E enjte, 28.03.2024, 04:52 PM (GMT)

Mendime

Fadil Lushi: Mit'hati, Sejdiu dhe institucioni i dorëheqjes

E marte, 05.10.2010, 07:39 PM


MIT’HATI, SEJDIU DHE INSTITUCIONI I DORËHEQJES

 

Nga Fadil LUSHI

 

Të nderuar lexues! Shkrimin tim të radhës më duhet ta filloj gjithsesi me një paragraf nga retrospektiva  politike, patriotike dhe nacionaliste e eruditit  shqiptar, të birit të Abdyl Frashërit. Thonë se Mit’hati në qeverinë e Ismail Qemal bej Vlorës kishte ushtruar detyrën e ministrit. Duke qenë i zhgënjyer dhe i pakënaqur me punën dhe rezultatet e asaj qeverie, ai e kishte braktisur vullnetshëm atë post të ministrit, që më vonë të shkonte në Elbasan, ku kishte parapëlqyer të merret me mësimin fillestar të fëmijëve elbasanas. Njohësit e mirë të kësaj historie do ta konceptojnë faktin se Mit’hati ishte një ndër politikanët e parë shqiptarë që ndërtoi dhe respektoi, ashtu thjeshtë dhe skajshëm, institucionin e dorëheqjes.

      Që nga koha e Mit’hatit institucioni i dorëheqjes politike te shqiptarët do t’i futet një gjumi të vdekjes që të zgjohet në momentin kur Fatmir Sejdiu, duke u gjendur në një alternim mes postit të presidentit të shtetit dhe kryetarit të partisë politike - Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të zgjedhë këtë të fundit. Këtë zgjedhje nuk do ta bëjë pse institucioni i presidentit të shtetit paskësh qenë një post më i avancuar dhe më autoritar, krahas postit të kryetarit të partisë dhe anasjelltas, por pse deshi që me këtë dorëheqje, përfundimisht ta riartikulojë filozofinë e politikëbërjes në hapësirat kosovare, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, do të zgjedhë rrugët më të përshtatshme që çojnë drejt demokratizimit të mirëfilltë të shoqërisë kosovare, një shoqëri që ende vuan shëndetin e brishtë, një shëndetlig që detyrohet t’i shtrohet  një kurimi  intensiv dhe nën  mbikëqyrjen e rreptë të ndërkombëtarëve.

    Andaj, ky gjykim i matur, i guximshëm dhe i rëndësishëm politik, pra kjo dorëheqje, te spektri politik shqiptar, po edhe tek ai botor, do të provokojë e do të ngjallë një interesim dhe kureshtje të veçantë, pasi që ky gjykim dhe ky gjest politik a etik i Fatmir Sejdiut, njëherë e përgjithmonë  do ta shembë përdhe atë kështjellën e nacionalizmit primitiv, provincial dhe patriotizmin e rremë kosovar dhe në përgjithësi shqiptar. Për këtë fenomen politik shqiptar (që rrallë mund të haset në shtetet me demokraci të brishtë) me të drejtë jepen komente nga më të ndryshmet. Ato komente vijnë nga komentues politik nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Lugina, Mali i Zi e gjetiu.

     Komentet, po edhe analizat, do të jenë serioze, analitike, do të jenë respektive, disa kompetente, ca racionale, ca inkopetente, disa emocionale, disa të konsumuara dhe në instancë të fundit edhe cinike. Në vazhdë të këtyre analizave, dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit të shtetit do të konceptohet  nga disa politikanë edhe  si largim i dhunshëm, i detyruar, i jashtëzakonshëm, po edhe si i parakohshëm!? Në vazhdim të këtyre komenteve ndaj institucionit të dorëheqjes do të ketë edhe të tilla ku thuhet se dorëheqja e Fatmir Sejdiut kinse na qenka një ojnë e radhës e një politikani të vonuar, e një karrieristi që punën e presidentit nuk e paska bërë konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nuk e paska bërë me përkushtim, me besnikëri dhe ndershmëri!? Këto analiza ose komente  bëhen nga njerëz, të cilët për udhërrëfyes të përbashkët kanë nacionalizmin primitiv a egoizmin e gazetarisë provinciale, patriotizmin e tyre të rremë si dhe ironinë therëse, një ironi që i postohet  adresës politike dhe kombëtare të ish-presidentit të shtetit të Kosovës. S’do mend se këtyre analizave u mungojnë provat, disa lëngojnë nga egoizmi katundaresk, kurse disa mundohen ta anashkalojnë dhe ta heshtin këtë mesele.

     Megjithatë, pjesa dërrmuese e analistëve këtë dorëheqje të Sejdiut e quajnë edhe si një dorëheqje, “... epokale, trimëruese, morale dhe gjithsesi institucionale”,  nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, kjo dorëheqje nuk e nderon vetëm etikën e tij politike, por e nderon edhe politikën kosovare në përgjithësi. Njëkohësisht, kjo dorëheqje te popullata do të ngjallë optimizëm dhe besim ndaj institucioneve, në veçanti ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si një institucion më i lartë i drejtësisë. Tekefundit, kjo gjykatë tregoi se është e paprekshme dhe e pavarur. Dhe, kështu siç analizohet, kjo dorëheqje duhet të jetë një leksion i avancuar politik, (që humanizon dhe emancipon institucionet) jo vetëm për shtetet  rreth Kosovës, por edhe për shtetin  amë të Shqipërisë, ku  në vijimësi frymon politika recidiviste, e rrezikshme dhe joparimore, qoftë ajo në rrafsh qendror, po edhe në rrafsh vendor, pavarësisht se bëhet fjalë për politikën e pozitës a opozitës, të cilat toptan mëtojnë ta rimarrin e ta grabisin pushtetin absolut!?

    E gjithë kjo politikëbërje e shtetit amë, është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me teorinë e Monteskies lidhur me ndarjen e domosdoshme të pushtetit. Sipas kësaj teorie, pushteti duhet t’i takoj pozitës dhe opozitës. Ndofta, politikës shqiptare i duhet një dorëheqje kolektive, me përjashtim të presidentit të shtetit, Bamir Topi, i cili kundërshtoi politikën e grushtit të hekurt dhe politikën e pushtetit absolut të kryetarit të qeverisë dhe të kryeparlamentares së Parlamentit shqiptar.

     Kjo dorëheqje e Fatmir Sejdiut do të kishte edhe më shumë peshë politike sikur të ishte autonome dhe e painicuar nga ana “..,nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e përbërë nga 3 ndërkombëtarë, amerikani Robert Carolan, ndryshe Prokuror publik nga Minesota, bullgarja, Snezhana Botusharova dhe portugezi Almiro Rodrigez  dhe, gjashtë vendorë, prej të cilëve 3 nga radhët e PDK, një nga AAK, një serb dhe një turk dhe asnjë nga LDK”!?. Pavarësisht se cilin post e braktisi Sejdiu, ai nuk kërkoi se cili post ishte më i rëndësishëm dhe më i respektueshëm, ai i presidentit të shtetit, apo i kryetarit të (cilësdo) partisë.

    “Gjymtimi” i vetëm i kësaj dorëheqjeje (në gjuhën politike) është se kjo krijon një krizë të thellë institucionale në vend, e cila gjë partnerit të koalicionit, PDK-së i hap rrugë lidhur me krijimin e pushtetit absolut (nga fakti se posti i presidentit të shtetit kalon në avlinë e kryeparlamentarit, i cili tani për tani, bart dy poste kushtetuese dhe një partiake a politike, postin e sekretarit të  përgjithshëm të PDK-së)

     Që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të jetë i plotë dhe deri në fund transparent, do të duhet që të shqyrtohet mundësia a ideja sa i përket shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme (të jashtëzakonshme!?) parlamentare, pavarësisht se kjo ide do t’i shkojë përshtati a jo cilësdo parti politike në Kosovë. Tekefundit, nuk mbajnë opinionet e shtrembëruara të disa politikanëve se gjithë këto përgatitje, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk mund t’i përfundojë në afat optimal. Nëse kjo nuk realizohet atëherë, nuk do ta nderoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dorëheqjen e Presidentit të Shtetit, Fatmir Sejdiu.

     Dhe pas gjithë kësaj meseleje, asnjë politikan kosovar nuk duhet t’i kundërshtojë ndërkombëtarët dhe në veçanti vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse ata që inatosin urdhrat politikë të ndërkombëtarëve pësojnë njësoj si njerëzit që ndeshen me brinjët e djallit. Të gjithë ata që nuk i ikin kësaj ndeshjeje, politikisht “mbeten pak shtatzënë, qofshin ata edhe të gjinisë mashkullore”!???

     Ndërkaq, sot ta ironizosh, ta nëpërkëmbësh, ta përqeshësh, ta keqinterpretosh dhe ta keqkuptosh  dorëheqjen e Fatmir Sejdiut nga posti i kryetarit të shtetit, kjo do të thotë ta abuzosh filozofinë dhe etikën e institucionit, siç është dorëheqja e vullnetshme (jo me porosi e me urdhër).



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora