Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ylli Përmeti: Helenizmi, “Ostracizëm” politik i Athinës?

| E merkure, 06.10.2010, 06:22 PM |


Helenizmi: “Ostracizëm” politik i Athinës?

Nga Ylli Përmeti

1. Paradoksi “Asimilues” i Athinës dhe “Kuajt” shqiptarë me “Veshoret” e tyre!

 

Më bën përshtypje jashtëzakonisht të madhe qëndrimi i kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili vazhdon të tregojë mediokritetin e vet, qoftë lidhur me origjinën e tij, qoftë me atë pro heleno-europiane. Gjithashtu më bën përshtypje, se me paturpësinë më të madhe hedh poshtë ekzistencën e një populli mjaft të lashtë historik: Çamërisë. Pikënisje e kësaj analize është shfaqja e tij në TV “Klan”, ku debaton me kundërshtarë mjaft ineficentë, gjithnjë lidhur me debatin ksenofob apo incidentet etnike që shfaqen herë pas here në vende të ndryshme territoriale, sikurse janë ato greko-shqiptare. Konsideroj ineficentë “kundërshtarët” e dogmës Dule, sepse asnjëri nga kundërshtarët ? pavarësisht jetës së tyre librike dhe historike ? nuk e bindin me argumente historiko-shkencore kundërshtarin apo audiencën, e cila është mbartëse e dezinformimit të vazhdueshëm mediatik. Ky lloj dezinformim ndodh sepse pikërisht personat në fjalë nuk janë mjaftueshëm të pajisur me argumente shkencore për të goditur mediokritetin e një pasaniku të Athinës nga Himara. Për këtë arsye, po i bëj një hyrje shfaqjes së kombit grek, si fillim, në historinë njerëzore dhe pas kësaj do të citoj disa pasazhe të Aristotelit, për të kuptuar se cilën politikë ndjek Greqia, ose më saktë Athina. Dhe së fundmi do t’u bëj një përkufizim “minoritarëve” grekë në Shqipëri. Nëse dikush e lexon me vëmendje këtë tekst, atëherë do të kuptojë përse Dule, bashkë me bandën e vet neoliberale, e cila i shërben korpokracisë helenike në Shqipëri, dhe kundërshtarët e tij bien në qorrsokak logjik.
Kështu, si fillim dua t’i bëj një përcaktim emërimit të një sendi, subjekti apo njeriu, pra gjenezës emërore të tij. Dihet që emrat njerëzorë i vendosin pararendësit tanë te fëmijët e tyre, pra është tjetri që na quan disi. Në të njëjtën mënyrë quhen edhe sendet, subjektet apo popujt. Nuk mund të vetëquhet dikush që nga momenti që nuk përbën subjekt orientimi për dikë tjetër; por quhet nga tjetri, sepse për tjetrin përbën subjekt orientimi. Për shembull, nëse unë si përmetar dua të shkoj në Janinë, më parë më duhet t’i vendos emrin, sepse më duhet që t’u them njerëzve të tjerë, ose vetes sime, se do shkoj diku; dhe kështu njeriu filloi t’i quajë vendet, qytetet etj., dhe t’i trashëgojë. Në të njëjtën mënyrë, emërimi Ellinas është shfaqur si fillim te banorët e Greqisë Qendrore, në Ftias të Thesalisë, sipas Herodotit. Ndërkohë, Aristoteli, si pasrendës i Herodotit, këtë emërim ia korrespondon fisit të grekëve në Dodonë të Janinës: këtu shfaqet si fillim emri grek. Pra, është periudha kur shteti modern nuk njihej si nocion. Në të njëjtën periudhë u shfaq edhe emërimi Pan-Ellines, sipas Hesiodit. Kjo është periudha ku helenizmi shkëlqeu. Por nuk shkëlqeu në të gjithë hapësirën e vet, por në disa pjesë dhe qytete. Qendra e helenizmit ishte Athina. Athina më vonë u kritikua ashpër edhe nga Aristoteli; kjo sepse ajo ndiqte një rrugë shoviniste për të trashëguar shkëlqimin e saj. Madje vetë Aleksandri, biri i Princeshës së Molosëve, fis ky referues për Aristotelin përgjatë analizës së tij politike, ku citon të mirat e kësaj mbretërie, në krahasim me mbretëritë e tjera ndoqi një rrugë shoviniste për të gllabëruar qytetërime të tjera të asaj periudhe. Në atë periudhë, gjeografia ballkanike përbëhej nga qytet-shtete, ndaj edhe qytetet kishin emrat e tyre, të cilët i trashëgonin si pasojë ose falë rëndësisë që i jepnin fqinjët qytetit të tyre, për arsye orientimi. Më vonë, me shfaqjen e perandorive Romake e Bizantine, grekët u quajtën edhe romë, nga vetë romakët; kjo për arsye se ishin pjesë përbërëse e Perandorisë Romake. Përgjatë Mesjetës, helenizmi u venit dhe mbas çlirimit të tyre nga Perandoria Otomane, në vitin 1821, çlirim ky që ishte kontribut i çlirimtarëve shqiptarë, sikurse ishin Boçari, Griva, Xhavella, Picari, Andhruço, Kollokotroni etj., Greqia adaptoi po të njëjtin emër, pra Hellas. Pas kësaj periudhe filloi edhe shfaqja e iluminizmit helenik në Greqi, që u shoqërua me “grande republikën” si koncept shtetformues. Është pikërisht kjo periudhë ku helenizmi filloi të asimilonte pjesën e Çamërisë, me ngritjen e universitetit të parë në Janinë, atë të Zosimesë. Aty u shkolluan edhe shumë rilindës shqiptarë, sikurse ishte Naim Frashëri. Që nga ajo kohë, ky territor ilir u asimilua gradualisht. Sot popullsia është e përmbysur: nëse para 1821-shit shqipfolësit ishin mbi 70%, kjo shifër është përmbysur në favor të greqishtes. Në këtë mënyrë filloi asimilimi gradual i Jugut të Shqipërisë. Ky asimilim ndaloi përgjatë periudhës diktatoriale në Shqipëri, nga faktorë të ndryshëm, ku njëri nga këta faktorë ishte njëjtësimi i vlerave kombëtare i shoqëruar nga një “quasi” barazi sociale. Me hyrjen e vendit tonë në dogmën e re, pra atë të neo-liberalizmit, Greqia filloi sërish asimilimin e saj, me ngritje shkollash në Korçë, Himarë dhe vende të tjera në brendësi të Shqipërisë. Ky invazion asimilues është shoqëruar edhe nga konkurrentët e saj: Turqia dhe Italia. Tashmë Shqipëria është e shitur totalisht nga ana arsimore, sepse ajo ka licencuar operimin e shumë shkollave teknike në territorin shqiptar, me pasoja vdekjeprurëse për ndërgjegjen e popullit. Kjo është në pak fjalë historia e helenizmit. Por ç’na mëson Aristoteli për shovinizmin e Athinës?

 

2. Ostracizmi: Pjesë e shovinizmit të Athinës

 

Shovinizmi ka forma të ndryshme shfaqjesh. Një ndër to është ostracizmi. Po ç’është ostracizmi? Ostracizëm është një masë e po të njëjtit lloj, i cili vepron duke nxjerrë të paaftë dhe duke ndaluar qytetarin më të spikatur. Pushtetet e mëdha bëjnë të njëjtën gjë në qytetet dhe kombet e tyre, sikurse athiniotët bënë te samiotët, kiosët, dhe lesbiotët. Ata nuk e kishin kuptuar qysh herët perandorinë (e Athinës) dhe i poshtëruan aleatët e tyre kundër marrëveshjes. Gjithashtu Mbreti pers kishte shtrydhur pa ndalesë medesët, babilonët dhe kombe të tjerë, kur shpirti i tyre u përzje nga ripërzgjedhja e madhështisë së mëparshme të tyre.
Problemi është universal dhe shqetëson njësoj të gjitha llojet e qeverive, të vërtetën dhe gjithashtu falsen; prandaj, megjithëse forma të zvetënuara mund ta adaptojnë këtë politikë për interesin e tyre, ata që kërkojnë interesin e përbashkët bëjnë po të njëjtën gjë. E njëjta gjë mund të observohet tek arti dhe shkencat. Për këtë arsye, piktori nuk do lejojë një këmbë e cila megjithëse e bukur nuk është në përpjesëtim me dëshirat e tij; as edhe ndërtuesi i anijeve nuk do të lejojë bashin ose pjesë të ndryshme të jenë shumë të mëdha, as edhe mjeshtri i korit nuk do të lejojë ndonjë që këndon më fort ose më mirë se të tjerët. Monarkët, gjithashtu, mund të praktikojnë shtrëngim dhe të vazhdojnë të jetojnë në harmoni me qytetet e tyre, nëse qeveria e tyre është në interes të shtetit. Prandaj, kur atje është një fuqi pushtetare e përnjohur, argumenti në favor të ostracizmit është i bazuar mbi këtë lloj të drejtë politike. Do të ishte sigurisht më mirë që ligjvënësi që në fillim të rregullojë shtetin e tij, që mos të ketë nevojë për një ndreqje të tillë. Por nëse paraqitet nevoja, gjëja e parë që duhet të bëjë është të mundohet me qëllim që të ndreqë dallimin me ostracizëm ose me masa të njëjta. Principi, sidoqoftë, nuk është aplikuar drejt në shtete. Për këtë arsye, në vend që të kërkojnë për të mirën e Kushtetutës së tyre, ata kanë përdorur ostracizëm për arsye fraksioniste. Është e vërtetë që nën forma pushtetare të zvetënuara dhe nga pika e tyre e fushëshikimit, një masë e tillë është e drejtë dhe e përshtatshme, por është gjithashtu e qartë që nuk është absolutisht e drejtë. Në shtetet e përkryera do të kishte shumë dyshime për përdorimin e tij, jo kur zbatohet në tejmasën e forcës, pasurisë, popullaritetit, ose të tjera si këto, por kur përdoret kundrejt dikujt që është i paraspikatur në virtyt — çfarë duhet të bëjmë me këtë njeri? Njeriu i zakonshëm nuk do të thotë se një njeri i tillë duhet të përjashtohet ose dëbohet; në anën tjetër ai nuk duhet të jetë një subjekt - që do të ishte sikur njeriu i zakonshëm të rivendikonte të pushtetonte Zeusin, duke ndarë ofiqet e tij midis tyre. E vetmja alternativë është që të gjithë duhet me plot gaz t’i binden këtij pushtetari, sipas asaj që duket se është radha e natyrës, dhe njerëzit si ai duhet të jenë mbretër në shtetin e tyre për gjithë jetën... (Theksi u shtua).
Sikurse shihet qartë nga analiza e Aristotelit, në atë periudhë, shumë ishuj dhe krahina ishin jashtë distriktit të Athinës, por pavarësisht këtij fakti historik, këto krahina në kohë u asimiluan dhe tashmë përbëjnë pjesë të ostracizmit athiniot. Pra kemi një ekspansion athiniot jo grek. Grekët janë sipas Aristotelit populli i Dodonës ose i Epirit të sotëm, pra fise ilire. Në fakt, po të shkojë dikush dhe të analizojë tekstet më të vjetra të historisë, sikurse janë ato të Herodotit, aty do vërejë se Herodoti shkruan një gjuhë të përzier: iliroko-helenike, ose pellazgjike. Por, këtu nuk na intereson shumë gjuha, se cila është më e vjetër apo më e re, por na intereson politika ekspansioniste athinoite, e cila me paturpësinë më të madhe vazhdon ekspansionin e saj politiko-ekonomik në dëm të Shqipërisë apo edhe më tej. Kështu, tashmë ajo ka instrumentin më të mirë në duart e saj: neoliberalizmin ose pushtimin e vendeve fqinje nëpërmjet korpokracisë, ku tashmë ajo ka më shumë se 8000 ndërmarrje që aktivizohen në Ballkan, nga të cilat më shumë se 270 janë në Shqipëri. Madje Greqia menaxhon edhe sistemin bankar nëpërmjet bankave të saj, ku në fakt ndërsa ajo gllabëron Ballkanin, atë e gllabërojnë shtete më të mëdha, sikurse është Gjermania. Pra kemi një lloj korpokracie e cila është e llojit të mëposhtëm: “Peshkaqeni i madh ha të voglin”, për qëllime ekspansioniste. Në këtë pazëll ekspansionist, pseudopatriotët shqiptarë qëllojnë këmbët, jo kokën, sepse ndonëse e dinë shumë mirë se ekonomia jonë, strukturat tona institucionalo-politike, arsimi dhe shumë si këto menaxhohen nga politika e Athinës, ata vazhdojnë të gjuajnë Dulen, i cili s’është tjetër veçse mbështetës i korpokracisë athiniote. Bashkë me Dulen, janë edhe pseudo-patriotët shqiptarë, të cilët, për fat të keq nuk shohin dhe nuk mund të kundrojnë dëmet që shkaktojnë korporatat globale në Shqipëri, por i duartrokasin ato dhe herë pas here bëjnë patriotin; madje edhe nacionalistin. Por duket se Dule dhe “kundërshtarët” e tij nuk janë shkolluar nga Aristoteli, por nga Blair-i, me gjithë shokët e tij të juntës globale. Këta pra janë mjeranët e këmbëve dhe jo të kokës; këta njerëz i shërbejnë mbretërisë së korpokracisë dhe jo demokracisë. Këta janë të gjithë ostracistë, disa me vetëdije dhe disa pa vetëdije; kjo sepse jo të gjitha i shohin në terren.
Kështu, nëse Athina është ostraciste, Dule duhet të jetë ostracist, pavarësisht mbiemrit të tij, që është dyrrokësh dhe ka origjinë ilire, ose të paktën nuk është mbiemër neogrek, të cilët karakterizohen nga më shumë se dy rrokje; dhe nëse Dule është himarjot, atëherë për fat të keq për të ai mbështet politikën e tradhtisë, atë që mbështetën të parët e tij, pra tradhtinë e gjuhës amtare, e cila ka lindur përpara se Dule të lindte dhe që Dule përton ta hulumtojë, sepse më shumë se asgjë tjetër i intereson ofiqi mbretëror dhe ekspansionist i një qyteti tjetër, Athinës. Personalisht jam produkt i shkollave athinase dhe kam ndjerë përgjatë 14 vjetëve në këtë vend se si diskriminimi dhe shovinizmi grek nuk lejon askënd të pipëtijë rreth origjinës së vet, sepse bankierët, multibilionerët dhe neokorpokracistët grekë kanë dhënë urdhër: Asnjë shqiptar nuk duhet të depërtojë në elitën greke, për arsye se nëse ndodh diçka e tillë, ata (shqiptarët) ta heqin kokën. Prandaj, nëse duam me të vërtetë të eliminojmë konfliktet etnike, duhet të praktikojmë demokracinë dhe jo korpokracinë; atë demokraci që Thales i çoi Athinës përmes Heraklitus, nga Aidini i Turqisë së sotme. Të gjitha të tjerat janë gjepura të ostracistëve.

Gazeta SHQIP - Për ZSH: Gjergj Kabashi