Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Repishti: Zbrazëtia shqiptare më ngjall frikë!

| E enjte, 07.10.2010, 09:00 PM |


Zbrazëtia shqiptare më ngjall frikë!

 

Nga SAMI REPISHTI

 

Francezet kanë nji thanie:"On ne construit pas sur le vide!" (Nuk ndërtohet mbi zbrazëti). Kjo thanie  më vjen në mend sa herë që gjendja e Shqipërisë më imponohet me të gjithë peshën e saj të randë, herë tragjike herë komike...

Gjatë viteve të rinisë, fati e deshi që vendi im të kalojë nëpër shtigje të ngushta, e rreziqe të pameritueme. Breznia ime, "breznia e djegun" nga ngjarjet e vendit, Ballkanit, Europës dhe Botës mbarë, pagoi nji çmim sa të randë aq të padrejtë.  Megjithatë, ajo e përballoi me nji dinjitet që na nderon. Sot, nuk ashtë sekret për asnjeri se "breznia e djegun" rritej e ushqyeme me disa vlera morale e shpirtnore, të rranjosuna në të kaluemen e popullit tonë: besë, nder, burrni, mikpritje, respekt për prindërit dhe të kaluemen e tjera, nji sistem vlerash që në konditat e asaj kohe përfaqësohej nga Kanuni. Këtyne vlerave iu shtuen edhe vlerat e qytetnimit perëndimor, të fitueme nga arsimimi dhe kontaktet e shpeshtueme me atë botë. Ky sistem i nji shoqënie patriarkale, sot e tejkalueme, përmbante edhe patriotizëm që shprehej sidomos në dëshirën e paepun për liri individuale si qytetar, e kolektive si komb shqiptar, si dhe nji lidhje, nji përqafim të pazgjidhshëm me vendlindjen. Qoftë ajo prona private e bujkut që e ushqente, qoftë fisi e atdheu ma i gjanë që e mbronte.

Qytetar i lirë në nji pronë private të lirë ka qenë substanca e shoqënisë shqiptare para L2B. Me mbrojtë atdheun kuptohej me mbrojtë lirinë që lejonte nji jetë pa frikë ("I lirë nga frika") dhe tokën që e ushqente, pronën private që lavrohej dhe dashunohej me gjithë shpirt, ose tregtinë e lirë në qytet ("I lirë nga uria") Me gjithë vështirësitë që përballeshin, kjo liri e kjo pronë private përmbajshin arsyen themelore për sakrificë, e justifikojshin atë. Shprehja e këtij dyzimi fatlum ka qenë patriotizmi i thjeshtë shqiptar.

Ky patriotizëm i thjeshtë frymëzoi breznitë tona të para. Përpjekjet heroike të individëve të dalluem, - që na i numrojshim që nga mbretnit ilirë - dhe konfliktet me shtypës - shpeshherë fqinj - forcojshin tek ne, të rinjtë, frymën patriotike që kuptohej si tradita shqiptare për liri dhe kambëngulja me jetue i pavarun në trojet tona stërgjyshore. Ideja e krijimit të mini-perandorive nuk ka ekzistue tek shqiptarët, historia e të cilëve ashtë historia e nji tkurrje në hapsinë.Në prill 1939, rrebeshi që shkatërroi Europën filloi me invazionin fashist të vendit tonë. Balanca relative e gëzueme për disa dekada mbas pavarësisë së 28 nandorit 1912, u prish dhe nuk u rivendos në atë vend që tashmë ziente nga konflikti i paevitueshëm me "të tashmen", e që nuk zinte rranjë, sepse ishte "element i huej' në trupin shqiptar.

Rezultati i këtij konflikti ka qenë rezistenca kundër të huejit në tokat tona. Mbas hutimit fillestar, filloi ndërgjegjësimi, mobilizimi, organizimi dhe veprimtaria e dendun kundër të huejit. Sot, ka mjaft forca e ideologji që përpiqen me përvetësue rezistencën dhe shpirtin e sakrificës, që u tregue gjate viteve të pushtimit nazifashist, 1939-1944. Por thelbi i rezistencës kundër të huejit ka qenë tradita shqiptare për liri dhe mbrojtje të tokës nanë - si pronë private dhe si atdhe - qoftë edhe me çmimin e jetës. Ata që kanë jetue ato vite ashtu si unë - rikujtojnë me nostalgji frymën e naltë të sakrificës që ushqeu popullin tonë, e veçanërisht rininë shqiptare. Që nga malet e Kelmendit në Veri, deri në fushat e Konispolit në Jug të vendit, çdo fshat e çdo qytet tregoi vlerën që kishte tek ne liria: të rij e të vjetër, kësaj radhe edhe gruaja, nji risi për shoqëninë tonë shqiptare, u hodhën pa rezerva në nji dyluftim të pabarabartë, të bindun në fitoren përfundimtare. Koha tregoi se kauza e tyne ishte fisnike, lufta e tyne e drejtë dhe fitorja e meritueme!

Krahas këtij qëndrimi luftarak, në Shqipëri u shfaqën edhe dukuni të tjera fisnike e humanitare. Kur popullsia e zonës kufitare me Greqinë u shpërngul nga lufta e vitit 1940, ajo u strehue në Veri, kryesisht në Shkodër, shumica minoritare greke dhe çame shqiptare. Qëndrimi i qytetarëve shkodranë ka qenë forma konkrete e burrnisë tradicionale dhe e mikpritjes: Familjet e vendosuna në shkolla e qendra banimi u ndihmuen bujarisht nga qytetarët vendës që përpiqeshin me lehtësue vuejtjet e tyne.Në prill 1941, me kapitullimin e Jugosllavisë monarkiste, kamionë me oficerë e ushtarë jugosllavë të zanun robër luftë kaluen nëpër rrugët e qytetit të Shkodrës. Robërit ishin të lodhun e të uritun. Spontanisht, shumë qytetarë dhuruen bukë, kutia konservash dhe çdo ushqim që gjetën. Pa folë gjuhën, robër e bamirës gjetën në heshtje gjuhën e përbashkët të solidaritetit njerëzor, frymë e mikpritjes tradicionale shqiptare. Në sytë e të dyja palëve shihej qartë shprehja e falënderimit nga robërit, e te kënaqësisë nga dhuruesit.

Në vitin 1943, me kapitullimin e Italisë, qindra, mijëra ushtarë italianë mbetën pa bukë, pa strehim e pambrojtje nga nazistët dhe në mëshirën e popullsisë civile shqiptare - dhe e gjetën atë. Kudo shiheshin ushtarët italianë - deri atë ditë pushtues - e që tashti punojshin për bukën e gojës në shtëpitë shqiptare që i strehojshin. (Fatkeqësisht, disa u vranë nga elementë komunistë). Prej vitit 1939 dhe deri në vitin 1945, Shqipëria, vendi ma i vorfën dhe ma i mbrapambetun në Europë, tregoi fisnikërinë e shpirtit njerëzor, tue mbrojtë në kondita të vështira, jetën e të gjithë refugjatëve izraelitë, që i shpëtuen furisë së çmendun naziste. Tradita kombëtare shqiptare, që nuk njihte fjalën "i huej", por "mik" për shtegtarët e humbun e në nevojë ndihme, tregoi epërsinë e saj mbi "Europën e qytetnueme" dhe "Gjermaninë e kulturueme".

Në vitin 1991, kur pushteti komunist u shthur pa shpëtim, ish-të persekutuemit demokratë e të shpronësuemit me dhunë nuk përqafuen urrejtjen e ngritun në shkencë nga komunistët, por faljen e fajit dhe frymën e pajtimit, tue shpresue në drejtësinë ligjore - që i zhgënjeu randë! Ky akt fisnikërie supreme do të provonte përsëri forcën e traditës shqiptare të trashëgueme nga e kaluemja e jonë dhe që nuk ishte shue plotësisht.

* * *

Me ardhjen e regjimit komunist në Shqipëri, nandor 1944, diçka themelore, boshti i trashëgimisë shqiptare, tradita e jonë kombëtare, u thye në mënyrë të pariparueshme!

Shpesh kam përshtypjen se gjatë atyne ditëve nji epokë e re filloi në vendin tonë - epoka e anti-traditës kombëtare shqiptare, - epoka që jo vetëm e përbuzi atë, por ngulmoi me eliminue nevojën dhe me zhdukë sensitivitetin popullor për atë, e punoi sistematikisht me e vra. Ato ditë u pa qartë ndryshimi i madh që erdhi në vendin tonë dhe në marrëdhaniet e mia me botën shqiptare që njihsha që në vitet e para të rinisë shkollore. Pak nga pak, kuptova se ishe "i merguem" në vendin tim… e ma vonë i urryem!

Por "në mërgim" shpeshherë individi "..ia del me sukses me transformue përbuzjen në nji hov çlirimtar, drejt nji vendi tjetër, në nji tjetër shoqëni, për definicion e panjohur, por e hapun për çdo lloj mundësie" shkruen novelistja çeke, Vera Lumbardova. Ky fenomen u vërtetue nga "të mërguemit" shqiptarë, që ikën nga skëterra e kuqe. Por për shqiptarët "rebelë" që mbetën në vend nuk kishte "nji vend tjetër". Ata ishin të dënuem me lëngue e vdek në burgun e madh që bota njohu si "Shqipëri". Tibor Fischer shkruente:" …Shqipëria ka qenë, në kuptimin e plotë të fjalës, nji bunker dhe nji bunker shumë i padëshirueshëm".

Në Shqipërinë komuniste u pushkatue ai që nderoi mikpritjen, u burgos dhe u vra ai që ruajti nderin ma shumë se jetën, u torturue egërsisht ai dhe ajo që burrënisht nuk pranuen me shpifë për shokun ose të panjohunin; u internue shqiptari që mbajti besën e dhanun, ose bashkëshorti - grueja sidomos- që nuk tradhtoi burrin, e u kalb në burgjet e errëta besimtari që nuk akuzoi klerikun e pafaj. Në Shqipërinë komuniste u internue në kampe të dëbimit familjari vetëm me u ba shembull frike për të tjerët, e jetoi në vuajtje të përhershme për afër 45 vjet me radhe, ku lindi fëmijtë e fëmijtë e fëmijve të tij, sepse gjyshi nji  shekull ma parë kishte qenë nji personalitet politik shqiptar. Në Shqipërinë komuniste u asgjasuen ata që kundërshtuen "okupacionin" jugosllav, servilizmin sovjetik dhe lidhjet jo-natyrale me Kinën e Mao-s. Patriotizmi u gozhdue nga vala "internacionaliste" e nji grupi fanatikësh, injorantë e të tërbuem, që nuk njohën as ligj, as traditë…! Shqipëria komuniste doli jashtë historisë. Rezultati i shtypjes dhe urisë (edhe lopa e qumështit për fëmijët iu hoq fshatarit) ka qenë rritja e nji rinie të frikësueme nga kamxhiku i qeverisë dhe i urisë! "Me mbijetue" u ba fillimi e mbarimi i mendimit dhe veprimit të secilit - me përjashtim të "elitës" që gëzonte privilegjet e "bllokut të kuq".

Sistemi komunist dështoi, e bashke me të edhe shoqënia shqiptare tashmë e zhveshun nga vlerat ma elementare të nji bashkësie të qytetnueme. Pa qytetnim e pa traditë kombëtare, komunistët shqiptarë lundrojshin në zbrazëtinë frikësuese që kishin krijue me duert e tyne. Atëherë, të çmendun nga vuejtja gjysmëshekullore, të mashtruem, si zakonisht, nga nji klasë politike që nuk gëzonte as kapital moral as eksperiencë politike përveç indoktrinimit çmendës të propagandës komuniste, nji popull i tanë u gjet "në mes të udhës", pa udhëheqës dhe thellësisht i dehun nga fryma e lirisë së papritun.

Kaosi politik ishte përgjigja ma racionale për kaosin moral. Qartas, duhej fillue nga e para për gjithçka dhe për të gjithë. Kjo dalje në skenë e kaosit të frikshëm, në vitin 1991,  ngjau në nji Shqipëri të zhveshun nga vlerat morale të traditës kombëtare të trashëgueme ma parë dhe të atyne të fitueme ma vonë gjatë viteve të kontaktit me Europën e Perëndimit.

Çdo njeni kërkonte plotësimin e nevojave dhe të dëshirave  menjiherë. "Këtu dhe Tani!", nga nji autoritet i papërgatitun e me mjete të kufizueme. Respekti për ligjin kishte zbritë poshtë si rrjedhim i arbitraritetit 45-vjeçar komunist. "Shteti" shikohej si armiku kryesor, e jo si mbrojtës i qytetarëve. U krijuen konditat e reja: ose me u largue prej vendit, ose me u pasunue sa ma shpejt dhe me mjetet ma të paligjshme. E para shterroi "trunin" dhe energjinë e vendit dhe e dyta institucionalizoi korrupsionin që vazhdon i pafrenuem. Ajo që duhej ba që në ditët e para të demokracisë së re - vlerësimi i së kaluemes, dënimi i saj dhe hudhja e themeleve për nji "shtet" e "shoqëni" të re, që do të paraqitej si antitezë e plotë e "sistemit komunist", nuk ngjau. Në vitin 1991, Shqipëria humbi shansin e madh me rihye në histori si shtet demokratik dhe i qytetnuem.

Gjermanet e mundun të vitit 1945 e kuptuen këtë imperativ kategorik të kohës. Duhej dënue e kaluemja naziste, duhej dënue krimi dhe kriminelet nazistë (ma shumë se 50.000 ish-nazistë kaluen nëpër gjyqet gjermane). Gjermanët filluen procesin e de-nazifikimit në shkolla, në administratë, në shtyp dhe masmedia, në gjykata, në ushtri e polici, në kulturë e arte dhe në çdo aspekt të jetës së përditshme.

Gjermanet filluen me nji studim të thellë të koncepteve legalë (ligji, gjithmonë ligji) që ngriti situata e re dhe me nji analizë sistematike të evidencës dokumentare që natyrisht nuk ishte e plotë, por e mjaftueshme. Ata morën përsipër me provue kriminalitetin e metodave të përdoruna nga nazistët në marrjen dhe konsolidimin e "pushtetit" totalitar siç janë persekutimi i partive të opozitës, i izraelitëve, i kishës - protestante e katolike - intelektualeve, etj. Me nji fjalë, përgatitja e nji historie autentike të partisë naziste, e cila do të tregonte për masat e gjana, të gjitha aktet monstruoze që regjimi përdori me ndihmue nazistët në marrjen e pushtetit.  Dhe ma në fund, në Gjermani u përgatit paraqitja e dokumentarit të mbledhun, nji procedure dhe nji paraqitje në mënyrë të organizuese, në përdorim të administratës, me qëllim që ajo të përfitojë kryesisht në diskreditimin e nazismit, tue ba keshtu të pamundun rikthimin e tij në Gjermani. Gjermania demokratike lindi si antitezë e mentalitetit dhe praktikës kriminale naziste.

Asgja e këtillë në Shqipëri! Nji drejtësi e papërfillun ashtë padrejtësi, ashtu siç ashtë edhe nji drejtësi e vonueme. Tirania e çdo ngjyre duhet të dalë para gjyqit të historisë. Në Shqipëri, dokumente e arkiva u dogjën, u grabitën, ose u shfrytëzuen për qëllime politike partiake. Nji gjykim skandaloz i disa udhëheqësve komunistë diskreditoi kauzën e  drejtësisë tue mos përfillë malin e krimeve të kryeme në kurriz të nji popullsie të shtypun. Shqipëria nuk e kuptoi randësinë e hudhjes së themeleve të nji "shteti" demokratik, e nji "shoqënie" shqiptare të çlirueme nga pesha e krimit e turpit komunist, si dhe nevojën e ndërtimit të saj mbi baza me vlera morale universale, njëkohësisht, edhe me ringjalljen e vlerave tradicionale kombëtare shqiptare. Nga e veçanta kombëtare duhej ba hapi cilësor drejt së përgjithshmes, universales, njerëzores: paqe në botë, ligjshmëni dhe jetë të lirë e me dinjitet për të gjithë, pa përjashtim. Shqipëria në konfuzion u vërsul si e çmendun drejt paligjshmënisë, dhunës, korrupsionit dhe sundimit nga individi e jo nga ligji.

Sot, ish-kriminelët komunistë dalin në skenën politike me programe që të kujtojnë zhargonin e propagandës zhdanoviane. Sot qarkullojnë libra që ekzaltojnë terrorin komunist, deklarata, memoariale, "dëshmi okulare" mbushin kioskat e libraritë shqiptare, ndërsa në Gjermaninë e rilindun, propaganda naziste dënohet me ligj. Sot, në çdo zgjedhje lokale ose të përgjithshme vidhen votat pa turp, pushtetarët sundojnë ilegalisht mbi nji elektorat që nuk i ka zgjedhë. Sot, lejohen "me lejen e Presidentit" piramidat shkatërruese, ose shkelja e hapun e embargos se OKB-së për karburante në Serbi e që ushqyen tanket e avionët e Millosheviçit me vra boshnjakët e shqiptarët kosovarë. Sot harrohet viti i mbrapshtë 1997, - përpjekja e ish-komunistëve me rimarrë pushtetin me dhunë - ku humbën jetën ma shumë se 2.000 shqiptarë të pafajshëm dhe askush nuk përgjigjet, nuk shpjegon, dhe nuk dënohet. Sot, të gjithë heshtin për faktin se prej vitit 1997 deri 2005, u formuen katër qeveri shqiptare pa asnji anëtar qeverie nga Veriu, ("sepse nuk gjetëm asnji verior të përgatitur për këtë detyrë" më shpjegoi nji ministër socialist)(sic!)Kur flasim për Veriun, flasim për gjysmën e "shtetit shqiptar". Sot, deputetët e opozitës bojkotojnë Kuvendin për nji vit me radhë e përbuzin detyrën e tyne me përfaqësue interesat e qytetarëve-zgjedhës (por nuk refuzojnë rrogat mujore!). Sot, mbas njëzetë vjet tranzicioni ish-të persekutuemet politikë dhe ish-pronarët e shpronësuem me dhunë - kapitali moral i demokracisë në Shqipëri - nuk janë shpërblye ose damshpërblye për humbjet e pësueme nga arbitrariteti komunist. Lista ashtë e gjatë!

Shqipëria ka humbë rastin e volitshëm me hy në histori mbas nji mungese 45-vjeçare! Shqipëria "demokratike" dështoi me lind si antitezë e mentalitetit dhe praktikës kriminale enveriste. Si rrjedhim, popullsia ashtë depolitizue deri në skaj, ose ashtë dëshprue nga "shteti" deri në neveritje. Abuzimet shtetnore dhe qytetare të padënueme janë në rendin e ditës. Nji klasë politike e pandërgjegjshme ashte tejpasunue, ndërsa qindra mijëra shqiptarë nuk sigurojnë as bukën e përditshme. Dialogu politik ashtë degjenerue në shamje e fyemje me gjuhën e rrugaçëve, që nuk kursejnë as Kuvendin e Republikës. Politizimi i Pushtetit Gjyqësor pranohet si "nji e dhënë", ndërsa respekti për autoritetin ma të naltë, Presidencën e Republikës, sulmohet dhe shkelet paturpësisht nga forca politike që e luftojnë, ose nga qëndrimet e padenja të titullarit. Duket sikur Shqipëria ashtë kthye në nji karrosel për karnavalet, ata që kanë humb sensin e detyrës zyrtare dhe konsumojnë çdo ditë dinjitetin e tyne personal para nji publiku që tashma i konsideron si "elementë të dështuar". Per sa kohe do të vazhdojë lundrimin në zbrazëtirë barka shqiptare pa timonier me duer të pastra?!

 

Panorama - Për ZSH: Gjergj Kabashi