E marte, 19.03.2024, 04:44 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Në Sulovë me peisazhin, historinë, traditat

E shtune, 23.10.2010, 08:59 PM


 

NË SULOVE ME PEIZAZHIN, HISTORINË, TRADITAT

 

(Një udhëtim që të fton sërish)

 

Nga PËLLUMB GORICA

   

     Nëse udhëton për në Gramsh, në të djathtë të saj, sytë të shohin një luginë të bukur. Të udhëtosh në Luginën e Devollit, në krahinën e Sulovës në këto dite vjeshte të mbushur me tinguj, freski, aromë frutash, dasma, ngjyra të larmishme është e këndshme, domosdo është një kënaqësi e shumëpritur. Siç është natyra atraktive për një vizitor të thjeshte, ashtu edhe për një adhurues të natyrës janë edhe banorët që jetojnë këtu: të dashur, mikpritës, bujar e punëtor. Panorama e Sulovës, begatia dhe qetësia e saj, përherë ka tërhequr vëmendjen e udhëtarëve, studiuesve, historianëve shqiptar e të huaj. Politologu, njëri prej përfaqësuesve të kulturës sonë, Eqerem Bej Vlora, 100 vjet më parë ( viti 1906) nga maja e Tomorit, në ditarin e tij “Nga Vlora në Tomor”, do të shkruante: “Sulova, një pamje mahnitëse, një zonë kodrinore e pafund me gropënaja të rrumbullakosura, me faqe të buta dhe lugina të bukura, pyje të pafund e të dendur sa të hante syri. Është një vend me toka të lërueshme dhe burime e përrenj që derdhen në lumin Devoll, fshatra të vegjël, me tradita e zakone të bukura”. Duke u shkrirë në thellësinë e natyrës së Sulovës, përjetimet janë të shumta e të larmishme sa është e pamundur t'i përshkruajmë në një shkrim-reportazh.

 

Lugina e Devollit

 

   Ura mbi lumin Devoll është pikënisja për të hyrë në  luginën e  Devollit në Sulovë. Kalojmë urën dhe ujërat e shumta pas shiut të rënë ditëve të fundit oshtijnë poshtë këmbëve të saj. Ecim rrugës, që shtrihet si një shirit i gjatë për kilometra, duke e përshkuar këtë luginë, ku natyra nuk ka kursyer qetësinë, klimën me kushte të përshtatshme për të jetuar e me peizazhe çlodhëse për këdo që do t’i ketë rënë rasti apo do t’i bjerë. Mjafton të shkosh një herë të vetme për të mësuar një tok gjërash. Rruga është asfaltuar vitet e fundit deri në Mollas me dëshirën për të krijuar se shpejti lidhje me Kuçovën. Kjo luginë historikisht në shekujt e kaluar ka qenë rrugë kalimi nga Shqipëria e Mesme për në krahinat Jugore, pjesë e një prej itinerareve të vjetër, pak të njohur, që nga antikiteti. Në mendje na vijnë përsëri shënimet e udhëtarëve të huaj ...“U larguam nga Berati për në Elbasan në orën 6 të mëngjesit. U gëzova që rruga ishte shumë e keqe që kali të ecte ngadalë, përndryshe udhëtimi qe i këndshëm. Shpejt arritëm në lumin Devoll dhe vazhduam gjatë bregut të tij. Të gjithë burrat që lëronin tokën mbanin gjeverdarë (pushkë). Barinjtë e kodrave kishin martina dhe gjerdanët plot me fishekë. Disa prej tyre ishin shumë të rinj, çunakë, fort të pashëm, të hedhur dhe sqimatarë me paraqitje krenarie sikur donin të thoshin “veri gishtin kokës, jam unë këtu”. Gati një çereku i tokës ishte i punuar, por brenda disa pyjeve shihej se po hapnin toka të reja të cilat ishin të shëndosha. Kur thërrisnin ushtarë njerëzit e kësaj krahine ata shpesh e deklaronin veten të krishterë për t’u përjashtuar dhe pastaj kur vijnë tagrambledhësit për të kërkuar taksa ata i përzënë me duar thatë e me kërcënimin e armëve, duke thënë se nuk i paguajmë taksa se jemi myslimanë...”,(Edit Durham “Brengë e Ballkanasve’’ )

 

Përditshmëria e jetës  

 

  Është një ditë e bukur vjeshte e ngrohtë dhe e kthjellët. Re të bardha pupëlore duken larg në horizont. Dielli herë fshihej e herë dukej pas tyre, sado që nuk e venit kënaqësinë e kësaj dite. Nga dritarja e hapur e makinës vjen një puhizë e lehtë ngarkuar me aromë frutash të stinës. Tinguj kënge shoqërojnë udhëtimin. Lumasi është i pari që të prezantohet e lugina hapet pas tij. Lumasi, si shumë fshatra të tjerë të kësaj krahine me shtëpi të bukura, kopshte dhe ara plot gjelbërim shtrihet përgjatë një kodre,është i përmendur për virtytet e punës, mikpritjes. Fshatra të tjerë, Qyrkani, Selviasi, Klosi  zënë vend në krah të njëri -tjetrit, në kodra e në fushë me shtëpi të reja dhe të bukura, një e dykatëshe, biznese, lokale nga ku i kundrojmë qetë. Vëmendjen e tërheqin copëza me interes nga përditshmëria e jetës: aty këtu gëlojnë njerëz që mbledhin prodhimet e stinës. Por gjëja e parë që të tërheq në këtë luginë, është larmia e relievit. Harmonizimi i vargut të kodrave shkëmbore me fushën, lumin, kodrinat, qafat, përrenjtë. Mbresëlënëse janë pamjet e fushës, toka e lagur dhe gjelbërimi i bimëve që shkëlqejnë nga rrezet e diellit. Ky peizazh të bëhet i dashur dhe të hyn në zemër. Kodrat e mbjella me drurë frutorë, vreshta, agrume dhe ullinj, janë mrekulli të duarve dhe mendjes së sulovarëve. Banorët, pronarë të kësaj natyre që i rrethon, mbretër të një qetësie që ia dinë më mirë vlerat.Tërë këto pamje tërheqëse të lenë aq shumë mbresa sa iu luta bashkudhëtarëve të mi, Kujtimit,  Fatmirit, që të mund të fotografoja.

   Përpara se të shkojmë në Mollas shtrihet fshati Dasar. Nga gojdhënat dhe bisedat me banorë,  apo edhe shpjegimin e mikrotoponimeve të tij të vjetra, bëjnë të mendosh se është banuar që në periudhat më të hershme. Në fund të viteve ‘80 mori këtë emërtim. Në kohën e ndarjes ishte pjesë e disa lagjeve të Mollasit. Emërtimi Dasar u vendos pasi historianë, studiues, arkeologë, pushtetarë dhanë mendimet e tyre. Tradita historike e krahinës tregonte se duhej një emër kuptimplot. E pagëzuan si vend i fisit ilir të Dasaretëve të lashtësisë. Dasari i vendosur në një terren fushor-kodrinor, përrenj, kodrina të valëzuara me copëtime, ka një karakter të shpërndarë aq sa është e vështirë të rroket me një shikim e të konceptohet i mbledhur. Në përgjithësi vendbanim i madh me shtëpi të grupuara që po konsolidohen me rregullsi, duke të lënë përshtypjen e një fshati me një gjendje ekonomike të kënaqshme.

   Ndërkaq kemi arritur në Mollas. Mollasi ka gjithmonë gjallëri. Njerëz që venë e vijnë, hyjnë e dalin nëpër zyrat, shkollën, biznese. Ai është vendbanimi më i madh i krahinës dhe ngjan si një qytezë me ndërtime të shumta. Është qendër për sulovarët e kësaj ane, njëra prej komunave të Sulovës. Kjo edhe sepse ka një pozitë gjeografike të mirë. Ai është gjithashtu edhe vendbanimi më i gjelbëruar i krahinës. Kodrat e larta formojnë një hark të gjelbër me ullinj dhe që i jep një pamje interesante me peizazhe të bukura natyrore edhe në stinën e dimrit. Kështu, i kredhur mes gjelbërimit dhe freskisë ngjan me një kopsht pa stinë. Sigurisht është edhe një nga fshatrat më të bukur të krahinës së Sulovës. Kënaqësh me bukuritë e tij, por edhe dhe me çiltërsinë, respektin e dashurinë e banorëve. Është kënaqësi kur bisedon me dashuri njerzore me dhjetra sulovar të thjeshtë, bujar e mikpritës.  Normalisht kur je pranë tyre ndjenjat janë më të hapura e pa komplekse, kjo sepse kanë një lidhje të thellë me natyrën, por edhe tipareve të mira,të traditave, karakterit e virtyteve të banorëve të krahinës ë Sulovës. Dhe normalisht ndjen respekt për punën, mikpritjen dhe përballimin e halleve të përditëshme familjare. Gjejmë kohën dhe bisedojmë me Samiun agranom, Qemalin, mësues, Fetiun, mekanik.  Me Xhevit Mëhallën ke  dëshirë të bisedosh gjatë. E  teksa ndahemi  ai na uron sulovarçe:Të dëgjofsha zonë e mirë!

 

Traditë në përkundje brezash

 

   Në vështrimin e parë, fshati Kamuna ngjan si shumica e fshatrave të kësaj zone. I përmbledhur, me shtëpi të rrethuara nga gjelbërimi që gjallojnë fushës e kodrave. Lavdia e së kaluarës, patriotizmi i burrave dhe brezave për çështjen kombëtare është një vlerë e pamohueshme e këtij fshati. Si pikë referimi për lashtësinë është kalaja antike, e njohur me emrin “Kulla e Kamunaut, në një nga kodrat dominuese. Sipas dokumenteve historike dhe kujtimeve, në çdo kohë burra patriotë, luftëtarë të pushkës dhe penës në shekujt e jetës së këtij fshati kontribuan, duke luajtur rol të rëndësishëm në krahinën e Sulovës e më gjerë, pjesë e lëvizjeve patriotike, dhe për zhvillimin shoqëror të kësaj treve. Nuk është vendi për t’u zgjatur më tej, por unë do të përpiqem të sjellë në vëmendjen e lexuesve disa burra trima, të mençur që kanë lënë gjurmë si Xhaferr Cerriku, Merko Cërriku, Çeç Cërriku, Neim Cërriku, Riza Cërriku, Yzeir Cërriku etj. Vetëm kaq për të sjellë ndërmend edhe kujtimet objektive të Mehdi Frashërit, ish-kryeministrit të Shqipërisë, në vitet e mbretërimit të Zogut, kur shkruante për Kamunaun. “Të nesërmen u nisëm nga Berati dhe arritëm në katundin Kamuna të Sulovës së Elbasanit. Miku im Rexhep Labi njihte një aga prej Kamunau tek i cili shkuam mysafir e na priti mirë sipas zakonit shqiptar. Ipresionimi im gjatë këtij udhëtimi ishte se popullsia kishte mbledhur mjaft të holla nga shitja e produkteve të tyre me çmime fort të larta, por nga veshmbathja ndodhej keq sepse austriakët s’kishin as për vete nga shkaku i bllokimit të luftës. Në mëngjes, mbasi ra dielli, u nisëm për në Elbasan. Kaluam lumin e Devollit në vah …”. (Mehdi Frashëri “Kujtime”. Dhe vërtet në Kamuna pritesh me tërë adetet, siç thonë sulovaret: Vjen erë muhabeti. Me Shyqyri Cërrikun njihemi prej kohësh. Na ftoi për një vizitë në shtëpinë e tij dykatëshe, rrethuar me lule e pemë frutore.  Në tryezën e shtruar ndenjëm një kohë të gjatë, duke ngritur shëndete e duke kuvenduar. Xha Shyqyriu, që i afrohet të ’80, plot përzemërsi, i matur dhe natyrë çiltër. Kur fliste e gjallëronte bisedën me tregimet e tij interesante. Mysafirët e ngacmojnë me pyetje dhe ai nis e tregon, duke hyrë thellë në ngjarje të largëta që kanë lënë mbresa. E njeh mirë historinë e Sulovës me ngjarje, kohë e figura. Thotë se është rritur në konakët e fisit me këto ngjarje të vjetra.

   Në Selitë morëm udhën me shumë dëshirë. Selita shtrihet në fund të luginës së Devollit në një hapësirë të gjerë. Fshat i begatë me lagje të bukura me shtëpi të ndërtuara vitet e fundit, rrethuar nga gjelbërimi. Ajo vitet e fundit është shtrirë më shumë në fushë. Në Selitë, ndodhet një pyll i vogël me rrepe, aty, ku ndahet kufiri i Sulovës me Nahijen e Beratit dhe të mbetet në mendje me qetësinë e kredhur në gjelbërim. Për vlerat më të mira që ka mbartur ky fshat, përmendet me respect në gjithë krahinën.  Njerëzit e shkolluar  e punëtor, që e kanë nderuar dhe e kanë bërë të njohur jo vetëm në trevën e Elbasanit, por edhe më tej. Është nderim të përmendim: Sul Sulën, Rakip Sulën, Muharrem Saden, Gani Zeqon, Neshat Halilin, Fiqiri Hoxhën, Agim Micin, Shahin Dyrmën, Qazim Sulën, Rakip Saden, Fejzi Hoxhën, Mestan Halilin, Agim Dyrmën, Petref Halilin, Afërdita Micin (Hysa), Valentina Micin (Xheria) etj.Për aq kohë sa qëndruam në Seltë, fjalë të mira dëgjuam për Xhevdet Saden, që përpiqet sa të mundet për të bërë për fshatin e tij.

   Lemë pas një ditë me mbresa të paharruara, që të mbeten thellë në kujtesë. Veçse do të themi se ia paska vlejtur ardhja këtu, dhe sigurisht e arsyeshme të rendim pas mbresave interesante. Duke dashur të themi shumë e ndjejmë se kemi thënë pak, por kemi thënë diçka për këtë zonë që edhe pse 80 km larg metropolit shqiptar jeton realitetin e saj. Largohemi për të ardhur përsëri, të përshëndetur nga kontrasti i ngjyrave që të çlodhin sytë. Flladi i freskët me aromë frutash të mbushin shpirtin me kënaqësi. Hurmat, portokajtë dhe ftonjtë  në pemë janë zverdhur. Një diell i ngjashëm si ato po perëndon, duke u zhytur tej në horizont.

 



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora