Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Del Piero 178 gola, sa miti Boniperti!

| E hene, 18.10.2010, 09:22 PM |


Nga Sporti Shqiptar

 

Kapiteni bardhezi arrin rekordin e legjendës juventine: Ai është i lumtur nëse e parakaloj unë

Goli i 4-t i Juves kundër Leçes është i 178-ti në karrierë për Alesandro Del Pieron në Serinë A. Duke gjunjëzuar Roazatin, kapiteni 36-vjeçar arrin një mit bardhezi, Xhiampiero Bonipertin në krye të renditjes së golashënuesve më të mirë juventinë në Serinë A. “Ai ka thënë gjithnjë që nëse e kaloj unë, është i lumtur dhe jam i sigurt që kënaqësia e tij është e sinqertë, - thotë Del Piero pas ndeshjes. - Megjithatë nesër (sot) do t’i telefonoj ta pyes çfarë mendon.

Besoj se ai është historia e Juventusit, sikundër është, pavarësisht nga numrat, Gaetano Shirea, lojtarë që kanë hyrë në zemër të njerëzve për gjërat e jashtëzakonshme që kanë bërë. Është e bukur të arrish rekordin në një ndeshje të bukur që e fituam. jam shumë i kënaqur në nivel të përgjithshëm”. Një karrierë e gjatë thuajse 20-vjeçare, shumë rekorde të arritura dhe akoma një dëshirë e madhe për futboll, triumfe dhe çmime. Del Piero të rinjve u jep një këshillë:

“I duhet vënë vetes gjithnjë objektiva, duhet punuar duke u zbavitur dhe të bëhet me pasion e entuziazëm sikr të jesh një fëmijë. Ndonjëherë edhe mund të inatosesh, por deri sa pasioni e këmbët të mbajnë, jam i lumtur që vazhdoj kështu”. Dje Del Neri i dha vetëm 12 minuta lojë dhe atij i mjaftuan për të shënuar golin numër 178 me bardhezinjtë:

“Kur luan më shumë, je gjithnjë e më i lumtur, por gjithsesi jam i lumtur, - vazhdon Del Piero. - Në sulm po përjetojmë një moment të mirë, shpresojmë të zgjasë sa më shumë të jetë e mundur, kemi gjetur kompaktësi edhe në mbrojtje. Prej disa vitesh nuk mendoj për ata që më thonë se kam mbaruar dhe janë gjëra që më karikojnë, edhe pse parapëlqej të mendoj për ata që më mbështesin, për ata që vuajnë dhe shijojnë me mua.

Kritikëve më pëlqen t’u përgjigjem në fushë, është kjo përgjigja më e mirë. Pronarët e rinj? Familjen Anjeli e kemi ndier gjithnjë pranë, tani është Andrea që për ne është një motiv sigurie. Nuk e harroj Xhon Elkanin, që na mori në momentin më të trishtë, kur përfunduam në Serinë B, i kujtoj gjithnjë fjalët e tij, na tha se duhet të jemi krenarë për sezonin në B. Tani duhet të shohim të ardhmen dhe e ardhmja janë ata të dy afër skuadrës”.