E enjte, 25.04.2024, 05:03 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ekzekutohet polici, i vellai: Krimineli qelloi mbi shtetin

E marte, 19.10.2010, 07:05 PM


Enrik Mehmeti, Gazeta Shqiptare

 

VLORE Heshtja sundon në lagjen “Isa Boletini” të Vlorës, ku banon familja e policit të vrarë Roland Likaj. Të gjithë e njihnin babain e dy fëmijëve si një njeri shumë korrekt e të respektuar, ndaj ende s’e besojnë që ai nuk jeton më. Plumbat dhe misteri i natës së shkuar kanë sjellë kob jo vetëm në familjen e viktimës, por në të gjithë lagjen, në gjithë qytetin. Hapat e të afërmve, miqve dhe të njohurve të familjes Likaj ndalen në katin e dytë të një pallati, aty ku banon bashkëshortja dhe dy fëmijët e mitur të 46-vjeçarit. Pjesëtarët e familjes Likaj janë të tronditur. Nuk duan të besojnë atë që ka ndodhur. Në një intervistë dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, Aleks Likaj deklaroi se vëllai i tij nuk kishte konflikte me persona të tjerë. Ai pohoi se krimineli që qëlloi për vdekje vëllain e tij, Rolandin, ka vrarë vetë shtetin. Pjesëtarë të familjes Likaj në Vlorë, i bëjnë apel shtetit shqiptar që të zbardhë shpejt ngjarjen dhe vrasësi të vihet përballë drejtësisë. 
Si e mësuat lajmin për vrasjen e vëllait tuaj? 
Lajmin e kobshëm e mësuam nga drejtues të Policisë së Vlorës, të cilët erdhën vetë në banesën e familjes së vëllait tonë, Rolandit. Ishte e tmerrshme. Nuk na besohej. Vetëm pak orë para se të ndodhte ngjarja, Rolandi ishte në shtëpi me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. 
Kur ishte nisur për në punë Rolandi? 
Ai ka shkuar në punë si çdo ditë tjetër. Është nisur në mbrëmje dhe do të kthehej në mëngjes. Por këtë herë nuk ndodhi kështu. Jemi shumë të indinjuar nga humbja e njeriut tonë më të dashur. Në këtë rast nuk është vrarë vetëm vëllai ynë, Rolandi, por është vrarë dhe shteti. 
A keni ndonjë dyshim ju si familjarë rreth motivit që mund të ketë çuar në këtë ngjarje të rëndë? 
Çdo gjë na ka ardhur e papritur. Vëllai u vra në krye të detyrës. Nuk dimë asgjë në lidhje me motivin e krimit. Organet kompetente duhet që të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes, të identifikojnë autorët dhe t’i vënë para ligjit. 
Dini gjë për ndonjë konflikt të mundshëm të vëllait tuaj polic me persona të tjerë? 
Rolandi ishte shumë korrekt me familjen e tij, me shoqërinë, kolegët dhe me eprorët. Ai nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje, debat apo konflikt me persona të tjerë. Vrasja e tij akoma na duket e pabesueshme. 
Cili është apeli juaj? 
I kërkojmë shtetit shqiptar që të zbardhë vrasjen sa më shpejt. Vrasësit e vëllait tonë duhet të përballen me drejtësinë dhe të ndëshkohen maksimalisht. Është gjë e rëndë që kriminelët të vrasin pa asnjë problem jo vetëm qytetarë të thjeshtë, por dhe punonjësit e policisë



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora