E marte, 19.03.2024, 07:47 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Kruja 2007... Qyteti që jeton me gëlqere dhe suvenire

E marte, 18.12.2007, 10:17 PM


Shkruan: Ben Andoni

Në kthesat e fundit për në Krujë, sytë të mbesin te një mizëri burrash, që qëndrojnë pranë një porte futbolli. Baresin. Pa kuptim. Në spiralen e fundit drejt qytetit zhduket krejt pamja e tyre. Mbeten ullinjtë, kalaja dhe ndërtesat e vjetra prizmatike, që i ngjiten në shpinë pa asnjë rregull njëra-tjetrës. Të gjitha bashkë të ngatërrojnë në mendim. Derisa... Burri, që mban traun e hyrjes në Bashkinë e Krujës, është tkurrur nga i ftohti. Qëndron si hije, mes një grumbulli burrash, të cilëve u hedh vështrime vjedhurazi. I kërkojmë leje që të parkojmë në mjedisin e brendshëm të bashkisë... Jo. Ndal. Bën shenja të çuditshme. Kur e pyesim për kryetarin e Bashkisë, burri bymehet pak. Trau ngrihet - kurse qyqari me kokë bën nga grumbulli, ku mes burrave me rroba të errët është vetë ai. Dallon nga kollarja dhe kuptohet se burrat e tjerë e dëgjojnë... Bash në hyrje të Pazarit, M.T., 45 vjeç, grish dy turistë të moshuar të futen në dyqanin e tij. Është mjeshtër i veshjes me dru të shisheve të konjakut “Skënderbe”. Në fund, çiftit nuk i mbushet mendja. M.T. i përcjell sërish buzagaz. “Keni fat, - na shpjegon kur e takojmë kryetarin Lulzim Gunin - më duhet të iki në Elbasan, sepse Kastrioti luan me Dinamon dhe po merrem me organizimin e tifozerisë krutane të futbollit! Kam dhënë kuotën e karburantit të makinës sime. Dhe presidenti i Elbasanit do na ndihmojë që tifozët të futen pa biletë... Më prisni, -shton befas. Vetëm pak!”. Kur vjen, pas e ndjek nënkryetari i bashkisë, një njeri i vrenjtur trupmadh, që të shikon me vështirësi në sy. Nuk i bëjnë përshtypje indikacionet tona. Në zyrën që çuditërisht ka drita, hymë pak minuta më vonë. Nuk është se ka ndryshuar shumë me vite më parë në Krujë. Sakaq, me pak ngacmim, kryetari fillon monologun e tij. Merr një bllok ku ka renditur katër fazat e punës së tij dhe ndryshimin. “E gjeta me borxh, - bën një parantezë... bashkinë. Tani, do punojmë ndryshe”. The wind of change është karikuar sakaq.

Zyrtarët

Ndaj, ka bërë spastrime. Ka gjetur shumë punonjës me diplomë false. “Kam trashëguar 86 punonjës... dhe strukturën e fryrë e kam rrudhur në 76. Kam hequr të paaftët”. Si i dallon? - e pyesim. “Po nuk mbajtën ritmin, atëherë i heq”. Frazë, që me kadencë të ndryshme, e kemi dëgjuar nga dy krahët e politikës. Ky është i PD-së. Ka filluar hartim projektesh. Dhe, pretendon se do të rregullojë shumë. Do disiplinojë përrenjtë, që rrjedhin nga malet (qyteti sërish nuk ka ujë të rrjedhshëm, por nuk qahen?!); do rregullojë turizmin; do e bëjë Krujën një qytet më atraktiv. A qëndrojnë një ditë të plotë turistët këtu? - e pyesim. “Jo, ...edhe qëndrojnë”. Stepet. Çfarë tërheqjesh ka në këtë qytet, - e pyesim sërish. Ka katër hotele. Për njërin nuk i kujtohen yjet. Nuk ka kinema. Shfaqje?! Pas muzeut të kalasë, etnografikut, kalasë... këtu mund të rrish kot. Kinemaja në qytet është djegur. Duhet të kesh interesin e Durhamit, që të qëndrosh në Krujë. M.T. sapo ka dalë nga dera e shitores së tij në Pazar dhe përcjell kapriçion e motit. Është ftohtë, por mungesa e dritave e bën të ftohtin që të jetohet dy-trefish më keq. Jep e merr me dikë në dyqanet përbri. Nuk kanë shumë punë në të ftohtë. Por ka Zoti. Nga mesdita do mbërrijnë turistët e parë. Në fillim të habitur me ndërtimet në qytet... pastaj drejt Pazarit... Ka shumë treg te banesat, vazhdon shpjegimin kryetari. Banorët jetojnë jo keq. Është rritur çmimi i tregut të banesave 450 Euro metri katror. Ajo që dihet për Krujën është se tregtia e gëlqeres dhe guri, dhe tregu i suvenireve, është mekanizmi që e vë në lëvizje stomakun e qytetit. Ka pak hapësira të gjelbra, si në të gjitha qytetet. Më përmend zëri monoton i kryetarit, që tashmë është fiksuar te blloku me kapak të errët. “Borxhi në vite që kam trashëguar është 140 milionë lekë, ndërsa buxheti i këtij viti është 374 milionë lekë... 48% e saj e kam marrë që në tremujorin e parë”. Ku je fokusuar, e pyesim? “Puna ime konsiston në katër faza... e para -njohja me aparatin... Faza e dytë ishte miratimi. Kam kërkuar shtesë që të shkojë më 400 milionë lekë... I kam kërkuar kryeministrit hartimin e projekteve të mëdha ose afatgjata të efektshme. Kam bërë projekte për rrugët, mirëmbajtjen, riparime totale, shkolla dhe çerdhe... Ngaqë po nuk pate projekte nuk ke sesi të punosh”. Qëndron. Ka ftuar urbanistë krutanë kudo që janë, ekonomistë të zotë. Me ndihmën e SOROS dhe AMC po mendon për sheshin qendror, ku qëndron ekuestri i Paços kushtuar Skënderbeut dhe rrugën deri në Kala. Duket se Kruja po ndryshon me fjalën e tij, sakaq. Ngadalë zyra është mbushur dhe me njerëz të tjerë. Kurse suksesin e vërtetë e ka sepse: me ndihmën e të gjithë biznesmenëve vendas do të investohet për fushën e futbollit... me impiantet. Ndaj Kastrioti sot, luan në Elbasan. Është krenar, sepse e gjithë Kruja mendon vetëm për futbollin, që kur ekipi i tyre është në Superligën e kampionatit të futbollit. Drejtori i “Qemal Stafës” u ka premtuar ulëset. Burrat, që tash janë bërë bajagi shumë në zyrë, e kanë humbur durimin. Janë bërë shumë syresh dhe në zyrë hynë pa shumë siklet edhe të tjerë... I kërkoj leje që t’i bëj një foto. Merr pozicion. “Sa mirë që ke pikturën e Spiro Xegës, - i them. Nuk orientohet. Nuk e di. Pozon i bindur.

Ia vlen të jetosh në Krujë!

“Vetëm këtë vit kanë ardhur 120.000 turistë...”, thotë kryetari i kënaqur. Por, për të zgjidhur problemin e 110 familjeve të pastreha, punësimit, duket se e ka vështirë të japë përgjigje të shpejta. Buxheti?! M.T., më në fund ka gjetur një myshteri të mirë. E ka pikasur, që sapo ka marrë rrugën në Pazar. E ka ndjellë me një vështrim dhe së bashku janë zhytur në një biznes. Kaq. Kryetarit i duhet të ikë, ndërsa ngadalë në zyrën e tij janë bërë bajagi burra. Tarafi i kryetarit, ndjehet si në zyrën e vet dhe i lejon vetes dhe të shikojnë me qesëndi. Njëri syresh që mton se ka qenë gazetar i ZP-së, fillon e bën kompetentin. Largohemi bashkërisht dhe në fund kryetari bën zakonin e mikpritësit me fjalë. Do të sajdisja, por duhet me ik me pa Kastriotin. Ka të ngjarë që as barazimin mos të merrni, - i themi. “E parashikoke ti,- ma pret me tallje një i fortë. Për gazetarët nuk u hyn shumë në punë. Ndahemi. Në një të ftohtë të hidhur, burri e ngre sërish traun. Pak minuta më vonë stacioni është në Pazar për të përfunduar si të gjithë drejt Kalasë...
Në Krujë na pritën me shumë përzemërsi. Njerëzit ishin jashtë mase punëtorë dhe për çudi tepër të bindur. Kisha menduar se si zonë e thellë do të kishte shumë krime, por nuk ishte ashtu. Vjedhjet ishin fort të rralla dhe brenda gjashtë muajve në të gjithë zonën që ishte mjaft e madhe, kishte pasur vetëm tre vrasje. Kruja sot ka 700 shtëpi të ndërtuara larg njëra-tjetrës, ca më lart e ca më poshtë në faqen e kodrës së veshur me ullinj...(Edith Durham)
Kur kemi ardhur në këtë ditë dimri të ngarkuar me kaq shi dhe thellimë, më duket se në këtë qytet nuk mjafton të vish thjesht për historinë. Qyteti me të 15.250 banorët e saj mbijeton. Në këtë mori 2100 vetë sorollaten të papunë. Kuptohet shumica të rinj. Prandaj në 4500 familje, në 80 për qind të tyre një anëtar është në mërgim... Ka një plan urbanistik të vitit 1998, por qyteti ndërton më duket pa ndonjë kriter. Të duket se mungon logjika, ndërsa punohet pranë ndërtimeve të tjera dhe shumë afër kalasë. Plehrat që janë deri bash në segmentin e fundit, që ngjitesh në kala të stërlodhin. Kurse, vetë qyteti, që ruan ende pallatet me arkitekturën uniforme të socializmit, kotet. Punojnë.

Kruja

Pak metra më tutje nga Bashkia, por që me makinë duken shumë prej rrugëve të ngushta, shkon në kala. Ndërtohet përreth. Kush vjen këtu? Zbresin nga malësia e Krujës, por që të jenë ata prenotuesit e këtyre shtëpive, nuk besojmë. Ka shumë të ardhur, por edhe vetë krutanët punojnë, më thotë F.G., që vetë ka ardhur nga Tirana. Po rreket të marrë ndonjë dyqan në Pazarin e qytetit. Ky i fundit është atje ku ka qenë prej dhjetëra, ose mbase më shumë vitesh... Është ndërtuar pranë kalasë, aty ku tradicionalisht lidhej dhe me qytetin. Si zgjidhje kompozicionale dhe si mënyrë ndërtimi përfaqëson tipat më të vjetër të pazareve mesjetare. Bash në fillim të tij, kur fillon ulja takoj M.T. “Mund të futesh” - më thotë. “Mos ki siklet. Nuk ke pse të blesh doemos”. Del më i këndshëm sesa e mendoj dhe me një filozofi të thjeshtë. “Jam nga ata që kënaqem me pak. Ma ka lënë plaku këtë amanet”, më sqaron. I ka vjedhur zanatin një njeriu në Shijak. “I jam mirënjohës atij, që i dha kuptim jetës...”. Kujt? - e pyesim. “Që atëherë fillova punë në artistike dhe nuk i jam ndarë. Këto shishet i bëj vetëm unë në Shqipëri dhe askush tjetër”. Përgatit shishet e konjakut, duke i veshur me një si tip allçie ose druri. I bën bashkë me gotat dhe i shet. Nuk e pranon logjikën e të tjerëve që ankohen. Por, këtu, të gjithë funksionojnë ndryshe. Dyqanet-punishte janë të vendosura në formë vargu të gjatë përngjitur dhe karshi me njëra-tjetrën, duke lënë në mes një rrugicë të ngushtë, ku lëvizin blerësit. Rrugica është e shtruar me kalldrëm dhe ka në mes kunetën për largimin e ujërave të shiut, që rrjedhin nga strehët e gjëra të dyqaneve. Dyqanet më të vjetra mbylleshin në pjesën ballore me dërrasa të vendosura vertikalisht taraba) ndërsa më vonë u përdorën qepenat prej druri, të cilat duke u hapur krijonin një strehë të dytë sipër dhe një lloj banaku për ekspozimin e mallit. “Nuk ka punë fare dhe e shtyjmë kot,- më thotë një djalë mes relikeve pa fund”. Me çiltërsi më shpjegon se shumicën e tyre as nuk e njeh fare. Dhe, as i hyn në punë.
Pazari në gjendjen e sotme është restauruar gjatë viteve 1966-1968 duke kthyer në një pikat më tërheqëse, ku tregtoheshin mallra e suvenireve të prodhimit artizanal, ku ka edhe lokale ushqimore tradicionale...Në Pazar mund të gjesh të gjitha rrangullinat që mund të marri mëndja. Dominojnë librat, bustet e Enver Hoxhës, gjërat e tjera të artizanatit, të gjitha orenditë e vjetra të shqiptarëve të importuara dhe ato të bëra me dorë. Mal me vjetërsira të ndryshme. Duket një tendencë e bukur, përgatitja e qilimave nëpër dyqane. Zhvillimi i artizanatit hand-made. Qilimi, leshi, druri janë kudo. Në Pazar janë rreth 100 licenca, por shumë nga shitësit kanë nga dy dyqane. Kudo mungojnë dritat nga ora 10:00-16:00, pastaj nga 17:00-21:00 dhe në mëngjes 05:00-07:00... M.T., është sërish optimist dhe më thotë se të gjithë fitojnë. Paguhet një qira prej 150.000 lekësh e më shumë. Pasi kam përshkruar dyqanet, më habit një burrë me flokë të lyera, që i janë rritur rrënjët e bardha. Shkon në Azi, sipas tij dhe sjell mall për këtu. Imtësira, kalorës, orendi të ndryshme, imitacione?! Prodhime të pafundme aziatike. “Në krye të dy muajve shkoj”. “Po kështu pa drita, nuk shtyhet”, më shpjegon i mbledhur me duart në xhepa, duke u larguar.

Kruja nga kalaja

...Rruga që të dërgon në kala është ende e parregulluar, edhe pse në fakt, tre punëtorë janë duke punuar me kalldrëmin. Një kazan i qarkuar me plehra të pret shumë afër portës kryesore të kalasë. Kurse qyteti është përhimosur nga i ftohti. Kruja nuk të ngjall asgjë nga kalaja, veç xhamisë, që tashmë i falet te këmbët. Islami e ka mposhtur Akçahisarin (kështjellë e bardhë). E ndërtuar në shpatin e malit me të njëjtin emër me lartësi 604 metra mbi nivelin e detit, qyteti mbart një histori shumë interesante. Mund të jetë vazhdë e Zgërdheshit (Albanapolis), por me një mbrojtje natyrore më të fuqishme. Një varrezë e zbuluar në qytet e tregon qytetin dhe në shekullin e VI-VII (i përket kulturës së Komanit). Në vitin 879, Kruja përmendet si qendër episkopate. Në qytet kanë qenë Manuel i I Komneni, Progoni, despoti Mihal II , pas tij Anzhuinët, përsëri bizantinët. Androniku II Paleologu, u njeh banorëve privilegjet e vjetra dhe u shton dhe të reja, Filipi i Tarentit, 17 vjet Stefan Dushani, pastaj Karl Topia. Venecianët, dhe më 1415 pushtohet nga turqit. Vjen Skënderbeu dhe sërish turqit... Por, shenjat e gjithë këtyre janë pak veç fazave të ndërtuara në kala. Kurse socializmi, duket se i ka përmbysur të gjitha rendet arkitektonikë. Madje, në pallate ka një element të stilizuar shqiponje dhe një uniformitet i frikshëm. E vetmja gjë që të pëlqen është se kryetari i bashkisë ka vendosur të rregullojë dhiaren, që të ngjit në Sari Salltëk. Është teqeja e njohur në kuotën e 1240 metrave, sipër qytetit. Drejtori i muzeut më shpjegon sesa mirë punohet në muzeun e tij, ndërsa ciceroni i Etnografikut, në një ngushticë objektesh - më flet për traditën vendase. Në kallkanin, që na ndjek, na shkëlqejnë të dyve vetëm sytë. Koncepti ka mbetur ai i vjetri. Bustet e personazheve të Skënderbeut, por edhe koncepti muzeor në përgjithësi është i vjetër. Vetëm se drejtorin, një rreze optimizmi e përshkon shpesh të tërin. Sa do t’ia dalë?! Këtë vështirë ta kuptosh. Ai ka shpresë, sepse vetëm atje ka drita dhe të gjithë turistët në Shqipëri, duhet të shkojnë atje.
Nga Kruja u nisëm shumë shpejt, herët në mëngjes, kur hëna endej varej e gjelbër në qiellin e kuqërremtë të dritës së parë të agimit. Ullinjtë e argjendtë krijonin një peizazh magjik. U nisëm pa futur gjë në gojë përveç një kafeje, sepse edhe një natë më parë s’kishim blerë dot veç ca bukë...(Durham)
Nga Kruja nisemi mbasdite. Burri i bashkisë është ende aty pari. Të tjerët kanë filluar popullimin e kafeve. Kurse M.T. ka shkuar të drekojë... Kastrioti ka humbur 3-0 dhe ndërsa ne shkojmë... një grup tifozësh turivarur kthehen në qytetin me historinë e stërpërsëritur të Skënderbeut. Fusha ku në mëngjes ishte mizëria e njerëzve, heshton. Dhjetori i 2007-ës.

Kalaja e Krujës

Kalaja e Krujës ngrihet mbi majën e kodrës më të lartë të qytetit, e cila ndahet nga një hon i thellë prej malit të Sari Salltëk. Nga periudhat më të vjetra ruhen vetëm pak gjurmë. Muret me gjatësi rreth 800 metra rrethojnë një sipërfaqe të çrregullt, që kufizohet shpesh nga rrëzime të thikta shkëmbore. Nga mbetjet arkitektonike më të rëndësishme vlen të përmendet kështjella në pjesën më të lartë të kodrës shkëmbore, prej të cilëve ruhet një kullë bizantine 16 metra e lartë, e cila më vonë në shekullin XVII dhe XVIII është përdorur si kullë sahati. Në vitin 452, Skënderbeu rifortifikoi hyrjen kryesore në mënyrën më të përparuar të kohës, duke e përshtatur kundër artilerisë, që në atë kohë ishte shumë e përmirësuar. Një nga pjesët e vjetra më interesante të kështjellës është edhe fortifikimi i krojeve në pjesën jugperëndimore. Këtu kemi të bëjmë me një mur të dyfishtë mbrojtur nga tri kulla, i cili rrethonte një burim natyror në rrëzë të mureve të kalasë, si edhe një portë që të dërgonte nga brenda qytetit te burimi. Kjo e fundit përshkon një tunel relativisht të gjatë nën një kullë rrethore. Në rast shkatërrimi të mureve mbrojtëse të burimit, uji sigurohej nga një pus brenda rrethimit kryesor. Ndaj, gjatë rrethimeve, Kruja nuk vuante nga uji...

Muzeu Etnografik

Ndodhet brenda mureve rrethuese të kalasë dhe paraqet interes të veçantë tipologjik. Ajo është e tipit me çardak, e variantit me një krah dhe datohet rreth 1764. I përkiste dikur Toptanasve. Këtu çardaku është i mbyllur me një perde të hollë dërrase, që përmban dy radhë dritaresh. Interieri i dhomës së miqve përmban një dekoracion tepër të pasur. Banesa e pajisur me hamam, përbën një dukuri të rrallë me këtë nivel realizimi..

Teqeja

Teqeja e Baba Mustafa Dollmës ngrihet brenda kalasë. Vëllimi prizmatik i faltores mbulohet me kupolë sferike mbi trompa këndore. Interieri përmban piktura murale në teknikën e afreskut me vlera artistike. Pikturat janë realizuar në dy periudha të ndryshme: piktura e mihrabit është e 1779, ndërsa ajo e kupolës rreth 1807



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora