E marte, 16.04.2024, 11:20 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

"Fiks Fare" mbush 5 vjet

E merkure, 19.12.2007, 07:31 PM


Të gudulisësh duke pickuar, një misioni i kryer

Si sot, 5 vjet më parë, në ekranin e "Top Channel", do të fillonte emisioni "Fiks Fare", unik për nga lloji në raport me gjithë formatin mediatik në historinë e televizioneve shqiptare, duke nisur nga ai i vetmi për 5 dekada, TVSH, e duke përfshirë të gjithë ato kanale private që nisën të lindnin pas vitit 1997. "Fiks Fare" ishte dhe rrjedhojë e një revolucioni mediatik që po ndodhte që me krijimin e "Top Channel", ku për herë të parë, afirmoheshin si risi, pothuajse të gjithë komponentët e një televizioni, që nga ata lehtësisht të dukshmit, e deri tek ata më të imtësishmit. "Fiks Fare" ishte krijim i "Top Channel" dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe. Pasi kanali me një vit jetë, kishte afirmuar veten si të pangjashëm në formatin e një edicioni lajmesh e në disa emisione të tjera, vjen radha e "Fiks Fare", një ndërmarrje kurajoze nga ana gazetareske dhe tejet e vështirë nga linja artistike. Të dyja linjat duhet të puqeshin në një pikë dhe të krijonin një të tërë, pa asnjë çarje, pa asnjë stonaturë në kompozimin e përgjithshëm. Ndaj dhe "Fiks Fare" është një emision i gamës së gjerë, ku gjen gazetarinë e mirëfilltë dhe brenda saj, investigimin. Aty gjen komponentët e shumtë artistikë, që nga skenografia, ndriçimi, efektet audio, aktrimi i drejtuesve, performimet e balerinave etj. Ndërkohë që brenda hapësirës gazetareske, përfshihen dhe shumë gjini, deri tek ajo më çlodhësja siç është monitorimi. Me gjithë këta komponentë, realizimi i "Fiks"-it nuk ishte i thjeshtë. Deri në çastin e transmetimit në ekran, emisioni ka kaluar faza të gjata dhe të vështira të kompletimit e provave për të qenë sa më justifikues i vetvetes në mesazhin që kishte për të përcjellë. Kështu mund të thuhet dhe për anën gazetareske. Nisur nga psikologjia shoqërore shqiptare, teorikisht mundësia që "Fiks"-i të funksiononte të paktën ashtu siç ishte parashikuar në projekt, ishte e pamundur. Ndaj, shërbeu si model përqasës, emisioni i famshëm italian, "Stricsa la Noticia", për të bërë të mundur realizimin e teorisë në praktikë. Në finale të gjithë kësaj, do të ishte zbulimi, evidentimi, faktimi dhe argumentimi sigurisht me fakte i çdo paudhësie që ndodhte në Shqipëri, nga instanca politike qeverisëse të niveleve të larta apo të ulëta, përfaqësuar nga individë të veçantë apo grupe individësh. Dhe jo vetëm kaq. Publikut duhet t‘i servirej çdo paradoks i jetës reale edhe nëse politika nuk ishte në mes. Dhe për këtë, "Fiks"-i u konceptua dhe u ndërtua si një fabrikë me lëndën e parë që kalonte proces pas procesi në përpunim, ambalazhim e deri në servirje. Lënda e parë, do të garantohej nga një staf gazetarësh e kameramanësh profesionistë, që më së paku, nuk do të kishin orar; më së shumti do t‘i provonin vetes që gazetari nuk është thjesht rrogëtar. Më pas, materiali që do të thithej prej tyre nga terreni, nga realiteti i jetës së përditshme, do të kalonte në proces viviseksioni nga ana e drejtuesve dhe redaktorëve, që më pas i ambalazhuar u jepej drejtuesve për shfaqje në publik. Këtë finale delikate do të mbanin si peshë e përgjegjësi, dyshja e drejtuesve, Saimiri dhe Doktori, të kombinuar në atë mënyrë në bazë të veçantive psikologjike për të qenë në çdo moment shpërthyes në batuta dhe me një ndërthurje harmonike, ku askush mos mbetej në hije të tjetrit. Dhe fakti që sot, "Fiks Fare", rezulton me një audiencë konstante dhe tërheqje asnjëherë në zbehje, tregon se gjithçka funksiononte e funksion siç duhet. Kjo mund të thuhet lehtësisht, ndërkohë që në të vërtetë nuk ka qenë tërësisht ashtu. Një ndër sfidat më të vështira të drejtuesve, ka qenë përballja me politikën. Në dukje, politika është përpjekur të jetë e buzëqeshur me emisionin, por një pjesë e saj, nuk e ka dashur dhe arsyeja dihet: "Fiks"-i ishte i pamëshirshëm në raport me fenomenet, pa bërë asnjë diferencim për kahet politike se nga vinin ato. Në këtë pikë ka ndodhur dhe paradoksi më i madh që në varësi të të qënit në pushtet apo në opozitë, partitë shqiptare janë pozicionuar në miqësi apo në armiqësi me këtë emision. Por paçka të gjitha këtyre, "Fiks Fare", tashmë është sa histori e sa realitet në median shqiptare. Historinë, sepse është shkruar me një tjetër gjuhë historia e Shqipërisë në 5 vjet; realitet, sepse "Fiks Fare" vijon me këtë mision pa asnjë stepje. Ne që shkruajmë historinë e ‘Fiks"-it mjaft të urojmë vetveten për jetë e karrierë sa më të gjatë, brenda së cilit është dhe urimi për "Fiks Fare", jetëgjatësinë e tij.

Nëse populli çek krenohet me një Hashek e me Shvejkun e tij, Shqipëria mediatike, ka "Top Channel" e "Fiks"-in e tij...

Vlerësimet për "Fiks Fare"

Ndihma që ka dhënë "Fiks Fare" në denoncimin e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative të shoqërisë është përshëndetur dhe vlerësuar nga personalitete të vendit, nga ish-kryeministra, Kryeministri, ministra, deputetë, dhe personalitete të tjera të Shqipërisë. Jehona e denoncimeve të emisionit "Fiks Fare" është pasqyruar edhe nga shumë media të huaja prestigjioze.

Në të gjitha rastet e denoncuara nga "Fiks Fare" prokuroria shqiptare ka filluar procedimin penal. Nën hetim janë vendosur zyrtarë të lartë, punonjës të administratës shtetërore, punonjës të Policisë së Shtetit etj.

Berisha

Edhe kryeministri Sali Berisha, kur ishte në opozitë, e ka vlerësuar punën e gazetarëve të emisionit "Fiks Fare" duke e cilësuar këtë emision si një opozitë të vërtetë.

Gjithashtu, në një takim që kanë pasur në Tiranë gazetarë të huaj dhe shqiptarë, të cilët kanë diskutuar për ndikimin e medias në parandalimin e fenomeneve kriminale, iu referuan disa rasteve të denoncuara nga "Fiks Fare", gazetarët e të cilit kanë depërtuar brenda rrjeteve kriminale.

Nano

Ish-kryeministri shqiptar, Fatos Nano, në maj të vitit 2004 ka shprehur vlerësimin e tij për punën e gazetarëve të emisionit "Fiks Fare": "Do të kërkoj zëvendësimin e punonjësve të administratës me gazetarët e zhdërvjellët të stafit të ‘Fiks Fare‘"

Edi Rama

Vetë shefi i kabinetit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Shalsi, pas denoncimit në "Fiks Fare" të radhëve të gjata në dyert e zyrave ku paguanin taksat përfaqësuesit e biznesit të vogël, shefi i kabinetit të kryetarit të bashkisë, në një konferencë për shtyp falënderoi emisionin "Fiks Fare" për sensibilizimin që bëri dhe u kërkoi ndjesë qytetarëve, duke u premtuar se brenda 6-mujorit të dytë të këtij viti do t‘u shërbejnë në ambiente të reja e moderne dhe nuk do të hasen më situata të tilla.

Sollaku

Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, gjatë raportit që mbajti më 1 nëntor të vitit 2005 në Komisionin e Ligjeve: "Procedimet penale për korrupsion janë filluar kryesisht nga prokuroria mbi bazën e rasteve të publikuara në media ("Fiks Fare") si dhe në raste shumë të rralla janë filluar mbi bazën e kallëzimit nga administrata publike (vetëm Ministria e Arsimit ka paraqitur një kallëzim për zv.drejtoren e Liceut Artistik, Tiranë, pas publikimit të skandalit nga ‘Fiks Fare‘".

OSBE

Një raport i OSBE-së, më 03/11/2006 që analizon sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri, u referohet përsëri denoncimeve të emisionit "Fiks Fare". "Gjatë vitit 2005, asnjë prokuror apo gjyqtar nuk ka dalë para drejtësisë me një akuzë për korrupsion", thuhet në raport. Gjithashtu, sipas raportit të OSBE-së, bëhet i ditur njoftimi i Prokurorit të Përgjithshëm, ku katër raste denoncimi për korrupsion kishin nisur nga denoncimi i gazetarëve të "Fiks Fare".

Ndoka

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, pas publikimit në "Fiks Fare" të përvetësimit të një laboratori shtetëror dentar nga drejtuesi i Shëndetit Publik në Lezhë, menjëherë firmos largimin e tij nga detyra. Ministri Ndoka shkarkoi drejtorin e Shëndetit Publik në Lezhë dhe urdhëroi pezullimin e drejtorit të Shëndetit Parësor, të cilët përvetësuan një kabinet dentar.

Denoncimet e "Fiks Fare" në vite

Korrupsioni në Ndërmarrjen nr 1 të Trajtimit të Studentëve

Kryefinancierja e këtij institucioni i kërkon përpara kamerës së fshehtë një biznesmeni 500 dollarë, që t‘i lëshojë urdhrin e xhirimit të parave që atij i takonin, për punimet që kishte kryer në Qytetin Studenti të Tiranës.

Menjëherë pas transmetimit të këtij fakti në emisionin "Fiks Fare", prokuroria filloi hetimet. Kryefinancierja e Ndërmarrjes nr 1 të Trajtimit të Studentëve, Tefta Dosti, u mor në ndjekje penale nga prokuroria dhe u dënua me gjobë.

"Albatel"

Një kompani italiane, duke përdorur si mburojë veprimtarinë e një kompanie ajrore, kishte hapur në qendër të Tiranës disa zyra, ku vajza shqiptare kryenin telefonata erotike me shtetas italianë. Nëpërmjet kamerave të fshehta të "Fiks"-it u vërtetua ky mashtrim. Qytetarët italianë paguanin me tarifa ndërkombëtare për telefonatat erotike që kryenin me punonjëset shqiptare të "Albatel"-it, të cilat shtireshin si italiane.

Enti Rregullator i Telefonisë deklaroi se kjo veprimtari ishte pirate, pasi "Albatel" ishte licencuar për të ushtruar veprimtarinë e saj vetëm brenda kufijve të Shqipërisë.

Pasaporta "Shengen" false

Skandali i pasaportave "Shengen". Gazetarët e "Fiks Fare" me filmimet e regjistruara me kamera të fshehtë, treguan se sa e thjeshtë ishte që të udhëtonin lirshëm në një vend të "Shengen"-it pa pasur vizë të ambasadave të huaja në Tiranë dhe pa rrezikuar në det me gomone.

Mjaftuan dy fotografi dhe dy mijë euro për t‘u pajisur me pasaportë të rregullt të "Shengen"-it të prodhuar në Greqi.

"Fiks Fare", në dy emisione speciale, dëshmoi sesi prodhohej dhe si merrej kjo pasaportë, dhe sesi hynë dhe dolën me këtë dokument gazetarët e tij në Gjermani dhe Itali.

Skandali i patentave kosovare

Jehona e "Fiks"-it është ndierë edhe në Kosovë. Një vit më parë, policia e UNMIK-ut arrestoi dy zyrtarë të Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit të Kosovë dhe pronarin e një autoshkolle. Këta tre persona u denoncuan në "Fiks Fare" për marrjen e një ryshfeti kundrejt lëshimit të një patente për një person i cili nuk kishte kryer asnjë ditë kursin e patentës.

Shkarkimet në administratën shtetërore

Rastet më tipike të shkarkimeve të padrejta në administratën shtetërore pas ndërrimit të pushteteve në korrik të vitit 2005 u denoncuan në "Fiks Fare". Shembuj konkretë ishte reforma masive në dogana, zëvendësimi i drejtorëve të Pyjores në rrethe, ku emërimet e reja bëheshin në bazë të logos së partive të koalicionit qeverisës. Madje solli shembuj të rasteve kur gjykatat urdhëronin rikthimin në punë të të shkarkuarve pa të drejtë dhe asnjë institucion nuk i njihte vendimet e tyre.

Vetë "Fiks Fare", me "inspektorët e tij" dhe me procesverbale pa vulë dhe pa firmë, shkarkoi dhe bëri emërime në emër të partisë në pushtet.

Ngjela-Berisha

Të fshehtat e bisedës midis Kryeministrit shqiptar, Sali Berishës, dhe ish-kreut të Komisionit të Ligjeve, Spartak Ngjela, gjatë debatit të tyre për kundërshtimet e këtij të fundit gjatë kalimit të disa projektligjeve në komision, u transmetuan në emisionin "Fiks Fare". Menjëherë pas publikimit të këtij debati, ku Kryeministri Berisha i kërkon dhënien e dorëheqjes Ngjelës, del urdhri për ngrirjen e këtij të fundit dhe drejtorit të emisionit "Fiks Fare".

Blerja e kanabisit

Në kulmin e fushatës kundër mbjelljes së bimëve narkotike, një grup xhirimi i "Fiks Fare" me kamera të fshehtë, kreu një inspektim nga Veriu në Jug të Shqipërisë. Gjatë këtij udhëtimi, gazetarët e "Fiks Fare" ranë në kontakt me disa trafikantë që shisnin bimë narkotike dhe hynë në biseda pazari me ta.

Në fshatrat e Shkodrës dhe Fierit, gazetarët e "Fiks Fare" gjetën ndërmjetës që të siguronin kuintalë të tërë me kanabis sativa.

Gjithashtu, teleshikuesit e emisionit "Fiks Fare" u njohën me rrugët e kryeqytetit ku konsumohen lirisht lëndët narkotike dhe ku mund të blesh disa doza heroinë.

Barnat e skaduara dhe kontrabandë

Në të gjitha farmacitë dhe depot farmaceutike të vendit tonë gjen barna kontrabandë. Ato shiten hapur dhe nuk kanë pullë fiskale. Askush nuk është në gjendje që t‘i ndalojë.

Gjithashtu "Fiks Fare" denoncoi edhe një skandal tjetër, atë të shitjes së medikamenteve të skaduara nëpërmjet ndryshimit të datës së skadencës. Gazetarët e emisionit "Fiks Fare" u punësuan në një depo farmaceutike, e cila hidhte në treg barna të skaduara.

Sekserët e Hipotekës

Për të nxjerrë një vërtetim pronësie nga Zyra e Regjistrimit të Paluajtshëm duhet të paguash nën dorë sekserët që ndodhen rreth e rrotull Hipotekës, të cilët janë të lidhur me punonjës të këtij institucioni, ose duhet të presësh më kot me muaj të tërë.

"Fiks Fare" denoncoi një prej këtyre rasteve, kur një qytetareje iu desh të paguante nën dorë 10000 lekë një sekser, i cili e lidhi me një nga punonjësit e Hipotekës që shërbente në sportelet e saj, për të marrë vërtetimin e pronësisë për një apartament.

Skandali i dëftesave false

Skandali i dëftesave false u publikua në "Fiks Fare" në të njëjtën kohë kur filloi viti i ri shkollor 2005-2006. Një punonjës i redaksisë së emisionit "Fiks Fare" u paraqit në konkursin e jurisprudencës në emër të një studenti tjetër, i cili kishte përfituar dëftesë të shkollës së mesme dhe tetëvjeçare me dokumente false. Këto dëftesa të falsifikuara ishin nxjerrë në një nga shkollat e mesme të përgjithshme të kryeqytetit dhe në një shkollë nëntëvjeçare të Tiranës.

Një sekretare e shkollës së mesme të Babrrusë merr përsipër që të nxjerrë një dëftesë të shkollës 8-vjeçare dhe një dëftesë të shkollës së mesme, të dyja false, kundrejt pagesës 20000 (njëzetmijë) leke për dëftesën e 8-vjeçares dhe 100000 (një qind mijë) lekë për dëftesën e shkollës së mesme të përgjithshme. Të dyja këto dëftesa u lëshuan nga shkolla 9-vjeçare e Babrrusë dhe shkolla e mesme e përgjithshme në Kamëz.

Me këto dokumente të falsifikuara, një gazetar i "Fiks"-it u paraqit në konkursin e jurisprudencës, por personi që mori pjesë në konkurs ishte i ndryshëm nga personi të cilit i ishin lëshuar dëftesat false.

Menjëherë pas publikimit të këtyre fakteve, ministri i Arsimit, z. Genc Pollo, urdhëroi fillimin e verifikimit të procedurave se si ishin lëshuar këto dëftesa. Më pas u mor masa e largimit të tyre nga puna dhe fillimi i çështjes penale për këto falsifikime.

Lekët false

Një numër i madh kartëmonedhash false 1000 (një mijë) lekëshe u hodh në qarkullim në Shqipëri. "Fiks Fare" zbuloi rrjetin e personave që hidhnin në treg kartëmonedhat e falsifikuara. Ky rrjet fillonte në Greqi dhe përfundonte në Shqipëri.

Dosja "Stela"

"Fiks Fare" denoncoi abuzimet e punonjësve të policisë së Vlorës, të cilët bënin presion ndaj biznesmenëve nëpërmjet një bashkëpunëtores së tyre, e cila njihej me emrin e koduar, Stela.

"Fiks Fare" tregoi se si Stela u bë bashkëpunëtore e policisë dhe si u përdor prej saj për të futur në burg shumë njerëz, midis tyre edhe të pafajshëm, të cilët më pas paguanin gjobën e tyre te policia për t‘u lënë të lirë.

Patentat

"Fiks Fare" tregoi se sa lehtë mund të marrësh një dëshmi për drejtim automjeti, apo motori, pa u paraqitur fare në provim dhe pa bërë asnjë ditë kurs.

Gazetarët e "Fiks Fare" morën katër dëshmi për drejtim automjeti dhe një dëshmi për drejtim motori. Madje "Fiks Fare" pajisi me dëshmi për drejtim motori edhe një njeri invalid. Gazetari paraqiti vetëm një certifikatë, duke deklaruar se personi që do të pajisej me patentë ndodhej në Greqi. Këto patenta kushtonin nga 50 mijë-70 mijë lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor u hoqi licencat katër autoshkollave ku u nxorën patentat e mësipërme, ndërkohë që prokuroria filloi procedimin penal.

Gjithashtu, "Fiks Fare" pajisi me patentë kombëtare dhe ndërkombëtare ish-kampionin e "Formula 1", Alonso.

Abuzimet seksuale në administratën shtetërore

Ish-drejtori i personelit në Ministrinë e Jashtme, A.Sejdia, i kërkonte marrëdhënie seksuale njërës prej vartëseve të tij, në këmbim të fitimit të statusit të nëpunësit civil prej saj.

Në denoncimin që bëri emisioni "Fiks Fare", u transmetuan pjesë nga bisedat e drejtorit të personelit të Ministrisë së Jashtme, ku dallohej qartë kushti që ky person i vinte vartëses së tij për të mbajtur vendin e punës.

Trafiku ndërkombëtar i fëmijëve

Gazetarët e "Fiks Fare" u infiltruan në rrjetin e trafikimit të fëmijëve shqiptarë drejt Greqisë.

"Fiks Fare" filmoi hap pas hapi të gjitha përpjekjet e trafikantëve, që nga blerja e fëmijës 3-vjeçar prej prindërve natyralë, kalimi i tij në kufi e deri te shitja.

Kamerat e fshehta, të përdorura nga gazetarët e emisionit "Fiks Fare", shpëtuan nga kthetrat e trafikantëve një fëmijë të vogël 3-vjeçar.

Pas denoncimit të emisionit "Fiks Fare" u vunë nën pranga për t‘u përballur me drejtësinë shqiptare të gjithë anëtarët e këtij rrjeti trafikantësh, ndërkohë që viktima e këtij trafiku, fëmija trevjeçar nga Peqini, i cili u mor në mbrojtje nga policia greke, sot ndodhet nën përkujdesjen e psikologëve dhe sociologëve në një shtëpi fëmije në Janinë të Greqisë.

Televizioni grek, "Mega", pasqyroi për disa ditë në emisione speciale dhe në edicionet qendrore të lajmeve jehonën që bëri ky investigim i gazetarëve të emisionit "Fiks Fare".

Abuzimet e drejtorit të Pyjores Mallakastër

Drejtori i Pyjores së Mallakastrës kërkon në këmbim të firmosjes së një kontrate për shfrytëzimin e bohçeve të pishës, 20 milionë lekë. Në këtë bisedë të transmetuar në "Fiks Fare", drejtori i Pyjores tregon se si kishte përfituar miliona lekë pas firmosjes së kësaj kontrate me një firmë tjetër shqiptare.

Fajdetë

"Fiks Fare" denoncoi indiferencën e shtetit shqiptar për rikthimin e parave të humbura të shqiptarëve në firmat piramidale. Në këtë emision u treguan dokumente që vërtetonin se shqiptarët mund të merrnin një pjesë të parave që kishin humbur në kompaninë "Gjallica". "Fiks Fare" dorëzoi një pjesë të këtyre dokumenteve në prokurori, ku u regjistrua një kallëzim penal. Ky veprim do të sjellë një rritje të koeficientit të kompensimit të kreditorëve të kompanisë "Gjallica" tri herë më shumë nga sa është deri tani.

Shkarkimet në dogana, me letra anonime

Ridvan Bode, ministri i Financave, me një letër anonime hodhi në rrugë disa doganierë, pa verifikuar më parë nëse informacioni ishte i vërtetë.

"Fiks Fare" vërtetoi se sa e lehtë është që të pushohen nga puna nëpunësit e administratës së sotme, qoftë edhe me një letër anonime: mjafton që të shënosh mes rreshtave të kësaj letre se këta nëpunës janë angazhuar në fushatë elektorale përkrah kandidatëve të opozitës.

Një letër anonime e "Fiks Fare" u ka kushtuar vendin e punës disa doganierëve. Pa asnjë bazë tjetër ligjore, vetëm me informacione nga "baza", ministri i Financave urdhëron drejtorin e Përgjithshëm të Doganave që "të marrë masa për t‘i larguar nga puna gradualisht" të gjithë ata doganierë që janë angazhuar në fushatën e Partisë Socialiste në vitin 2005, apo ata që kanë miq në Kontrollin e Lartë të Shtetit.

"Fiks Fare" i dërgoi në vitin 2006 një letër anonime ministrit të Financave dhe drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, ku bëhej fjalë për disa "abuzime" të kryera nga disa doganierë në Doganën e Kapshticës. Menjëherë pas kësaj letre u vu në lëvizje Komisioni Disiplinor i Doganave.

Letra anonime ishte pa firmë dhe pa adresë. Vetëm shënimi: "Dua të mbetem anonim" dhe qyteti Korçë ishin të dhënat mbi autorin e letrës.

Fenomeni "Rrenga"

Adem Rrenga, përgjegjësi i sektorit të kontrollit, dega e tatimpaguesve të mëdhenj (VIPAT), i ardhur nga Librazhdi si mik dhe shok shkolle i Ridvan Bodes, ka mashtruar me deklarimin e pasurive, duke fshehur 2,1 milionë lekë të padeklaruara.

Duke qenë drejtor i Tatimeve në Librazhd, u ka prerë gjoba kundërshtarëve të Berishës dhe i ka kaluar nga biznes i vogël, në biznes të madh. Më tej ai është emëruar në një post të lartë në Tatimet e Tiranës. "Fiks Fare" zbuloi se përgjegjësi i sektorit të kontrollit, dega e tatimpaguesve të mëdhenj (VIPAT), në Librazhd kishte një vilë, ku jetonte vetëm në fundjave, ndërsa gjatë javës jeton me qira në një apartament në mes të Tiranës, te blloku i Shallvareve, me një qira që nuk mund t‘ia mbajë dot xhepi i një buxhetori.

Pra, si të mos mjaftonte, vila e tij në Librazhd, vila që po ndërton për prindërit në fshatin e tij të lindjes, në Dardhë, ky rrogëtar shteti ka mundësi financiare të paguajë shtrenjtë një qira prej 500 eurosh në muaj, në mes të Tiranës.

Abuzimet e PD-së me shpenzimet e fushatës

Emisioni "Fiks Fare" solli fakte për informalitetin në Partinë Demokratike. Shpenzimet qesharake, financimet dhe sponsorizimet e forcës më të madhe qeverisëse, e cila ka fshehur milionat e dollarëve të fushatës, që nuk mundën t‘i siguronin Berishës fitoren më 18 shkurt 2007.

Partia Demokratike nuk ka paraqitur publikisht asnjë faturë blerjeje, shpenzimi apo sponsorizimi, duke mashtruar shqiptarët me deklarime, të cilat janë me qindra herë më të ulëta se sa realiteti i fushatës.

Informaliteti në PD duket se është përzier keq edhe me krimin që ka financuar forcën politike të Berishës.

Kamerat e fshehta të emisionit "Fiks Fare" treguan se si dy komponentë të krimit kanë sponsorizuar fushatat e dy partive më të mëdha sot në vend, në zgjedhjet e 18 shkurtit 2007.

Vërtetimet mjekësore, fiktive

Pashai i Tiranës, Sulejman Pashë Bargjini, i cili ka mbi 500 vjet që ka vdekur, doli i aftë për të drejtuar një automjet. Investigimi i "Fiks Fare" vërtetoi se si lëshohen vërtetime mjekësore pa u paraqitur vetë personi përpara mjekëve. Më pas këto vërtetime mund t‘i përdorësh për t‘u pajisur me patentë. Në emër të Sulejman Bargjinit u nxorën vërtetime mjekësore, sipas të cilave pashai i Tiranës shikimin e kishte shumë të mprehtë, dëgjimin po ashtu. Nuk kishte asnjë shqetësim nga zemra dhe ishte i aftë për të drejtuar një makinë.

Spitali psikiatrik

Për herë të parë u tregua me pamje filmike se si keqtrajtohen të sëmurët mendorë. Për herë të parë kamera e një televizioni tregoi nga afër hallet dhe kushtet e vështira në të cilat kurohen të sëmurët mendorë në spitalin psikiatrik të Tiranës. Vetë mjekët treguan se si punonin në ambientet e këtij spitali, pa asnjë kusht sigurie.

Mjekët pranojnë para kamerës së "Fiks Fare" se medikamentet që u japin pacientëve nuk bëjnë efekt, sepse janë të cilësisë së dytë.

Pas sensibilizimit që bëri "Fiks Fare", ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, premtoi se do të përshpejtoheshin procedurat që pacientët dhe mjekët e spitalit psikiatrik të transferoheshin në ambientet e spitalit të ri.

Analizat e urinës, artificiale

Për herë të parë, gazetarët e "Fiks Fare" arritën të prodhonin me mjete artizanale urinë artificiale. Monstra e përzierjes së ujit me vitamina, nitrat amoni, kripë gjelle dhe sheqer u dërgua për analiza në 13 laboratorë kimikë në Tiranë. Nga asnjë prej këtyre laboratorëve nuk u zbulua që tretësira që çuan gazetarët e "Fiks Fare" nuk ishte urinë. Madje disa prej tyre, në përgjigjet që dhanë, gjetën leukocite dhe eritrocite, të cilat nuk mund të prodhohen në kushte laboratorike.

Si grabiten automjetet në qendrën e grumbullimit të makinave në Tiranë

Gazetarët e "Fiks Fare" hynë në qendrën e grumbullimit të automjeteve në Tiranë, për të parë se si ruhen mjetet e sekuestruara. Për të provuar se sa të sigurt e ke mjetin në këto mjedise të policisë, gazetarët e "Fiks"-it i kërkuan policit nëse mundej të merrnin ca pjesë ndërrimi, si për shembull fishek motori, stop makine etj. Kundrejt 1000 lekëve ryshfet, polici i lejoi ata "të furnizoheshin" njëlloj sikur të ishin në një varrezë makinash dhe jo në një institucion shtetëror.

Shoferët e furgonave, pa patentë

Furgonat e linjave të brendshme të Tiranës rrezikojnë çdo ditë jetën e qytetarëve. Shoferë pa patentë qarkullojnë lirshëm nëpër rrugët e Tiranës, pa u ndëshkuar asnjëherë nga policia.

Gazetarët e "Fiks Fare" kontaktuan me këta shoferë furgonash, të cilët pranonin se nuk kishin marrë ende patentën e klasit C.

Pas denoncimit në "Fiks Fare", policia e qarkullimit rrugor ndërmori një aksion dhe bllokoi 158 furgona.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora