Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Shkëlqimi dhe rënia e Presidentit

| E premte, 29.10.2010, 09:59 PM |


SHKELQIMI DHE RENIA E PRESIDENTIT

 

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

 

     Dr. Fatmir Sejdiu pasoi Presidentin Historik dr. Ibrahim Rugovën. Shumëçka në sjelljen e tij të kujtonte paraardhësin. I matur, i përkorë, elekuent, i gazshëm dhe komunikues i shpengueshëm. Thënë troç, për katër vjet e tetë muaj dr. Fatmir Sejdiu shkëlqeu në postin e Presidentit të Republikës të Kosovës.

 

     Me gjithë pengesat serioze nga partneri në koalicion, dr. Sejdiu ishte vullnetmirë për të qenë i drejtë dhe i paanshëm, sidomos në disa nisma të ndjeshme, në veçanti në vlerësimet për vrasjet politike, të cilat e majta ekstreme e Kosovës, duke u identifikuar si autore e tyre, synon varrosjen e përjetshme të këtyre krimeve makabre seriale.

 

     Eshtë folur dhe po flitet pse u dorëheq, më sakt, pse u shkarkua presidenti Fatmir Sejdiu?!

 

     Shkas dha vet Sejdiu, sepse sikur provoi të matet me hijen e vet të mengjezit, duke bluar në kokën e tij, por pa e shprehur asnjëherë, se edhe dr. Rugova mbajti postin e presidentit dhe atë të kryetarit të LDK-së dhe nuk u bë nami!

 

     Gazetarë dhe analistë, madje edhe politikanët kanë preferuar të mos përgojohet Presidenti Rugova, duke bërë analogji. Një arsye më shumë është se për kohën e Tij sikur ishte gjysmë-fakultative çështja e mbajtjes të dy posteve paralele, ndërsa me aprovimin e kushtetutës të re të Kosovës, kjo ndalesë u sanksionua, u ligjësua qartazi dhe pa hemendësime. Dhe, kjo përjashton krahasimin dhe, rrjedhimisht, rëndon Sejdiun.

 

     Janë dy kundërshtarët e rreptë të dr. Rugovës, të cilët nuk po e kursejnë fare Atë edhe tani pas shkuarjes të Tij në amëshim si dr. Agim Vinca dhe mr. Eqrem Kryeziu. Ne, bashkëkohësit e Ibrahim Rugovës, sjellim ndërmend një polemikë të bërë 40 vjet më parë, në mes të Rugovës dhe Vincës. Atëherë, Rugova student dhe redaktor përgjegjës i gazetës "Bota e re", "Plejada" dhe "Dituria", butësisht, por fort argumentues e përtoku Vincën, pa mundur të ngrihet kurrë më në nivelin që pretendonte. Dhe, tani, me sulmet e pas shuarjes fizike të dr. Rugovës, e thonjëzon emërtesën "historik", edhepse kjo është përligjur nga shqiptarët e kudondodhur dhe ndërkombëtarët. Një hakrmarrje kjo sa primitive e provinciale, aq edhe jo njerëzore.

 

     "Bedeli" i kryetar Sejdiut në LDK-së, Eqrem Kryeziu, me sulmet e përsëritura kundër Rugovës, herë hapur dhe herë koluareve, e ka dëtuar shumë edhe Fatmir Sejdiun, sepse heshtja është konsideruar si aprovim. Edhe përçapjet e fundit të Kryeziut, për të mbajtur dy postet nga Sejdiu, duke bërë krahasime, janë të dështuara dhe moralisht të dënueshme.

 

     Sekretari i heshtur dhe simpatik i LDK-së, përgjatë disa viteve, dr. Fatmir Sejdiu, sikur ndryshoi brenda ditës. Ende pa mbaruar zija e madhe për shuarjen e Presidentit Rugova, në prapaskenë u projektua puçi kundër kryetarit të Parlamentit. Disa të anashkaluar nga kryetari Rugova, për arsye që ata i dinë, u aktivizuan papritur, duke iu ngjitur si pullë Sejdiut. Anëtarësia vuri dyshimin edhe ke vet Sejdiu. Kuvendi i VI-të bëri të lexueshme shumëçka.

 

     Pse Fatmir Sejdiu identifikohet me rrënimin e LDK-së?

 

     Analistë të dëshmuar, intelektualë të njohur, madje edhe shokë e miq të Fatmir Sejdiut reaguan ashpër dhe me forcën e argumenteve, duke e renditur atë në njëshin e fajsisë.

 

     Intelektualë të zëshëm në Shqipëri, para luftës hodhën akuza  pa kursim ndaj Presidentit Rugova. Por, paslufta i këndelli. U provua edhe lufta, e cila nuk arriti në nivelin e një lufte të mirëfilltë dhe rezultoi në masakër. Kjo ndodhi atëherë kur shqiptarët ishin përgaditur për luftë dhe mendonin se do ta bënin namin! Po sikur të fillohej kjo luftë atëherë kur disa aventurierë diskotekash akuzonin, shanin e mallkonin Presidentin Rugova, pamëdyshje Bosnja do të mbetej në hije.

 

     Kur të gjitha parashikimet e dr. Rugovës rezultuan të sakta e reale, ndërruan mendje edhe Dritero Agolli e Koço Danaj si dhe Ismail Kadare dhe vet dr. Sali Berisha, i cili e vlerësoi Presidentin Rugova si "njëri prej burrave më të shquar të kombit shqiptar të të gjitha kohërave, arkitekt i pavarësisë të Kosovës..."  Ndërkohë, inatçorët e Kosovës nuk lëvizën nga "istikami"! Vërtet, kurrizon vetëm varri e ndreq.

 

     Politikani dhe analisti Koço Danaj, ish-kuadër i PPSH-së, dikur kritik i rreptë i dr. Rugovës, më vonë realist dhe njohës i meritave të Tij, njëherësh bëri hapin cilësor, duke u konvertuar nga komunist në nacionalist, i tërhoqi vërejtjen Fatmir Sejdiut se diferenca e 29 votave nuk është asgjë dhe të mos trimërohet deri në mospërfillje karshi rivalit, përndryshe, mban përgjegjësi për dëmtimin e rendë të LDK-së.

 

     Çuditërisht, zoti Sejdiu, i cytur edhe nga grupi i riaktivizuar në LDK-e, doli tërësisht nga natyra e tij e butë dhe gjentile, me përjashtimet dhe përzgjedhjet selektive, e bëri rrezginë partinë.

 

     Pse zoti Sejdiu i mbante dy postet paralele?!

 

     Të paktën, Fatmir Sejdiu është tamam doktor në jurisprudencë. E themi këtë, sepse paslufta sikur ia uli "pazarin" doktoraturës. Dyshimet janë të bazuara. Dhe, Kushtetuta e përcakton qartë këtë çështje. Karrierë e shkëlqyer, tej tri dekadave pedagog i kësaj lamie.

 

     Sikur po harrohet ajo më e rënda: mashtrimi, të cilin e bëri Presidenti përgjatë ushtrimit të dy funksioneve. Mendoj se mohimi  është më i keq se ushtrimi faktik paralel. Presidenti çek Vaclav Havel, ashtu si dhe Presidenti Rugova kanë mbetur përjetësisht të nderuar, sepse kurrë nuk e kanë gënjyer popullin e vet.

 

     A u dorëhoq apo u shkarkua Presidenti?

 

     Unë mendoj se ai u shkarkua. Përgjatë viteve në Presidencë ai mund të shkarkohej disa herë, pikërisht për këtë shkelje. Por, partneri në koalicion e kishte për zemër ta kishte Sejdiun në krye të shtetit. Ajo që ka thënë një kuadër i lartë i PDK-së se investimi i bërë ke Fatmir Sejdiu, ka qenë më i suksesshëm për ne, se sa ai në asfaltimet e rrugëve, është shumë domëthënëse.

 

     Por, rrethanat ndryshuan. Njëmendësia e intelektualëve atdhetarë se LDK-ja duhet reformuar dhe ringritur në kuotën që i takon, shqetësoi partinë në pushtet, që pretendon ta mbajë gjatë pushtetin e marrë me plumb dhe mitosje.Prandaj, vendosi shkarkimin e presidentit. "Sigurojmë popullin e Kosovës se nuk do të këtë boshllëk institucional" - deklaroi kryeministri me t`u kthyer në Kosovë.

 

     Mendja e komunistëve punon dhe projekton kriza. Mbetja e Sejdiut president, duke lënë drejtimin e LDK-së, lehtësonte dhe demokratizonte zgjedhjet partiake. Lënia e Presidencës dhe mbetja në krye të LDK-së, i komplikon shumë gjërat, kur dihet se grupi që e rrethon në kryesinë vicioze, don, madje me çdo kusht, t`i mbajë privilegjet hiç meritore. Prandaj, komunistët në koalicion luten, natën dhe ditën, "bëje Zot llugë LDK-në" dhe ata do të livadhisin në politikë dhe në pushtet shpengueshëm.

 

     Zoti Sejdiu u  tregua i sinqertë dhe pranoi shkarkimin kur tha se "nuk kishte alternativë tjetër". Por grupi vicioz brenda Kryesisë Qendrore, i cili, tashmë, është identifikuar për intriga politike dhe katrahurë partiake, përlavdëron falsifikueshëm "për aktin moral të dorëheqjes dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese". Kjo na kujton të akuzuarit nga Gjykata e Hagës, për krime lufte se kinse u vetëdorëzuan, duke u mburrur me "besën shqiptare", ndërkohë që ata ishin zyrtarë të lartë dhe ishin të përcjellur rreptësisht nga policia ndërkombëtare. Falsifikimi i historisë nuk ka brirë. Kështu fillon e kështu mbaron. Të paktën, është provuar për gjysmë shekulli edhe në Shqipërinë tonë, të sunduar kriminalisht e turpërisht nga filosllavistët komunistë shqiptarë.

 

    Me bujë e pompë dy partitë e të majtës ekstreme PDK-ja dhe AAK-ja u vetëshpallën brënda natës të djathta. E themi të natës dhe jo të ditës, sepse e gjithë veprimtaria e tyre identifikohet me errësirën. Por, struktura, brumi partiak është tejet i thartuar, për t`u konvertuar djathtas.

 

     Janë ca parime bazë që pamundësojnë kalime, hope cilësore, siç do të ishte njëmendësia e këtij veprimi. A mund të besohet kjo përrallë vetëqejfbërje e pragmatike, kur sekretari i përgjithshëm i një partie të ekstremit të majtë, e cila pretendon se është e djathtë, në qilerin e qiftit mban fotografitë e Stalinit dhe të Enverit. Falsifikimi dhe mashtrimi është i stërdukshëm.

 

     Pikërisht këtu zë fill anashkalimi hileqar i projektit të Presidentit Rugova, i cili pas shpalljes të pavarësisë, pas bërjes të shtetit, do të fillonte profilizimin e mirëfilltë të LDK-së, aleancat me partitë dhe partizat e spektrit të djathtë, duke garuar për pushtet.

 

     Klani aktual është i vetëdijshëm se nisma për konsolidimin e të djathtës të Kosovës, i polarizon raportet me partinë në koalicion, pasi nuk mund të jenë të djathta edhe LDK-ja edhe PDK-ja, kur dihet bërthama e kuqe e kësaj të fundit. E djathta e çmon lirinë dhe demokracinë dhe është e prerë në mbrojtjen e kësaj kauze, madje me çdo çmim. Ndërsa e majta i relativizon këto parime për hir të pragmatizmit i shkel pa e vrarë ndërgjegja.

 

     Për çudë, ky fenomen ndodhë edhe në vendet me demokraci të zhvilluar, e të mos flasim për Ballkanin, ku liria përdhoset krejt natyrshëm. Ish zëvendës-kancelari dhe ministër i jashtëm gjerman - Steinmeier, i SPD-së, pra, i të majtës gjermane, i bëri thirrje Evropës se për krimet e bëra në Kosovë, "të mos i merret fytyra Serbisë"!!! Një deklaratë kaq mizore nuk duhej bërë po të ishte vrarë qoftë edhe njënjeri i pafajshëm dhe jo më 12 mijë viktima të një masakre të egër!

 

    Kryetari Fatmir Sejdiu me shokë  nuk ka ndërmarrë asgjë për unufikimin e të djathtës. Në të kundërtën, ai me klanin  e tij kanë refuzuar çdo ofertë të partive të mirëllta të djathta. Dhe, kjo, pa hamendje, përbën fajësi të rëndë dhe nuklënë asnjë shpresë se ky klan mund të bëjë reforma në LDK-e.

 

     Qysh në vitin 1994, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë të Degës të LDK-së për Gjermani, i pata kërkuar, madje me shkrim, dr. Rugovës që të krijohet - Instituti i Përgjegjësisë - brenda LDK-së, pra, kuadrotë që gabojnë ose edhe fajësohen me fakte, të japin llogari para strukturave të partisë dhe t`i bartin rrjedhojat, duke i ulur në përgjegjësi.

 

     Edhepse dr. Rugova  e vlerësoi këtë propozim, mjerisht, Instituti i Përgjegjësisë nuk u jetësua kurrë! Përndryshe, anëtarësia besnike dhe fisnike e LDK-së nuk do t`i prisnin në ethe zgjedhjet partiake, nga frika se "brinjohen buajtë dhe e pësojnë bretkocat"!

 

Tetor 2010