E enjte, 25.04.2024, 10:24 AM (GMT+1)

Faleminderit

Pushoi së rrahuri zemra e shkencëtarit të madh shqiptar Remzi BAKALLI

E marte, 18.12.2007, 06:38 PM


PËRKUJTIM

Fotografi e bërë më 28. korrik 2007 në Athens të USA. Akademik Remzi Bakalli (djathtas) me ish studentin dhe bashkëpunëtorin e tij Bajram Berisha (majtas)
Lajmi i hidhur që na erdhi sot nga Atlanta e SHBA-së na ngriu gjakun në deje dhe na tronditi thellë të gjithëve! Dje pasdreke pushoi së rrahuri zemra e njeriut të madh, shkencëtarit, dijetarit dhe atdhetarit të devotshëm REMZI BAKALLI.

REMZI BAKALLI u lind më 9 shkurt të vitit 1944 në Gjakovë. Shkollën fillore e ka mbaruar në Prizren, kurse shkollën e mesme në Kralevë (Serbi). Studimet e shkencave agrare i ka mbaruar në Universitetin e Beogradit në vitin 1967. Në vitin 1971 ka mbaruar studimet pasuniversitare (magjistraturën), ndërkaq më 1975 edhe disertacionin e doktoratës, në Universitetin e Zagrebit.

Karrierën e tij shkencore REMZI BAKALLI e ka filluar në vitin 1970, kur është pranuar bashkëpunëtor shkencor në lëmin e biokimisë dhe të ushqyerit, në Institutin e Blegtorisë dhe Veterinarisë në Prishtinë, atëherë ky institut i vetëm i këtij lloji në Kosovë.

Në vitin 1974 ka qëndruar për specializim në Universitetin e Floridës, ndërkaq në vitin 1987 në Universitetin e Georgia-s, në Athens të SHBA-së.

Në vitin 1976 është zgjedhur në pozitën e docentit në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1983 është zgjedhur profesor inordinar, ndërkaq në vitin 1988 e ka fituar titullin e profesorit ordinar. Në periudhën 1977-1979 ka qenë dekan i këtij Fakulteti.

Në vitin 1986, bazuar në të arriturat shkencore dhe arsimore, REMZI BAKALLI është zgjedhur anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërkaq në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i rregullt i kësaj Akademie.

Pas tërbimit të pushtetit serb në fund të viteve ‘90, dhe futjes së masave të dhunshme në Universitetin e Prishtinës, REMZI BAKALLI ishte ndër profesorët e parë që u përjashtua nga puna në Universitet. Nga trysnia e rëndë dhe e vazhdueshme që ushtronte pushteti i dhunshëm serb mbi të dhe familjen e tij, profesor Bakalli në vitin 1992 u detyra të largohej nga Kosova. Që atëherë (1992) profesor Bakalli ka jetuar, punuar dhe vepruar në Universitetin e Georgia-s (College of Agriculture and Environmental Science) në Athens të SHBA-së.

REMZI BAKALLI mbetet shkencëtari shqiptar i përmasave ndërkombëtare që la gjurmë të thella në shkencat biologjike, shkencat e të ushqyerit dhe në shkencat e mbrojtjes së mjedisit. Profesor Bakalli gjatë karrierës së tij shkencore ka botuar disa tekste universitare dhe mbi 400 punime, kumtesa dhe ligjërata shkencore në revista me renome botërore. Puna e tij e shkëlqyer shkencore nga lëmi i të ushqyerit dhe toksikologjia ushqimore mund të lexohet në faqet e revistave të njohura ndërkombëtare, siç janë: Poultry Science, Bulletin of Environmental Contamination and Toxicology, Veterinary and Human Toxicology, The British Journal of Nutrition, British Poultry Science etj.

Në fund të vitit të kaluar, patëm informuar për daljen nga shtypi (shtëpia botuese “Trafford”në SHBA) të tekstit universitar me titull: “Ushqimi dhe të ushqyerit e shpendëve” (Poultry Nutriton and Feeding), njëri nga autorët e të cilit ishte Profesori ynë. Mbetet edhe kjo njëra nga veprat me karakter ndërkombëtar që i bën nder dhe respekt edhe shkencës shqiptare.

Fotografi e bërë para shtëpisë së Akademik Remzi Bakallit në Athens të SHBA.Remzi Bakalli (djathtas) me Bajram Berishën (majtas)
Vitet e fundit, larg Kosovës, ishin vitet më të vështira për profesor Bakallin. Mirëpo, megjithëse larg Kosovës, gjatë tërë kësaj kohe ai asnjëherë nuk u nda nga ajo. Ishte gjithnjë në përkrahje të shkencëtarëve të rinj, të cilëve u mundësoi specializime dhe ju ndihmoje në përfundimin e tezave të doktoraturave në shtetet të ndryshme evropiane dhe në Amerikë.

Emri i Remzi Bakallit do të qëndrojë një kohë të gjatë në krye të listës së emrave të shënuar me shkronja të arta për kontributin e tij në ngritjen e kuadrit shkencor dhe pedagogjik në Universitetin e Prishtinës. Gjatë jetës së tij të shkurtër ai ngriti qindra ekspertë, shkencëtarë dhe profesorë universiteti, të cilët po bëjnë emër nëpër universitete dhe institucione të tjera shkencore në Kosovë, por edhe jashtë saj, në shtetet evropiane dhe në SHBA. Studentët e tij të suksesshëm ishin krenaria e tij e madhe!

Kontributi shkencor dhe arsimor i Akademik Remzi Bakallit nuk i bën nder vetëm kombit tonë, ky kontribut i bën nder shkencës, kulturës dhe humanizmit në tërësi. Shkëlqimi i personalitetit të tij do të mbetet si i një yll, i cili nuk do të shuhet asnjëherë. Që sot, një ditë pasi AI i mbylli sytë, shkenca, por edhe njerëzimi do të jenë më të varfra pa REMZI BAKALLIN.

Profesor Bakalli do të mbetet njeri i madh, i respektuar nga të gjithë, në saje të diturisë, ndjenjës prej pedagogu dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme organizative. REMZI BAKALLI për gjeneratat që po vijnë pas, do të ngelet një figurë titanike që tërë jetën e tij ia kushtoi shkencës, dhe hapjes se shtigjeve te reja te dijes. Shkencëtarët e rinj shqiptarë do të gjejnë te personaliteti i ndritur i PROFESORIT të madh, një pishtar që do t’u ndriçoje rrugën për të arritur në majat e shkencës dhe diturisë.

REMZI BAKALLI, me punën e tij të palodhshme e ka ngritur mendimin shkencor-filozofik shqiptar, pra edhe emrin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të Universitetit të Prishtinës, në piedestalin më të lartë të shkencës botërore, prandaj shpresoj se këto institucione, në këtë rast, do të gjejnë mënyrën më të mirë për ta nderuar njeriun e madh të shkencës që doli nga gjiri i tyre.

REMZI BAKALLI la pas të shoqen, Safijen, djemtë Fisnikun dhe Bujarin, të cilëve u shprehim, me këtë rast, dhimbjen tonë më të thellë.

***
Tek po shkruaja këto rreshta m’u kujtua takimi im i parë me PROFESORIN. Unë isha student i vitit të dytë në Universitetin e Prishtinës, ndërkaq AI ishte ndër profesorët më të famshëm të atij Universiteti. Kam 20 vite të shkëlqyera bashkëpunimi me profesor Bakallin! Në fillim si student, pastaj si asistent, dhe më vonë si bashkëpunëtor i tij. Takimi ynë i parë u zhvillua në Laboratorët e Universitetin e Prishtinës, sikur edhe takimi ynë i fundit i cili u zhvillua serish në Laborator, veçse kësaj këtë here në Universitetin e Geogia-s. REMZI BAKALLI, tërë jetën e tij e vuri në shërbim te shkencës!

Vizita që i bëra Profesor Bakallit në Athens, në fund të gushtit të këtij viti, ishte takimi im i fundit i cili përforcoi edhe njëherë admirimin tim për NJERIUN E MADH, REMZI BAKALLIN, MËSUESIN TIM!
      ***
Qoftë i përjetshëm kujtimi për REMZI BAKALLIN!

Në Munih, më 17. 12. 2007.

PD Dr. Bajram Berisha, Dr. Habil.
Universiteti Teknik i Munihut
Gjermani



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora