E enjte, 28.03.2024, 08:39 PM (GMT)

Kulturë

Gjon Keka: Ëndrra e Irinejt, si ëndrra e Sulltanit

E shtune, 09.10.2010, 08:00 PM


Ëndrra e Irinejt, si ëndrra e Sulltanit

 

Nga Gjon KEKA

 

Siç mësojmë nga historia, perandoria otomane me pushtimin e Ballkanit solli me vete edhe islamizimin e rajonit, këtë ideologji ajo e arriti duke kthyer me dhunë, në mënyrë barbare, shqiptarët në islam. Më pas ajo krijoi edhe vilajetet e Kosovës, si subjekte territoriale otomane, duke ushtruar kështu ndikimin e saj, ashtu që të mbajë nën ombrellën e saj, si ideologjike ashtu edhe politike, këto territore të kombit shqiptar. Këto gjëra sollën një ndryshim të madh për të keq në këtë rajon, e posaçërisht te kombi shqiptar, popullata shqiptare e krishtere ishte persekutuar në mënyrë barbare dhe gjenocidale, ndërsa një pjesë tjetër u kthyen me dhunë në islamizëm dhe iu nënshtruan kësaj ideologjie. Gjatë islamizimit të një pjese të kombit shqiptar nga perandoria otomane shumë kisha dhe vende me vlera kristiane u shkatërruan, ndërsa shumica mbi këto kisha u ndërtuan xhami dhe objekte të tjera të perandorisë otomane, duke bërë kështu trojet shqiptare me një imazh tërësisht islamik dhe me elemente orientale. Në këtë mënyrë ata mbollën farën e djallëzisë dhe të një ideologjie që më vonë do t’u kushtojë shtrenjtë shqiptarëve, sepse një element i tillë oriental i ideologjisë otomane ishte i huaj për Ballkan, e sidomos për shqiptarët që mbizotëronin në gadishullin ilirik, si për nga kultura e lartë ashtu edhe vlerat kombëtare e shpirtërore. Pothuajse gjatë gjithë kohës kur kjo perandori e errësirës mbajti nën sundim trojet shqiptare nuk la asnjë gjurmë të së vërtetës dhe historisë së kombit shqiptar, me zhdukjen e gjurmëve dhe identitetit të vërtetë të kombit shqiptar ajo dëshironte të bënte këto roje si pjesë vijës së saj ideologjike dhe ëndrrave të saj të ardhshme otomane.

 

Duhet cekur këtu se ata që nuk iu nënshtruan kësaj ideologjie përjetuan tmerrin më të madh gjatë asaj kohe, shumica e tyre u masakruan, u dhunuan tmerrshëm dhe u detyruan të ngarkohen rëndë, si në taksa ashtu edhe në të gjitha sferat e jetës brenda sistemit të errët të kësaj perandorie që sundonte në atë kohë në trojet shqiptare. Kjo perandori rrënoi të gjitha dhe përdhosi gjithçka të shenjët tek kombi shqiptar, po ashtu dëmtoi rëndë edhe gjenin e familjes shqiptare, duke vrarë gra e fëmijë, skllavëruar, përdhunuar gra si dhe duke i detyruar grat që t’i shërbenin sulltanëve dhe bejlerëve të asaj kohe. Paramendoni vetëm në kohën pas vdekjes së atletit të krishterimit dhe njërit ndër figurat më të fuqishme të kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti, pushtuesit otomanë hapën varrin e Gjergjit në Kishën e Shën Nikollës në Lezhë dhe varën në qafë kockat e tij. Kjo tregon qartë se kjo perandori e errët jo vetëm që ishte shkatërruese, por edhe përdhosëse e egër.

 

Pas pushtimit otoman kombi shqiptar ra nën ndikimin e perandorisë së errët sllave (serbe), e cila siç tregon historia ishin ardhacak të ardhur në shekullin XVI, këta ardhacakë krijuan disa principata të errëta dhe ndërtuan iluzionet e tyre. Perandoria e errët serbe i ngjante shumë asaj otomane, ajo shpikte dhe mundohej që mbi iluzione dhe gënjeshtra të ndërtonte historinë e saj. Ajo këtë e bënte si në rrafshin kulturor, ashtu edhe nacional duke i përmbytur të gjitha vendet e kulturës kombëtarë shqiptare dhe mbi këto duke ndërtuar “heroizmin” e saj të rremë, ndërsa mbi themelet e kishave të krishtere shqiptare ndërtonte kishat ortodokse, ashtu që në të ardhmen, të shfaqte lakminë për të krijuar skrofullën e ëndrrave të saj ideologjike e politike. Këto ajo i bënte nëpërmes ideologëve të saj të errët, si Stefan Nemanja (strofulla e nemanjave), pastaj princave të saj të shpikur, të cilët mbollën “farën e dhunës” dhe të spastrimit etnik të trojeve shqiptare. Mbjellja e kësaj fare ideologjike në zemër të trojeve shqiptare (përkatësisht në Dardani më vonë u quajt Kosovë) ishte një ndër tragjeditë e radhës për kombin shqiptar pas pushtimit pesëqind e ca vjeçar otoman, kjo farë e dhunës më vonë do të shtrinte të keqen në tërë pjesët e vendit. Këtë farë ideologjike të dhunës dhe këto ëndrra ajo i rrënjosi në Kosovë duke i bërë gjoja djep të jetës së saj politike, fetare, në këtë mënyrë ajo mbolli farën e dhunës, duke e bërë Kosovën si qendër të sundimit të saj politik dhe ideologjik edhe në të ardhmen, duke mos hequr asnjëherë dorë nga ëndrrat dhe iluzionet e saj edhe në shekujt në vijim. Me anë të kësaj ajo gjatë sundimit në Kosovë krijoi lagje të sundimtarëve të shpikur dhe kurorëzoi ëndrrat e saj me lavdin e rrejshme të heroizmit të paqenë, duke mbjellë farën dhe ideologjinë, ashtu që më vonë të thirrej gjatë historisë, sipas qejfeve të saj. Sundimi sllav (serb) ishte barbar i egër, djallëzisht dinak dhe despotik. Kosova gjatë këtij sundim përjetoi shumë gjëra të tmerrshme që nga dhuna e egër dhe e vazhdueshme e deri të spastrimit total. Po ashtu ky sundim i egër dhe despotik serb masakroi dhe bëri gjenocid në këto troje shqiptare dhe përdhosi e rrënoi të gjitha elementet kombëtare, kulturore, shpirtërore të Kosovës.

 

Ky sundim barbar dhe këto ëndrra mesjetare vdiqën së bashku me shpërbërjen e Jugosllavisë, pastaj me përfundimin e luftës së Kosovës në vitin 1999, si dhe me deklarimin e Kosovës shtet më 17 shkurt 2008. Ndërsa, inaugurimi i patrikut serb Irinej ishte një vazhdimësi e doktrinës dhe ideologjisë serbe që duke ditur se ëndrrat e saj tanimë kanë vdekur dhe realiteti po troket çdo ditë në derë të ndërgjegjes dhe arsyes, ajo akoma mundohet të nxjerrë helmin nga farërat e dhunës dhe gënjeshtrave historike të saj. Vetë fjalori në këtë inaugurim tregon qartë se si Serbia nuk ka prekur realitetin dhe nuk dëshiron ta njohë të vërtetën historike të shqiptarëve, duke ditur se çdo kishë ortodokse është ndërtuar mbi themelet e kishave shqiptare. Patriku Irinej dhe ëndrrat e tij të cilat i ka trashëguar nga paraardhësit e tij nuk do të realizohen, ato tani kanë vdekur dhe është koha që Irinej në vend të fjalëve me flluska iluzionesh dhe farëra dhune t’i kërkojë falje popullit shqiptar për gjenocidin dhe tmerret e bëra nga politika dhe ideologjia serbe, si dhe të pranojë realitetin e ri në të cilin do të jetojë edhe ai si qytetar i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Por, nga e gjithë kjo mund të thuhet se patriku Irinej i ka ëndrrat e njëjta si ëndrrat e Sulltanit, të cilat kurrë dhe në asnjë kohë nuk do të realizohen. Nga e gjithë kjo mund të themi se asnjë pushtues nuk ka asnjë të shenjtë në vetvete e as që ka lënë ndonjë të mirë te popujt e pushtuar, por mund të themi se vetëm sa i kanë rrënuar gjurmët e së vërtetës së historisë së kombeve dhe mbi këto kanë ndërtuar iluzionet e tyre dhe marrëzitë. Koha dhe e vërteta do ta bëjnë të qartë se edhe kjo maskë e historisë do të bie dhe e vërteta e kombeve autoktone me identitet e civilizim evropian do të ndriçojë fuqishëm. Mendoj se kombi shqiptar në përgjithësi duhet ta ketë një të ardhme të lumtur dhe në paqe me veten dhe me të tjerët, por këtë ai mund ta arrijë vetëm duke hequr qafe sindromën bizantine dhe vesin otoman, si dhe duke u mbështetur fuqishëm në rrënjët e së vërtetës së tij në histori.



(Vota: 19 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora