido që të jetë, në Kosovë varri (me zorrë) i Sulltan Muratit (trupi iu balsamua dhe iu varros në mausoleun e madh të sulltanëve në Çekirge të Bursas në Turqi), që ia ngriti një vit më vonë Sulltan Bajaziti, i biri i Sulltan Muratit, që ishte martua me të bijen e car Llazarit, Oliveren, edhe sot vizitohet nga disa fundrrina shqiptarësh, kurse monumenti i Betejës së Fushë-Kosovës, që u ngrit në vitet 60 të shekullit XX, u shndërruan në një busullë orientuese e mitit të serbëve për Kosovën, përkatësisht e depërtimit të turqve në Evropë. Me këtë, në shekullin XIX, serbët filluan ta ngjallin mitin e tyre me një festë që dikur ishte fetare e që i kushtohej profetit Amos të Dhiatës së Vjetër, që serbët e shndërruan në festë të Vidovdanit (28 qershor). Do përmendur se me fitorën e hershme të Perandorisë Otomane mbi serbët, që u zhvillua buzë lumit Marica në Bullgari (1371), kur edhe serbët e pranuan vasalitetin e tyre ndaj otomanëve, besohet se ishte ajo që i hapi rrugë pushtimit të përgjithshëm osman Ballkanit, por serbët asaj humbje nuk i kushtojnë rëndësi.

Megjithatë, kanë kaluar shumë kohë, historia është transformuar, por varri i Sulltan Muratit dhe munumenti i betejës (që përkujton car Llazarin), në të njëjtën fushë, rrëfehen në forma të ndryshme, por frymëzojnë po kaq ndryshëm aspiratat e okupatorëve për  Kosovën. Dhe, derisa Kovosa nga serbët konsiderohet djep i tyre, kurse për turqit simbol i ekzistimit të tyre në Evropë, athua po për ne shqiptarët çka paraqet kjo Kosovë - vend për t’i rehabilituar okupatorët apo vend ku do të duhej ta forcojmë identitetin tonë kombëtar ?!

Absurdin më të madh e bëri Komuna e Kastriotit (Obiliqit), e cila më 10 qershor 2010 (sipas bilbollderëve nëpër Prishtinë) ishte edhe njëra nga donatorët e manifestimit kushtuar Tyrbës së Sulltan Muratit në Mazgit. Nëse këtë e bëri komuna me vetdije, atëherë i propozojë Obiliqit që të mos e ndërroj emërtimin në Kastriot, sepse nuk qëndron edhe të përkujtohet okupatori e edhe të quhet vendbanimi Kastriot.

 

Të ngritet Muzeu i gjenocidit serbë mbi shqiptarët

 

Pushteti okutapor serbë mbi Kosovën, sidomos gjatë periudhës 1989-1999, ngriti nëpër Kosovë një mori kishash ortodokëse serbe (bile edhe me mjete të shqiptarëve që ua vjeli nëpërmjet formave të ndryshme). Si për çudi me paaftësinë e grupit negociatorë të shqiptarëve, që u zhvilluan në Vjenë të Austrisë, serbët arriten t’i legjitimojnë edhe kishat që u ngriten në kohën e okupimit të egër. Njëra ndër to është edhe kisha ortodokëse serbe, që u ngrit gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit kaluar në territorin e Universitetit të Prishtinës (bile dikur ajo tokë kishte qenë pronë e kishës katolike, që i ishte nacionalizuar). Dhe, tash nuk ka gjasa që ajo të menjanohet nga aty. Ndaj, shqiptarët duhet të janë ata që të kërkojnë që ajo kishë (serbe) të meremotehet plotësisht, nga brenda e jashtë, dhe pastaj ajo të shndërrohet në muze mbi gjenocidin serbë mbi shqiptarët e viseve etnike. Aty do të duhej të vendosen dokumentet, fotografitë, filmat e gjësendet tjera që dokumentojnë gjenocidin serb mbi shqiptarët e viseve etnike. E them këtë sepse e tërë politika serbe për shfarosjen e shqiptarëve filloi pikërisht në kishat ortodokëse serbe, nga e cila edhe iu dha bekimi. Po ashtu, nga kisha serbe doli edhe rryma e çetnikizmit serb për t’i vrarë, masakruar e dëbuar shqiptarët nga viset e veta etnike.

Një muze i tillë edhe ashtu i mungon viseve etnike shqiptare.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora