E enjte, 25.04.2024, 03:45 PM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Gjermania kujton 0-0 me Shqipërinë

E merkure, 19.12.2007, 07:39 PM


40 vite më parë, kuqezinjtë eliminuan skuadrën e Helmut Shën nga Evropiani

"Dita më e errët e futbollit gjerman". Këto janë fjalët me të cilat trajneri legjendar Helmut Shën do të përshkruante datën 17 dhjetor të vitit 1967. Përfaqësuesja gjermane sapo kishte humbur mundësinë për të marrë pjesë në Evropianin e vitit 1968, duke mos arritur të fitojë në Tiranë ndeshjen e fundit në grup përballë përfaqësueses shqiptare, në takimin e mbyllur me rrjeta të paprekura, për më tepër me një gol të Gjinalit të paakorduar nga gjyqtari anësor. Kanë kaluar 40 vjet nga ajo datë e shënuar në historinë e futbollit, por çuditërisht, në këtë përvjetor është kujtuar më shumë pala gjermane se sa ajo shqiptare. Gazeta "Taggesspiegel" ka kujtuar atë ditë të trishtueshme për futbollin gjerman, të vetmin rast kur kombëtarja e vendit të tyre nuk arriti të kualifikohej në një turne ndërkombëtar, vetëm për shkak të "xhuxhit të futbollit", Shqipërisë.

"Përpjekjet ishin të shumta por pa sukses. Volfgang Veber qëndronte i ulur në shtrat dhe mendohej, ndërsa në dhomë hyri Vili Shultz, i cili u foli kolegëve të tij më të rinj. "Djema, më mirë se me zero gola nuk mund të luhej në mbrojtje". Ky nuk ishte një ngushëllim për Veber, edhe pse mbrojtja kishte shumë pak të bënte me faktin se kombëtarja kishte humbur kualifikimin për në Evropianin 1968, pas një 0-0 ndaj Shqipërisë. Një gol do t‘i kishte dhënë Gjermanisë kualifikimin, në këtë datë të 40 viteve më parë. Një gol i vetëm. "Ishte një katastrofë", deklaroi njëherë Gynter Netzer për ndeshjen kundër xhuxhit të futbollit, që cilësohet si disfata më e madhe në historinë e ndeshjeve ndërkombëtare të Gjermanisë. Deri në ditët e sotme, ajo ishte hera e vetme kur kombëtarja nuk arriti të kualifikohej në një turne madhor. Kjo ishte turpëruese, pasi Gjermania kishte refuzuar pjesëmarrjen në vitet 1960 dhe 1964, ndërsa ndryshoi mendje për turneun që zhvillohej në Itali, por duke u ndalur që në fazën kualifikuese.

Para ndeshjes, situata nuk ishte aq e keqe, pasi rivali kryesor, Jugosllavia, i kishte përfunduar takimet e saj dhe Gjermanisë i mjaftonte një fitore ndaj Shqipërisë në Tiranë. Për lojtarët ishte një udhëtim drejt një vendi ekzotik. Shqipëria kishte një rol mjaft të veçantë në bllokun lindor. Diktatori Enver Hoxha ndiqte politikën e izolimit dhe të vetmin aleat kishte Kinën. Në aeroport, kombëtaren e pritën enë me ujë, në të cilat gjermanët duhet të lanin duart, nga frika se mund të sillnin me vete sëmundje. Në rrugë thuajse nuk kishte makina, Tirana kishte vetëm një hotel, ndërsa televizioni shtetëror transmetonte filma lufte në gjuhën kineze. Trajneri Shën duhej të përgatitej për ndeshjen pa pasur në dispozicion të dëmtuarin Gerd Myler, ndërsa mungonin edhe Franc Bekenbauer dhe Uve Zeler. Në kampin gjerman kishte optimizëm, aq sa edhe sulmuesi debutues, Peter Majer, i tha trajnerit: "Zoti Shën, do t‘ia dal mbanë". Por edhe ai, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës, nuk shkëlqeu. Loja në mbrojtje e Shqipërisë do të përballej me fantazinë gjermane, me tre organizatorët Hans Kupers, Volfgang Overat dhe Gynter Netzer, ndonëse në fushën e Tiranës ishte e pamundur të luhej një lojë e tillë. Kombi gjerman pa për herë të parë në atë ndeshje se si Netzer dhe Overat nuk mund të luanin bashkë në kombëtare. Kjo bëri që Shën, atë barazim 0-0 që ngjante si humbje, ta cilësonte si "ditën më të errët si trajner i kombëtares". Jo rastësisht, në autobiografinë e tij nuk shkruhet asnjë fjalë për takimin e Tiranës", shkruhet në artikullin e gazetës gjermane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora