E premte, 19.04.2024, 09:23 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Alma Ajazi: Ne shtrat me suksesin

E shtune, 19.02.2005, 11:41 PM


Nga Estela Ziu

Alma Ajazi: Çdo njeri nëse do me të vërtetë diçka e arrin atë.

Alma Ajazi është vajza nga Tirana që pakkush e njihte këtu edhe për arsyen se që 10 vjeç u largua nga Shqipëria për të jetuar në Amerikë. Me kurorën e më të bukurës së Diasporës në 1999 ajo ka fituar sigurinë të kërkojë gjërat që do në kohën e duhur, madje edhe duke bërë pak çmendurira, siç i quan ajo këto foto. Tani studion në Athinë për diplomaci dhe ëndërron që në të ardhmen të ketë një post drejtues në qeverinë shqiptare.

Pozat provokuese që ju shikoni të botuara në këtë numër të revistës SPEKTER janë realizuar për kopertinën revistës greke “Speed Challenge”. Si arriti të përfundonte aty, këtë do të na e tregojë më mirë Alma...

Cili ishte fokusi i intervistës suaj në “Speed Challenge”?

“Speed Challenge” është një revistë mujore në Athinë që shfaq modele të ndryshme. Është një revistë që më shumë kap interesin e meshkujve, por që blihet edhe nga femrat. Fokusi i intervistës ishin pyetje te ndryshme rreth meje, si p.sh me gjërat që po merem tani dhe synimet qe kam unë për jetën time, etj.

Çfarë e ngacmoi tek ju stafin e kësaj reviste për t'ju pasur në kopertinë, duke patur parasysh që nuk jeni protagoniste në jetën e Greqisë?

Dua t'ju përmbledh me pak fjalë se si dola në faqen e parë të revistës. Një shoku im grek, kur ishim në shkollë po shfletonte revistën “Speed Challenge Magazine”. Ai po mburrej me të madhe për vajzat greke që ishin aq të bukura duke kaluar deri në ofendime për të huajat. Mua nuk më pëlqeu fare ky reagim e fillova të debatoja. Ai u mbrojt me argumentin që do të ishte e pamundur që një vajzë shqiptare të dilte në kopertinën e një reviste të tillë. Në moment vendosëm një bast që mua do të më shikonte shumë shpejt në faqen e parë të revistës. U nis si lojë dhe doli realitet.

E mbushur, shkoj në shtëpi dhe telefonoj në redaksinë e revistës, ku komunikova anglisht me kryeredaktorin e saj. Shumë e qetë dhe shumë hapur i them që jam një vajzë që dua të shfaqem në atë revistë. Ai qeshi me të madhe dhe më tha: “Më falni zonjushe por provojeni fatin diku tjetër sepse unë nuk mund t'ju ndihmoj dot”. Unë vazhdova të insistoja duke i thënë që kjo ishte një mundësi për ta, e se në të kundërt do të mund të pendoheshin po të refuzonin. Pasoi një heshtje e gjatë e pas kësaj më la një takim, i cili më pas rezultoi i suksesshëm për mua. Stafi ishte pak në siklet, sepse unë nuk isha askushi në botën artistike të Athinës, por besuan te unë dhe revista pati sukses.

E sigurisht kur ai shoku im grek kur pa mua në faqen e parë, e pati të vështirë t'u besonte syve. Unë tani kur e kujtoj qesh me veten time se si u bë kjo gjë, sa filloi të më dukej si një çmenduri e imja. Kjo më rriti besimin te vetja dhe them se çdo njeri nëse do me të vërtetë diçka e arrin atë.

Kam përshtypjen se në këtë lirshmërinë tuaj ka ndikuar edhe fakti që jeni rritur në Amerikë... Si ndodhi që u shpërngulët nga Shqipëria në Amerikë?

Sa herë që mbyll sytë, më kujtohet rruga drejt Amerikës. Me kujtohen njerëzit që më përcollen, përqafimet, puthjet, dhe lotët që ridhnin në fytyrat e tyre. Atë kohë nuk isha në gjendje të kuptoja nëse ato lotë ishin gëzimi apo hidhërimi.

Ka qenë data 14 shkurt, 1995 unë isha një vajzë 10 vjeçare qe u largova nga Shqiperia dhe shkoja të jetoja në një tjetër realitet. U vendosëm në Detroit, Michigan. Për këtë i jam shumë mirënjohëse babait që me kurajo e sakrificë në 90'ën kaloi ambasadën egjiptiane, nga ku gjeti dhe rrugën për Amerikë. Në momentin që iu krijua mundësia tërhoqi dhe mamin, motrën e mua.

Thatë që ishit vetëm 10 vjeç, çfarë mbani mend nga fëmijëria këtu?

Sado që ika nga Shqipëria në moshën 10 vjeç, ka detaje që nuk më shqiten nga mendja. I mbaj mend si tani duart e mamasë time ulur ne kolltukun e sallonit, ku thurte me grep e i lodheshin sytë për të rritur mua dhe motrën time. Sado që ajo punonte si edukatore, bënte edhe këtë punë të dytë të na plotësonte kërkesat që kishim. Ndoshta atë kohë na ka munguar gjendja e mirë ekonomike, por mbaj mend që jam rritur me shumë dashuri, përkëdheli aq sa dhe me disiplinë e kulturë. Kam bëre vetëm katër klasë të fillores në Shqipëri, dhe ndonjëherë kur merrja nëntë vija në shtëpi duke qarë dhe sa pushoja i hapja librat që ditën tjetër të merrja dhjetë.

Në verë shkoja shpesh në Sarande, që është dhe vendi i origjinës së mamasë sime. Më kujtohen si tani ecjet pranë dallgëve, kalatë e rërës e madje edhe shkëmbinjtë që më dhanë kurajon të hidhesha me kokë në det. Kam kujtime shumë të bukura, dhe tani që po i mendoj po bëhem paksa nostalgjike.

Si e përjetuat ndryshimin në mënyrën e jetesës në kontinentin tjetër?

Vajtja në Amerikë ishte shumë e vështirë për mua, dhe kalova një periudhë tepër të lëkundur; gjuhën nuk e dija, shoqëri nuk kisha, dhe ndihesha e vemtuar. Kur vinte vera e fëmijët e tjerë dilnin, unë qëndroja në shtëpi me librat e anglishtes. Me kalimin e viteve familja u stabilizua dhe për mua gjërat filluan të ndryshonin. Nuk isha më një fëmijë i vetmuar që mbaja kokën ulur duke qëndruar në nje qoshe. Fillova të krijoja shoqëri, me mësime dola shkëlqyesh ë m. Amerika më dhuroi dritaret e hapura të mundësive duke më shndërruar në një femër që di si të mbijetojë e të jetë e zonja e vetes. Gjatë 10 viteve që kam jetuar në Amerikë kuptova që zemra më e lënduar në këtë botë është ajo e një emigranti.

Thoni se e ardhmja e Shqipërisë janë të rinjtë që shkollohen jashtë, kjo do të thotë që ju do të ktheheni këtu menjëherë sapo të diplomoheni?

Do të ishte shumë mirë që studentët shqiptare të ktheheshin. Jam e sigurt që kështu, Shqipëria do të mudn të përfitonte sadopak nga kultura perëndimore.

Nuk m'u përgjigjët për veten tuaj. Nëse do të vinit, do të ishit e gatshme të punonit këtu edhe me një rrogë simbolike në krahasim me atë çka mund të merrni diku tjetër?

Më vjen në mend një shprehje e Sokratit: “Nëse një person humb paranë, ai nuk ka humbur asgjë, nëse ai humb shëndetin ka humbur diçka, por nëse ai humb shpresën ka humbur gjithçka. Pra unë jetoj brenda vetes me shpresën që një ditë të bëhem politikane dhe të kem një post në qeverinë shqiptare.

Perse morët vendimin për tu shkolluar në Greqi? Nëse do të donit të ishit më afër Shqipërisë edhe këtu ka një universitet amerikan…

Ne fakt doja të shkoja në Paris, tek American University of Paris, por vendosa të shkoja në Greqi për të qenë më pranë Shqipërisë. Kam dëgjuar për New College që është hapur ne Tiranë. Prindërit e mi menduan që do ishte më mirë të diplomohesha në një universitet se sa në kolegj, pasi ky i fundit ka nivel pak më të ulët, edhe pse nuk e vë fare në dyshim cilësinë e edukimit të New York College.

Unë di që ai ka statusin e Universitetit, po gjithsesi duket që familja ka pasur ndikimin e saj. Vazhdoni të jetoni me ta?

Jetoj me një vajzë Amerikane. Kemi një apartament të përbashkët, dhe jemi bërë mikesha të ngushta.

Si është një ditë e zakonshme e Almës?

Tani që kam një vit në Athine, jam tepër e zënë. Vazhdoj studimet dhe gjithashtu jam mësuese anglishteje në një shkollë. Nuk kam edhe aq shume kohë te argëtohem. Mund të dal fundjavave me shoqërine time për të pirë ndonjë gotë verë të kuqe (mua më pëlqen shumë vera). Një herë në muaj mund të shkojmë në ndonjë buzuk me shoqërinë ku mund të them se ia kalojmë shumë mirë e se na pëlqen të kërcejmë shumë. Kur kam ndonjë orë të lirë gjatë ditës më pëlqen të ulem në ndonjë stol e të punoj me laptopin tim.

Alma, di që konkuruat për Miss-in e parë që u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Miss Diaspora 1999”. Nisur nga ditëlindja, duket sikur keni gënjyer për moshën (nuk marrin pjesë vajza më të vogla se 16 vjeç), apo gabohem?

Është e vërtetë. Ishte thjesht një gënjeshtër e vogël që rita moshen pothuasje gati 2 vjet, une isha vetëm 14 vjeç e gjysëm. Kisha shumë dëshire të konkuroja dhe të merrja pjesë në këtë konkurs që po zhvillohej për herë të parë në diasporë. E nuk më doli keq pasi fitova vendin e parë.

Pasi ju fituat çmimin e parë atje, pse vendoset te vinit në Shqiperi dhe të provonit edhe këtu eksperiencën e një spektakli bukurie, te Miss Shqipëria 2002?

E kanë fajin kanalet italiane që më morën në qafë (qesh), duke parë spektaklet e tyre. Që e vogël e kam pasur ëndërr të konkuroja një herë në Shqipëri për Miss. Pas fitores në Amerikë, vendosa të kthehesha në Shqipëri dhe të provoja fatin tim aty. Arrita të zgjidhesha shoqëruesja e dytë e Miss-it (atë vit Miss u zgjodh Elisabeta Gjonpali).

Zgjedhja për të studiuar diplomaci nuk duket aq e afërt me atë që keni pasur dëshirë të bënit kur ishit ende një adoleshente...

E zgjodha për një të ardhme më të sigurtë. Arti është me të vërtetë i bukur, i vlerësoj dhe i respektoj njerëzit që kanë shpirt artisti, por mendova se karriera në spektakle apo fushën e modës do kishte një jetë tepër të shkurtër dhe pas një periudhe ajo do vyshkej si një lule që dalëngadalë i bien petalet.

A je tip i shoqërueshëm?

Shumë. Më pëlqen të jem e rrethuar nga shumë njerëz.

Çfarë mendojnë miqtë e tu për ty, duke e lidhur më shumë me ndjesinë tënde sesi të tjerët perceptojnë cilësitë e tua?

Mendoj se shoqëria më konsideron si një vajze e dashur, e çiltër, e hedhur, e matur, por më shumë besoj që ata tek mua vlerësojnë sinqeritetin sado që ai ndonjëherë është I hidhur.

Çfarë është dashuria për ty?

Guri i çmuar në lotët që trokasin...

Kush e ka meritën e këtij guri?

(Ajo vetëm qesh dhe nuk përgjigjet.)

Muzika e preferuar...

Enigma, Andrea Bocelli, tingujt e bukur të violinës dhe kënga “Të Dua”; duet i Inva Mulës me Ardit Gjebrean

Filmi që të ka pëlqyer më shumë...

Kthim në Iden

Stili i të veshurit…

Pamja klasike, një veshje që tregon finesën dhe bukurinë femërore. Nuk më pëlqejnë shumë veshjet sportive, dhe është vështirë të gjesh ndonjë palë pantallona në dollapin tim

(qesh).....

Libri i fundit që ke lexuar...

Love story (historie dashuri) të Eric Segal, një libër tepër prekës.

Parfumi që përdor...

J'adore (Christian Dior), Heavenly Angels (Victoria Secret)

Shprehja që përdor më shpesh...

Të lutem.

Njeriu më i afërt...

Mamaja.

Kujt do të doje t'i ngjaje...

Sado që nuk jam perfekt, vetes sime.

Cilësia më e mirë ...

Mirënjohëse.

Pika jote e dobët...

Shqipëria



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora