E enjte, 28.03.2024, 08:34 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

"Ja orët e ferrit, shteti na la në det"

E hene, 18.10.2010, 05:31 PM


Nga Sherif Kola, Gazeta Shqiptare

 

SARANDE -Për orë të tëra kanë për jetuar ferrin. Janë gjendur të vetëm mes dallgëve dhe errësirës. Të tmerruar kanë kërkuar ndihmën e kapitenerisë dhe Marinës së Sarandës, por janë shpëtuar nga grekët. Mëngjesin e djeshëm, peshkatarët sarandjotë, Orest Istrefi dhe Dylber Beqiri, të cilët katër ditë më parë rrezikuan të mbyteshin me peshkarexhën e tyre në det, janë kthyer pranë familjeve, duke i dhënë fund makthit të të afërmve. Motofluga "Ergys" ka hyrë në port e rimorkiuar që nga Korfuzi nga një peshkatore tjetër e kësaj flote, që ka mundësuar ardhjen në Sarandë. Ndërsa ndihen sikur kanë lindur për së dyti, dy peshkatarët janë tepër të zhgënjyer që shteti i tyre nuk u erdhi në ndihmë në momentin më të vështirë, atëherë kur po luftonin me vdekjen. "Ne, këtij shteti i duhemi vetëm për të mbushur arkën. Nuk përfillemi kur kërkojmë ndihmë", - u shprehën dy të mbijetuarit. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Orest Istrefi dhe Dylber Beqiri tregojnë për orët e pragut të tragjedisë që ata përjetuan në detin 5 ballë dhe pritjen pa shpresë të ndihmës nga pala shqiptare. 
Si ndodhi që u vutë në situatë rreziku në mes të detit? 
Kishim dalë për gjueti në zonën e Himarës që të mërkurën pasdite. Ajo është zakonisht zona jonë e gjuetisë. 
U nisët me kohë të mirë? 
Po, koha ishte gri, por e qetë, ndaj ne vendosëm të mos e humbnim gjuetinë. 
Befasisht u ngrit dallgëzimi i detit? 
Jo, atë ditë peshkuam në kushte normale. Kjo na nxiti që të kalojmë edhe natën në det. Por nuk na doli për mbarë, desh lamë lëkurën. 
Çfarë mbani mend nga ato që kaluat? 
Vazhduam gjuetinë edhe gjatë ditës së enjte. Vërtet koha ishte me shi, por ne jemi mësuar të gjuajmë në këto kushte. 
Çfarë nuk shkoi mirë, atëherë? 
Deti u egërsua. Dallgët ishin të mëdha dhe varka filloi të vërtitej sa andej-këtej. Ishim vërtet në vështirësi. U përpoqëm të gjejmë ndonjë gji të mbrojtur, kur ishim 5.8 milje nga Himara dhe 5 milje nga ishulli Thanos i Greqisë; thuajse në mes të detit, në mes të rrezikut. Por pamë që motori na kishte lënë, helika nuk punonte. Kjo na bëri të lëshojmë sinjalin "SOS" në drejtim të kapitenerisë dhe Marinës së Sarandës. 
Hytë në lidhje? 
Po, folëm në celular me ta. Por pas 5 orësh pamë të vinte një varkë në drejtimin tonë. 
Nuk mundi t'u shpëtojë? 
Jo, ajo u kthye kur ishte 2 milje larg nesh. Ne shikonim dritën e saj dhe ata tonën. Folëm edhe në telefon. Por koha u bë sterrë, mjegulla nuk binte, erë kishte. 
Dhe nuk mundën të vijnë? 
Jo. Nuk deshën të vijnë. Personi me të cilin folëm nga anija e rojës bregdetare na tha: "Nuk vij, se mora urdhër nga kapiteneria të kthehem". Dhe u kthye mbrapsht, duke na lënë në mëshirë të fatit. Nga kapiteneria na thoshin ndryshe, nga varka ndryshe. Kuptuam se, ose nuk donin të vinin, ose ishin të paaftë të komandonin mjetin lundrues në ato kushte. 
Si dolët nga situata? 
Dritën e shpëtimit e pritëm nga kapiteneria e Korfuzit. Dhe ashtu ndodhi, roja bregdetare e ishullit përballë erdhi na gjeti saktësisht ku ishim. Dhe na çuditi se ajo ishte një varkë e ngjashme me tonën, ndërsa varka shqiptare ishte tamam për atë shërbim, e megjithatë u kthye. 
Ku e kaluat natën? 
Të rimorkiuar na çuan në një gji të mbrojtur, në ishullin e vogël Erikusa. Në hotelin ku na çuan i thamë vetes "shpëtuam", por të ishte për shtetin shqiptar, sot do të kishte qenë dita e funeralit tonë. 
Atje e riparuat edhe varkën që u solli në Sarandë? 
Jo. Defekti do të vononte të bëhej dhe nuk mund t'i linim akoma në ankth familjet tona. 
Atëherë, si mundët të vini në Sarandë? 
Ia kemi borxh një kolegut tonë peshkatar. Ai erdhi me peshkatoren e tij dhe na rimorkioi. Nuk ia harrojmë, por nuk ia harrojmë në kuptimin e kundërt edhe shtetit e njerëzve të tij, që nuk na u gjendën në orët tona më të vështira.

 

______

 

Hedhin ilaç morrash në kafe, helmohen 3 familjarë

 

Irma Hoxha, Gazeta Shqiptare

 

FIER -Tre pjesëtarë të një familjeje në Fier janë në gjendje kritike për jetën, pasi janë helmuar aksidentalisht me kafe, brenda së cilës është hedhur ilaç kundër morrave në vend të ujit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë me dije se 65-vjeçarja Aishe Bytyçi, djali saj, Eduardi 38 vjeç, si dhe nusja e këtij të fundit, Liljana 36 vjeçe, janë nën kontrollin intensiv të mjekëve të spitalit rajonal. Ndërkohë, bluzat e bardha të këtij spitali dje deklaruan se tre pacientët ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se duhet të kalojnë 24 orë që të garantojnë daljen e tyre jashtë rrezikut për jetën. Ndonëse në gjendje të rëndë, pjesëtarët e familjes Bytyçi kanë dëshmuar në polici se helmimi i tyre ka ardhur nga pakujdesia, pasi shishja me solucion që ishte përgatitur një natë më parë për të luftuar parazitët, ishte ngatërruar nga fëmijët me shishet e mbushura me ujë. Ka qenë dëshmia e pacientëve që ka "zgjidhur" dilemën e mjekëve të Fierit, të cilët nuk po gjenin llojin e lëndës toksike, me të cilën ata ishin helmuar me anë të kafes. 
HELMIMI 
Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Vanaj të komunës së Libofshës në Fier. Mësohet se rreth orës 8:00, tre pjesëtarë të familjes Bytyçi u paraqitën në gjendje shumë të rëndë në spitalin rajonal të Fierit. "Aishe, Eduard dhe Liljana Bytyçi mbërritën në spital me shenja të një intoksikacioni të rëndë. Shkaqet ishin të paqarta. Ne ishim të bindur se këta pacientë ishin helmuar në sajë të konsumimit nga goja të ndonjë medikamenti apo helmi, por pa e përcaktuar dot se çfarë", - pohuan bluzat e bardha. Pas informacionit për ngjarjen, në spital ka shkuar dhe policia. Efektivat blu kanë mundur të sigurojnë dëshminë e pacientëve të helmuar, duke zbardhur rrethanat e ngjarjes. Sipas hetuesve të çështjes, gjithçka ka ardhur nga pakujdesia dhe se dyshimet për ndonjë helmim të qëllimshëm apo ushqim jashtë kushteve të konsumimit, janë hedhur poshtë. Gazeta dje siguroi dëshminë e dhënë prej njërit nga pjesëtarët e familjes Bytyçi. 
Nga se jeni helmuar? 
Jemi të bindur se jemi helmuar nga kafja. Sapo u ngritëm në mëngjes, si zakonisht u ulëm të tre dhe pimë kafen. Vetëm pak minuta më pas filluam të kishim dhimbje të forta. Të afërmit na sollën me urgjencë në spital. 
Pse jeni të bindur se u helmuat nga kafja? 
Pasi vetëm kafe pimë dhe asgjë tjetër nuk kemi futur në gojë. Pastaj, nëse helmimi do të ishte shkaktuar nga ushqimet, mund të ishin helmuar dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. 
Mjekët deklaruan se në kafe ka pasur lëndë toksike. Dyshoni se në kafe mund të keni hedhur gabimisht ndonjë lëndë helmuese? 
Dyshojmë se u helmuam aksidentalisht. Mbrëmjen e së premtes, Eduardi përgatiti një shishe solucion që lufton parazitët. Fëmijët kishin zënë parazitë, nuk e dimë se ku dhe nga kush i morën, por u munduam që t'i luftonim duke përgatitur diçka vetë. 
Ilaçin kundër parazitëve ai e hodhi në një bidon uji 1-litërsh e gjysmë dhe e la mbi lavatriçe. Që aty ndoshta fëmijët, të cilët nuk e dinin se çfarë ishte, e kanë marrë dhe e kanë përzier me bidonët me ujë që mbanim në aneks.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora