E shtune, 20.04.2024, 12:25 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

81-vjeçarja: Si mi "vodhën" dhëmbët në Sanatorium

E marte, 12.10.2010, 06:22 PM


Nga Agron Lisi, Gazeta Shqiptare


LAÇ -Shkon për t'u mjekuar në Sanatorium për të ftohtë, i "vjedhin" dhëmbët. Pak minuta para se të operohej për të nxjerrë ujin nga mushkëria, i ka hequr dhëmbët me urdhër të doktorit dhe i ka vënë sipër tavolinës. Por, kur i ka dalë narkoza, goja e tharë i ka mbetur bosh... Kështu i ka ndodhur 81-vjeçares, Prene Toma nga qyteti i Laçit, e cila edhe pse ka bërë disa javë që ka dalë nga spitali kërkon me ngulm që stafi i këtij institucioni shëndetësor t'i gjej dhëmbët, ose t'i japë lekët. Ngjarja që në pamje të parë ngjan disi komike, nuk është e tillë për të moshuarën që mbijeton vetëm me pensionin që merr. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Prene Toma tregon me detaje se çfarë ndodhi në sallën e operacionit. Ajo thotë se doktori që e operoi, e nxori nga spitali pa dhëmbë duke i premtuar se do ia gjente ato ose do i jepte lekët nga xhepi i tij. Por pas dy javësh, doktori dhe infermieret e kanë përzënë plakën për në shtëpi. Ndërkaq, 81-vjeçarja kërkon publikisht ndihmë për zgjidhjen e këtij problemi, pasi shprehet se nuk ka lekë për të vënë dhëmbë të rinj. 
Kur jeni shtruar në Sanatorium? 
Para gjashtë javësh u shtrova për ftohje të rëndë në Sanatorium në Tiranë. Një javë pas shtrimit, mjekët më operuan, pasi në anën e majtë të kraharorit më ishte mbledhur ujë. Të gjitha ilaçet i kam blerë me lekë, pasi spitali nuk kishte. Me përjashtim të dy gjilpërave që ishin në formë shishe serumi, por më të vogla. Mbaj mend se një gjilpërë e kam blerë 13 mijë lekë në farmacitë para spitalit. 
Cili mjek të operoi? 
Në dhomën ku isha shtruar erdhi mjeku me emrin Agron. Ai më tha të bëhesha gati se do të operohesha. Më morën infermieret, të cilat gjatë rrugës nëpër pavijon më thanë që të hiqja unazat dhe varset që të mos i mbaja në sallë. Unë i hoqa ato dhe ia dhashë vajzës. Sa hyra në sallën e operacionit, doktor Agroni më tha: Prene hiqi edhe dhëmbët, pasi i ke të vëna. I hoqa dhëmbët në çast dhe pasi i mbështolla me një copë letër që mbaja me vete për t'u fshirë, zgjata dorën t'i vendosja nën jastëk. Por, nuk më lanë infermieret, të cilat më urdhëruan t'i vendosja dhëmbët mbi tavolinë. 
Çfarë ndodhi më pas? 
Kur më liroi ilaçi vura re se isha vetëm në reanimacion. Më pas erdhi vajza dhe më pastroi, pasi kisha vjellë dy herë. Në derë hyri dhe mjeku që më operoi. Ai u tha infermiereve që e shoqëronin: Dërgojeni plakën në dhomë tek pavijoni, se këtu do vijë një vajzë. Rreth orës 22:00 u kujtova për dhëmbët dhe i thashë vajzës të shkonte te salla ku u operova e t'i merrte. Atë natë nuk kishte njeri në sallën e operacionit, kështu që fjeta me merakun e dhëmbëve. Të nesërmen, vajza u kërkoi infermiereve të repartit të kirurgjisë dhe reanimacionit që t'i jepnin dhëmbët. Pasi u ballafaquan infermieret, doktor Agroni më tha: Nëne dhëmbët do t'i gjejmë. Këtu kanë humbur lekët pacientët dhe ua kemi dhënë. Kur po dilja nga spitali i thashë doktorit: "O doktor ku të vete pa dhëmbë. Unë jetoj me pensionin nuk kam mundësi të vë dhëmbë të tjerë, të lutem më ktheni dhëmbët". 
Çfarë të tha doktori? 
Doktori Agroni më tha: "kur të vish pas dy javësh për të bërë vizitë, do të jap unë ose dhëmbët ose lekët. Qëndro e qetë, e rëndësishme është që të përmirësohesh". Unë shkova pas dy javësh në këtë spital për kontroll mjekësor, por dhëmbët humbën. Doktori dhe infermieret ma prenë shkurt që të mos e zija më me gojë këtë punën e dhëmbëve se nuk kishin ku t'i gjenin. I kërcënova se do të ankohesha, pasi në spital shkova me dhëmbë e dola pa dhëmbë, por ata më thanë, se ankohesh kot, pasi nuk ke çfarë na bën. 
Cili është apeli juaj? 
Dua dhëmbët që më vodhën ose që mi humbën. Unë jetoj vetëm me vajzën me një pension dhe nuk kam lekë me vënë dhëmbë të rinj. Mjekët e infermieret duhet të jenë të përgjegjshëm për veprimet që bëjnë, sidomos me njerëzit fukarenj.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora