Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Shëngjergji: “M’ dogji malli” një recital që më sjell erë rinie

| E enjte, 21.10.2010, 08:36 PM |


Flet kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji

 

 

“M’ dogji malli” një recital që më sjell erë rinie

 

 box

 

Fletë nga albumi i kompozitorit Enver Shëngjergji

 

Këngëtarë të ftuar: Irma Libohova, Eranda Libohova, Klara Baku, Dionis Delia, Sazan Meçani, Marjana Leka, Bujar Çiçi, Reshat Boka, Hajredin Gjeta.

 

Interpretojnë: Solistët, Orkestra dhe Trupa e Valleve

 

Drejtues i vokalit- Gramoz Burba

 

Dirigjent i Orkestrës- Vladimir Hasimi

 

Drejtues i valleve-Rexhep Çeliku

 

Drejtor Artistik- Sulejman Baltëza

 

Nga Albert ZHOLI

 

Kompozitori Enver Shëngjergji është lindur në Tiranë më 19.09.1948. Ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve në vitet 1966-1969. Nga viti 1970 deri në vitin 1974 ka punuar pedagog në këtë institucion. Në vitin 1974, dërgohet në Minierën e Qymyrgurit-Kërrabë mbasi u dënua si pjesëmarrës në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion. Në vitin 1979, kthehet në Tiranë, ku emërohet shef i muzikës në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Në vitin 1992-1995 emërohet pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Nga viti 1995, deri sot ai është në pension si invalid pasi vuan prej artritit  reamotoidit. Për afro 40 vjet krijimtari në gjininë e këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Është vlerësuar me disa çmime ku mund të përmendim titujt e këngëve: “Udhëtuam së bashku”, “Mbrëmja e fundit”, “Vajza e fshatit tim”, “Nën kurorën e ullirit”, “Lulet e mollës”, etj.. Është fitues i disa  çmimeve në aktivitetet lokale dhe kombëtare si në këngën e muzikës së lehtë  dhe asaj popullore. Motoja e tij në krijimtarinë muzikore ka qenë mbështetja   në folklorin e pasur  të popullit tonë. Në këtë recital është përzgjedhur  krijimtaria më e mirë e 40-viteve e sjellë në një frymë të re dhe interpretime të reja, në të cilin spikasin heroika, lirizmi, dashuria dhe fenomene jetësore të krahinave të ndryshme të vendit tonë dhe të kombit shqiptar në tërësi me emocionet shijet dhe vlerat e vërteta artistike që mbart në vetvete arti popullor.

 

Si lindi ideja për këtë recital?

 

Kisha kohë që e mendoja. Sa herë shikoja spektakle të ndryshme televizive, mendimet më shkonin vite të shkuara në krijimtarinë time të shumë viteve. Këto kujtime më ngjizën dëshirën për të ideuar me z.Sulejman Baltëza në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve një Koncert Recital që do të ishte i veçantë për nga struktura dhe përzgjedhja e materialeve të mia si kompozitor.

 

Ku bazohet krijimtaria juaj në këtë Recital?

 

Kryesisht në muzikën popullore qytetare. Kjo do të thotë si në këngët popullore qytetare po ashtu dhe muzikën e valleve kryesisht të Shqipërisë së Mesme.

 

Mos vallë ky recital do të ketë vetëm muzikë popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme?

 

Kryesisht mbi këto motive është bazuar, por krijimtaria ime ka një gjeografi shtrirje, pra do të ketë dhe muzikë popullore të Shqipërisë së Jugut.

 

Cilat do të veçonit nga këngët jugore?

 

Këngën “Ç’po qëndis moj Marigo” e kënduar me emocion nga këngëtarja e mirënjohur “Mjeshtrja e Madhe”  Irini Qirjako.

 

Shihet se ndër të ftuarit special janë dhe motrat Libohova. Reshit Boka etj…Përse pikërisht këta këngëtarë?

 

Kjo për disa arsye, por kryesorja është se ata janë këngëtarë kryeqytetas, ku është, këngëtarë popullorë qytetarë, ku është bazuar ky recital.

 

Jeni i emocionuar?

 

Sigurisht. Bile shumë. Kam emocionet si ditën e parë, kur kënga ime mori pjesë në Festivalin e 11-të, me këngën “Mbrëmja e fundit”. Por tashmë emocionet shumëfishohen, duke pasur parasysh se kam një eksperiencë të madhe dhe nuk duhet të turpërohem. Por jam i bindur tek suksesi pasi kam me vete një ekip të kompletuar, këngëtarë profesionistë, valltarë të Ansamblit që kanë bërë emër kudo në botë.

 

Rexhep Çeliku

 

Ky recital na ka ngarkuar me përgjegjësi për vetë faktin se, kemi të bëjmë me një kompozitor special. Tashmë, Shëngjergji njihet në opinionin e gjerë të krijuesve për këngët e tij të bukura qytetare kryesisht tiranase. Grupi i valleve që unë drejtoj kanë punuar me shumë përgjegjësi që ne të dalim me sukses. Kemi punuar në mënyrë kompakte që të jemi në nivelin që kërkon ky Recital special, ku Shëngjergji del para spektatorit pas 15-vjetësh në mënyrën më të veçantë të tij. Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në një recital të tillë, ku kam gjetur gjuhën e një bashkëpunimi perfekt edhe me Drejtorin Artistik Sulejman Baltëza.

 

Irini Qirjako (Mjeshtre e Madhe)

 

Për mua Koncerti i Enver Shëngjergjit erdhi në kohën e duhur. E them këtë pasi ky kompozitor ka bërë muzikën e një prej këngëve të mia më të preferuara, të këngës që e kam shumë për zemër “Ç’po qëndis moj Marigo”. Këtë këngë kam vite pa e kënduar dhe dalja me këtë këngë në skenë në një koncert special, për mua është një gëzim i shumëfishtë. Kisha menduar ta këndoja në ndonjë koncert tjetër këtë këngë kaq të bukur, kaq melodioze, kaq patriotike. Marigoja e flamurit tashmë ka hyrë në histori. Kjo grua shqiptare me fisnikërinë e saj, me madhështinë, urtësinë, këmbënguljen qëndisi flamurin që valëviti Ismail Qemali në vitin 1912. Muzika e Shëngjergjit është një muzikë e veçantë, që i shkonte shumë për shtat tekstit, por dhe vetë datës historike. Kam besim të patundur tek suksesi.