E enjte, 25.04.2024, 06:26 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Shantazhojnë me krim

E diele, 24.10.2010, 02:01 PM


(Foto: Tringa Ramadani)
(Foto: Tringa Ramadani)
BIK ua ka ndaluar hyrjen në objektin e Fakultetit të Fesë Islame, profesorëve që e përkrahin Xhabir Hamitin për dekan të këtij fakulteti. Në shenjë pakënaqësie, ata çdo ditë qëndrojnë në oborrin e fakultetit. Nëse ky veprim s`ka sukses, ata do të paraqesin dëshmitë ku profesorët e Medresesë kryejnë akte seksuale me nxënëset e tyre.

 

Nga Lirita Halili, Express

 

Objektin, në të cilin dikur ligjëronin, tash mund ta shohin vetëm nga oborri. Shtatë profesorë që deri vonë ishin ligjërues të Fakultetit të Studimeve Islame, e që para një jave u mor vendim që të mos e ushtrojnë më këtë detyrë, çdo ditë nisen për në vendin e tyre të punës, por hyrja në Fakultet u është ndaluar rreptësisht.

Grupi i profesorëve të cilët e përkrahnin si dekan të fakultetit, Xhabir Hamitin, që nga fillimi i këtij viti akademik, nuk njihen më si ligjërues të FSI-së. Në listën e emrave të profesorëve për këtë vit shkollor figurojnë disa emra të tjerë të ligjëruesve, në lëndët të cilat këta shtatë profesorë ligjëronin për vite me radhë.

 

Një vendim i tillë i krerëve të Bashkësisë Islame e ka shqetësuar tej mase Xhabir Hamitin me grupin e tij. Që nga 4 tetori, kur edhe ka filluar viti akademik në këtë fakultet, ky grup i profesorëve tashmë të suspenduar nga detyra, çdo ditë në shenjë proteste, qëndrojnë në oborr të Fakultetit.

 

Sipas profesorëve të larguar nga puna, të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur kohëve të fundit, siç është rrënimi i objektit të vjetër të FSI-së, një ditë para se të nisë procesi mësimor, është bërë me qëllime të caktuara, nga vetë udhëheqësit e lartë të Bashkësisë Islame.

 

Lulëzim Esati është njëri ndër profesorët, emri i të cilit nuk figuron në listën e ligjëruesve të FSI-së, për këtë vit akademik. Sipas tij, të gjitha këto probleme, mes grupit të Xhabir Hamitit dhe atij të ushtruesit të detyrës së dekanit të FSI-së, Qemajl Morina, kanë filluar që kur është larguar imami i BIK-ut, Rexhep Boja.

 

“Imami i ri me grupin e tij kanë filluar t’i bëjnë disa shkelje duke e dhunuar autonominë. E, grupi ynë ka qenë kundër këtij fenomeni”, thotë profesor Esati për Express.

 

Përveç kësaj shkeljeje, Esati nuk pajtohet edhe me përzgjedhjen e kuadrove të profesorëve aktualë të FSI-së. “E kanë zënë objektin e Fakultetit me kuadro të pakualifikuar të profesorëve. Ka profesorë që edhe magjistraturën e kanë false, nga një universitet amerikan, i cili nuk është i akredituar”, thotë i bindur ai.

 

Lulëzim Esati është ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame që gjashtë vjet.

Që nga ajo kohë, e derisa është suspenduar, ai ka punuar si profesor me honorar.

Kjo sepse, sipas tij, gjatë gjithë kohës ai ka marrë premtime boshe nga përfaqësuesit e BIK-ut se do t’i rregullohet statusi i profesorit.

 

“Por ja që në fund ata i nxorën dhëmbët e tyre duke më zëvendësuar mua me profesor Sabri Bajgorën, i cili nuk gëzon asnjë titull të vetëm shkencor”, thotë i bindur Esati.

 

Madje, sipas tij, edhe rrënimi i objektit ka qenë tendencë e arritjes së kësaj pike.

“Kemi pasur plan të fillojmë mësimin në fillim të tetorit me propozim të këshillit mësimor shkencor. Rrënimi i objektit është bërë me qëllim që të mos fillojë mësimi”, tha ai.

 

Përveç Lulëzim Esatit, hyrja në vendin e punës i është ndaluar edhe profesorit Emin Behrami, të cilit muaj më parë i është lëshuar vendimi për largim nga medreseja, pas 33 vitesh përvojë pune, si profesor i këtij institucioni. Kurse që nga java e kaluar, BIK-u ka marrë vendim për ta shkarkuar atë edhe nga Fakulteti i Studimeve Islame.

 

Duke e quajtur si një rrugë të paligjshme zgjedhjen e Qemajl Morinës, si ushtrues detyre të dekanit të FSI-së, Behrami thotë kërkimi i drejtësisë në këtë institucion shkollor e ka lënë atë bashkë me shtatë kolegët e tij, jashtë objektit ku ata punonin.

 

“Morina, përveçse është u.d. në mënyrë jo të ligjshme, ai për të arritur këtu ka përdorur edhe dokumente false, që është vepër penale”

 

Behrami bashkë me kolegët e tij do të luftojnë deri në fund, në mënyrë që drejtësia të fitojë. “Do të kërkojmë që në mbrojtje të Fakultetit t’i përdorim mjetet e ligjshme, përkundër atyre që kanë përdorur lloj-lloj mënyrash për të na sjellë këtu ku jemi”.

 

Por nëse sipas tij, BIK-u dhe grupi i profesorëve të larguar nuk arrijnë në një mirëkuptim, ai do të përdorë edhe dëshmi të cilat e tregojnë fytyrën e vërtetë të udhëheqësisë së Bashkësisë.

 

Gjatë kohës kur Behrami ka marrë vendimin për largimin e tij nga Medreseja, pati publikuar për Express disa dëshmi ku paraqiste ngacmime seksuale me nxënëset e Medresesë. Por gjatë prezantimit të provave, ai ka premtuar se do të dalë edhe me dokumente të tjera, siç i quante ai të tmerrshme, të akteve seksuale me nxënëset e po të njëjtit institucion.

 

“Nëse nuk merremi vesh me këta të BIK-ut, nuk kam zgjidhje tjetër, më duhet t’i prezantoj ato prova të tmerrshme, të cilat do të tregojnë lidhjen zinxhirore mes udhëheqësve islamë dhe aktet e tyre seksuale”, pohon Behrami, i cili shpreson që mos të shkojë puna deri aty.

 

“Sepse provat dhe dëshmitë, të cilat unë i posedoj, mjaftojnë që të fillojë procedura hetimore kundër të apostrofuarve. Prandaj, nuk i paraqes njëherë pa e ndjekur rrugën legjitime”, flet i bindur Emin Behrami për Express.

 

Sidoqoftë, nuk është i vetmi Behrami, i cili ka vendosur që t’i përdorë këto mundësi për të arritur deri te drejtësia. Nëse kjo protestë nuk ka sukses, i gjithë grupi i profesorëve tashmë të larguar nga Fakulteti i Studimeve Islame thonë se nëse edhe deri të hënën, nuk merren vesh me krerët e BIK-ut, ata do të ndërrojmë strategjinë, për të cilën nuk deshën të flisnin më shumë. “Po ia lëmë kohës. Nëse qëndrimi ynë në oborr të Fakultetit nuk ka sukses, do të ndërmarrim masa të tjera, derisa të dalim në rrugën e drejtësisë”, pohuan ata.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora