E diele, 18.08.2019, 04:19 PM (GMT+1)

Komente

Engjëll Koliqi: Kosova, motor i reformimit dhe i shpëtimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara

E premte, 21.12.2007, 04:08 PM


KOSOVA
MOTOR I REFORMIMIT DHE I SHPËTIMIT TË ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA

Duke zgjidhur shpejt dhe drejt nyjen e problemit shekullor të Kosovës, Organizata e Kombeve të Bashkuara reformohet dhe përfundimisht i shpëton shkatërrimit që po ia imponon hierarkia cariste moskovite e mafiozit profesionist – Vladimir Putin.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Engjëll Koliqi
Lecco, dhjetor 2007 - Mbas gjenocidit të hapur që makineria luftarake e Serbisë, nën komandën e kryekriminelit Sllobodan Millosheviq, në vitet 1998/1999 zhvilloi mbi popullin shqiptar në Kosovë, Organizata e Kombeve të Bashkuara e mori nën protektorat këtë tokë, e cila – padrejtësisht – para afër një shekulli, iu nda trungut shqiptar dhe iu dha si “dhuratë” Serbisë. Por, në vend se të zgjidhej çështja e statusit dhe të njihej menjëherë pavarësia nga Serbia, ishte pikërisht Moska zyrtare që në vitin 1999 e pengoi këtë dhe e imponoi një proces tjetër, të sanksionuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku pesë anëtarët e përhershëm kanë të drejtën e vetos. Kjo e drejtë, e keqpërdoruar nga hierarkia cariste-mafioze e Vladimir Putin-it, nga Kremlini i Moskës – edhe sot – jo vetëm që pengon përfundimin e këtij procesi që po zgjat me vite, por po e vë në pikëpyetje edhe vetë funksionimin e mëtejmë të këtij organizmi më të lartë botëror, ku zgjidheshin të gjitha krizat politike dhe të sigurisë së njerëzimit.
Duke pasur parasysh rolin dhe rendësinë e madhe që ka KS i OKB-së në zgjidhjen e problemeve dhe të krizave botërore, si dhe rrezikun që po i kanoset nga keqpërdorimi i së drejtës së vetos, nga ana e Moskës zyrtare, ne – si popull që kemi vuajtur dhe jemi rrezikuar deri në zhdukje, në mbyllje të shekullit XX, në këto rrethana kemi të drejtë që në emër të ekzistencës së popujve dhe në emër të së drejtës ndërkombëtare të popujve, të kërkojmë që menjëherë të ndërmerren masat e nevojshme, për reformimin e Këshillit të Sigurimit dhe përgjithësisht të OKB-së, në mënyrë që organizatës botërore – shtëpisë së kombeve dhe të shteteve – t’i rikthehet renomeja dhe fuqia vendosëse që kishte më parë. Njëra nga reformat e para, që urgjentisht duhet realizuar në OKB, është reformimi i Këshillit të Sigurimit, në mënyrë që të mund t’u përgjigjet me kohë dhe drejt, të gjitha kërkesave që vijnë nga dinamizmi i përshpejtuar i zhvillimit të ngjarjeve dhe të proceseve, si dhe shumëllojshmërisë së tyre. Duhet të bëhen ndryshimet e menjëhershme, më sa vijon: në vend 15, sa ka tash, KS t’i ketë 21 anëtarë, nga të cilët të përhershëm – 7. Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, duke pasur parasysh rrethanat e reja të zhvillimeve botërore, duhet të shtohen edhe Brazili dhe India. Duhet hequr menjëherë e drejta e vetos, në mënyrë që të mos pengohen – për interese të njëanshme – zgjidhjet demokratike dhe të drejta të problemeve. Do të duhej që vendimet, respektivisht rezolutat të jenë të plotfuqishme, nëse kanë marrë mbi dy të tretat e votave të anëtarëve të KS, që dmth – nga 21 sa mendoj duhet të jenë, të votojnë pozitivisht së paku 15 anëtarë. Në këtë mënyrë do të pamundësoheshin lojërat e fëlliqta për interese të njëanshme dhe do të hiqeshin privilegjet që në botë mundësojnë hegjemoni dhe padrejtësi të shumta, mbi kurrizin e popujve me halle. Kështu do të shpëtophej KS i OKB-së, funksionimi i të cilit, në kohët e fundit, është rrezikuar shumë seriozisht, mu nga keqpërdorimi i së drejtës së vetos, nga hierarkia cariste e Moskës, udhëhequr nga Vladimir Putin, i cili haptas po shkel të gjitha rregullat e demokracisë, dhe sikurse vendin e tij që e ka rikthyer në diktaturë, ka për qëllim që ta rikthejë epitetin e të fortit, sikur që ishte dikur Bashkimi Sovjetik, respektivisht luftën e ftohtë, që – nëse nuk parandalohet, mund të shndërrohet në luftë shumë të rrezikshme botërore, deri te përdorimi i armatimit bërthamor.
Mendoj se ka ardhur koha, që të gjitha fuqitë dhe qendrat ndërkombëtare të vendosjes, pa vonuar t’i thonë Vladimir Putin-it – STOP! Duhet ndaluar ai, sepse haptas po shihen qëllimet e tija hegjemoniste dhe shkatërruese. Me kurrfarë të drejte ndërkombëtare, Moska zyrtare nuk ka të drejtë të pengojë përmbylljen e procesit të pavarësisë së Kosovës, respektivisht të shpërbërjes përfundimtare të ish Jugoslavisë. Ç’është e vërteta, Moska zyrtare, nëse do ta ndihmojë popullin vëlla serb, duhet t’u sygjerojë autoriteteve të Beogradit, që në mënyrë demokratike dhe të njerëzishme të përshëndeten me Kosovën dhe t’ia paraqesin OKB-së kërkesën për ta njohur shtetësinë e Serbisë. Si është e mundur që Serbia ta ketë ulësen në OKB, kur shteti serb nuk është i njohur ndërkombëtarisht?! Beogradi, ende – padrejtësisht, mba të uzurpuar ulësen e ish Jugoslavisë në OKB. Jo vetëm kjo, por Beogradit zyrtar, Moska – si anëtare e përhershme e KS, duhet t’i kërkojë edhe të na e paguajë dëmshpërblimin e luftës, si dhe kthimin e menjëhershëm të të gjitha kufomave të qytetarëve të pafajshëm të Kosovës, të vrarë e të masakruar gjatë luftës dhe të varrosur në varreza masive në Serbi. Si mund të mbrohet një aparat shtetëror, që afër nëntë vjet luan me kufoma njerëzish, që i ka vrarë e masakruar?!...
Ju lutem, zotërinj drejtues të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë – në emër të traditave të shenjta dhe të bekuara arbërore, kërkoni urgjentisht, edhe zyrtarisht reformimin e KS dhe përgjithësisht të OKB-së, siç u tha më lartë, sepse kështu  shpëtojmë Organizatën Botërore dhe vlerat e njerëzisë, në mbarë botën!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT