Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avni Halimi: Kornizë ligjore për diskriminim

| E shtune, 16.10.2010, 07:58 PM |


Kornizë ligjore për diskriminim

 

Kërkesa permanente e PDSH-së për zgjidhjen e një varg çështjesh shqiptare sipas zotëri Ali Ahmetit qenka problem ndërsa mbetja e përhershme e BDI-së në pushtet qenka zgjidhje!

 

Nga Avni Halimi

 

Sot, të rallë janë ata intelektualë, ato shtresa të ndryshme shoqërore, profesionale e komunitete të shumta joqeveritare, të cilët nuk e kanë të qartë se, konflikti i 2001-shit ishte i shkaktuar me qëllim që nga shqiptarët të krijohet një subjekt politik i cili do të shërbejë si kornizë ligjore për institucionalizimin e diskriminimit politik mbi shqiptarët. Tashmë ka shumë prova, me qindra të tilla, të cilat dëshmojnë se BDI-ja është një makinë absorbuese e problemeve shqiptare të cilat i vë në proces të kalbjes me qëllim të plehnimit të integrimit asimilues.

Konflikti i vitit 2001 u nis për bashkim të trojeve kombëtare për t’u tkurrur pastaj në disa pika që i tangojnë pakicat kombëtare! Kjo luftë, fatkeqësisht, problemet shqiptare i shndërroi në “dëshira dhe ëndërra shqiptare” në vend që t’i ngriste në probleme shtetërore e në obligim të çdo pushteti për t’i zgjidhur ato.

 

Kush do t’i zgjidhë problemet

 

Konflikti i vitit 2001 u bë për ta thyer krenarinë kombëtare dhe për ta nëpërkëmbur dinjitetin shqiptar, jo përmes partive nacionalshoveniste maqedonase me politikat e tyre diskriminuese por, përmes zbatimit të këtyre politikave nga një parti shqiptare, në rastin konkret, nga BDI!

U manipuluan dhe u eliminuan me qindra “kujdestarë të flaktë të të drejtave shqiptare” duke i shtyrë ata dhe familjet e të vrarëve në një varfëri të skajshme përmes sjelljeve nonshalante të udhëheqësisë së BDI-së. Me mosgjedhjen e statusit të tyre, tashmë këta “kujdestarë kombëtarë” nuk e kanë hall çështjen shqiptare por bukën e përditshme, veshëmbathjen e fëmijëve, shkollimin e tyre, arsyetimin para fëmijëve se pse ishin aq budallenj duke ua besuar jetën poltronistëve dhe vasalëve të verbër.

Konflikti i vitit 2001 u shkaktua me një perfiditet të përkryer me qëllim që të krijohet një subjekt politik shqiptar (BDI-ja) i cili do t’i vinte në sprovë edhe faktorët ndërkombëtarë! Si të angazhohen ndërkombëtarët për zgjidhjen e ndonjë problemi shqiptar kur para tyre, madje edhe para “pronarëve” të tyre në qendrat perëndimore, del zotëri Ali Ahmeti dhe me një servilizëm të llojit të vet, me plot gojë deklaron se në vend nuk ka asnjë problem etnik e ndëretnik, se dialogu politik rrjedh normalisht dhe se BDI në pushtet është për të zgjidhur probleme e jo për të shkaktuar të tilla! Kërkesa permanente e PDSH-së për zgjidhjen e një varg çështjesh shqiptare sipas zotëri Ali Ahmetit qenka problem ndërsa mbetja e përhershme e BDI-së në pushtet qenka zgjidhje!

Konflikti i vitit 2001 u ndërpre falë arritjes së një marrëveshje politike e cila garantonte një spektër të gjërë të të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, marrëveshje kjo e cila në botë njihet si “Marrëveshja Kornizë e Ohrit”!

 

Sallata “Marrëveshja e Ohrit”

 

Me ardhjen në pushtet të asaj partie e cila u projektua nga vetë strukturat nacionaliste maqedonase sa për t’ua mbajtur “iso”-n politikave diskriminuese e antishqiptare, fillimisht kësaj Marrëveshje iu përvetësua autorësia dhe, me këtë rast nisën shqetësimet autoriale: fshij e shkruaj, fshij e shkruaj, fshij...

Gjuha shqipe është ajo që tregon më së miri se konflikti i vitit 2001 u shkaktua me qëllim që të shpiket një parti-surrogat e cila do ta legjitimonte pronarin e shtetit aktual të Maqedonisë! Ali Ahmeti e Branko Crvenkovski, duke bërë sallatë nga Marrëveshja e Ohrit, që më vititn 2002 e keqpërdorën këtë kontratë politike me qëllim të kategorizimit të maqedonasëve në qytetarë të rendit të parë dhe të shqiptarëve në qytetarë të rendit të dytë! Me aminin e zotëri Ahmetit u shkel kjo Marrëveshje e garantuar edhe nga ndërkombëtarët si dhe nga vetë Kushtetuta e Maqedonisë dhe, gjuha shqipe, si një gjuhë zyrtare e barabartë me gjuhën maqedonase që duhej të shtrihej në tërë shtetin, u lokalizua vetëm në gjuhë që mund të flitet aty ku ka 25% shqiptarë nga numri i përgjithshëm i banorëve komunalë.

Se BDI e ka vdekur tashmë Marrëveshjen e Ohrit dëshmon edhe pajtimi i tyre për të votuar ligjin tërësisht diskriminues për gjuhën shqipe, për të cilin ligj vetë z. Ahmeti disa herë ka nënvizuar se, ndonëse nuk i kënaq shqiptarët megjithatë “krijuam një bazë të mirë për avansimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe”! Bazë më të fuqishme se në Marrëveshjen e Ohrit gjuha shqipe nuk kishte askund! Në fakt, me këtë ligj, zyrtarët e BDI-së arritën që ta shkelin një të drejtë të natyrshme e cila u arrit falë derdhjes së gjakut të shqiptarëve gjatë konfliktit të vitit 2001. Me këto lëvizje politike BDI-ja veçsa ua vulosi maqedonasëve të drejtën për ta mohuar gjuhën shqipe si dhe për ta kultivuar ashiqare urrejtjen antishqiptare! Pse në Maqedoninë Lindore të mos guxojë askush ta flasë gjuhën shqipe! Pse në asnjë tabela komunikacioni të mos shkruhet edhe në shqip! Pse në dokumentet personale dhe në ato të udhëtimit të maqedonasëve të mos shkruhet shqip ndërsa te ato të shqiptarëve të shkruhet detyrimisht në dy gjuhë! Pse organet përkatëse shtetërore nuk u lëshojnë dokumente në dy gjuhë shqiptarëve nëse paraprakisht shqiptarët nuk do të kërkojnë me shkrim, ndryshe u lëshohen vetëm në gjuhën maqedonase!

 

2001-shi si 1945-ta

 

Fare në fund, gjuha maqedonase bëhët obligative për nxënësit shqiptarë që nga klasa e parë, ndërsa gjuha shqipe për maqedonasit bëhet fakultative, edhe atë nëse dëshirojnë ta mësojnë si lëndë, në të kundërtën askujt asgjë! Ç’synohet me këto ligje e vendime diskriminuese antishqiptare përveçse të dëshmohet se shteti i Maqedonisë është shtet i popullit maqedonas dhe i pakicave që jetojnë aty! Për t’u bërë kjo një bindje qytetare tashmë janë marrë edhe një sërë masash, veprimesh dhe aktivitetesh konkrete të cilat, deri në këtë moment, me sukses i ka kamufluar BDI-ja duke ua krijuar një hapësire dhe një komoditet strukturave shovene maqedonase të cilat parreshtur na goditën për këto dy vjet: me dislokimin e Institutit Albanologjik nga një ambient shqiptar në një vend të pavolitshëm e të paperspektivë, me Enciklopedine maqedonase, me Enciklopedinë e filmit, me vrasjen e shqiptarëve madje bashkëluftëtarë të vetë z. Ahmetit, me tekste shkollore me përmbajtje shoveniste e raciste antishqiptare, me degradim total kulturor e kadrovik të shqiptarëve nëpër administratën shtetërore etj. etj.

Strukturat e caktuara macionaliste maqedonase tashmë e kanë të hartuar në bashkëautorësi me strukturat udhëheqëse të BDI-së “marrëveshjen kornizë” për diskriminim absolut të shqiptarëve të Maqedonisë. Dinjiteti i shqiptarëve do të shkelet përditë e më shumë, ndërkohë që këta të BDI-së do të flasin me patetizëm për “lulëzimin e të drejtave të shqiptarëve”, për dispersimin e fakulteteve (ndonëse kjo është detyrë shteti dhe jo partie), për tingujt e Çarshisë e për pordhat e kuajve të bronztë para Urës së Gurit. Ngjashëm disi sikur pas luftës partizane kur në hartimin e kushtetutave sipas tekave serbe participonte edhe ndonjë shqiptar si Fadil Hoxha, Sinan Hasani, Fadil Nimani, Rrahman Morina e ndonjë tjetër i mjerë.