Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Robelli: Si ndodhi pushtimi osman dhe çfarë ndryshimesh pësoi Kosova?

| E shtune, 16.10.2010, 04:00 PM |


Si ndodhi pushtimi osman dhe çfarë ndryshimesh pësoi Kosova?

 

Nga Enver Robelli

 

Nën osmanë

 

Grindjet mes prijësve serbë të asaj kohe e dobësuan perandorinë e tyre, duke e bërë të pafuqishme për të përballuar osmanët, të cilët po përparonin drejt Ballkanit. Ishin tri fisnikëri që arritën të kenë pushtet në Kosovë. Në jug ishte Car Llazari, i cili zotëronte edhe minierat në Novobërdë. Në veriperëndim, në Drenicën e sotme, sundonin të bijtë e Branko Mladenoviqit, Brankoviqët. Këto dy familje dominuan shekullin e fundit të shtetësisë serbe në Kosovë në Mesjetë, nënvizon Schmitt. Në Dukagjin (ose Metohi, siç quhej kjo pjesë e Kosovës nga sllavët) "u shfaq një fisnikëri tjetër, prejardhja etnike e së cilës (serbe, shqiptare, vllahe) është e paqartë: Balšiæi (shqip: Balshajt). Ambicia e tyre do ta hidhte Kosovën në greminë", shkruan Schmitt. Zhvillimi i ngjarjeve në prag të pushtimit osman, gjithnjë sipas autorit, është si vijon: Gjergj Balsha i II-të ishte në armiqësi me Mbretin e Bosnjës. Meqë vetë nuk ia merrte mendja të luftonte kundër tij Balsha II-të i thirri në ndihmë trupat osmane, por e humbi betejën bashkë me to në vitin 1388. Pas kësaj disfate nga boshnjakët Sulltan Murati i I-rë u përbetua se do të marrë hak. Për të marshuar drejt Bosnjës atij i duhej të kalonte nëpër Kosovë. Për të penguar kalimin e osmanëve fisnikët serbë lidhën aleancë me Mbretin e Bosnjës Tvrtko I. Në qershor të vitit 1389 u bashkuan fisnikët serbë, boshnjakë dhe një fisnik shqiptar nga Shqipëria jugore. Përleshja që pasoi në histori njihet si Beteja e Kosovës. Schmitt shkruan se përkundër pretendimit të historianëve shqiptarë se pjesëmarrës në Betejën e Kosovës ka qenë edhe Gjergj Balsha i II-të, i cili prej po këtyre historianëve cilësohet si shqiptar, dihet se ai qëndroi në Kështjellën e tij detare në Ulqin, sepse kishte ngjallur zemërimin e të dy palëve në luftë. Koalicioni serb, boshnjak dhe pjesërisht shqiptar, siç dihet, e humbi betejën. Shumica e fisnikëve serbë u bënë vasal të osmanëve. Këtu e tutje osmanët dhe fisnikët serbë sundonin bashkë Kosovën. Integrimi i Kosovës në Perandorinë Osmane u vonua për disa vite për shkak të disfatës së Sulltan Bajazitit të I-rë kundër sundimtarit të mongolëve Timur Lenkut në betejën afër Ankarasë më 1402. Derisa osmanët ishin të angazhuar në fronte të tjera pushtetin në Kosovë arriti ta stabilizojë despoti serb Stefan Lazareviq, por as ky nuk pranoi të heq dorë nga vasaliteti ndaj osmanëve. Pasardhësi i tij Gjuragj Brankoviq, e bija e të cilit ishte gruaja e Sulltan Muratit të II-të, në vitin 1439 u dëbua jashtë vendit dhe territoret serbe iu bashkëngjitën Perandorisë Osmane. Brankoviq organizoi në vitin 1443 bashkë me prijësin e ushtrisë hungareze Gjon Huniadin dhe me fisnikë shqiptarë (mes tyre edhe me Skënderbeun) sulme të shtuara kundër osmanëve, kështu që ata u detyruan t'ia kthejnë atij principatën vasale. Si princ ortodoks Brankoviqi mbante distancë ndaj katolikëve. Si vasal osman ai shpresonte se mund të evitonte si ndikimin perëndimor ashtu edhe dominimin osman. Për këtë shkak ai, sipas Schmitt, nuk mori pjesë në ofensivën e madhe kundër osmanëve të organizuar nga Huniadi dhe Skënderbeu. Në nëntor 1448 Murati i II-të e mundi ushtrinë hungareze në Gazimestan, aty ku ishte zhvilluar Beteja e Kosovës në vitin 1389. Në luftën e vitit 1448 në Fushë-Kosovë nuk kishte arritur të merrte pjesë Skënderbeu, i cili gjatë rrugës ishte ngatërruar në konflikte të vogla në veri të Shqipërisë. Për dallim nga shumica e historianëve serbë, të cilët thonë se pushtimi i Kosovës nga osmanët ndodhi definitivisht në vitin 1389, Oliver Jens Schmitt mendon se tek pas Betejës së Dytë të Kosovës më 1448 u vulos përfundimisht fati i këtij rajoni. Despoti serb nuk e kishte përkrahur ushtrinë katolike dhe këtë e pagoi me humbjen e Kosovës (1455) dhe me fundosjen e gjithë principatës serbe. "Një pjesë e familjes së tij iku te Skënderbeu, i cili ishte i afërm me Brankoviqët. Një kundërthënie etnike mes serbëve dhe shqiptarëve nuk mund të konstatohet në elitën e Mesjetës – lidhjet e ngushta të fisnikërive serbe dhe shqiptare ortodokse e tregonin të kundërtën: Nëna e Skënderbeut ishte me gjasë nga dera e Brankoviqëve, dhe i biri i tij (i Skënderbeut) Ivani (Gjoni) u martua me Irena Brankoviqin".

 

Integrimi përmes ushtrisë

 

Integrimi në shoqërinë osmane i shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë filloi përmes inkuadrimit të të rinjve në ushtri. Ndonëse sulltanët në shekullin e 15-të nuk kërkonin që ushtarët të ndërrojnë fenë, megjithatë jo pak prej tyre këtë e bënin. Si të krishterë ata jo vetëm që merrnin paga më të ulëta, por ishin të diskriminuar edhe në forma të tjera. Shumica e ushtarëve në Kosovë rekrutoheshin për njësitë e kalorësisë (këta ushtarë quheshin timariotë ose spahi). Një arsye tjetër për të ndërruar fenë ishin gjasat më të mëdha për të përparuar në karrierë. Deri në fillim të shekullit 16-të këtë e kishin bërë shumica e timariotëve. Një metodë tjetër për integrimin e shqiptarëve ishte marrja peng/rekrutimi i dhunshëm i të rinjve (osmanisht: devºirme, shqip: haraç në gjak, gjermanisht: Knabenlese, serbisht: krvni danak). Pasi stacionoheshin nëpër kazerma të ushtrisë osmane të rinjtë s'kishin zgjidhje tjetër përveç se të kalonin në fenë islame. Prej tyre pastaj u krijua trupa elitare e ushtrisë, të ashtuquajturit jeniçerë. Kjo trupë përbëhej kryesisht prej boshnjakëve dhe shqiptarëve. Sipas Schmitt rasti i jeniçerëve tregon se shqiptarët si në kohën e Perandorisë Romake (Imperium Romanum) edhe në Perandorinë Osmane morën detyrën e njëjtë: ata përbënin bërthamën e trupave elitare. Madje shqiptarët e Kosovës kanë qenë pjesë e trupave osmane, të cilat mes shekujve 16-të dhe 18-të sulmuan Evropën e Mesme, për shembull gjatë rrethimit të dytë të Vjenës në vitin 1683. Sa i përket fesë: Schmitt thekson se pretendimi i disa historianëve shqiptarë se para islamizimit shqiptarët e Kosovës kanë qenë të gjithë katolikë nuk është korrekt: shqiptarët autoktonë, të cilët jetonin në Kosovë në Mesjetë, i përkisnin kryesisht besimit ortodoks. Një paradoks tjetër që Schmitt e përshkruan në librin e tij është rasti i fanëve, katolikë të ardhur në Kosovë nga Fani i Madh dhe Fani i Vogël. Në shekullin e 19-të ata u rekrutuan nga osmanët si polici ndihmëse. "Kështu malësorët shqipfolës katolikë i shërbyen Sulltanit besnikërisht edhe kundër shqiptarëve myslimanë, të cilët në vitin 1878 u rebeluan kundër Sulltanit".

 

Disa fakte të tjera

 

- Perandoria Osmane e bënte ndarjen territoriale të Kosovës sipas interesave të administratës së saj. Këtë e tregon shembulli i Vushtrrisë. Pas vitit 1541 ky qytet i takonte provincës Ofen (Buda, në Hungari). Më vonë Vushtrria iu kthye krahinës së Rumelisë.

 

- Një vështirësi gati e pakalueshme e osmanëve ishte pushtimi i zonave malore të banuara me shqiptarë. Një gjë e tillë ishte arritur sidomos në vitit 1466/67 pas vrasjeve masive dhe dëbimeve. Megjithatë, pas një kohë dhe në pamundësi të përballonin rezistencën e popullsisë lokale trupat osmane tërhiqeshin. Pikërisht në këto vise malore u krijua një traditë e administrimit dhe jetës larg shtetit. Në këtë kuadër duhet parë edhe të drejtën zakonore (Kanunin), i cili u përhap në shumë vise të banuara me shqiptarë. Sipas Schmitt Kanuni është "shprehja më e qartë e distancës së madhe ndaj shtetit dhe institucioneve të tij". Në Perandorinë Osmane vlente sheriati, pra e drejta fetare islame, e cila plotësohej nga e drejta perandorake e Sulltanit (kanun; nuk duhet të ngatërrohet me të drejtën zakonore shqiptare). Se shteti osman nuk kishte arritur pas shumë e shumë deceniesh të etablojë sistemin e tij juridik në Kosovë tregon ky shembull, të cilin Schmitt e sjellë në librin e tij: "Në vitin 1890 Sulltan Abdylhamiti e ngarkoi gjeneralin e tij komandues në Kosovë, Et'hem Pashën, për të zgjidhur një zënkë mes fiseve Gashi dhe Shala. Gjenerali mblodhi parinë shqiptare-myslimane nga Gjakova dhe Peja si dhe krerët e fiseve të Junikut dhe Vokshit. Objekt i konfliktit ishte një mal i liruar nga tatimi, i cili i takonte Manastirit ortodoks të Deqanit. Banorët e fshatrave përreth gëzonin të drejtën që të presin dru në këtë mal. Por, në vitin 1716 banorët e fshatrave kishin filluar një ngatërresë me pjesëtarët e fisit Shala lidhur me kufizimin e saktë të pronësisë përkatëse të tokës. Në vitin 1870 shpërtheu një luftë e hapur, e cili kishte pushuar përkohësisht pas ndërmjetësimit të fiseve Berisha dhe Thaçi. 20 vjet më vonë konflikti shpërtheu sërish, kësaj radhe për shkak të vadave nga lumi i Bistricës për ujitjen e arave. Brenda një viti në fshatin Isniq (Shalë) u plagosën 38 burra dhe 25 u vranë, fshati Deqan kishte 43 të plagosur dhe 23 të vdekur. Në përgjithësi kjo fushatë hakmarrjeje brenda një viti ua mori jetën 128 viktimave". Pra, gjeneral Et'hem Pasha më tepër ishte ndërmjetës se sa autoritet ekzekutiv i shtetit. Edhe në kapërcyell të shekullit 19-të osmanët nuk ishin në gjendje të zbatonin monopolin e pushtetit as në zonat e ulëta, e lëre më në male.

 

- Gjatë sundimit osman Prizreni ishte ndër qytetet më të bukura dhe më të rëndësishme të Perandorisë. Prizreni po ashtu deri gati në fund të shekullit 19-të ishte qendra e vetme vërtet urbane e Kosovës. Qyteti numëronte 28 xhami, prej të cilave e para ishte ndërtuar në vitin 1455.

 

- Gjatë sundimit osman Kosova ishte ndër rajonet më të trazuara. Në vitin 1831 në Bosnjë morën pushtetin myslimanët konservativë dhe pastaj ata u vërsulën në Kosovë, ku gjetën mbështetjen e myslimanëve shqiptarë, të cilët ishin kundërshtarë të reformave osmane. Së bashku myslimanët e Bosnjës dhe të Kosovës mposhtën një armatë të fuqishme osmane; në vitet 1831/32 trupat e Sulltanit sërish vendosën pushtetin e tyre. Kjo kryengritje, sipas Schmitt, tregon se "myslimanët e Kosovës ishin ndër armiqtë më të ashpër të çdo modernizimi të Perandorisë; (...) Kështu u krijua një bllok mysliman dhe armiqësor ndaj reformave në Ballkan kundër reformatorëve myslimanë në Stamboll".

 

Hendeku mes kodrës dhe rrafshinës

 

Gjatë sundimit osman dallimi më i madh në shoqërinë e Kosovës ishte ai mes atyre që banonin në kodra dhe të tjerëve që banonin në rrafshinë, kryesisht nëpër lokalitete si Prizreni, Peja, Gjakova, Prishtina, Vushtrria, Gjilani. Perandoria i shihte viset kodrinore si zona të egra, si periferi të parëndësishme, ku burrëria, trimëria dhe mbajtja e armëve ishin pjesë e botëkuptimit themelor të banorëve. Një botë tjetër ishte rrafshina, ku punonin zejtarë, ku përdorej shkrimi, ku punonte administrata etj. "Në fazën e vonshme të sundimit osman në qytet dhe në fshat jetonte një shumicë shqiptaro-myslimane, e cila ishte e ndarë përmes përkatësisë së kulturës qytetare-osmane respektivisht fshatare shqipfolëse", shkruan Schmitt. Në qytete u krijuan identitete të veçanta, siç është identiteti i turk-shqiptarit, i cili kishte një habitus (sjellje) osmane dhe kjo e dallonte atë nga shqiptarët që jetonin në fshatra.

 

(Vijon)

 

Koha Ditore - Për ZSH: Gjergj Kabashi