E enjte, 28.03.2024, 08:06 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Protestat për shaminë - radikalizim ideologjik

E shtune, 09.10.2010, 06:58 PM


 

Sërish shamitë

 

Disa organizata joqeveritare me orientim islam sërish kërkojnë lejimin e bartjes së shamisë nëpër shkolla. 30 prej tyre kanë paralajmëruar protestë. Por, kësaj here, ato kundërshtohen nga Bashkësia Islame. Myftiu Naim Tërnava fton besimtarët të mos i bashkohen protestës për shamitë

 

Nga Nexhmije Ahmeti, Express

 

Protestat për legalizim të shamive në shkollat publike nisin prapë. Kësaj radhe jo para komunës së Prishtinës e as para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit.

 

Kjo protestë do të mbahet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Disa organizata joqeveritare me orientim islam kanë zgjedhur ditën e xhuma që të protestojnë sërish kundër ndalesës së bartjes së shamisë në shkollat publike. Pas faljes së namazit të drekës, në orën 14 00, protestuesit do të mblidhen që të protestojnë kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit, e cila me një udhëzim administrativ e ka ndaluar bartjen e shamisë në këto shkolla. “Bashkohu me ne!” është thirrja që Këshilli Organizativ, siç thuhet i 30 organizatave joqeveritare, do të protestojnë kundër vendimit të MASHT-it.

 

Këto organizata kanë shpërndarë ftesa edhe nëpër xhami dhe nëpër vende publike, duke u bërë thirrje njerëzve t’i përgjigjen masivisht protestës. “Me këtë do ta mbrojmë të drejtën e edukimit dhe lirisë së besimit ”, thuhet në një komunikatë për media, nënshkruar nga Këshilli Organizativ. Por kësaj here, këto organizata, nuk e kanë mbështetjen e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

 

Myftiu Naim Tërnava tha të enjten se Bashkësia Islame e Kosovës nuk qëndron prapa këtyre protestave. Tërnava ftoi të gjithë besimtarët myslimanë të mos bien pre e këtyre organizatave joqeveritare me karakter fetar. “Shfrytëzoj rastin që të ftoj besimtarët e besimit islam dhe ata i garantoj se të gjitha problemet do të zgjidhen nëpërmjet institucioneve të Kosovës. I ftoj ata që të mos bien pre e disa shoqatave joqeveritare, të cilat kanë marrë edhe rolin që nuk u takon. Të kenë bindjen se Bashkësia Islame, në krye me myftiun e Republikës, do t'i zgjidhë këto probleme në bashkëpunim me institucionet e vendit", tha Tërnava pas takimit me ushtruesin e presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqin.

 

Myftiu i Kosovës tha se kjo çështje tashmë është ngritur nga Bashkësia Islame nëpërmes Avokatit të Popullit dhe është në duart e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendosë në lidhje me lejimin e përdorimit të shamisë nëpër institucione publike. Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë ka nxjerrë një udhëzim administrativ me anë të së cilit ndalohet uniforma fetare nëpër shkolla. Këtë udhëzim Këshilli Organizativ i protestave kundër vendimit për ndalesën e shamisë, vendimin e MASHT-it e konsideron të jashtëligjshëm. Ky vendim, sipas këtij Këshilli, mund ta prishë tolerancën ndërfetare te shqiptarët. “Vendimi për ndalimin e bartjes së shamisë për besimtaret myslimane është i jashtëligjshëm si me Konventën Universale të të Drejtave të Njeriut (neni 18), ashtu edhe me Kushtetutën e Kosovës (neni 38).

 

Për më tepër një vendim i tillë prish tolerancën ndërfetare të shqiptarëve që ekziston për shekuj me radhë”, thuhet në komunikatën për media të këtij këshilli. Vendimi i MASHT-it ka rezultuar me përjashtimin e disa nxënësve nga shkollat, si në Gjakovë, Deçan, Gjilan, Mitrovicë, etj. Një protestë e ngjashme është mbajtur në muajin qershor në Prishtinë, ku është kërkuar anulimi i udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit. Por, që nga ajo kohë, sipas Këshillit Organizativ të protestave, kërkesat jo që nuk janë marrë parasysh, por ato janë intensifikuar me përjashtimin e nxënësve që kanë bartur shami nëpër shkolla.

 

Kërkesat e protestuesve

 

Të hiqet ndalesa për bartjen e shamive në shkollat publike;

 

Largimi i paragrafit 13 të Udhëzimit Administrativ nga MASHT “Kodi i mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta Nr. 6/2010?, si paragraf tërësisht diskriminues dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut;

 

Garantimin e lirisë së bartjes së shamisë për besimtaret e besimit islam, Ndërmarrjen e masave të menjëhershme kundër atyre që vihen mbi Kushtetutën dhe kryejnë diskriminim në baza fetare sipas bindjeve dhe preferencave personale;

 

Garantimin e zbatimit të të gjitha obligimeve tjera fetare sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, të cilësdo fe të pranuar institucionalisht dhe që praktikohet në Kosovë.

 

_________

 

Kosovë, protestë kundër ndalimit të mbajtjes së shamisë në shkolla

 

Disa qindra veta morën pjesë në një protestë në Prishtinë me kërkesën që të mos pengohet bartja e shamive dhe mbulesave islame nëpër shkollat e Kosovës. Protestuesit e cilësuan të padrejtë udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me të cilin ndalohet bartja e uniformave fetare në institucionet arsimore. Ministria e arsimit ka vlerësuar se vendimi është në pajtim më Kushtetutën e vendit e cila e përcakton Kosovën si shtet laik dhe të paanshëm në çështje të besimeve fetare.

 

Oratorët e protestës thanë se vendimet e tilla janë të jashtëligjshme dhe në kundërshtim me Konventën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës.

"Nga ky moment u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që ta kenë parasysh dhe ta kuptojnë drejt laicizmin, ngase laicizmi nuk i jep askujt të drejtë askujt për të përjashtuar nga shkolla nxënësit. Ju bëjmë thirrje që ta interpretojnë dhe ta kuptojnë drejt laicizmin, ashtu qysh e kuptojnë dhe interpretojnë vendet e Unionit Evropian, në të cilat vende në shkollat publike të tyre, lirshëm e vijojnë mësimin motrat myslimane me shamia", tha kryetari i Këshillit Organizativ të Protestës, Bujar Gjikokaj.

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava tha një ditë më parë se Bashkësia Islame e Kosovës nuk qëndron prapa këtyre protestave. Ai tha se të gjitha problemet do të zgjidhen nëpërmjet institucioneve të Kosovës. Ai tha se "zëri që duhet dëgjuar është ai i Bashkësisë Islame, e cila dëshiron dhe kërkon që vërtetë ne të plotësojmë standardet, të cilat janë veç në Evropë dhe që kanë të bëjnë edhe me fenë. Qeveria është gati që të punojë bazuar në këto standarde. Ju e dini të gjithë se edhe për çështjen e mbulesës ne kemi bërë kërkesën tonë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet Avokatit të Popullit, ngase neve nuk na lejon Kushtetuta e vendit që të bëjmë direkt këtë kërkesë dhe ne presim përgjigje nga institucioni më i lartë, pra nga Gjykata Kushtetuese. Besoj se në një interval kohor shumë të shkurtër, do të jetë përgjigja", tha ai.

Myftiu Tërnava u ka bërë thirrje qytetarëve që siç thekson ai të mos bien pre e disa shoqatave joqeveritare, të cilat kanë marrë edhe rolin që nuk u takon.

Protesta e sotme ishte organizuar nga një grup organizatash joqeveritare, të cilat ndalimin e bartjes së shamisë në shkolla e cilësojnë shkelje të drejtave të njeriut. Protestuesit thanë se vendimi i tillë dëmton tolerancën ndërfetare të shqiptarëve që ekziston për shekuj me radhë. Përfaqësuesit e tyre i dorëzuan zyrës së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi kërkesat e tyre duke shpallur një afat prej 30 ditësh për plotësimin e tyre.

Protesta e cila kaloi e qetë, nuk është komentuar nga autoritetet e vendit.

 

VOA News

 

___________

 

Protestat për shaminë - radikalizim ideologjik

 

Nga Edona Peci

 

Ekspertët e fushave shoqërore shprehin bindjen se radikalizmi i çfarëdo lloj ideologjie mund të shkaktojë kundërefekte në shoqërinë kosovare.

 

Mungesa e një mirëqenieje sociale në Kosovë shfrytëzohet nga grupe të ndryshme për radikalizmin e ideologjive - përfshirë ato fetare, thonë njohësit e çështjeve sociale në Kosovë.

 

Kërkesat në rritje të një pjese të qytetarëve të Kosovës për lejimin e mbajtjes së simboleve fetare nëpër institucione publike, sipas sociologëve, bien ndesh me normat e përgjithshme shoqërore në Kosovë.

 

Ata vlerësojnë se radikalizmi i çfarëdolloj ideologjie mund të shkaktojë kundërefekte në shoqërinë kosovare, duke krijuar konflikte në mes të përkrahësve dhe kundërshtuesve të ideve të tilla.

 

Shefi i Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Shemsi Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet kosovare duhet t’u përgjigjen këtyre kërkesave me maturi dhe në kuadër të ligjeve dhe rregullave të pranuara publikisht.

 

“Zakonisht, këto lëvizje fetare, e këto radikalizime me bazë ideologjike e shfrytëzojnë pakënaqësinë sociale. Unë mendoj se duhet të reagohet me njëfarë maturie, me një kujdes të vazhdueshëm, me njëfarë parandalimi të këtyre kërkesave radikale ose ekstreme dhe duhet të respektohet Ligji dhe rregullat, të cilat janë të pranuara publikisht”, vlerëson Shemsi Krasniqi.

 

Përmes një proteste, përfaqësues të disa organizatave joqeveritare kërkuan të premten lejimin e bartjes së shamive nëpër shkolla publike në Kosovë - gjë që është ndaluar kohë më parë përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Arsimit.

 

Antropologia Nita Luci i quan legjitime protestat e kosovarëve për të drejtat e njeriut, por thekson se realizimi i kërkesës për mbajtjen e shamive nëpër shkolla, do të ishte një lloj sundimi ndaj fëmijëve.

 

“Unë mendoj se bartja e shamisë në një moshë shumë të hershme tregon edhe një lloj sundimi. Një fëmijë i shkollës fillore asnjëherë nuk mund të jetë i gatshëm që të tregojë për veten se a mund të mbajë apo jo, sepse nuk është në gjendje që të perceptojë se cilat janë rregullat e religjionit”, thotë Nita Luci për Radion Evropa e Lirë.

 

Sipas Nita Lucit, mekanizmat shtetërorë dhe vetë qytetarët e Kosovës duhet të kenë kujdes të mos bien pre e, siç i quajti ajo, betejave të interesit të grupeve të ndryshme politike e ekonomike.

 

“Këtu kemi të bëjmë me lojëra të ndryshme të sistemeve politike e ekonomike, e ku njerëzit gjenden në mes të disa betejave që janë shumë të rrezikshme. Këtu prapë vjen tek ajo se sa kemi ne fuqi, sa kemi ne mundësi që të vendosim për veten. Mendoj se Kosova është shtet sekular që duhet të mbetet ashtu”, thekson antropologia Nita Luci.

 

Ndërkaq, Shemsi Krasniqi nuk përjashton mundësinë që këto kërkesa, siç i quan ai, radikale, të dëmtojnë edhe imazhin e Kosovës si vend sekular.

 

“Patjetër që ka forca të ndryshme të bazave të ndryshme, edhe fetare, politike e ideologjike të llojllojshme, të cilat mundohen të denigrojnë dhe të ulin imazhin e Kosovës, e të popullit shqiptar në përgjithësi”, shprehet Shemsi Krasniqi.

 

Bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit, përgjatë muajve të kaluar, në Gjakovë, Deçan, Gjilan, Mitrovicë dhe të tjera nga shkolla janë përjashtuar disa nxënës.

 

Lidhur me këtë çështje, Qeveria e Kosovës insiston në respektimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila, siç thuhet, e përcakton Kosovën si shtet jofetar, ndërsa protestuesit thonë se vendimi i ekzekutivit të vendit bie ndesh me të drejtat e njeriut.

 

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të japë fjalën e fundit për këtë çështje.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora