Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Dosjet e 1997-ës dhe dosjet e politikanëve

| E premte, 29.10.2010, 09:59 PM |


DOSJET  E  1997-ës

DHE DOSJET E POLITIKANËVE

 

Nga Reshat Kripa

 

Para dy vitesh u mor vendimi për hapjen e proçeseve të hetimit për ngjarjet e vitit 1997. Të them të drejtën atëherë ndjeva brenda vetes një ndjenjë respekti për organet e policisë hetimore që më në fund, pas njëmbëdhjetë vitesh, po kujtoheshin të hetonin ato ngjarje të errëta të vendit tonë. Duke kujtuar ato ngjarje makabre më doli para syve Vlora ime e atij viti të zymtë, ajo Vlorë e bukur, perla e Adriatikut, por e ngjashme me nje qytet pas nje tërmeti të tmerrshëm. Kush e bëri të tillë Vlorën time qiellore? Kush e ndezi  luftën  e pakuptimtë që zhvillohej ato ditë nëpër rrugët e atij qyteti?           

Ende dëgjojmë mendime të ndryshme rreth atyre ngjarjeve. Një palë ia hedhin fajin ish presidentit të asaj kohe. Të tjerë flasin për udhëheqës të së majtës  që, në të vërtetë, e vizitonin si shumë shpesh dhe lirshëm Vlorën e atyre ditëve, kur shumëkush nuk guxonte të udhëtonte për në atë qytet nga tmerri i bandave që sundonin atje. Madje në njerin prej mitingjeve të famshme të zhvilluar në sheshin historik të qytetit, një prej tyre,  deklaroi se si Vlorën do e bënin të gjithë Shqipërinë. Dhe si për ironi Vlora ishte kthyer në gërmadhë. Kudo shihje godina dhe banesa të hedhura në erë. Ngado dilte tym dhe flakë. Siç duket zotnia në fjalë kështu donte ta bënte të gjithë Shqipërinë.

Sot dëgjojmë zëra majtas dhe djathtas që thonë se politika nuk duhet ngatërruar në këtë çështje. Por a mos vallë politika nuk është shkaktare e ngjarjeve të atyre ditëve? Kush i ngriti bandat e Zan Çaushit, Gaxhait, Kakamit dhe dhjetra të tjera në atë qytet. Mos vallë lindën nga hiçi? Ata që i përjetuan ato ditë të tmerrshme i dinë shumë mirë organizatorët e tyre. Si ka mundësi që prokuroria të mos i dijë? Kush e organizojë sulmin kundër punonjësve të SHIK-ut, ku mbetën të vrarë dy të përndjekur politikë, Lek Çoku dhe Besnik Hidri. Kush e kultivoi atë urrejtje të madhe kundër tij, në një kohë kur për ish sigurimin famëkeq të shtetit totalitar, kur njihen botërisht krimet e kryera prej tij, në vitet 1992 nuk pati asnjë reagim të tillë hakmarrës.  Kush e organizoi pritën kundër punonjësve të policisë së qytetit ku mbetën të vrarë tre vetë, midis të cilëve dy të përndjekur politikë, Besim Manoli dhe Gëzim Shabani, të dy bij ish të burgosurish? Kush e vrau Valter Harizajn dhe Viron Rapajn edhe këta dy të përndjekur politikë?  Si për çudi në ato ditë vriteshin kryesisht ish të përndjekurit.                                                        

Këto ditë takova një mikun tim. Biseduam për fillimin e hetimeve për atë vit makabër. Me një zë të qetë ai citoi shprehjen e famshme të Hamletit:

- Fjalë, imzot, vetëm fjalë!

Nuk e di si do të përfundojë ky hetim. A do ketë të drejtë miku im? A do të jetë një hetim që do të peshkojë vetëm bishtrat, apo do të thellohet edhe në kokat? Të presim dhe të shohim. Megjithatë, kanë kaluar dy vjet dhe deri tani asgjë nuk është zbardhur. Personalisht do të isha që të përfshinte këdo, qoftë i djathtë apo i majtë, qoftë kryetar qeverie apo partie, qoftë deputet apo funksionar i çdo rangu. Nuk do më vijë mirë që të përfundojë si ai i  vitit 1998 në parlamentin shqiptar, i ashtuquajturi komisioni Ngjela, që u katandis në një flluskë sapuni.  Çuditërisht kështu përfundokan të gjithë komisionet parlamentare në Shqipëri. Megjithatë fjalët e mikut tim më tundojnë. Brenda ndërgjegjes time ndiej një zë që më thotë se ky hetim do të  përfundojë si ai i para disa viteve. Dhe për këtë kam argumentat e  mia. Kush është ai jurist, gjykatës, prokuror apo punonjës i lartë i administratës shtetërore  që do të kryejë këtë hetim? Shumica dërmuese e tyre janë ish punonjës  të administratës  së vjetër. A mund të dalin ata kundër vetes, kur akoma nuk kanë shprehur asnjë ndjenjë pendese për të kaluarën e tyre?

Kanë kaluar katër vjet nga koha kur parlamenti shqiptar miratoi rezolutën “Për ndëshkimin e krimeve të kryera nga rregjimi komunist“. Në pikën e parë të kësaj rezolute thuhet:

“Të organizohet konferenca kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë,

partive politike, shoqatave të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për hetimin e krimeve të kryera nga rregjimi komunist.”

Çfarë është bërë për organizimin e kësaj konference? Asgjë. Përse? Sepse nuk ka vullnet politik për të dënuar komunizmin. Sepse partitë politike vazhdojnë të mendojnë dhe veprojnë sipas mentalitetit komunist. Sepse në rradhët e tyre vazhdojnë të qëndrojnë elementë me prejardhje nga ajo shtresë. Sepse në vendin tonë vazhdon akoma të hymnizohet ajo epokë e zymtë që e la vendin në këtë gjendje dhe të mohohen meritat e nacionalistëve shqiptarë që së bashku me të gjithë popullin luftuan për lirinë e këtij vendi dhe ndoshta për këtë qëllim u persekutuan për gati pesëdhjetë vjet me rradhë. Organizimi i një konference të tillë dhe krijimi i një grupi të pavarur për hetimin e krimeve komuniste do i hiqte petën lakrorit dhe do të zbulonte të vërtetën për atë epokë që u bë tmerri i atdheut tonë martir. Në një nga pikat e tjera të kësaj rezolute thuhet:

“Të hapen të gjitha dosjet e ish bashkëpuntorve të sigurimit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale si dhe të mediave të shkruara dhe audio-vizive.” 

Megjithatë, gjithçka ka mbetur në letër, si një projekt i humbur që nuk gjen dot rrugën e zbatimit. Kush e pengon? Përse nuk hapen dosjet e deputetve, antarëve të qeverisë, këshilltarëve dhe zëvendës ministrave e drejtorëve të drejtorive, antarëve të gjykatës kushtetuese, asaj të lartë, të apelit dhe gjykatave të shkallës së parë, prokurorisë qëndrore dhe atyre të rretheve dhe bosëve të mediave të shkruara dhe audio-vizive? Askush nuk përgjigjet. Megjithatë të gjithë e dinë shkakun e vërtetë. Në vorbullën e kësaj organizme të madhe shtetëroro-partiake, notojnë lirisht dhe të pashqetësuar pjellat e sigurimit të zi të komunizmit.  Këtë gjë e tregoi Gjykata Kushtetuese kur hodhi poshtë ligjin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë  mbi pastrimin e figurave qeveritare. 

A do të pastrohet ndonjëherë shoqëria shqiptare nga këto pjella? Vështirë të japësh përgjigje. Megjithatë një shembull i mirë është dhënë në këtë drejtim.  Krijoimi i komisionit për hetimin e krimeve të rregjimit komunist, që pritet të fillojë punë së shpejti, është një tregues i mirë. Edhe përfundimi i hetimeve për ngjarjet e vitit 1997 do të jetë gjithashtu një shenjë e mirë, nëse do i shkohet deri në fund. Megjithatë unë mbetem dyshues në këto drejtime pasi në veshët e mi tingëllojnë ende fjalët e mikut tim: 

- Fjalë imzot, vetëm fjalë! 

Le të shpresojmë që ato të mos jenë më vetëm fjalë!