E shtune, 20.04.2024, 02:39 AM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Një përvojë e hidhur dhe Integrimi arsimor

E diele, 31.10.2010, 07:59 PM


Një përvojë e hidhur dhe Integrimi arsimor

 

Nga Dorian Koçi

 

Një email alert (lajmërues) i  ardhur në adresën time elektronike nga site-i i Cambridge University Press më bënte me dije se nëse isha pedagog në fakultet mund të porosisja një kopje libri falas shqyrtimi, me qëllimin e mirë për ta futur më vonë si pjesë të kurrikulës studimore në universitetet tona. Nuk kam pse ta fsheh se më pëlqeu si ide pasi në këtë lloj mënyre do të kisha në duar një libër të ri për veten time  por dhe studentët e mi do ë kishin mundësinë që të njiheshin me një tekst më bashkëkohor sesa këta tanët që përdorim përditë. I zbatova të gjitha udhëzimet dhe plotësimin e të dhënave që libri të më dërgohej në adresën time dhe pasi shtypa butonin e fundit që bija dakord me të gjitha kushtet prisja që aplikimi të merrte udhë. Por s’ pashkësh qenë e thënë!

Një lajmërim me germa të kuqe më njoftonte se në adresën e universitetit duhet të shtypja në fillim emrin e vendit, Shqipërisë dhe pastaj nën të do të dilnin emrat e universiteteve shqiptare që një institucion serioz si Cambridge University Press i njihte për të tillë. Fatkeqësisht nën emrin e Shqipërisë nuk kishte asnjë universitet të listuar qoftë shtetëror qoftë privat. Mendova për një moment se ndoshta kjo gjë ishte një defekt i gjithë rajonit por sërish isha i gabuar pasi nën emrin e shteteve  të tjera ballkanike dilnin një sërë universitetesh të vendeve përkatëse pedagogët e të cilëve natyrisht ishin shumë më me fat sesa unë. U mërzita dhe më erdhi keq që qoftë  për vete por dhe për gjithë kolegët e mi që nuk e kemi fatin qoftë  dhe institucionalisht në fushën e arsimit, një fushe integruese dhe humaniste të jemi pjesë e këtyre lehtësirave që afron sot zhvillimi arsimor  botëror dhe komunikimi modern.

Në fakt rasti i mësipërm që normalisht nuk më ka ndodhur vetëm mua, por ndoshta dhe shumë kolegëve të tjerë që synojnë modernizimin e kurrikulës arsimore  ilustron shumë qartë gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri. I konsideruar si një nga sektorët më jetikë në krijimin e resurseve dhe kapaciteteve të vërteta intelektuale për të zhvilluar një vend, arsimi i lartë por jo vetëm ai , i është nënshtruar një varg reformash të gjera që të paktën sipas atyre që i kanë iniciuar të gjitha kanë synuar integrimin në arsimin botëror dhe njohjen e diplomave shqiptare si diploma të vlefshme universitare në botë. Nga të dyja këto objektiva primare asnjë nuk është realizuar deri tani dhe natyrisht përtej kërkesës llogaridhënie ndaj gjithë titullarëve të arsimit në këto 20 vjet reformë të trishton fakti se situata edhe në ditët e sotme kur Shqipëria po mundohet të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian, gjendja vazhdon të jetë e njëjtë.

Sot sistemi arsimor shqiptar vazhdon të përkundet mes dilentatizmit-masivitetit dhe mediokritetit- cilësisë së dobët. Qendrat Universitare shqiptare nuk afrojnë kurrfarë ekspertize për shumë probleme adekuate që vendi përballon nën zhvillimin e shpejtë të Globalizmit. Rolin e tyre padrejtësisht po e luajnë shoqata joqeveritare të vogla që në të shumtën e rasteve fondet e përfituara nga Brukseli i shpërndajnë në masën 3/4 si shpenzime të brendshme operative dhe vetëm 1/4 investohet në ekspertizë të mirëfilltë. Buxheti i miratuar nga qeveritë shqiptare për arsimin edhe pse me një ngritje të kurbës së vet në këto vitet e fundit, vazhdon të jetë në kuotat më të ulta në rajon. Padrejtësisht kërkimi i mirëfilltë shkencor është zëvendësuar në organizimin plot pompozitet të Konferencave shkencore dhe botimin e kumtesave që çdo pedagogu i duhen për të ngjitur shkallët e karrierës akademike  sesa në manifeste të vërteta zhvillimi dhe inkurajimi të burimeve njerëzore dhe materiale të vendit. Rekrutimi i stafit të ri akademik ashtu si dhe fusha të tjera të jetës në Shqipëria vuan nga “sëmundja profesionale” e nepotizmit dhe korrupsionit duke shkaktuar mediokritet dhe parazitizëm në arsim.

Natyrisht që frytet e hidhura të kësaj politike arsimore shumë shpejt Shqipëria ka për të shijuar ku pavarësisht masivizimit të tij që e ka zëvendësuar parullën e dikurshme të sistemit monist “I gjithë populli ushtar” në i “I gjithë populli student” nuk do të krijojë një klasë duhur teknicienësh e menaxherësh të mirë por një turmë parazite të arsimuar që nën emrin e diplomës do synojë të përvetësojë vazhdimisht vende në administratë duke krijuar kulturën e ndërvarësisë dhe të pritshmërisë nga shteti. Globalizmi dhe proceset integruese kërkojnë vazhdimisht përvetësimin e dijeve të thelluara dhe të  teknologjinë së zhvilluar ndaj është shumë e rëndësishme për tu kuptuar se integrimi i një vendi në hapësirën evropiane para se të jetë një integrim politik dhe ekonomik është në radhë të parë një integrim kulturor dhe arsimor i shprehur më së miri në hartimin  e politikave  kulturore  dhe arsimore për tu garantuar më të mirën e mundshme në këtë fushë  qytetarëve të vet.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora