Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Fatos Baxhaku: “Viza” të tjera për t’u hequr

| E shtune, 09.10.2010, 04:39 PM |


“Viza” të tjera për t’u hequr

 

Nga Fatos Baxhaku

 

Më në fund, pas lëmshit të ngatërruar të inateve, sherreve, sharjeve, hajdutllëqeve, kthyerjeve të befta të kurrizit, frikës nga një tjetër përmbytjeje të madhe në Veri, vjen një lajm i mirë: shqiptarët mund të shkojnë pa viza në vendet Shengen. Vizat u shporrën. Lamtumirë radhë të gjata nën diell e shi, në të ftohtë apo në ferrin e vapës! Lamtumirë shikime të dyshimta pas sporteleve! Lamtumirë aritmi që rreh nën ritmin: Do ma japin, s’do ma japin! Tash e mbrapa e ndjejmë veten disi më dinjitozë. Nuk jemi ende europianë në kuptimin administrativ të fjalës, por ama jemi afruar mjaft. Dje ka qenë dita kur, mbase pas shumë dekadash janë gëzuar njësoj të gjithë shqiptarët, të majtë qofshin, apo të djathtë, nga Veriu, apo nga Jugu, opozita dhe opozita. Termi “gëzim” është një fjalë që dje ishte plotësisht e justifikueshme, mirëpo disa i zuri një tjetër koncept. Ky është ngazëllimi, me të cilin zakonisht kuptohet një gëzim i tepruar, i cili sikur e zbeh edhe vetë ngjarjen e gëzueshme. E thënë me një fjalë, ngazëllimi është ajo fazë kur një njeri, apo një grup njerëzish, sillen deri diku si të dehur duke e tejkaluar atë për të cilën duhet të gëzojnë realisht. Për të qenë më të qartë, një rast tipik i ngazëllimit është dasma shqiptare. Në pikën kulmore të saj, si ka kaluar pra gëzimi, vjen ngazëllimi. Krushq, dasmorë, miq, të njohur e të panjohur ngazëllehen tashmë pa e ditur as vetë pse. Ngazëllimi zakonisht është i dëmshëm, sepse e shkëput njeriun nga realitetit. Prej tij, pikërisht prej tij duhet të mbrohemi pas ditës së djeshme, një ditë vërtet për t’u mbajtur mend gjatë. Në fakt tani duhet të gëzohemi dhe jo të ngazëllehemi. Është kështu sepse na kanë mbetur plot e plot “viza pa hequr”.

E dyta “vizë” që duhet të heqim është varfëria. Imagjinoni pak se sa prindër, vëllezër e motra do të kërkojnë të takojnë të dashurit e tyre, duke tundur një pasaportë biometrike në dorë dhe duke tundur kokën nga pafuqia që të shkakton mungesa e parave. Madje, tani të varfrit do ta ndjejnë veten edhe më keq, sepse deri dje e kishin një justifikim, një gjetje fort goditur të tipit: Të keqen nëna, më ka marrë malli shumë. Do vija se s’bën, por e kam të vështirë të marrë vizë. Kjo gjetje gjeniale e varfërisë, justifikimi i mospërmbushjes së dëshirës më të madhe në jetë, tani nuk ka më përse të ekzistojë. Do ketë edhe nga ata që do të trishtohen pikërisht për këtë.

“Viza” e tretë, e cila duhet hequr është rikthimi i Shqipërisë nga një vend i mungesës së shpresës, besimit, në “atdheun e shpresës”. Për dy dekada me radhë shqiptarët shpresuan se do jetonin më mirë. Disa e arritën këtë me punë të mundimshme jashtë vendit, disa të tjerë duke luajtur me jetën dhe me ligjin, të tjerë, që më sa duket kanë nisur të shtohen, me korrupsion (termi më i moderuar për të thënë hajdutllëk). Ajo çka ndodhi dje ishte një sinjal vërtet i mirë për të rikthyer shpresën tek ata që me sytë nga qielli vazhdonin të thoshin për jetën e tyre: Do ndodhë si të ketë bërë ymër Allahu! Një lloj pasiviteti, të kënaquri me pak, e shoqëruar kjo me një trishtim të thellë, kjo është ende Shqipëria e vërtetë, jo ajo me të cilën jemi mësuar ne, Tirana, apo qytetet e tjera të mëdha, por ajo që gjallon ndër periferi të ngatërruara apo ndër gërxhe që zhvillimin e shikojnë nga larg njëlloj sikurse shikojnë horizontin.

“Viza” e katërt është urrejtja. Zakonisht ajo gjenerohet nga sytë e inatosur të politikës dhe nga sharjet shumë herë pa edukatë të njerëzve të saj, pastaj vjen problemi tashmë legjendar dhe ende i pazgjidhur i pronave. Nuk do t’ia shohim “hairin” lirisë së lëvizjes sa kohë do të mbartim mbi vete këtë gjënë e ligë: urrejtjen. Ajo ka aftësi të jashtëzakonshme, fshihet në mes të pasaportës biometrike, në numrat e celularit, te bileta e tragetit, gati-gati kudo, në çanta, në xhepat tanë.

Që në 1934-n e largët, Krist Maloki, një intelektual brilant, shkruante që nga Austria: “…Karakteristika kryesore e krizës sonë, shqiptare, asht nji fakt psikologjik. Na mungon besimi! Fati i pashpirt i sa e sa shekujve robnije dhe pasigurie na ka ba pesimista deri në palcë: nuk i besojmë as shokut, as tregtarit, as zyrtarit, as qeverive, as shtetit… madje as vëllaut tonë dhe bile-bile as Zotit e as vehtes… Tutemi, rrudhemi e shtrydhemi nder punët tona si kaçamidhi në lëvozhgën e vet… Jemi ba nomadë, për mos me thanë: monomana, e ravgojmë nëpër këtë botë në nji vetmi shpirtënore të zhbraztë, secili në llogari të vet, secili n’interes të vet e vetëm sa me mujt me shkye, sa me rrëmbye nji copë varfanjake nga kjo jetë e shkretë materiale…”.

Për fat të keq, këto fjalë të hedhura anë letër 86 vjet më parë, tingëllojnë aktuale, madje duket sikur dikush t’i ketë shkruar sot. Dje vërtet arritëm një sukses të madh, por nëse do të vazhdojë kështu, nëse do të ngazëllehemi dhe nuk do të gëzojmë në mënyrë të përmbajtur e dinjitoze, duke parë nga ato që na presin e jo nga “arritjet”, atëherë do të jemi gjithnjë po ata, gjithnjë po ata që të gjitha gjërat e mëdha në këtë jetë i kanë bërë përherë me vonesë.

 

Gazeta SHQIP