E enjte, 28.03.2024, 09:03 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Godo: Kisha, dyshoj se është shqiptare

E diele, 24.10.2010, 09:44 AM


Gilmana Bushati, Gazeta Shqiptare

 

Sabri Godo vuri në dyshim dje që Kisha Ortodokse në vendin tonë të jetë shqiptare, ndërsa Miranda Vikers e konsideroi si një shqetësim të aktualitetit shqiptar pavarësinë e kësaj kishe. Historiani dhe politikani i njohur, në tryezën "Pas njëzet vitesh" organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, bëri një ndërhyrje pas fjalimit të mbajtur nga studiuesja e çështjes shqiptare, Miranda Vikers. "Ju përmendët çështjen e Kishës Ortodokse. Unë nuk jam aq i sigurt se sa shqiptare është kjo kishë, kur ne kemi aktualisht kryepeshkopin me origjinë greke si dhe dy peshkopë të tjerë të jugut, po me origjinë greke", - deklaroi Godo. Sipas tij, kjo është një çështje që duhet ta zgjidhë ortodoksia shqiptare, pra duke nënkuptuar që shteti apo ndokush tjetër të ndërhyjë në këtë punë. Por pavarësisht se u kërkon ortodoksëve ta zgjidhin, Godo vë në mëdyshje mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi. "Nuk e di ende se si do ta zgjidhë ortodoksia shqiptare këtë çështje që më duket e ndërlikuar, por që gjithsesi ka nevojë për një zgjidhje", - tha ai në këtë takim, i cili u mbajt në një nga ambientet e "Hotel Tirana". Nga ana e saj, studiuesja e njohur, Vikers, në fjalimin e mbajtur dje u shpreh se Shqipëria ka dështuar në zgjidhjen e disa problemeve që ka me Greqinë fqinje. Ndër të tjera ajo përmendi dhe "shqetësimin gjithnjë e në rritje sa i takon pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare".

Në "Gazeta Shqiptare" është hapur prej kohësh debati se sa e pavarur apo sa autoqefale është Kisha Ortodokse, debat i zhvilluar mes studiuesit të njohur, Kristo Frashëri dhe hirësisë së tij, Mitropolitit Anastas Janullatos. Frashëri në këtë debat publik pretendon se me ardhjen e Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, ajo e ka humbur autoqefalinë e vet, për të cilën luftoi dhe u përpoq deri në fund edhe Fan Noli. Madje, Frashëri është i mendimit, duke u mbështetur në argumente, se emërimi i Janullatosit si kryepeshkop më 2 gusht 1992 nuk është bërë sipas rregullave të vet kishës, prandaj del në përfundimin se ai është i jashtëligjshëm në postin që mban. Nga ana e tij, Janullatosi është shprehur në opinionin e tij po për "Gazeta Shqiptare", se ai është zgjedhur sipas të gjitha rregullave, duke përmendur këtu statutin e Kishës Ortodokse Shqiptare miratuar më 1950-ën, ku nuk ekziston fare neni që kryepeshkopi duhet të jetë me origjinë shqiptare. Sa për ceremoninë e fronëzimit të 2 gushtit, ai akuzon myslimanët e pranishëm në kishë, të cilët shkaktuan rrëmuja. Por dokumenti filmik i siguruar po nga "Gazeta", tregon qartë besimtarët ortodoksë teksa thërrasin emrin e Nolit, këndojnë këngë patriotike dhe thërrasin për Janullatosin "jo i vyer", sipas rregullave që duhet të ndiqen në këto raste. Debati për këtë çështje ende vazhdon, por nuk duket se ka ndonjë lëvizje brenda ortodoksisë shqiptare për të zgjidhur çështjen e kombësisë së kryepeshkopit të Kishës.

Shteti shqiptar ende nuk i ka dhënë kombësinë shqiptare kryepeshkopit Janullatos, kërkesë që ai e bëri menjëherë sapo u zgjodh kryepeshkopi i Kishës Ortodokse shqiptare. Por nga ana tjetër, shteti nuk përfshiu në Kushtetutën e 1998-ës një nen që ishte në projekt-kushtetutën e 1996-ës, sipas të cilit, krerët e besimeve fetare në Shqipëri duhet të ishin me kombësi shqiptare.

 

____

 

Nikolas Pano: Kisha, të bëhet shqiptare

 

Gazeta Shqiptare

 

Nikolas Pano, histori an i njohur i çështjes shqiptare, me titullin profesor dhe dekan i Universitetit ‘Uestern’ të Ilinoisit, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon për njohjen familjare me Fan Nolin; si mund të zgjidhet çështja e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare.

Ju keni pasur fatin ta njihni nga afër patriotin dhe themeluesin e Kishës Ortodokse Autoqefale të shqiptarëve. Cilat janë emocionet tuaja nga kjo periudhë?

Fan Noli bënte shpesh vizita në shtëpinë tonë. Ai vinte te ne sa herë ishin festa, si kremtimi i emrit të ndonjërit dhe kështu kishim rastin ta takonim. Noli, përveçse orator i madh, ishte dhe plot humor, dinte shumë përralla, të cilat na i tregonte kur ishim fëmijë. Më kanë bërë përshtypje të madhe fjalimet e tij mbajtur gjatë meshës për Luftën e Dytë Botërore. Jo vetëm mua, por shqiptarë të shumtë ai i nxiti që të shkolloheshin dhe të merrnin profesione.

Duke pasur këtë afërsi me Nolin, a ju vjen keq që Kisha Ortodokse në Shqipëri është përfshirë nga debatet, madje dhe ju vetë në fjalimin e një dite më parë theksoni ndër të tjera se është problematike pavarësia e kishës në vendin tonë...?

Babai im, Vasili ka qenë anëtar dhe mbrojtës i Kishës së Fan Nolit, ishte një besimtar i mirë. Në rastin e Shqipërisë, fatkeqësisht nuk kishte peshkopë si Noli, kishin vdekur. Kur u lejua feja këtu, duheshin peshkopë, prandaj Janullatosi erdhi nga jashtë dhe zuri kreun e kishës. Unë u shqetësova kur u emërua dhe më pas u fronëzua si kryepeshkopi i Shqipërisë. Ai erdhi si i përkohshëm. Tani po krijohet një sinod i shenjtë, ku janë edhe 3 peshkopë shqiptarë. Për mua, problemi qëndron te imazhi i kësaj kishe, e cila nganjëherë ka marrë pozita pro greke. Ky problem nuk qëndron vetëm te pohimet e Janullatosit, por edhe të kryepeshkopit të Gjirokastrës, i cili në ceremoninë e pranimit të kishës ortodokse serbe është shprehur, sipas mediave, kundër pozitës së Kosovës. Them edhe njëherë, unë nuk i kam parë, por siç është raportuar në gazeta. Ky është një shqetësim tjetër i imi. Sigurisht nuk mohohet fakti që Janullatosi ka bërë një punë shumë të mirë për ringritjen e Kishës Ortodokse Shqiptare, ai ka luajtur një rol kryesor në këtë periudhë. Por duket që po vjen koha për Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare që të hyjë në një fazë të re, siç është faza e shqiptarizmit. Lidhjet me Patriarkanën të jenë shpirtërore, kisha të gëzojë pavarësinë e vet brenda rregullave të besimit.

Si mund të zgjidhet një çështje e tillë, që duket se është bërë një domosdoshmëri e kohës?

Mendoj se duhet të jenë drejtues shqiptarë të kishës, të cilët të kërkojnë udhëheqës shqiptarë në krye të saj. Vetëm në këtë mënyrë mund të gjendet zgjidhja. Kisha nuk duhet të përfshihet në politikë, por duhet të përçojë dhe mbështesë patriotizmin shqiptar, të mbështesë çështjen kombëtare. G.Bushati

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora