Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Merkel e quan shoqërinë multikulturore ''të dështuar''

| E diele, 17.10.2010, 03:11 PM |


Politikanë kryesues të unionit kristiandemokrat dhe kristiansocial vazhdojnë t`i hedhin benzinë zjarrit në debatin për integrimin e të huajve në Gjermani. Kancelarja Merkel e quan shoqërinë multikulturore ''të dështuar''.

Përpjekjet për ngritjen e një shoqërie multikulturore në Gjermani kanë dështuar, tha Merkel ditën e shtunë (16 tetor)në Kongresin e të rinjve kristiandemokratë (JU) që u mbajt në Pocdam: "Kjo qasje është e dështuar, krejtësisht e dështuar".

Në të kaluarën është kërkuar shumë pak, mendon kancelarja. Kërkesa që migrantët të mësojnë gjuhën gjermane, është kërkesë e drejtë për të patur shance në tregun e punës. Martesat me detyrim nuk janë të pranueshme dhe natyrisht që edhe vajzat e familjeve migrante duhet të shkojnë në eskursionet e shkollës. Njëkohësisht duhen marrë masat që veprat penale të dënohen dhe që të mos krijohen në qytete zona ku policia nuk shkon.

 

Merkel shprehu njëkohësisht mbështetjen për shprehjet e kontestuara edhe brenda kristiandemokratëve, të presidentit Christian Wulff, sipas të cilave islamizmi është pjesë e Gjermanisë. "Ai është pjesë e Gjermanisë dhe kjo nuk shihet vetëm tek futbollisti Mesut Özil", nënvizoi Merkel duke përmendur mbrojtësin me origjinë turke të kombëtares gjermane.Disa ditë më parë kancelarja pati theksuar në një konferencë rajonale të kristiandemokratëve të mbajtur në Berlin: "Ne ndihemi të lidhur me imazhin kristian të njeriut. Kjo është ajo që na bën të ndryshëm."Kush nuk e pranon këtë, "nuk e ka vendin këtu".

Në Kongresin e të rinjve kristiandemokratë, kryeministri i Bavarisë dhe kryetari i Partisë Kristiansociale, Horst Seehofer i kërkoi të huajve që jetojnë në Gjemani që të integrohen. Njerëzit që jetojnë këtu duhet të pranojnë si kulturë kryesore atë gjermane, tha ai dhe morri shumë duartrokitje për këto fjalë. Integrim do të thotë sipas fjalëve të Seehoferit, të respektosh vlerat kristiane, të kualifikohesh dhe të integrohesh. Pa sunduar gjuhën gjermane, kjo nuk mund të ndodhë. "Ne nuk mund të kthehemi në zyrë të ndihmave sociale për gjithë botën," paralajmëroi kryetari i CSU-së duke thirrur "Multikulti ka vdekur!"

 

Kritika Seehoferit

 

Për shprehjet e tij për integrimin Seehofer u kritikua nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Qëndror të hebrejve në Gjermaini, Stephan Kramer. Për gazetën "Rheinpfalz am Sonntag" Kramer tha se, duket se frenat për të nxjerrë shprehje armiqësore ndaj të huajve dhe rrezikuese për paqen sociale, si dhe për të dalë për mbledhjen e votave me pretendime të gabuara, janë lëshuar shumë edhe vetë brenda politikanëve të partisë demokratike. "Kjo është e papërgjegjshme".Në një intervistë televizive disa ditë më parë Seehofer pati thënë se migrantët nga kultura të tjera si nga Turqia apo vendet arabe kanë vështirësi në integrim. Kështu që ai arrin në përfundimin, "që nuk na duhen më migrantë nga rrethet e tjera kulturore."

Kramer kritikoi edhe ministren e familjes Kristina Schröder (CDU), e cila ka zbuluar tek "armiqësia ndaj gjermanëve" edhe rracizëm. Ajo citon parrulla që lëshohen në tavolinat e kafeneve, në vend që të merret me problemin, tha Kramer. Debatet janë "disporpocionale, hipokrite dhe histerike".

Kush e ka fajin sipas Merkelit

Merkel ia kalon fajin për problemet aktuale të integrimit, qeverive të mëparshme. "Dështimet e 30, 40 vjetëve nuk mund të kapërcehen kaq shpejt," tha të premten ajo në një konferencë rajonale të Partisë Kristiandemokrate.

 

DW