E merkure, 24.04.2024, 12:03 PM (GMT+1)

Speciale

Faik Konica: Nuk jam unë - Nga Aurel Plasari

E diele, 17.10.2010, 07:59 PM


FAIK KONICA: NUK JAM UNË

 

Nga Aurel Plasari

 

“E di se jam nga ata njerëz që njerëzit nuk i duan, por jam nga ata për të cilët atyreve u bie në mend.”

P. B. Shelley

 

Fytyrë dhe maskë

 

Përse vallë Faik Konica ka mbetur një nga ata personalitete madhorë të mendimit dhe veprimit shqiptar të cilët vijojnë ende të vuajnë “të kuptuarit e reduktuar”?

 

Autorët kryesorë që kanë transmetuar bazën e të dhënave për figurën e tij përbëjnë një burim dore së parë, si F. S. Noli me Hyrje dhe Faik Konica: Një kryqtar te Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, por edhe burime dore së dytë, si Q. Panariti me Parathënie (po aty), P. Kolonja me Si e njoha Faik Konitzën në Faik Konitza 1876-1976 (New York 1976) etj. Për pjesën që i takon personalitetit të tij, kjo bazë është përdorur edhe prej autorëve më në zë që mbi të kanë shkruar: N. Ressuli, H. Kaleshi, L. Starova, A. Karjagdiu, S. Hamiti. Titulli i gjetur i librit të këtij të fundit, Faik Konica: jam unë, ka vetinë të sugjerojë trajtimin e figurës në fjalë edhe në kahun e përkundërt; d.m.th. duke synuar kapërcimin e “të kuptuarit të reduktuar”, i cili do ta vinte në pikëpyetje autenticitetin e figurës ofruar nga Noli-Panariti-Kolonja. Të dhënat e kësaj tresheje, në një rast si ky, do të duheshin shqyrtuar me dyshim, qoftë duke vënë në dukje numrin e mospërputhjeve që godasin syrin edhe midis këtyre transmetuesve të ndryshëm, qoftë duke shtruar mundësinë e një pasqyrimi të shformuar në të dyja kahet: duke ia shëmtuar fytyrën Faikut, ose duke ia zbukuruar atë.

 

Faik Konica nuk përfaqëson një personalitet të atij lloji që mund të mbetet në një kulturë vetëm prej një atributi, për shembull prej veprës letrare. Apo prej veprës historike. Këtu zë fill, virtualisht, një “të kuptuar i reduktuar” i tij. Ai mund të mbetet sa prej veprës që ka realizuar, aq edhe prej mënyrës së të jetuarit dhe të të sjellit që ka konceptuar, me fjalë tjetër të asaj që ne sot e quajmë “behaviour”. Me një prerje të rëndë mund të thuhet sot se vepra e Konicës, si e tillë, ka një vlerë relative për kohën tonë, ndërsa mënyra e tij e të jetuarit dhe të sjellit, përkundrazi, nuk është ende vlerësuar sa do të duhej.

 

Vlerësimi relativ sa i përket veprës nuk vë në dyshim rolin e pamatë kulturor që ka luajtur, si dhe ndikimin e gjithëmbarshëm që ka ushtruar, në kohën e tij dhe më mbas, Faiku. Çështja është që rezulton e vështirë të pohohet se vepra e tij përbën ndonjë kontribut me rrezatim jashtë të zakonshmes për kohën tonë. Ngjan i vërtetë konstatimi se, duke u marrë me shumë punë dhe duke i vënë vetes shumë barrë mbi shpinë, Konica as që pati kohën t’ia ngejë vetes “monumentin” nëpërmjet veprës. Veç kësaj, ai nuk u ndal te një specialitet i vetëm, por parapëlqeu të ishte njeri kulture me aspirata ndaj universalitetit. Ndonëse qysh në kolegj e quanin “filozof”, së paku letërsia dhe historia i interesonin në të njëjtën masë, por jo më pak i interesonin gjuhësia, filologjia, muzika, politika, antropologjia kulturore, arkeologjia etj. Madje pyetja mund të shtrohej se çfarë specialiteti mendonte vetë Konica se kishte.

 

Të bënte ndokush një orvatje për të restauruar mendimin në përgjithësi të Konicës, ka gjasa që të zhgënjehej. (Mund t’i ndodhë, për shembull, ndokujt që mendon të punonjë një tezë mbi mendimin e tij.) Do të duhej pranuar që, nëse kemi vepra të Konicës, qofshin këto edhe të një vlere të lartë kulturore, si Doktor Gjilpëra kërkon rrënjat e dramës së Mamurrasit, Pesë përralla nga Zullulandi apo esenë postume Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, nuk mund të thuhet se cilën pikërisht ka Konica vepër. Fakti ekscentrik që të gjitha punimet e tij me synime të mëdha kanë mbetur ose janë lënë të pambaruara vetëm sa ua shton atyre relativitetin në vlera. Edhe nëpërmjet kësaj rruge përjashtuese mund të dilet në përfundimin se një vepër e njëmendët arti dhe kulture njëherësh, që Konica i ka dhuruar trashëgimisë së kombit të tij, është vetë personaliteti i tij jashtë të zakonshmes.

 

Mund të thuhet që për ta vlerësuar këtë instancë neve na mungojnë vetitë përkapëse. Ka mundësi që këto veti të lidhen me faktin që njeriut modern, në kuptimin etik, nuk i intereson përkryerja e jetës vetjake, aq më pak e jetës së të tjerëve; madje i duket sikur masa e një jete njerëzore është mjaft e vogël për “parathëniet” që njeriu sot jeton. Njeriu modern nuk e ndien veten përgjegjës si individ, as për mirë as për keq. Të kujdesesh për përkryerjen e jetës vetjake sot nuk është në modë, është diçka e kapërcyer, e tejkaluar. Është një virtyt i kohëve idilike të shoqërisë. Por edhe këtu mund të gabohemi. Ka gjasa që, pikërisht ngase duam të tejkalojmë stadin e jetës individuale, na duhet të kujdesemi për jetën tonë më shumë se më parë. Dikur, ndoshta, kishim kohë ta shtynim këtë punë, ta bënim përkryerjen tonë një problem të jetës mbarë. Sot, pikërisht ngase duam t’i shërbejmë një ideali tjetër që nuk është jeta individuale, duhet të nxitojmë për ta përkryer veten. Në këtë raport të dhënies e marrjes me veten - për t’i krijuar vetes personalitetin një cope – modeli i Konicës hyn ende në punë. D.m.th. është aktual.

 

I vjetër qysh në të ri

 

T’i quajmë gjërat me emrin e tyre: a nuk ka Faiku qysh në të ri, qysh kur mëson në Gjimnazin grek të Konicës, në kolegjën e Shën Ksavierit në Shkodër, apo në Liceun perandorak të Gallatës, a nuk ka diç prej njeriu të pahonepsshëm? Me shokët e klasës e ka të vështirë të merret vesh. Mësuesit e vlerësojnë, por shumë pak e duan. Qysh në këtë moshë është një çunak nursëz, mezi jep e merr me ata që ka përreth dhe, për më shumë, është edhe nxënës i shkëlqyer! E habitshme do të ishte të mos e ndiqte antipatia. Kur kolektivisht bëjnë ekskursion në Izmir, në vend që të pijë duhan tinës ose të kthejë ndonjë gotë birrë, sikurse bëjnë “të tjerët”, ai shëtit i vetmuar duke lexuar Rousseau-in. Qysh në këtë periudhë jeta e tij e brendshme nuk duhet të jetë pa dramatizëm. Mbetet në mend prej tij shembulli i të riut që çohet përditë rreth orës gjashtë, mbasi ka punuar deri afër mesnatës, i cili nuk përgatitet vetëm për “shkollën”, por punon për “veten”, duke studiuar me të njëjtin seriozitet vizatimin dhe flautin, algjebrën dhe logjikën, sikurse mëson frëngjishten dhe sanskritishten.

 

Në kohën e sotme ekziston një model çunaku në vogë: inteligjent dhe skeptik, i shkëlqyeshëm dhe dembel. Mirëpo, edhe në ka diçka të mirë te një çunak i tillë, edhe ai do të duhej të turbullohej, të tronditej kur t’i nxirrnin përpara rininë e Konicës si një leksion. Autori i këtyre radhëve e pranon pa mëdyshje se do të kishte qenë sot njeri më i përgatitur sikur dikush, në kohën kur ai ishte nxënës, t’i kishte nxjerrë përpara shembullin e një çunakërie si ajo e Konicës. Një çunakëri, si dhe një rini e tillë, nuk kanë vlera vetëm “në vetvete”, d.m.th. vetëm për të shpjeguar zanafillën një personaliteti të ardhshëm, por për të kuptuar të gjithë “modelin”. Sepse Faiku ynë ka për të mbetur gjithnjë po ai, deri në pleqëri të thellë. Prej çunakërisë do t’i mbeten atij do “huqe” që te njeriu i pjekur mund të befasojnë, në mos edhe të zhgënjejnë.

 

Është, pikësëpari, ajo ndjenjë pakënaqësie të theksuar ndaj (gati) të gjithëve dhe (gati) gjithçkaje rreth vetes. Një pakënaqësi që Konicën ka për ta shoqëruar gjatë krejt jetës së vet, duke u shndërruar shpesh deri në përçmim. (Në lerën e detraktimit të figurës së një bashkëkohësi të tij, mjeti stilistik më i shpeshtë me të cilin Konica i drejtohet është forma interjektive: “Të meprizoj! Të meprizoj!”) Vjen mandej ndjenja e veçimit, për të cilën ai, një ditë prej ditësh, lypset ta ketë kuptuar se nuk ia kanë fajin vetëm “të tjerët”. (Në nivelin letrar do të thuhej se ai, ashtu si Flaubert-i, qenkësh pakëz Zonjë Bovary.) E lidhur me këto dy ndjenja duhet të jetë edhe njëfarë erandjeje mbas një ore lumturie, një gjësend të cilin as vetë nuk e çanëson dot, por për të cilin ai është i gatshëm të braktisë shumëçka. Për këtë ndjenjë të fundit, duke mos e ditur saktësisht ç’përmbajtje ka, ai nuk gjen dot emër. Por ajo, megjithëkëtë, e ndjek këmba-këmbës.

 

Çfarë do ai, fundja më në fund? Një dashuri të madhe? Një miqësi ideale? Një mirëkuptim të përkryer? Dhe këto qenkëshin fitoret më të mëdha në jetë? A nuk përfaqësojnë edhe këto diçka nga mediokriteti i përhershëm njerëzor?

 

Midis dy palësh

 

Faik Konicës i bie të jetë në kulturën shqiptare personaliteti që ka qëndruar kohën më të gjatë mes dy palësh: akuzatorëve dhe avokatëve mbrojtës. Për ta ilustruar këtë hipostazë, mund të zgjidheshin për t’u vendosur përkundrejt njëri-tjetrit Dh. S. Shuteriqi si përfaqësues par excellence i akuzatorëve (Literatura jonë, 6 - 7/1948) dhe N. Ressuli si përfaqësues po aq i shquar i avokatëve mbrojtës (Faik Konitza 1876-1976).

 

Shkruante studiuesi nga Shqipëria socialiste: “Faik Konica ishte vegël e politikës imperialiste t’Austrisë në vendin tonë, agjent i kësaj politike”; ia kthente tjetri nga ShBA: “Faiku filoaustriak! Po kush nuk e hiqte veten nga fundi i shekullit XIX dhe nga fillimi i shek. XX se kinse ishte “filo” i ndonjë Pushteti të Madh që shfaqte interesim politik për Shqipërinë?” Dhe, mbasi rendiste argumentet se përse në periudhën në fjalë Austro-Hungaria ishte me të vërtetë mbrojtësja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, shtonte edhe: “As nuk duhet të mendojmë se Faiku e pranonte politikën austriake në Shqipëri me sy mbyllur: aspak! S’ishte aso burri Faiku që t’ia mbyllje gojën ose t’ia lidhje gjuhën! E provon fakti se ai edhe u përzu nga toka e Perandorisë pse kishte kritikuar veprimtarinë e austriakëve në Shqipëri gjatë luftës”.

 

Shkruante Shuteriqi: “Urrejtja për Naimin zjente në zemrën e tij të zezë dhe këtë urrejtje ai e mbështillte në fjalët lajkatare që mbanin më se një gjëmp të helmatisur kur i binte të fliste mbi Naimin tek Albania e tij...”; sqaronte Ressuli: “Për Faikun, i rritur në Francë ku në fund të shekullit të kaluar ndriçonin yjet e një Verlain-i, të një Baudelaire-i, të një Rimbaud-i, ç’mund të ishin vargjet e Naimit veçse “vjersha për dervishë”?”; Ressuli nuk druante të shënonte në parantezë: “S’ka dyshim se me Naimin Faiku e teproi... ”; porse shtonte edhe “Megjithatë, që Faiku ua preu hovin sa e sa kalemxhinjve, ky është një fakt i pamohueshëm”.

 

“Shok i Fishtës dhe i shokëve të këtij, Faiku nuk mund t'i printe lëvizjes patriotike të Rilindjes dhe as letërsisë sonë përparimtare të kohës. Ai ishte dhe mbeti tërë jetën eksponent i politikës dhe i letërsisë antinacionale shqiptare", shkruante Shuteriqi; sqaronte Ressuli: “Faiku, njeri me kulturë krejt perëndimore, nuk e ndien veten të lidhur me Orientin; ishte fare e natyshme, prandaj, që ai të ndiqte një rrugë tjetër nga ajo e Naimit si në lëmin e kulturës, si në lëmin e politikës”.

 

Shuteriqi: “Shkrimet e klerit katolik do t'i mbushin ahere faqet e Albanias dhe do të vazhdojnë gjersa të ketë jetë revista, gjer më 1909"; Ressuli: “Rreth Faikun në Albania u mblodhën të rinjtë më të mirë të asaj kohe, si L. Gurakuqi, Gj. Fishta, Çajupi, Noli, F. Shiroka, H. Mosi, Asdreni dhe plot të tjerë të njohur dhe të panjohur”.

 

Shuteriqi: “F. Konica nuk do të dinte si të gjejë lëvdata më vonë për poezinë epike të shokut të tij Gjergj Fishtës, dhe nuk do të merrte mundimin të bënte hesape se në sa vargje mund të reduktohet Lahuta e Malcisë për të qenë më e tërheqëshme dhe më e shëndoshë, të paktën artistikisht”; Ressuli: “Aty [tek Albania] u zhvillua edhe më shpirti demokratik, aty lindi kritika letrare, aty lindi proza artistike”.

 

Shuteriqi: “...me një cinizëm të rrallë denigruesi që e karakterizonte atë...”; Ressuli: “... tip gjaknxehtë, rebel, i rritur në një Francë demo-liberale ku nuk pati kurrë fre gjuha e ku plasën e u rrahën luftat më të rrepta fletorare në lule të djalërisë së tij, si kaq shkrimtarë të huaj, ai ndien nevojën të ngrihet kundër disa sistemeve e metodave të bëra të zakonshme ndër ata pak shqiptarë që merreshin atëhere me shkrime”.

 

Shuteriqi: “Faiku qe Faiku dhe nuk la gjë pa bërë [...] Faik Konica mbeti një varrmihës i pakorrigjueshëm [...] Ai ndenji dit’ e natë me kazmë në dorë kundër popullit”; Ressuli: “Nga atdheu i Voltaire-it ai trashëgoi edhe një cilësi tjetër në prozë: humorin, rreptësinë e mprehtësinë e ironisë e të sarkazmit, esprit-un. Shumica e shkrimeve të tij janë një shembull i pavdekur i këtij esprit-u të paarrirë kurrëmë prej ndonjë shkrimtari tjetër në prozë. Në çdo luftë që ai rrahu, doli gjithnjë triumfonjës vetëm për hir të këtij esprit-u. Ai i përkuli, i shpartalloi, i asgjësoi armiqtë vetëm e vetëm me armën me të rrezikshme që natyra i fali, me ironinë, me sarkazmin, me talljen e përbuzjen”

 

Shuteriqi: “F. Konica inauguronte sulmin kundër çdo gjëje përparimtare në letërsinë tonë”; Ressuli: “Ai qe, pra, me të vërtetë një nisjator dhe reformator i kulturës sonë, që zhvillohet në pjesën e dytë të Rilindjes dhe një “oksidentalizues” i kësaj kulture”.

 

Dhe, kështu radhazi, debati mes akuzatorëve dhe avokatëve mbrojtës ka ardhur deri në ditët tona gati i papërfunduar.

 

“Seancë kryqëzimi”

 

Ta themi tani që këtë “të kuptuar të reduktuar” Faik Konica e ka vuajtur qysh në gjallje. Madje asihere, ka gjasë, në mënyrë edhe më kontroverse. Si e thotë Ressuli, gjithnjë pati ekzistuar një “humnerë e thellë” midis tij dhe turmës së shkrimtarëve dhe gazetarëve të tjerë që Faiku i quante “poturakë”. Kjo turmë ishte e para që e luftoi, mbasi ishte e ndërgjegjshme për këtë “humnerë” që e ndante prej tij. I dyti që e luftoi qe, në mënyrë të hapur, një zhgan politikanësh, kryesisht nëpunës të lartë të fomuar nëpër shkollat turke. Sado që mund të punonin edhe ata “për Shqipërinë”, nuk i shpëtonin dot ndikimit ballkanik-oriental, një nga trashëgimitë që më së shumti i rëndonte kombit shqiptar edhe mbas fitimit të pavarësisë. Tejmase të vështirë e kishte ky zhgan politikanësh të kuptonte parimet e kulturës europiane me të cilën Faiku qe mbruar, mendësinë liberale që tek ai ishte përftuar, frymën demokratike me të cilën ai ishte formuar, madje edhe mënyrën e jetesës së tij “oksidentale”.

 

Për të dhënë një shembull gërthitës, nga Bisedimet e Këshillit Kombëtar po nxjerr pak faqe prej debatit të gjatë të zhvilluar në Legjislaturën e parë të atij Këshilli në mbledhjen nr. 67 të vitit 1922, e cila mund të titullohet edhe “seancë kryqëzimi” për Faik Konicën. Pretencën në këtë rast e shqiptonte një anëtar i kabinetit qeveritar, Mehdi Frashëri:

 

“Z. Mehdi FRASHËRI: Vatra, kur ka qenë kryesuar prej njerëzve më pak të dijshëm, por patriotë, i ka bërë shërbime atdheut, dhe qeveria e z. Iljas Vrioni e pati njohur si një person juridik duke i pranuar deputetin e saj. Për fat të keq, qëkurse ka ardhë në krye të Vatrës një faqezi i quajtur Faik Shishko, dijtë o pa dijtë ajo është transformuar në një grup vagabondësh dhe veprat e tyre arrijnë shkallën e trathëtisë. Jashta Amerikës, në Greqi, Itali, Jugosllavi e gjetkë kanë të bëjnë me ca njerëz që janë spiunët e të huajve dhe që përpiqen të diskreditojnë popullin shqiptar, shtetin shqiptar edhe gjithë qeveritë që kanë ardhë që në Kongres të Lushnjës e tëhu.

 

Delegati i Vatrës në Romë, Faik Konica, kur u formua kabineti i Sulejman Delvinës dhe kur ndodhej Shqipëria në rrezik të brendshëm dhe të jashtëm, për me diskredituar qeverinë e atëhershme shkruante për Sulejman Benë se është i turqve edhe që ka vrarë armenët. Më një kohë kur gjithë bota e qytetëruar ka pasë mëshirë e simpati për armenët, edhe kur qeveria shqiptare kishte nevojë të prezantohesh si një qeveri nacionale dhe indipendente, Faiku e prezantonte kësisoj. Kjo ishte një çpifje, se Sulejman Delvina ishte një sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Turqisë dhe materialisht nuk është e mundur që një sekretar të ketë atë fuqi sa të bëjë masakrën e armenëvet. Kjo çpifje nuk quhet personale, se Sulejman Beu akuzohej dhe diskreditohej si Kryetar i qeverisë shqiptare më një kohë kur kishim nevojë për simpatinë e gjithë botës.

 

Kur Ani Rustemi vrau Esadin në Paris edhe mund të themi se shpëtoi Shqipërinë, Faik Konica, në një intervistë të gjatë që ka bamë në gazetën Popolo Romano, e ka karakterizuar Avni Rustenin si një “katil ordiner” dhe qeverinë shqiptare si “mandatori degli assassini”, d.m.th. dërguesit e katilavet. Ky njeri nuk mjaftojti me këto, por vete mbledh studentët e Romës dhe u thotë që jakëni t’ju shpie në Ambasadën Franceze dhe thuajini ambasadorit të Francës që Avni Rustemin e ka çuar qeveria shqiptare për të vrarë Esadin, me qëllim që të provokojë armiqësinë e Francës kundër Shqipërisë.

 

Kur ngjau lufta e Vlorës, lufta ma e ndershme dhe ma e naltë që kanë ba shqiptarët që më 1912 e tëhu, ay kërkonte ta dëftonte si një “brigandage”, edhe në artikujt që ka shkruar në gazetën italiane përdor tekstualisht këto fjalë: “deploro la cecità e l’assurdità degli albanesi”, që shqip don me thënë “më vjen keq për verbërinë dhe budallallëkun e shqiptarëvet”. Faiku shkoi një ditë pranë z. Tefik Mborja dhe i propozoi që të dalin në Sarandë, të kandisin vlonjatët që të heqin dorë nga lufta e të rrëzojnë qeverinë, edhe ay vetë të bëhej Kryetar dhe Tefik Mborja prefekt në Vlorë. Tefik Mborja ia refuzoi kategorikisht. Kur gazetarët e huaj trimërinë e vlonjatëvet e përgjisnin me heroizmën klasike të vjetër, delegati i Vatrës Faik Konica bënte këto intriga të dobëta. Tefik Mborja është nëpunës i qeverisë edhe kjo mundet ta pyesë. Gjithë këto vepra të delegatit të Vatrës cirkonstancat i cilësojnë si trathëti antipatriotike.

 

Veprimet e Faikut vazhduan në këtë mënyrë: për Iljas Vrionë thoshte se e shet Shqipërinë për një kadah raki. Në gazetën italiane Eco, me firmën e tij, botonte një artikull ku thoshte se “influenca e jevgjitëvet në qeverinë shqiptare është kaq e madhe sa një jevgjit do t’emnohet Ministër i Shqipërisë pranë qeverisë italiane”. Kur një popull ndodhet nën influencën e jevgjitëvet, do me thënë se ay popull është m’i poshtër nga jevgjitët. Të gjitha shkresat e tija si Kryetar i Vatrës vazhdojnë në këtë mënyrë. Pas shkresavet të Faikut, të gjithë qeveritarët që kanë ardhur deri sot, kush është katil, kush spiun, kush hajdut, kush sodomit (d.m.th. kullumbara). N’artikullin e fundit gjithë qeverinë shqiptare e karakterizonte si qeveri sodomite.

 

Qeveritë shqiptare që kanë ardhur në fuqi, le që s’kanë pasë asnjë marrëdhënie me Mustafa Qemalin, por për të mos lënë vend as në një dyshim, kanë vajtur kaq larg sa kanë përzënë shqiptarët që kanë ardhur nga Turqia. Por interesat e Greqisë e donin që ta dëftonin qeverinë shqiptare si një bashkëpunuese të Mustafa Qemalit edhe një i quajtur Leonidha Naçi, që ka qenë dhe është spiun i grekëvet, dhe që rri në Athinë, herë pas here i shkruante Diellit se qeveria shqiptare bashkëpunon me Mustafa Qemalin. Tue qenë qetësi e plotë në Shqipëri, në dy muaj një herë gazetat e trathëtorëvet e spiunëvet të shtetevet të huaj që dëshirojnë të diskreditojnë qeveritë shqiptare po me gojën e shqiptarëvet të vet, në dy muaj një herë çpifin një revolucion në Shqipëri edhe kryesia e Vatrës me letra të mbëdha i boton këto lajme tue dhënë shpjegime edhe tue rrëzue përgënjeshtrimet e qeverisë. Këto bëhen në emrin e një shoqërie së cilës qeveria i ka njohur personalitetin juridik. Vjet kur Imzot F. Noli ndodhej si delegat në Lidhjen e Kombevet, delegati i Greqisë Kazaxhiu, në memorandumet që paraqiste në Lidhjen e Kombevet argumentet i merrte nga botimet çpifarake të Diellit.

 

Gjithë këto ngjarje në pikëpamjen ligjore formojnë një krim. Guximtari i tyre është Kryetari i Vatrës dhe ata q’i ndihmojnë ligjërisht quhen komplisë, bashkëveprues. Na jemi njerëzit e ligjit dhe e ftojmë qeverinë të marrë masat e duhura dhe gjyqsore kundër këtyre trathëtorëve. Është gjë e turpshme që njerëz si Faik Konica t’ushqehen, të ndihmohen dhe t’enkuragjohen nga djersa e punëtorëvet shqiptarë për me trathëtue atdhenë, për me diskreditue popullin dhe shtetin shqiptar. Qeveria ka detyrë që të shpëtojë vatranët nga kjo njollë tue lajmëruar degët e Vatrës që, po nuk i dhanë shkelmin Faikut në një afat të caktuar, në ndjekjet gjyqësore që do të bëhen janë për t’u quajtur edhe ata si komplisë. Lutem, pra, z. Kryetar që të pyetet z. deputet i Vatrës të na thotë këtu se a i aprovon veprimet e Kryetarit të Vatrës apo i desaprovon”.

 

“Imzot F. NOLI: Z. Kryetar! Nga fjalët e të ndershmit deputet t’Elbasanit z. Mehdi Frashëri merret vesh sikur Parlamenti u bë gjykatore për të dënuar Faik Konicën. Parlamenti, para se të adaptonjë këtë pikëpamje, duhet të marrë tri gjëra parasysh.

 

E para: A është kompetent Parlamenti për të gjykuar Faikun? Thom vetëm Faikun, se ay emër është aq i njohur midis nesh e popullit sa të dihet për cilin bëhet fjalë. Nga pikëpamja legale Parlamenti nuk është gjykatore; sa për pikëpamjen morale, dyke marrë parasysh që Faiku ka kritikuar ashpër guvernën dhe partinë e shumicës, gjykimi juaj do t’ishte një parodi e drejtësisë, se do të ishit edhe akuzatorë edhe gjykatës, edhe davaxhinj edhe kadinj. Këtë e dini fort mirë që s’e merr kalemi dhe, nga ana ime, nuk dëshironj që Parlamenti ynë të bëhet qesharak pa punë. Dhe, dyke mos qënë kjo gjykatore as kompetente, as e paanëshme, nuk e shoh nevojën të përgjigjem si ndonjë i akuzuar në istintakun e deputetit t’Elbasanit.

 

E dyta: Faiku është Kryetar i Vatrës, i zgjedhur lirisht prej anëtarëve të saj, nuk është sulltan i Vatrës. Dyke dënuar, pra, Faikun kemi për të dënuar edhe Vatrën dhe anëtarët e saj që e kanë zgjedhur për Kryetar. Edhe e dini që të gjithë sa shërbime të çmuara i ka bërë çështjes Vatra. Nuk do t’jua numëronj të gjitha. Arrin t’ju kujtonj vetëm dy: Pas dështimit të Venizelosit, vetë Vatra ia ndryshoi faqen Toskërisë dyke i futur shqiptarët orthodhoksë në vathën patriotike. Guverna e jonë mezi mblodhi me pahir një hua të mbrendshme prej 100.000 fr. ar më 1922, pasi u zgjidh çështja e kufirit, kur Vatra me një fjalë të vetme i mblodhi guvernës një hua prej një miliuni fr. ar më 1920, kur puna e Shqipërisë ishte edhé në rrezik.

 

E treta: Cili është Faiku, që gatiteni të dënoni? Deputeti i Elbasanit ju tha që kombi i detyron Ismail Qemalit një monument. Jemi fare me një mëndje, por unë shtonj që kombi i detyron Faikut një monument edhe ca më tepër. Ismail Qemalit për një vepër, për një gjest, për ngritjen e Flamurit në Vlorë; Faikut për disa vepra, për disa gjeste që i kanë kushtuar tërë jetën. Faiku është kryelëronjësi i gjuhës sonë, është zbulonjësi i Flamurit tonë të harruar, të atij Flamuri që e ngriti Ismail Qemali në Vlorë, është kryekalorësi i lirisë dhe independencës kombëtare, edhe ne të gjithë s’jemi veçse dishepujt e tij. Historia e paanshme s’mund ta mohonjë se ai i ka falur çështjes tërë rininë dhe tërë mëndjen këtu e njëzet e shtatë vjet me radhë pa reshtur. Dhe ku e gjeti Faiku inspiratën për këtë luftë të gjatë e të rëndë me shpresë kundër shpresës, kur Shqipërinë s’e deshnin shqiptarët vetë dhe ca më pak të huajtë? Ku gjetkë veç në shpirtin e tij ku mbretëronte si një perëndi ideali stoik i detyrës, ku gjetkë veç në temperamentin e tij prej idealisti t’ashpër e të fortë që refuzon të bënjë kompormise me njerëzit e ditës dhe me faktet e pamëshirta? Faiku ka patur dhe ka atë fuqi prej shpirti që e përshkruan aq bukur Shakespeare-i në tragjedinë e Jul Qesarit:

Me atë, o Perëndi, e bën të dobtin luan!

Me atë, o Perëndi, po i dërrmon tiranët!

Se as kull’ e gurtë, as mure prej bakëri,

As burgu i errët, as vargonj prej hekuri

Nuk e përmbajnë dot fuqinë e shpirtit!

Dhe është e tepërt t’ju them që, po të mos kishim patur burra idealistë si Faiku, Shqipëria nuk do të ishte e lirë sot. (Këmbëtrokitje prej disa deputetëve.) Për fat të mirë historia nuk shkruhet me këmbëtrokitje, por me punë, dhe Faiku ka punuar më tepër dhe më përpara se të gjithë ne. Ka punuar... ndërsa ndodhet sot në prak të pleqërisë, dhe ndofta është fati i shkruar i tij ta ngrysë jetën në syrgjyn, jetë sakrifice dhe shërbimi, pa tjetër shpërblim veç sharjeve nga ata që përfituan prej mundimeve të tij. Sot është her’ e parë që përmëndet emr’ i tij në Parlament të Shqipërisë së lirë, dhe ironia është që përmëndet për gjykim e dënim. Faiku, dekani i veteranëve të çështjes kombëtare! Ndofta bukuria tragjike e sakrificës së Faikut e kërkon këtë dënim si kurorën prej gjëmbash dhe uthullën e Krishtit”.

 

Turqia mbrapa dhe përpara

 

Por ana, në dukje, më kontroversiale e Faik Konicës shfaqet në qëndrimin e tij sa përket zgjidhjen e çështjes shqiptare në rrethanat e tërheqjes përfundimtare të Perandorisë osmane nga Europa. Në këto rrethana, me mendimet dhe veprimet e tij, ai u bë njëri nga ideuesit e shtetit shqiptar. Politikisht Faiku nuk i pranonte më lidhjet me Turqinë, si i propozonin shumë nga rilindësit paraardhës nisur, nga njëra anë, prej dyshimit se kushedi sa do të zgjaste ende Perandoria osmane në Europë dhe, nga ana tjetër, prej frikës nga rreziku që paraqisnin fqinjët për një shetet të mundshëm shqiptar.

 

Duke qenë qytetar i mirëfilltë i Europës, ai kishte mundësi ta shihte më të afërt shembjen e Perandorisë dhe gjithashtu më pranë instituimin e një shteti shqiptar. Kështu u bë ndër të parët që e kuptoi se instituimi i një shteti të tillë do të varej mjaft nga qëndrimi i pjesës muslimane të popullsisë, jo vetëm ngase ajo përbënte në Shqipërinë gjeografike një shumicë, por edhe sepse ishte pikësëpari ajo që duhej të ndahej nga ideologjia osmane dhe të reshtte së identifikuari veten me turqit gjithënjë simbas parimit “të krishterët janë që janë kundër turqve”. Në revistën e tij Albania që dilte në Bruksel, nën syzën “Rreziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë”, qysh më 1909 i formulonte këto ide në shkrimin me titull Një lajmërim i shkurtër muhamedanëve. Duke i paralajmëruar ata për krijimin e mundshëm të një shteti shqiptar, me një frymë të hapur civile u bënte thirrje bashkatdhetarëve të tij t’i paraqiteshin Europës si një komb i njësuar. Me stilin e vet të prerë, i përmblidhte kështu porositë: “1) Osmanllinjtë në pakë vjet do të dëbohen nga Evropa; 2) Shqipëria, e pabashkuar dhe e paqytetëruar, e mbetur nga faji i saj pa miq të fortë përjashta, do të ndahet; 3) Shqiptarët muhamedanë do të dëbohen duke humbur mallin dhe kamjen; 4) Osmanllinjtë nuk do t’i qasin n’Anadoll shqiptarët e dëbuar; 5) Në mos idealismi, të paktën buka dhe detyra që kini te fëmija juaj ju shtrëngon të bëni nga dy gjëra njërën: a të ktheheni te feja e stërgjyshërve t’uaj, a të mbeteni muhamedanë, por duke u lidhur me aqe vërtetësi dhe zemrë me të krishterët nga gjaku juaj, sa t’i jepni kombit t’uaj një karakter gjysmë të krishterë” (Albania, XII, London 1909).

 

Ky qëndrim i tiji sa përket modelin e shtetit shqiptar në instituim e sipër qe pasqyruar edhe në mesazhin që më 4 dhjetor 1912 ai i dërgonte Kuvendit të Vlorës në emër të federatës Vatra: “Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra dërgon përgëzime të nxehta për inauguracionin i cili do të mbahet mend. I lutet Asemblesë Kombëtare me mos e pranue kandidaturën e një princi muhamedan. Mos e bani Shqipniën nji shtet oriental si Khiva, Buharaja, Afganistani, Tunisia e të tjera. Kini për ideal nji Shqipnië europiane si Norvegjia, Danimarka, Holanda, Belgjika. Ja përse ne preferojmë nji princ nga familje mbretnore europiane i cili të sjellë tradita oksidentale. I ndënshkruemi u lutet veçanisht deputatvet muhamedanë qi ta tregojnë patriotismën e tyne tyke sgjedhë një princ të krishtenë. Me bamë ndryshe do t’ishte si me bamë nji faj qi s’do të ndreqet ma”. ” (Nosi: Dokumente, nr. 12, 1924, 371-372).

 

Duket mbaskësaj e pagjasshme që, më 1915-1916, pikërisht ky Faik të vejevijë nëpër qytetet e Austro-Hungarisë në krye të një komploti politik që nuk ka synim tjetër veçse kthimin e Shqipërisë në lidhjet me Turqinë nëpërmjet vendosjes në krye të shtetit shqiptar të një “princi turk”, “princi musliman”. Si organizator i aftë, ai ia ka dalë të mbledhë pikërisht në Vjenë figura më shumë ose më pak të njohura të përfshira në politikën shqiptare të kohës, si Nuzhet bej Vrioni, Dervish Hima, Imamzade Rexhep Efendia, një Xhelal bej etj. Së toku me ta ka formuar aty një “komitet nismëtar”, veprimet e të cilit përshkruhen përimtisht në një letër “konfidenciale” që Konica ia dërgon, me sa kuptohet, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, funksionar i lartë me të cilin duket të ketë njohje të afërt: “Mon cher bey...”, e fillon ai letrën për të. Kundërshtarë të këtij “komiteti nismëtar” janë aty në Vjenë, simbas Konicës, Surja bej Vlora, për të cilin shkruan se “ka parapëlqyer të lehë me katolikët” dhe disa pak të tjerë. Edhe princi Wied ndodhet aty në Vjenë, i rrethuar nga “partizanë të tij katolikë dhe ortodoksë”, sikundër i raporton Faiku funksionarit të lartë turk, ndërkohë që Surja bej Vlorën e quan “agjent i tij” (i Wied-it).

 

“Komiteti nismëtar” i Konicës ka marrë masa për të organizuar edhe në Shqipëri propagandën pro “princit turk”, sidomos nëpërmjet shqiptarëve të pasur që jetojnë dhe tregtojnë në qytetet e Austro-Hungarisë. “Njëri prej këtyre njerëzve të mirë – i tregon Faiku funksionarit të lartë turk - u gëzua aq shumë kur i dhashë shpresën që, me ndihmën e Zotit dhe po qe se ne lëvizim, do ta kemi një princ turk, sa që më puthi dorën me lot në sy”. Po në këtë letër, ai gjen rastin që, mes të tjerash, t’i kujtojë funksionarit të lartë turk se “ne [shqiptarët] jemi të bashkuar me turqit nëpërmjet lidhjesh fetare, ngase kemi një kryetar feje të përbashkët, por edhe nëpërmjet marrëdhëniesh familjare si rrjedhojë e martesave të vijueshme mes nesh prej pesëqind vjetësh dhe, pra, është e natyrshme që ne t’i hedhim sytë nga Stambolli”.

 

Ngjajnë terma të pabesueshëm për penën e Faikut. Të Faikut që, qysh në fillimet e përfshirjes së tij në propagandën për një shtet shqiptar, kishte refuzuar prerazi çdo lidhje të mëtejme me “kërmën”, si e quante ai Turqinë, duke përdorur madje ndaj turqve dhe filoturqve detraktime dhe sharje pa fund: “bajga”, “plehra”, “gëlbaza” etj.; të atij Faiku që, me të gjitha energjitë e veta, kishte himnizuar deri asodite lidhjet e shqiptarëve me Perëndimin duke ngulmuar t’u ofronte atyre një model të prerë perëndimor për shtetin e ri; të atij Faiku “idealist” dhe “stoik”, “që refuzon të bënjë kompromise me njerëzit e ditës dhe me faktet e pamëshirta”. Letra, gjithsesi, është shkruar prej dorës së tij, në frëngjishte të kulluar, nënshkruar “Faik Konitza” me dy alfabete, latin dhe osman, nga hoteli Frauenhaf (4 Josefsplatz) në Baden pranë Vjenës. Ajo mban edhe nënshënimin e sigurisë: “Nota bene: Numri i faqeve të letrës 8. Edhe 23 faqe të shtypura në hungarishte. Zarfi mban 5 vula, me shkronjat fillestare F. K., në dyllë të kuq”.

 

Logjika e dy qëndrimeve/ dy qëllimeve

 

Në kohën kur jetonte dhe punonte Faik Konica zinte fill në kulturën shqiptare një brez i ri i inteligjencies, ndoshta brezi i saj më i rëndësishëm mbas atij të përfshirë drejtpërsëdrejti në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare. Doemos që ky brez, si i ri, tanimë kishte për të thënë diçka të vetën, të ndryshme prej asaj të paraardhësve. Në mënyrë të vetvetishme ai do të kërkonte edhe të sfidonte atë çfarë tanimë ishte thënë. Mirëpo, sikundërse na mëson parimi i njohur, mënyra më e lehtë për të qenë origjinal është të dish pak. Mes një kontingjence të tillë iu desh Faikut të bënte përpara. Për shkak të një kontingjence të tillë qe i detyruar ai të ndeshej gati në çdo hap me arrogancën e paditurisë të atyre që i klasifikonte “mendje të klasit të katërt”, të cilët as nuk e dinin që nuk dinin.

 

Të hapërdarë gjithandej në shtypin e huaj të konsumit, por edhe në shtypin shqiptar në lindje e sipër, duke depërtuar ndonjëherë deri në Albanian e tij, “mendjet e klasit të katërt” rrekeshin të bënin atë që tanimë ishte provuar të bëhej. Ato përsëritnin pambarimisht sipërmarrje të dështuara, duke shtuar kështu gabime mbi gabime. Një pjesë e tyre e kërkonin “origjinalitetin me çdo kusht” tek ekstremizmi, i cili ka qenë gjithmonë e kundërta e krijimit, madje jo më kot e kanë quajtur edhe “vetë përkufizim i plogëtisë”. Nuk përbën pra habi as që koha e Konicës të ishte e mbushur citë me “të plogëtit” e vet, as që vetë Faiku të qe i rrethuar prej ekstremistësh të tillë.

 

Përkundrejt turmës së “mendjeve të klasit të katërt” Faiku nuk mund të ishte veçse i rreptë deri në mizori, mbasi ai ia dinte kufijtë së vërtetës origjinale. Për këtë arsye rrinte syçelët dhe i gatshëm ta braktiste një të vërtetë në çastin kur ajo bëhej e pavërtetë. Kjo më duket të jetë cilësia më e përpashme, aftësia më e rëndësishme e modelit mendor që e quaj “konician”. Ta braktisësh të vërtetën...?! Por si ka mundësi...?! Pikërisht këtë aftësi gjeniale të mendjes njerëzore nuk ia kuptuan shumë nga bashkëkohësit dhe, madje, e kemi të vështirë ta rrokim edhe ne, të penguar prej “të kuptuarit e reduktuar”. Kjo e pengon edhe sot e gjithë ditën shpërfaqjen në dritë të plotë të personalitetit të tij.

 

Turma e “mendjeve të klasit të katërt”, që atij i gëlonin përreth, ia vidhnin deri dhe idetë të cilat, si ia shtrembëronin, i paraqisinin si “të vetat”. Origjinaliteti i turmës në fjalë nuk matej me gjë tjetër veçse me zhurmën që ata bënin. Dhe atëherë Faiku nuk mund të heshtte. Origjinaliteti i “mendjeve të klasit të katërt” mëvishej në fjalë të mëdha, bukurtingëlluese, të fryra me atdhetari. Dhe atëherë Faiku shfrynte gjithë mllef me sa të shara që fjalori i gjuhës amtare përmbante. Ne sot ende pyesim: po përse vallë shante kështu? Dhe bëjmë sikur nuk e marrim vesh tipologjinë e “mendjeve të klasit të katërt”, të cilat jo vetëm dijnë pak ose aspak, por janë në gjendje ta kthejnë të vërtetën në gënjeshtër.

 

Këto karakteristika, të dish pak dhe ta teprosh të vërtetën derisa ta kthesh në gënjeshtër, kanë qenë tipike për intelektualët e të gjitha kohëve, pa përjashtuar as ata/këta të ditëve tona. Kjo i bën “mendjet” në fjalë revolucionare, në kuptimin më të mbrapshtë të këtij termi. D.m.th. gërnjare, grindavece. Por mund të thuhet: o është grindur Faiku, o nuk është grindur kush tjetër në kulturën shqiptare! Pikërisht, sepse edhe vetë Faiku qe i detyruar të zbriste në tokë edhe të hynte në lojën e debateve sociale, kulturore dhe sidomos politike. Vetëm se “grindjet” e tij kanë karakteristikën fisnike të mos jenë “grindje për hir të grindjeve”. Faiku ishte ngaherë në kërkim të një “parajse mbi tokë” për popullin e tij, prandaj nuk mund t’i toleronte predikuesit e “parajsave të rreme”. Kjo parajsë, mjerisht, nuk mund të arrihej veçse me mjete politike, pra krejt tokësore, dhe... në politikë si në politikë. Brenda logjikës së politikës bëhen të kuptueshme edhe ato që ngjajnë si dy qëndrime/ dy qëllime.

 

Kështu ndodh që Faik Konica të vijojë të vuajë, ende sot, “të kuptuarit e reduktuar”, sepse ky lloj të kuptuari nuk e përkap dot strukturën logjike të dy qëndrimeve/ dy qëllimeve. Dy qëndrimet/ dy qëllimet mund të jenë kontradiktore mes syresh dhe, megjithëkëtë, të jenë plotësisht të pajtueshme. Është kjo struktura logjike e atyre që quhen dilema të mendimit politik të çdo kohe e të çdo vendi. Zgjidhjen e dilemave të tilla Rousseau-i e quante “kthim të rrethit në katror”. Dhe të mos harrohet që Faiku pati qenë lexues i zellshëm i Rousseau-it qysh në të ri.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora