E enjte, 25.04.2024, 06:32 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gruaja e Arkanit: Si hymë në Shqipëri me pasaporta false

E shtune, 23.10.2010, 09:21 PM


Nga Bardhyl Berberi

 

Ceca, këngëtarja serbe në një koncert në Prilep, për një orë 90 mijë euro, aq sa nuk harxhon kultura shqiptare në një vit në Maqedoni! Pata rastin të ndjek para tri ditësh në Prilep të Maqedonisë një koncert të Svetllana Raznatoviç, e cila mban emrin e artit, Ceca. Ajo ka dhënë vetëm një orë koncert turbo-folk dhe në fund të tij ka marrë 90 mijë euro, aq sa kultura shqiptare në Maqedoni nuk merr për një vit. Një brez i tërë personalitetesh të artit, si shkrimtari Kim Mehmeti, piktori i njohur Reshat Ahmeti, aktori Bajrush Majku, kanë ngelur shumë të indinjuar pas këtij gjesti të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, që kur vjen puna për artistët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Maqedoni, dera është e mbyllur dhe fondet jepen me pikatore, aq sa nuk arrijnë sa ato që i jepen në një natë për një orë një këngëtareje serbe.

Por piktori Reshat Ahmeti për "Gazetën Shqiptare" merr një shembull më konkret. "Kultura shqiptare në Maqedoni, në 60 vjet nuk ka shpenzuar lekë, sa kushton një luan i vendosur mbi urën 'Goce Dellçev'", - thotë Ahmeti. Ndërkohë që indinjatë të thellë ka shprehur edhe kryetrari i shoqatës qytetare "Zgjohu" në Maqedoni. Ai thekson se Ministria e Kulturës është qeveri më vete dhe investon vetëm për kulturën maqedonase duke harxhuar miliona lekë. Grubi thotë se vetëm para dy ditësh u dhanë nga qeveria 4 milionë euro. Gjithashtu, sipas tij, qeveria maqedonase, për projektin "Shkupi 2014" ka harxhuar mbi 100 milionë euro!

"Shërbeu pagesa e kripur e këngëtares serbe Ceca, që krijuesit shqiptarë të ngrenë zërin në Maqedoni", - shprehet Grubi.

Kush është

Svjetllana

Raznatoviç, me emrin e artit Ceca

Ceca ka qenë e martuar me Arkanin, emri i vërtetë i të cilit ka qenë Zeljeko Raznatoviç. Arkani ka qenë lideri i grupit famëkeq paramilitar ushtarak "Tigrat", të krijuar në vitin 1995. Tashmë, këngëtarja famoze serbe Ceca, është 36 vjeç. Në fakt, atë e ka ndjekur një karrierë e pasur që kur ishte 14 vjeç, kur ajo ka nxjerrë diskun e parë e duke u ngjitur shumë shpejt në majën e suksesit. Fillon të këndojë që në moshën 10-vjeçare muzikën e saj turbo-folk, një version modern i muzikës folklorike serbe. "Muzika është ëndrra ime", të thotë ajo. Martesa e saj në një nga kishat me të famshme të Beogradit me Arkanin u transmetua drejtpërdrejtë nga televizionet serbe dhe malazeze. Një ceremoni tipike serbe, ku Arkani ishte i veshur me kostum popullor, ndërsa Ceca, me fustanin e bardhë. Në këtë ceremoni morën pjesë dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, që sot kërkohen nga drejtësia ndërkombëtare, pasi akuzohen për krime kundër njerëzimit. Ceca njihet që herët nga publiku i Shqipërisë që në fillesat e saj si këngëtare, e cila sfidoi artistet e tjera të njohura si Dragana Mirkoviç apo dhe Lepa Brena. Ceca ka dy fëmijë me Arkanin, Velikon dhe Anastasian. Në janar të vitit 2000, Arkani vritet nga një pritë në hollin e një hoteli me tri yje në qendër të Beogradit. Më pas Ceca arrestohet së bashku me 318 persona të tjerë, e akuzuar si e dyshuar kryesore që kish strehuar Milorad Lukoviçin, ish-shefi special i "Beretave të kuqe" dhe mikun e tij, Dushan Spasojeviç, të cilët i kishte strehuar në shtëpi pak para vrasjes së Gjinxhiçit, kryeministrit serb të asaj kohe. Ceca akuzohet gjithashtu se kishte ndihmuar me para familjen e një të dyshuari tjetër që ka qenë në grupin kriminal. Në këto kushte, 50 komando me maska dhe automatikë rrethuan shtëpinë e saj pranë 'FK Obilic', Gospodara Vuvica 120, në Beograd. Policia sekuestroi një sasi të madhe pajisjesh ushtarake në shtëpinë e këngëtares. Por, ndonëse hetimet treguan se Ceca kish qenë në kontakt me dy të dyshuarit para vrasjes së Gjinxhiçit, më pas ajo lihet e lirë. Ne i morëm një intervistë për "Gazetën Shqiptare" pas koncertit që ajo dha në Prilep.

Ceca, si po shkon karriera juaj pas vrasjes së Arkanit?

- E kam vazhduar karrierën e këngës edhe pas vrasjes së burrit, tashmë luaj pjesë folklorike. Është diçka midis folkut dhe popit që më tërheq shumë dhe jam krenare për stilin e muzikës sime, pasi më ngjan shumë me muzikën europiane. Muzika, për mua është dashuria më e madhe, ajo më çlodh jashtë mase dhe unë jam dëgjuese e rregullt e të gjitha shqisat e mia janë të lidhura me muzikën.

Sa ka ndikuar vdekja e Arkanit në karrierën tuaj?

Vdekja e Arkanit ka ndikuar për vet faktin se me tim shoq jetoja si një princeshë dhe isha një lule e bukur për të, por dhe ai bënte gjithçka për mua, për karrierën...Por që nga ajo ditë janari të vitit 2000 që më vranë burrin brenda natës, u bëra e fortë tamam si një mashkull. Nuk ishte e lehtë për mua, kam pasur një jetë që iu ngjante përrallave dhe realisht me Arkanin kam jetuar si në përrallë, por kuptohet, tani jam zgjuar nga ky realitet i egër. Desha të theksoj se Arkani ishte një baba i kujdesshëm për dy fëmijët tanë. Një burrë që nuk do ta harroj kurrë. Dashuria ime për Arkanin nuk do të shterë kurrë dhe deri në fund të jetës sime nuk do të dua ndonjë mashkull tjetër sa kam dashur Arkanin. Për këtë jam 100% e sigurt.

Ceca, a e dini se shumë njerëz nuk mendojnë kështu si ju për burrin tuaj, madje e quajnë një kriminel?

E di që në Europë e kanë keqkuptuar burrin tim dhe i kanë vënë epitete që atij nuk i shkojnë, por unë dua t'ju them që burri im ka qenë një patriot i madh i Serbisë, të cilën e donte aq shumë dhe besoj se asnjë njeriu nuk mund t'i ndalohet që të dojë vendin e tij. Unë kam qenë një grua e re atëherë, e brishtë, delikate dhe nuk mund ta shikoja burrin tim si kriminel dhe si vrasës të lidhur me botën e dhunës e të krimit, por e shihja si babain e dy fëmijëve të mi të dashur.

Flitet se ju keni qenë në Pogradec me Arkanin, sa e vërtetë është kjo ?

A mund të quhet vizitë ardhja në atë fshatin turistik të Tushemishtit dhe më pas një xhiro anembanë nëpër qytetin e Pogradecit, pa zbritur nga makina...? Do të më falni nëse nuk e mbaj mend datën e saktë, por ka qenë qershori i vitit 1996 dhe unë isha në Ohër me Arkanin, nën shoqërinë e një tregtari të fuqishëm nga Dibra e Maqedonisë, Petrit Hamo, por fatkeqësisht pas pak kohësh ai u vra dhe për këtë më erdhi shumë keq. Pra ishim të tre, unë, Arkani dhe ai biznesmeni nga Dibra, Petrit Hamo, që Arkani e kishte shumë mik. Ishte ideja e biznesmenit dibran Petritit, që të shkonim në Shën Naum. Më pas ai na bëri një propozim, të kalonim kufirin dhe të hanim një drekë tek fshatin i parë sapo kalon doganën. Arkani nuk deshi në fillim, por pas këmbënguljes së biznesmenit se ishte një fshat i bukur dhe gatuhej tava e atij peshkut të rrallë, koranit, ne pranuam.

Nuk patët frikë dhe, si u futët në Shqipëri ?

Arkani ishte shumë i kujdesshëm në lëvizje, por më pas u bind që të përdorte një pasaportë tjetër, jo me emrin e tij të vërtetë, por me një emër tjetër; edhe unë kisha pasaportë rezervë me identitet tjetër. Lamë makinën tonë luksoze tek Manastiri i Shën Naumit dhe kaluam kufirin me një xhip të zakonshëm 'Hundai' me targa të Ohrit. Në fakt, i gjithë ky itinerar ishte ideja e Arkanit. E kaluam kufirin normalisht pa problem, me pasaportat me identitet tjetër dhe u futëm në Tushemisht, një fshat shumë i bukur, i futur në breg të liqenit. Dukej një fshat i pastër oriental dhe shumë i virgjër. U futëm në një lokal fare pranë kufirit, i cili kishte një hauz të madh uji me peshq. Ishte shumë bukur, dikush që shërbente, na tha të uleshim tek tavolina ku qëndronte Enver Hoxha për relaks. Atje u ulëm nën një tendë të hijezuar midis pemëve rrotull, duke pasur në këmbët tona ujin e peshqit. Kemi ngrënë një tavë me koran, që unë do ta mbaj mend gjatë. Peshku u kap në syrin tonë aty në hauz si tip pishine, dhe na i gatuan. U kënaqëm, një relaks i vërtetë! Më pas bëmë një shëtitje nëpër qytet me makinë, por pa dalë prej saj. Më thanë "ky është Pogradeci, qytet i bukur", por m'u duk i varfër, me rrugë me gropa dhe ca ndërtesa uniformë të palyera. Më pas u larguam. Kam bërë dhe shumë fotografi tek ai lokali, që na i bënte biznesmeni nga Dibra. Pasdite u larguam. Ishte një pushim i vërtetë.

------------------------------------------------------------------------------

Si e investigoi ish-komisari Besnik Sana hyrjen e Arkanit në Tushemisht?

Gazeta Shqiptare, 22/10/2010

 

Ish-shefi i Komisariatit të policisë së Pogradecit në vitin 2002, Besnik Sana, një profesionist i vërtetë, sapo ishte emëruar në Pogradec, filloi ta investigonte këtë ngjarje që qarkullonte në Tushemisht në formën e një thashethemi. Disa djem të rinj në Tushemisht kishin njohur Cecën, pasi ishin adhurues të muzikës serbe dhe veçanërisht të kësaj këngëtareje, pasi kanalet serbe ndiqeshin që nga vitet '70 shumë pastër në këtë zonë, pa pasur nevojë as për antenë. Ky thashethem e çoi komisarin Sana që ta hetonte këtë ngjarje duke kontrolluar dokumentacionin në doganën e Tushemishtit. Një buzëmbrëmje duke pirë kafe në Tushemisht, e pyes miqësisht komisarin Besnik Sana, se deri ku kish vajtur me Arkanin dhe Cecën. Qeshi: "Mos u nxito ta botosh në gazetë, se po përpiqem të gjej fotot që do të më vijnë nga Dibra e Maqedonisë nga të afërm të Petrit Hamos, i cili ka qenë me Arkanin dhe Cecën dhe më pas do të dalë e plotë gjithçka, se kalimin këtu në doganë e kanë bërë me emra të tjerë", - më tha ai. Por ende pa mbushur 6 muaj, komisari Besnik Sana transferohet nga Pogradeci, dhe misteri i asaj ngjarjeje më ngeli në mendje. Kjo më detyroi që ta pyesja Cecën dhe të merrja prej saj përgjigjen e mësipërme.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora