E premte, 19.04.2024, 01:16 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Aleksandër Arra: Greqi, shqiptarët sërish në mërgim

E marte, 12.10.2010, 09:47 PM


Greqi, shqiptarët sërish në mërgim

 

Nga Aleksandër Arra, Shekulli

 

Duke kërkuar për një fat më të mirë, ata ose detyrohen të kthehen në atdheun e tyre, ose provojnë një hap të ri në të panjohurën, duke udhëtuar në vende të tjera perëndimore.

Kriza ekonomike në Greqi ka prekur edhe emigrantët, të cilët po shohin se ditët e punës po pakësohen dita-ditës. Rënia e lirë e ndërtimit dhe mbylljet e njëpasnjëshme të fabrikave dhe bizneseve të çdo lloji, si edhe pakësimi i kërkesës për duar punëtore në bujqësi, detyrojnë shumë të huaj - ndërmjet tyre edhe familje- të marrin për herë të dytë rrugën e emigracionit.

Akoma edhe gratë që kujdeseshin për të moshuar dhe fëmijë, tashmë kanë mbetur pa punë, pasi shumë familje greke nuk ia dalin për të paguar koston që t'i mbajnë. Shumica e emigrantëve që braktisin Greqinë, bëjnë pjesë në valët e para emigruese. Janë njerëz që jetonin prej shumë vitesh në Greqi dhe të integruar në shoqërinë greke, disa me fëmijë në shkollat greke, të tjerë me bizneset e tyre. Ata kanë ndërtuar një nyje të vogël që u jep mundësinë të kthehen në atdhe, ose të jetojnë në një vend tjetër evropian, ku kanë të afërm apo shokë.

 

Parashikim i OSBE-së: Ulje e hyrjes së të huajve në Greqi

Rritje të madhe të papunësisë dhe pakësim të punës së qëndrueshme për emigrantët parashikon raporti i veçantë i sivjetshëm i OSBE-së "Migration Outlook 2010", pasi kriza ekonomike po prek veçanërisht emigrantët.

Organizimi ndërkombëtar parashikon për Greqinë pakësimin e hyrjes së emigrantëve në vend, pakësimin e numrit të emigrantëve, por edhe ngushtim të zhvillimit. Madje mund të kalohet edhe në pakësimin e numrit të përgjithshëm të popullsisë së vendit, pasi sipas të dhënave të OSBE, emigrantët ishin ata që shtuan rreth 90% popullsinë ndërmjet viteve 2002-2006.

Parashikimet e organizmit ndërkombëtar tashmë i shohin në praktikë emigrantët në qendër të Athinës. "Përveç dyqaneve të grekëve, po mbyllen edhe dyqanet e emigrantëve. Nuk ka punë, ka problem me krizën. Edhe unë dua të iki, po ku të shkoj? Nëse do të kisha ndonjë të afërm apo shok në ndonjë vend evropian, do të ikja", - thotë një pronar dyqani në Aharnon.

 

Më pak ditë pune për të huajt, grekët u kthyen në fushë

Po pakësohen gjithnjë e më shumë ditët e punës për emigrantët nëpër punët bujqësore, pasi kriza ekonomike u shtrëngon rripat dhe i detyron bujqit që tashmë të punojnë sa të munden vetë ose me familjen e tyre nëpër fusha.

"Mendësia ka ndryshuar. Tashmë nuk marrim më punëtorë që të çlodhemi, por çfarë të mundemi e bëjmë ne me familjet tona", - thotë presidenti i Shoqatës Agrare të Timbaqisit, Jorgo Dispiraqi, duke theksuar se ditët e punës së emigrantëve janë kufizuar në punët që nuk arrijnë t'i bëjnë vetë bujqit. Kështu, shumë emigrantë kanë ikur nga Tibaqi. "Kanë mbetur bullgarë dhe disa pak shqiptarë, sepse është ulur edhe kostoja e ditës së punës", - plotëson ai.

Të njëjtën gjë thekson edhe Kosta Telio, nënprefekti i Kardhicës dhe anëtar i Bashkimit të Bujqve të Rinj. "Emigrantët janë pakësuar shumë në fushën e Thesalisë. Dikur kultivimet ishin më intensive dhe nuk e mendoje shumë që të merrje disa punëtorë. Tani janë pakësuar të ardhurat dhe detyrohesh të punosh më shumë vetë. Unë çdo verë punësoja 2-3 persona, ndërsa sivjet nuk kam marrë asnjë", - thotë ai.

Por edhe në Greqinë e Veriut gjërat janë gati të njëjta. "Shqiptarët e zonës ikin në atdheun e tyre. Unë për 8-9 muaj punësoja katër punëtorë dhe tani kam vetëm një person", - thotë Jorgo Terzi, bujk nga Kilkis. Pakësimin drastik të ditëve të punës e shton edhe ndërrimi i kulturave. Dikur në fushat e duhanit punonin qindra emigrantë. Tani ullishtat dhe mbledhja e ullinjve nuk kërkojnë shumë duar punëtore. "Dy vitet e fundit në Kilkis u mbyllën 110 njësi blegtorale dhe mbi 200 familje emigrantësh shqiptarë dhe bullgarë dolën në rrugë", - plotëson bujku Terzi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora