Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Almir Rrapo dhe Patrick Henry e Rod Taylor

| E marte, 05.10.2010, 08:58 PM |


Almir Rrapo dhe Patrick Henry e Rod Taylor

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Kohët e fundit në sallat e gjyqeve në Shqipëri dhe në media përmenden shumë dy emra, ai i Almir Rrapo, ish-sekretarit të Ilir Metës dhe emri i amerikanit Patrick Henry presidentit të kompanisë SAC dhe bashkëpronarit të kompanisë “Albademil”.

 

Almir Rrapo është një shtetas shqiptar i cili gjendet i arrestuar në Shqipëri dhe pritet që të ekstradohet në SHBA, ku akuzohet për  pjesëmarrje në organizatë mafioze, trafik narkotikësh dhe vrasje, sipas kërkesës së drejtësisë amerikane. Patrick Henry është një shtetas amerikan, i cili është shumë i përfshirë në historinë e Gërdecit.

Në gjyqin e Gërdecit përfaqësuesit e akuzës, duke dashur që të provojnë fajësinë e të pandehurve, po nxjerrin përditë prova të lidhjeve të tyre me Patrick Henry, kompania e të cilit fitoi nga MEICO, kompania shtetërore shqiptare e shitblerjes të armëve dhe municioneve, si dhe nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, të drejtën për të çmontuar municione dhe për të shitur barutin dhe metalin e nxjerrë prej tyre. Prokurorët në fakt po vërtetojnë se ka qenë pikërisht Patrick Henry ai që ka sugjeruar gjithçka dhe gjërat janë bërë sipas dëshirës së tij. Patrick Henry ka zgjedhur si nënkontraktor kompaninë Albdemil, ku vetë Henry ishte bashkëpronar, ndërsa Delijorgji ishte administrator.

E megjithatë, Patrick Henry nuk është marrë i pandehur nga Prokuroria, por ai kërkohet që të pyetet si dëshmitar me… letërporosi! Patrick Henry duhej të ishte i arrestuar, i pandehur në krah të Delijorgjit, Pinarit dhe të tjerëve, në këtë proces gjyqësor. Por Prokuroria shqiptare as që e ka proceduar penalisht Patrick Henri. Kjo për faktin se Patrick Henry është shtetas amerikan dhe Prokuroria shqiptare ka mentalitetin e zyrave të akuzës të ish-republikave të bananeve të Amerikës Latine, të para 30 vitesh. Mosmarrja në përgjegjësi penale e shtetasit amerikan Patrick Henry është një akt i pastër i shpërdorimit të detyrës nga ana prokurorëve të çështjes së Gërdecit, e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, e drejtorit të çështjeve penale në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Stojani. Një shtetas francez i cili punonte për kompaninë franceze që shfrytëzonte minierën e bitumit në Selenicë të Vlorës, u arrestua para disa vitesh, me rastin e vdekjes së disa minatorëve. Përse nuk mund të arrestohen atëherë amerikani Henry.

Gjithashtu, Prokuroria duhet të kishte marrë të pandehur dhe Rod Taylor, amerikanin tjetër i cili u shfaq në një video të publikuar nga Mero Baze, teksa njoftonte Delijorgjin se fabrika e demontimit në Gërdec po shpërthente. Rod Taylor ishte një specialist demontimi municionesh dhe veprimet e tij në ditën e shpërthimit janë shumë të dyshimta. Rod Taylor është njeriu i Patrick Henry. Rod Taylor, pas të gjitha gjasave është njeriu që e ka kryer shpërthimin e Gërdecit. Njerëzit si Rod Taylor janë aventurierë ndërkombëtarë- ç’ lloj tjetër njeriu mund të vinte nga SHBA-të dhe të punonte në Gërdec! Këta njerëz nuk e kanë për gjë që për një shpërblim të mirë të kryejnë një shpërthim, madje i shijojnë shumë këto gjëra. Natyrisht se fabrika në Gërdec mund të shpërthente edhe aksidentalisht, por mënyra se si shpërtheu, kur Taylor gjendej atje dhe u largua me vrap, e bën shumë të dyshimtë shpërthimin. Aq më tepër kur Taylor qëndronte pak kohë në fabrikë.

Të gjitha të dhënat të çojnë tek përfundimi se Taylor shkoi ditën e shtunë në fabrikë, e përgatiti shpërthimin dhe pastaj u largua me shpejtësi dhe njoftoi Delijorgjin në telefon se fabrika po shpërthente, duke e filmuar njëkohësisht pamjen e vendit se ku duhej të ndodhte shpërthimi. Me këtë Taylor kërkonte të përgatiste alibinë e vet, sikur edhe ai ishte kapur në befasi nga ajo që po ndodhte. Por Taylor nuk mund të shpëtojë kështu. Ai së pari duhet të përgjigjet se përse, duke qenë specialisti kryesor në Gërdec, lejoi ato kushte pune. Pasta jai duhet të përgjigjet edhe për shpërthimin e Gërdecit.

Nëse Henry dhe Taylor nuk merren të pandehur dhe nuk sillen të arrestuar në Shqipëri, ashtu siç po shkon Almir Rrapo në SHBA-të, atëherë ajo çka ndodhi në Gërdec u mbetet në derë amerikanëve, jo shtetit, por lobeve antishqiptare që e keqpërdorin pushtetin që u jep shteti amerikan. Gjithsesi tashmë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikano, sa i përket palës amerikane, nuk po merret vesh se ku mbaron pushteti i lobeve dhe ku fillon ai i shtetit.

Fakti që në të gjitha analizat dhe debatet për Gërdecin të analistëve të medias shqiptare nuk kërkohet marrja në përgjegjësi penale e Patrick Henry dhe e Rod Taylor tregon se analistët e medias shqiptarëve kanë mentalitetin e një specieje tashmë të shuar mediale, asaj të analistëve të medias së ish-republikave të bananeve të Amerikës Qendrore.

 

Gazeta Sot - Për ZSH: Ilir Dardani