E premte, 29.03.2024, 06:04 AM (GMT)

Mendime

Mustafa Nano: Mogulët mediatikë që të kallin datën

E merkure, 06.10.2010, 06:48 PM


Mogulët mediatikë që të kallin datën

 

Nga Mustafa Nano

 

Nuk di nëse ju kujtohet, që mbrëmjen e ditës, kur Rama e Berisha u nisën për të darkuar në Strasburg, në atë lokalin me emrin Krokodil, në shoqërinë e një grupi eurokratësh, Fevziu improvizoi shpejt e shpejt një debat në studion e programit të vet të përditshëm. Tema ishte e gatshme dhe e shtruar në formën e një pyetjeje: Do merreshin vesh dy udhëheqësit tanë në restorantin e qytetit alsazian? Nuk mbaj mend saktësisht, se kush ka qënë në atë studio, por di që Sandër Frangaj ka qënë, i ulur në qoshen e zakonshme, si zot shtëpie. Atë natë ishin të gjithë duke pritur me plot shpresë (sapo ishte ndërprerë greva e urisë përballë kryeministrisë, dhe makina e prishur e propagandës socialiste po punonte në favor të tezës, se Berisha do tërhiqej dhe se votat do rinumëroheshin), ndërsa unë po e ndiqja debatin me synimin për ta lexuar situatën në sjelljen e padronit të TV Klanit, i cili ka vite që është njeriu më i afërt i kryeministrit të vendit. Dhe nuk dola huq. Sandri ishte i qartë dhe i lexueshëm (në fakt, Sandri është i llojit të Berishës: të dy janë të lexueshëm; janë edhe kur nuk duan të jenë).

Ç'dua të them? Në një moment të debatit, kur dikush nga njerëzit e Ramës në atë studio po bënte aluzionin, se Berisha do kthehej kokulur nga qyteti franko-gjermanik, Sandri lëshoi një nënqeshje, që rëndom e lëshon një njeri i mirinformuar teksa është duke dëgjuar ca njerëz që shesin hamendjet për sigurira, dhe tha diçka, që në formë të përafruar bënte kështu: "O budallenj! Berisha nuk do të tërhiqet asnjë çikë; kush të dojë le të vërë bast me mua". Natyrisht, askush nuk vuri bast. Ndërsa unë e fjeta mendjen: "Kriza nuk do të zgjidhet. Rama është duke gënjyer të vetët". E fika televizorin, e qysh atëherë nuk e kam ndjekur më Fevziun. Kuptohet, as Frangajn, Lubonjën, e gjithë të tjerët, të cilëve u bie rruga shpesh nga studioja e tij.

Morali i fabulës nuk është që Saliu e Sandri janë bythë e brekë. Këtë e dinë të gjithë, ngaqë lidhjen e tyre nuk e ka fshehur as njëri, as tjetri. Morali i fabulës është që - po përdor një shprehje të marrë nga shkrimi i fundit i Paul Krugman-it në gazetën New York Times me titull "Fear and Favor" - ministri i propagandës ka marrë nën kontroll politbyronë. Nuk është ashtu siç mund të mendohet, dmth që Sandri është vegël e Saliut. Kështu ka qënë në fillim fare. Tani ka kohë që Saliu është në duart e Sandrit. Dhe kjo punë Saliut i është shndërruar në kompleks, prej të cilit vuan jo pak; por s'ka nga t'ia mbajë. Doni të kuptoni komplekset e Saliut? Është shumë e thjeshtë. Broçkullat më të mëdha, ose tërbimin më të madh, ai i shpreh sa herë që përndiqet prej komplekseve të veta. Kur Rama vizitoi Tropojën për herë të dytë a të tretë, ai u tërbua aq shumë, sa doli para kamerave dhe e cilësoi Ramën vrasës të Tropojës e të tropojanëve. Të gjithë e dinë se Rama mund të paditet për gjithë fëlliqësirat e mundshme që kanë ndodhur në Shqipëri, dhe në Ekuador në daçi, por me Tropojën ai s'ka patur asnjë lidhje. Po pse, atëherë, Berisha i tha vrasës i tropojanëve? Sepse vuan vetë prej kompleksit të vrasësit të tropojanëve.

Po kthehem sërish aty ku isha! Kur përpara disa muajsh Carlo Bollino ftoi Berishën e Ramën në një takim gazetarësh italianë e shqiptarë, kryeministri tha midis të tjerash, se "ju e dini, unë nuk jam si të tjerët; nuk jam i varur nga pronarët e media-s dhe axhendën time nuk e përcakton media". Ta kish për marrëdhëniet e Ramës me televizionin Top-channel këtë frazë? S'ka gjasa, pasi në atë periudhë Top-channel-i ishte si është sot, dmth me një politikë të shtruar e të vetën editoriale, por pa dhëmbë për të kafshuar. Kështu që fraza e Berishës vinte prej komplekseve, me të cilat atë e ka ngarkuar marrëdhënia me Sandrin e me TV Klanin. Sandri i ka shërbyer boll atij, dhe ai tanimë, jo thjesht për "meritë" të Tv Klanit, është kryeministër fuqiplotë, por më fuqiplotë se ai është Sandri vetë. Nuk ka gjë që Sandri ta dojë, e të mos e marrë, dhe në këtë mes nuk i është bërë pengesë as Edi Rama; përkundrazi, ky i fundit nuk ia ka prishur për asgjë. Përveç kësaj, Sandrin e ka urë për t'u lidhur herë pas here me Berishën. Kush? Rama pra.

Të kuptohemi, nuk është se më interesojnë punët e Sandrit në këtë mes. Hollë-hollë, as që i di punët e tij. E as që dua t'i di. Mua më interesojnë marrëdhëniet klienteliste të pushtetit e të politikës me mass-media-n, dhe ato marrëdhënie të ndërvarësisë politikë-media, të cilat nga njëra anë e largojnë median nga publiku dhe procesin e vendimmarrjes nga sytë e publikut, dhe nga ana tjetër e fuqizojnë politikisht mass-median në kurriz të integritetit e pavarësisë së establishment-it drejtues.

Nuk jemi tek një problem thjesht shqiptar. Është një fenomen që po verifikohet kudo, deri dhe në Britaninë e Madhe, disa media të së cilës, përfshirë BBC-në, i kemi konsideruar nga larg si modele të gazetarisë së vërtetë. Kohët e fundit, një reporter i gazetës News of the World (gazetë e mogulit të frikshëm Murdoch) u kap me presh në duar duke përgjuar voicemail-at e njerëzve të rëndësishëm, madje dhe voicemail-at e disa anëtarëve të familjes mbretërore. Çfarë ndodhi? Policët e Scotland Yard-it nuk e morën me shumë zell këtë punë, ndërsa shefi i gazetës u gradua pak më vonë si drejtori i departamentit të komunikimit në qeverinë konservatore të Cameron-it. Dhe vini re! Kjo qeveri po i mëshon idesë së shkurtimit të fondeve të BBC-së, ngaqë në këtë mënyrë - kjo është pandehma e Krugman-it - televizioni i famshëm publik i Britanisë së Madhe mund të konkurohet më mirë prej hordhisë mediatike të Rupert Murdoch-ut, News Corporation.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është më keq se sa kaq. Televizioni Fox News është shndërruar tanimë në një zyrë kuadri, ku zgjidhen kandidatët republikanë për postin e presidentit të Amerikës. Në fillim televizioni Fox News i mbështeste kandidatët republikanë e konservatorë. Tani i zgjedh vetë. Nëse Mitt Romney nuk u pëlqen boss-ëve të Fox News-it, ngaqë nuk u vjen sipas midesë, ata fabrikojnë kandidatë të tjerë, që e kanë emrin Sarah Palin, Newt Gingrich, Mike Huckabee, and Rick Santorum.

E jo vetëm kaq. Ka gjithashtu një lidhje të fortë mes televizionit Fox News dhe miliarderëve, që jo vetëm modelojnë lëvizjen e doktrinën konservatore, por edhe animojnë e ndezin debatin publik. Krugman duket sikur na bën të gjithëve një pyetje: Ju çuditeni, që dalin shkencëtarë dhe mohojnë rolin e dorës së njeriut në ndryshimet klimaterike, që dalin ekonomistë dhe thonë se ulja e taksave për të pasurit prodhon rritje e zhvillim, që dalin strategjistë e thonë se duhet të bëjmë, jo vetëm luftrat që na imponohen, por edhe luftrat që duam të bëjmë, që dalin avokatë dhe mbrojnë praktikën e torturave? Dhe përgjigjen nuk e lë pezull. Ai lë të nënkuptohet, se të gjithë këta janë të paguar mirë (për të thënë atë që thonë) nga një grusht familjesh ultra të pasura, të cilat kështu fitojnë lirinë për të ndotur mjedisin, për të shtuar pasuritë, për të patur akses në vendimmarrje e për të patur një rol e ndikim më të madh politik.

Në përmasa të tjera e në stil shumë të provincializuar e njëjta gjë po ndodh në Shqipëri. Nuk është se dikush këtu po përpiqet të imitojë dikë a diçka në Amerikë. Është tahmaja për të sunduar e për t'u pasuruar (kjo tahma është e njëjtë si në Washington, si në Tiranë), që bën të mundur përafrimin e homologimin e sjelljeve. Njerëzit e pushtetshëm duan të qeverisin sa më gjatë e të mbulojnë sa më mirë prapësitë e tyre, e për këtë u lipset mass-media; mogulët mediatikë duan të rrisin pasurinë e fuqinë, e për këtë vihen të shfrytëzojnë nevojën e pushtetit. Ia trukojnë fytyrën këtij të fundit, dhe në këmbim kërkojnë favore, akses, ndikim. Vjen një moment, kur mogulët bëhen më të pushtetshëm se sa vetë pushteti. E tërheqin për hunde këtë të fundit, dhe e fusin në qorrsokak. Tok me vendin, që pret e meriton të qeveriset.

 

Post Scriptum: Me që jemi këtu, e dini se si zuri fill ideja për të ndërtuar rrugën Durrës-Kukës? Tregojnë si me të qeshur se Berisha, Frangaj e Fevziu ktheheshin së bashku nga Kosova. Kaluan Morinën, dhe hynë në rrugën e keqe që të sillte nga Kukësi në Tiranë. Ishin në të njëjtën makinë. Në një çast dëgjohet Frangaj: "Ç'është kjo dreq rruge, kështu?" "Shumë e keqe është", ia prêt Berisha. "Doktor, pse nuk i futesh ta bësh; është rrugë që lidh kombin", shtyn bisedën Fevziu. "Kushton shumë", ia kthen Berisha. "Bëje, le të kushtojë, do hysh në histori", ndërhyn Frangaj. "Sandër, nuk e përballojmë dot, kemi buxhet të vogël, FMN-ja nuk është dakord", kundërshton idenë Berisha. "Doktor, ça FMN-je, mor burrë, futi një kredi të madhe, jepja ndonjë kompanie me emër që ta bëjë shpejt e shpejt, dhe hyn në histori", këmbëngul Sandri. "Bëje me katër korsi, bile", i jep gaz Fevziu. "Jo, mos ia fut kot tani, Fevzi", ia bën Berisha, dhe ia fut të qeshurës me fantazinë e Fevziut. "Ç'është kjo me katër korsi?", dhe qesh përsëri me të madhe.

Të nesërmen Sali Berisha shkoi në studion e Fevziut, dhe deklaroi, se gjatë mandatit të parë të qeverisjes "do të ndërtojë rrugën e Kombit me katër korsi, veprën më të madhe në historinë e Shqipërisë". Jozefina Topalli, e kapur nga dalldia folklorike, ka dashur që t'i vëmë emrin "Sali Berisha" kësaj rruge. Me sa duket, nuk e di këtë anektodë, e cila na sugjeron emër tjetër: Rruga e Kombit "Frangaj & Fevziu".



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora