Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Varri im i zbrazët

| E enjte, 07.10.2010, 09:11 PM |


Sejdi Berisha

 

VARRI IM I ZBRAZËT

 

Mos m’i thoni fjalët e mira

Kur shtratin e dergjës ma dëshironi

Mos buzëqeshni aq ngrohtë

Kur jeni prapa kulisave

Se iu djegë urrejtja

 

Mos këndoni me maska

Në zemër mos prodhoni helm

Se e vritni dashurinë

 

Merrje me mend

Një ditë tuboheni

Dhe shkoni tek varri

Njëherë e gaboni atë

Por sërish i merrni lulet

Nga pllaka pa emër

Dhe, i vëni mbi varrin tim

Në atë moment llahtarie

Dikush vranë ndërgjegjen

Dikush ndrydhë vetveten

Për respektin e rrejshëm

Dikush murmuritë ndonjë uratë

Dikush me pordhë i helmon varrezat

 

Kthehen pastaj

Në shtëpitë e tyre

Duke rrëfyer për sinqeritetin

Duke rrejtur për madhështinë

 

Ata

Nuk e dinin

Se varri im është i zbrazët

Sepse

Nuk kam kohë për vdekje

Jam i përçudshëm

Dashurinë e kam mik

Dhembjen shtyllë të ndjenjës

E, mallin themel të ndërgjegjes

Sepse kam frikë

Të mos humbet fati i njeriut

Të mos shtrembërohet rruga

E ikjes së qiriut

Që ditës i bën dritë

Që natës i bën sfidë

 

Në të gjitha stinët

Edhe në pranverë

Edhe në verë

Edhe në vjeshtë

Edhe në dimër

Qiriu është mbret