E premte, 20.09.2019, 05:57 PM (GMT+1)

Komente

Monika Stafa: Ketu, ku burrat puthen me njeri-tjetrin!

E hene, 17.12.2007, 08:53 PM


Nga Monika Stafa - Ars Web Albania

Esse
 

Puthja e Judes
Çdo ditë para kamerave që përcjellin drejtpërsëdrejti ngjarjet më të rëndësishme të vendit, politike a kulturore qofshin, burrat shqiptarë puthen e s‘pushojnë së puthuri me njëri-tjetrin. Ja, një këngëtar shumë i njohur duke e falënderuar me puthje të zjarrta, para syrit magjik, autorin e teksteve të këngëve të tij. Puthet trajnieri me zëvendësin e tij, ose me futbollistin që bëri golin. Puthet doktori me pacientin që po e përcjell. Pa shih! Është Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë që puthet vendçe me Kryeministrin! Pastaj dhe me kryetarët e partive aleate doemos. Edhe me anëtarët e komisionit të votimit. Pse jo, edhe me ndonjë prej të zgjedhurve të krahut tjetër. Puthen burrat shqiptarë me njëri-tjetrin kudo dhe pa dallim, të njohur e anonimë, në rrugë e në studio, larg dhe afër syve të botës. Ashtu siç puthej Enveri me Hrushovin dhe Çu En Lain; ashtu siç putheshin e përjargeshin të gjithë të tjerët që vinin pas tij me miqtë e lartë të ardhur nga larg. Dhe sot, krejt gabim, na duken si pamje qesharake. Krejt gabim themi, sepse nuk ka ndryshuar asgjë. Ja ku po përmbyllet një kronikë televizive që bën fjalë për një festival teatri. Është një festival ndërkombëtar. Siç e do puna, në fund duhet të jepen dhe çmimet. Puthen shqeto, me këtë rast, burrat e jurisë dhe ata që paraqesin shfaqjen, me të gjithë ata që u thirret emri për të marrë ndonjë çmim. Mirë vendësit, por si mund ta ndiejë veten ky bullgari apo rumuni i shkretë, që duhet të puthet me një apo me disa burra! Të respektojë traditën e vendit, apo të tërhiqet me marifet si ndonjë çupë e drojtur? Jo, jo, s‘bën, duhet përballuar ky "serial kisser", s‘ka zgjidhje tjetër për sa kohë nuk është as brenda ritualit fetar të tyre (sepse ortodoksët duhet të dimë se puthen tri herë në raste përmallimesh apo kungurimesh, por vetëm në këto raste ama).

Janë të njëjtët burra: paraqitës spektaklesh, njerëz të skenës e të jetës publike, burra shteti, prej atyre më namuzqarëve, deri te më liberalët; prej sojllinjve të hershëm e të rinj, deri te sojsëzët e përhershëm, që, ndërsa kalojnë njëri-tjetrin në revistë puthjesh të pafundme, ngrijnë si përmendore të lashta antike përpara dorës së një zonje. Por, mos e shkoni ndër mend! Ky është vendi i një mijë e një prapësive e mbrapshtive, e mos prisni që këta burra që puthin kaq me "endje" njëri-tjetrin, të jenë një ditë, apo një çast, aq të mirësjellë, sa të dinë se ka një puthje shoqërore që s‘ka pse t‘u marrë erzin, nëse ia dhurojnë një zonje. A thua do të tronditej bota shqiptare me moral të fortë, nëse Presidenti i ri i vendit do t‘i kishte dhuruar një puthje po aq "friend" sa gjithë të tjerëve edhe Arta Dades, Ermelinda Meksit ose Jozefina Topallit, kësaj të fundit edhe për faktin e thjeshtë se e përcolli deri tek oborri i jashtëm i ndërtesës së Parlamentit. Shumë gjëra mund t‘i mendojë njeriu ndryshe, por nuk mund të gjykohet askush gabim, nëse themi se një burrë që puthet me një varg burrash njëri pas tjetrit, nuk do të gjykohej aspak për keq prej atyre që e shohin nëse do të bënte të njëjtën gjë edhe me një grua. Shoqëria shqiptare nuk është kaq e pagdhendur sa të shkojë me mendësinë se është më mirë të puthen burrat me njëri-tjetrin, se të puthen burrat me gratë! Për të mos thënë, se është pa dyshim pjesë e kodit të mirësjelljes që një burrë të puthë dorën e një gruaje. Kuptimin pejorativ që ka marrë në shqip fjala "puthador", e përdorur pa mëshirë për qëllime politike, do ta vonojë edhe ca këtë. Por s‘ka Hyj të ma mbushë mendjen se është më e lejueshme një shoqëri ku burrat puthin njëri-tjetrin, se ajo shoqëria me mirësjellje të fisme.

Kryetari i ri i shtetit, me një specialist të njohur të protokollit përkrah, me siguri do ta ndreqë këtë sjellje - shpresojmë të mos mbërrijë megjithatë te nderimi ushtarak i paraardhësit të tij. Po kush do t‘i instruktojë këngëtarët, artistët, njerëzit publikë në përgjithësi, për të përshtatur sjellje të tjera? Dhe ky është problemi! E ne ankohemi për ditë e më se Shqipëria na qenkërka një vend i mbrapshtë. Por kur mbrapshtia fillon që te përmbysja e rregullit më të thjeshtë të sjelljes publike, si mund të pritet që të mos ketë mbrapshti të tjera?

Kjo botë ku jetojmë ka shekuj që përgojon miqësinë e Orestit me Hektorin, miqësinë e Hamletit me Laertin, megjithëse ata as puthen, as përqafohen. Thjesht janë pak si shumë miq. Në këtë copë mëmëdheu ku na ka rënë fati të jetojmë nuk e dimë se sa miq janë burrat me njëri-tjetrin, ama për t‘u puthur nuk lënë kusur. Dhe po të njëjtët fshehin kryet nën shpatulla dhe nuk dinë nga t‘ia mbajnë, nëse sjellja publike ua kërkon të dinë të nderojnë një zonjë. Kjo shkon deri në një pikë të tillë që, me vështrimin e një të huaji, do të vinte fare natyrshëm pyetja: të jetë punë mirësjelljeje, apo mos vallë në të vërtetë u pëlqen të puthen me njëri-tjetrin?! E si mund të besosh më tej se këta burra që puthen me pasion me njëri-tjetrin e kanë me gjithë mend kur thonë se do ta vënë kusht që të paktën një e treta e të zgjedhurve prej bashkësive që përfaqësojnë do të jenë femra! Po, nuk kam gabuar aspak. "Femra" thonë, sepse shëëëëttttt, nuk ua mban goja fjalën "zonja"!

Dikur, në mirësjelljen etnografike, "përshëndoshja" e burrave do të thoshte një prekje e lehtë krye më krye dhe këmbim i formulave klishe të rastit. Nga doli kjo puthje burrash një çështje tradite apo namuzi në shoqërinë shqiptare? Kjo pyetje nuk është pa përgjigje, sido që përgjigjja është e ashpër: kjo gjë e thjeshtë, ky rregull shqiptar i përmbysur, nuk është aspak çështje tradite, por shprehje e një shoqërie që pret të urbanizohet. Si mund të quhet ndryshe një shoqëri e tillë në të cilën burrat dëshmojnë emancipim duke puthur njëri-tjetrin, në të njëjtën kohë që edhe grave të tyre, para kamerave televizive u drejtohen me "kjo", ose "ajo", pa bërë fjalë që të bëjnë një veprim dëshmues të gjendjes së shëndoshë në familje? E dëgjojmë më pas të thonë se shkalla e përparimit të një shoqërie matet me shkallën e respektimit të zonjave. Po ashtu, thuhet se puthjet e dashurisë dallohen prej puthjeve të tjerave, se puthjet e dashurisë janë më këmbë. Mos e shkoni ndër mend! As në filmat shqiptarë nuk do ta gjeni një gjë të tillë, jo më në kronikat politike dhe kulturore që njoftohen për ditë përmes ekraneve dhe që shumë prej nesh mbeten të ngrirë para pamjeve që na paraqiten!

"Vetëm skandal të mos ketë", shkruante Migjeni, poeti që themeloi qytetarinë në letërsinë shqipe. Nëse do të kërkohej një diçiturë për provincializmin nuk do të gjendej një më e saktë se kjo. Kjo shoqëri provinciale, dhe këta individë që e përfaqësojnë, nuk do të pajtoheshin nëse do të vërenin të njëjtën sjellje me një zonjë. Sepse kjo është ende një shoqëri e thashethemit dhe jo e lajmit. Ka thashetheme? OK, këtu ne jemi në rregull !

Le të hedhim vetëm një hap të vockël më tej. Kur një koleg i shkruan një letër një kolegeje, s‘e ka aspak të vështirë ta përmbyllë letrën me "të fala". Ama "përqafime" nuk guxojnë ta shkruajnë! Jo, jo, sepse kjo është kompromentuese! Si mund t‘i dërgohen përqafime "asaj", që është tjetërsoj?! Po të ishte për një koleg, këto përqafime mund të ishin "të përzemërta", "shoqërore", ndoshta dhe "të zjarrta". Mirëpo këta kolegë të ngratë nuk e dinë ndoshta se fjala "të fala" do të thotë "të falura", që do të thotë më tej të falesh me dikënd, domethën shqip fare të përqafohesh me dike, sepse të falurat nuk bëhen ndryshe. Sepse ja ç‘na qenka! Të fala do të thotë përqafime. Dhe përqafime mund t‘i dërgohen vetëm një shoku. Se këtu e njohim të gjithë njëri-tjetrin, jemi një shoqëri që mbetet peng e kushërirllëkut ("consanguinitas").

Meqë jemi te përqafimet, për ditë kalojnë para syve të mi imazhe që paraqesin takime të burrave të shtetit me mysafirë të huaj. Burrat shqiptarë, edhe si burra shteti, ndërsa të zgjasin dorën, përgatiten për përqafimin. Kujtoni për shembull pritjen e Bushit. Këta burra namuzllinj, që përdorin shprehjet më vulgare për zonjat shqiptare që kanë me vete përpara mikrofonëve të aulave perëndimore, dhe bëjnë sikur nuk e dinë se "charming lady" ka edhe një kuptim pejorativ, s‘e kanë për gjë fare ta tërheqin burrin e botës, me shkas nga dhënia e dorës, edhe përpara kamerave, madje edhe në çastin e rezervuar për reporterët, për ta përqafuar. Dhe s‘duan t‘ia dinë aspak se s‘ka përqafim, nëse jepet dora. Përqafimi u përjashtua, pra! Dhe burri i shtetit tjetër tërhiqet me zor për t‘i treguar një lloj afërsie të dyshimtë! Ti e bën për respect, por hajde dhe shpjegoja atij. Gjithmonë më është dashur të jap shpjegime për ca miq të huaj për këtë lloj përshëndetje tonën të veçantë, natyrisht jotradicionale.

Kjo është Shqipëria! Vendi ku burrat puthin njëri-tjetrin, por kurrsesi gratë, madje as gratë e tyre! Sepse jemi shoqëri namuzqare, gjysmë fshat dhe gjysmë qytet, si në ato përrallat me gjysmagjel. Prindërit nga provinca dhe brezi më i ri nga metropoli, një shartim fanatikësh dhe levantinësh, që në një anë përqeshin Enverin që puthet me Hrushovin e me Çu En Lain dhe, në anën tjetër, përjargen me njëri-tjetrin. Thonë se kështu shkohet më shpejt drejt Evropës, sepse është liri e njeriut që burri të sillet si grua me burrin dhe burri si "burrë zamani" me një zonjë! Ç‘përligjje e pamerituar!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT