E premte, 29.03.2024, 02:26 PM (GMT)

Editorial

Lavdrim Lita: Përtej telit me gjemba, ka një stuhi lirie

E enjte, 28.10.2010, 09:00 PM


Përtej telit me gjemba, ka një stuhi lirie

 

Nga Lavdrim Lita

 

Është gjithmonë e vështirë të flasësh për qytetërimin dhe lirinë. Në përgjithësi liria konsiderohet si arritje qytetërimi. Në veçanti qytetërimi – thotë filozofi i revolucionit francez Zhan Zhak Ruso në librin “Mbi origjinën e pabarazisë” lindi kur “njeriu i parë, pasi rrethoi me tel një copë tokë, e deklaroi se kjo është toka ime, dhe gjeti të tjerët kaq naivë sa t’i besonin është themeluesi i vërtetë i shoqërisë civile. Sa luftëra, sa krime, sa vrasje, sa mizëri, sa horrore do t’i ishin parandaluar njerëzimit nëse dikush do të kishte hequr shtyllat dhe telin me gjemba e do të ulërinte që të mos i besonim një mashtruesi sepse frutat janë të të gjithëve dhe toka nuk është e asnjërit”.

Pra qytetërimi u themelua mbi një padrejtësi sikur të ishte ri-mishërimi me forma të tjera të mëkatit zanafillor. Gjithsesi në histori s’kthehesh dot prapa për të korrigjuar trajektoren e lirisë së munguar, pasi historia nuk bëhet me “nëse ai do të...”! Prandaj është fakt i kryer që telat me gjemba që rrethojnë sot jo vetëm tokën e askujt të qytetërimit por është kthyer në barrierë mendore që parandalon çdo rrezik për status-quo-në e mbivendosur në këtë parim. Kështu që jemi të detyruar te jemi pjesë e pabarazisë shoqërore derisa dikush të bërtasë kundra atij që na rrethon gjithçka që pretendojmë se s’duhet rrethuar.

Për ta bërë argumentimin sa më të prekshëm po e shtroj arsyetimin në terrenin e humbjes së lirisë për të lëvizur lirshëm. Është e pranueshme se përpara instalimit të komunizmit në Shqipëri, të gjithë shqiptarët, edhe nën pushtimet e ndryshme barbare ishin të lirë të udhëtonin jashtë kufijve. Totalitarizmi monist mori pa pyetur askënd e askund fiks atributet e një babai patriarkal që të mbronte nga rreziqet e imperializmit liberal. Në të vërtetë më pas kuptuam se veç po mbronin pushtetin e tyre. Për të udhëhequr popullin shtuan propagandën e vetiu amplifikuan psikozën e rrezikut permanent duke përdhunuar ndjenjën e lirisë e skllavëruar mendjen. Pa armë, pa Mbret, të braktisur nga bota shqiptarët me injorancë iu nënshtruan sigurisë komuniste duke humbur kështu lirinë. Pasojat janë të dukshme edhe sot kur për të lëvizur lirshëm të duhet patjetër certifikimi i dinjitetit tënd. Skllavopronari më i madh i kohës Enver Hoxha ai doli të ishte i pari shqiptar që sundonte plotësisht jetën dhe vdekjen. Askush, në aq pak kohë s’kishte pasur kaq arritje mizore.

Rrethimi i kufirit me tel me gjemba na ndau jo vetëm nga bota e lirë perëndimore por edhe nga bota lindore. Ishulli i marksizmit u përforcua tej mase me bunkerë fizik e ideologjik që pastaj na ndau nga liria dhe na afroi me robërinë. Të paktë ishin ata që mundën të kalonin përtej telit me gjemba. Qindra u vranë apo u prangosën në kufi dhe u përndoqën për vite me radhë, ndërsa familjet e tyre vuanin internimin. E siç dihet në vitet e vetë-izolimit, shqiptarët shpikën qindra mënyra për ta çarë burgun e madh të injorancës. U shpikën forma të çuditshme antenash që të lidhnin me botën përtej, u shpikën forma të çuditshme lundrimi, u shpikën legjenda e histori të mitizuar të atyre fatlumëve që kishin mundur të arratiseshin nga shtëpia e tyre. Ishte një mënyrë për të mbajtur shpresën gjallë.

Ndërsa diktatura pritej të shkërmoqej në fillim të viteve 90, shumë shqiptarët iu sulën mureve të ambasadave perëndimore e afrikane (për shembull asaj Algjeriane) në kërkim të ëndrrës për tu larguar nga një vend ku nuk kishte më ëndrra. Mijëra të tjerë u ngjeshën mbi anije, u kapën fort pas direkësh, të cilët i çuan në Perëndim. E në atë përpjekjen prej Sizifi, qindra humbën jetën; ndërsa u ngjiteshin shpateve të maleve, të kapur prej ushtarësh në klone me tela me gjemba e në gomone që mbyteshin. Arratisja nga realiteti u kthye për vite me radhë në mënyrën e vetme që kishin shqiptarët për t’ia dalë mbanë.

Gjithsesi duhet thënë se “largimi i madh” i shqipove nuk ishte me përmasa biblike. Ndonëse askush nuk e çau detin më dysh si Moisiu, që ata të mund të kalonin më këmbë për t’u gjendur  kështu të lirë në tokën e ëndrrave, atyre iu desh ta bënin vetë këtë. Ndonëse kanë kaluar dy dekada askush s’di të japë një shifër të besueshme sesa njerëz u zhdukën, sa humbën dhe sa mbetën sakat apo pësuan trauma psikologjike në aventurën e dëshpëruar për të ikur.

Nga burgu i madh gjigant i rrethuar me tela e gjemba nuk guxonte të dilte njeri dhe lëvizja në boten “përtej” u kthye në një ëndërr obsesionale për çdo shqiptar. E, prandaj një prej parullave të lëvizjes së dhjetori '90-ës ishte sinjalizues: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, çka shprehte dëshirën e shpresën për realizim të ëndrrës së shqiptarëve për të lëvizur lirshëm në atë botë që u kish munguar sepse u ish ndaluar padrejtësisht. Ndonëse ishte e thënë që ëndrra të realizohej aq shpejt sepse  Muri i Berlinit shpejt u zëvendësua me barrierën Schenghen. Sikur të mos mjaftonte izolimi 45-vjeçar, qytetarët shqiptarë filluan të përballen me regjime strikte vizash, të cilët konsistonin në procedura të zgjatura, të komplikuara, të shtrenjta dhe shpesh keqtrajtimet nga personelet e ambasadave Oksidentale. Sigurisht edhe gjatë dy dekadave demokraci në tranzicion, lëvizja e lirë nëpër botë vazhdoi të ngelet sërish ëndrra e shqiptarëve sepse ajo është një çlirim psikologjik ndaj robërisë mendore. Sot jemi më afër se kurrë ditës kur do të lëvizim të lirë, pa iu treguar ambasadave patentën e dinjitetit. Dhe pyetjes se çfarë ka përtej telit me gjemba? Them se ka një stuhi jetë. Dimensione të reja, të paprovuara. Prandaj mbahuni fort sepse impakti do të jetë surprizues.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora