E shtune, 20.04.2024, 03:00 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ramadani: Rreziku i ri për kombin shqiptar

E marte, 05.10.2010, 09:59 PM


Këngët e Bin Ladenit dhe vehabizmi, thirrjet e Dom Anton Kçirës dhe thirrjet Shën bartolomeiste, rreziku i ri për kombin shqiptar

 

Nga Mr. ARDIAN RAMADANI

 

Kur e shkrova titullin e këtij shkrimi, më shkoi mendja tek shkrimtari i famshëm shqiptar Pashko Vasa, me fjalët e tij “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo thirrje e tij, që ia vlen të debatohet edhe sot e kësaj dite me të vërtetë shërben si udhërrëfyes dhe si kandil ndriçues, saherë që dalin në skenë skema të urrejtjeve ndërfetare, fanatizma primitiv, qofshin ato të njërës apo të palës tjetër. Rreziqet me të cilat përballet kombi shqiptar përpos që janë të natyrës së jashtme, kanë të bëjnë edhe me rreziqe të natyrës së brendshme, por të sjella nga jashtë. Kësisoj sharja, denigrimi apo poshtërimi i figurave kombëtare shqiptare vetëm se i takojnë atij apo këtij religjioni, nuk është asgjë tjetër përpos prelud dhe alibi për të nxitur urrejtje të tipit Shën Bartolomej edhe ndër këtë komb, tek i cili nuk ka pasur kurrë urrejtje fetare, i cili ka ditur të ruajë shumë mirë mozaikun e pasur fetar, duke e vënë në pah si çdoherë aspektin kombëtar, si më të rëndësishmin, si më primordialin dhe më të nevojshmin. Ndjenja e krenarisë kombëtare ndër shqiptarët ka qenë dhe duhet të mbetet çdoherë e para, e mandej është çështje tjetër se kush dhe cili përcaktohet për njërin apo tjetrin besim fetar. Por, thirrjet e fundit, respektivisht, zërat e fundit të njerëzve që duan të i qesin vellon fetare problemit kombëtar shqiptar që është i pazgjidhur, nuk është asgjë tjetër përpos veprim agjenturor dhe tradhti kombëtare. Kësisoj, në kësi rastesh vlen thënia e Pashko Vasës, i cili kishte të drejtë me këtë thirrje, ngase ai nuk e cenoi asnjëherë besimin apo besimet fetare ndër shqiptarët, por i irrituar që individë të paguar dhe mercenarë të ndryshëm donin të loconin problemin kombëtar shqiptar në problem fetar, u nxit që të thotë këtë shprehje që ka lënë dhe do të lërë gjurmë çdoherë. Kësisoj, kohëve të fundit më rastisi të dëgjoja vargje dhe këngë kushtuar Osama Bin Ladenit, personit misterioz dhe kontrovers, armikut kryesor të SHBA-ve dhe botës demokratike, e kësisoj edhe armikut të shqiptarëve. Ky kryeterrorist, që ndokush që nuk është asgjë tjetër përpos zombie njerëzore i kushton edhe këngë, akuzohet për organizimin e sulmeve terroriste kundër Kullave Binjake në shtator të vitit 2001 dhe për një sërë sulmesh të tjera. Por, ti thurësh këngë këtij terroristi, nuk është asgjë tjetër, përpos që është ngjashmëri me thurje të këngëve armiqve të përbetuar të shqiptarëve. Në momentin kur SHBA-të, iu janë gjetur shqiptarëve në momente më kritike përkrah, duke na shpëtuar nga xhelati serbosllav, ca shqipfolës vehabistë, që Zoti e di se çfarë janë, nxitojnë të i thurin këngë kryeterroristit Bin Laden. Turp i madh.

Theksimin e elementit vehabist në trevat tona (lexo: edhe pse është ende prezent në numër shumë të vogël), elementi sllav dhe grek e shfrytëzon për interesa të veta. Kësisoj, kujtojmë rastin e takimit të kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevskit me Ministrin e jashtëm izraelit, Avigdor Liberman, ku u potencua rreziku nga rreziku vehabist, e me këtë Gruevski aludonte menjëherë tek shqiptarët. E të njëjtës vijë ishte edhe deklarata e Ivica Daciçit për gjoja rrezikun vehabist në Ballkan, (lexo: ndërsa nuk është fare çudi se pikërisht këto grupe përkrahen dhe ndihmohen nga Serbia dhe qarqe të tjera anti-perëndimore dhe anti-shqiptare). 

Në anën tjetër jam më shumë se dakord me autorin e shkrimit “Këndoni Adem Jasharit, e jo Bin Ladenit”. Po, ja që këta zombie ç`njerëzore harrojnë Adem Jasharin dhe heronjtë tjerë që i kemi të shumtë dhe nxitojnë të i thurin vargje kryeterroristëve, me të cilët nuk na lidhë asgjë. Fill pas dëgjimit të kësaj kënge për Bin Ladenin, të kompozuar nga mercenarë agjenturorë, misionarë të paguar për të dëmtuar çështjen kombëtare shqiptare, nëpër media patëm rastin të shohim dhe dëgjojmë incidente nëpër xhami, dhunë, presione, shantazhe dhe u shokuam. Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni akuzoi vehabistët që kanë filluar të shpërndahen si sëmundja e kolerës në shoqëritë ballkanike, por se kush dhe cili i përkrahë këto grupe nuk dihet ende. Por ajo që mund të thuhet troç është se shqiptarëve nuk i duhen kësi lloj poshtërsirash ngase edhe pse jemi shumicë myslimane nuk guxojmë të bimë pre e provokimeve të këtyre grupeve armiqësore të dëmshme për kombin shqiptar dhe për demokracinë në përgjithësi. Kësisoj, do të i shkonte për shtati gazetarit serb Llatasit, si dhe shumë e shumë bashkëmendimtarëve të tij teza se ja shqiptarët nuk luftojnë për çështje kombëtare, po për fe. Gjë që nuk do i besojë askush, po thjesht nuk do ta linim të masturbonte me gojën e tij aq lehtë. Mandej, nuk e kuptoj se në bazë të cilave parametra bazohen këta njerëz që i këndojnë Bin Ladenit, kur dihet se organizatat terroriste janë terroriste, jo vetëm për një shtet dhe për një komb po për gjithë globin në përgjithësi, e kësisoj edhe për ne. Por, kur këta grupe terroriste janë kundër SHBA-ve, miqve të përhershëm të shqiptarëve nuk do më shumë koment. Ajo që mund të thuhet lirisht është se këto grupe që i thurin këngë Bin Ladenit ose sojit të tij, duhet luftuar pa mëshirë dhe duhet flakur tutje nga kanë ardhur. Grupet vehabiste që janë të dëmshme për shqiptarët, po edhe për Islamin si fe që thërret për paqe, janë grupe antikombëtare dhe që duhen të luftohen pa mëshirshëm nga ne vet.

Në të njëjtën vijë, duke dëgjuar thirrjet e Dom Anton Kçirës, i cili para ca kohësh shprehte admirim për shfarosjen e shqiptarëve nga Millosheviçi, janë me të njëjtën vijë sikurse thirrjet e Arkanit, i cili dikur lëshonte kushtrime për luftë “Za sveta zemlja protiv siptari”. Duhet kuptuar që thirrjet e tilla, po edhe thirrjet e fundit që mund të lexohen nëpër ueb portale që pretendojnë se janë shqiptare, ku bëhen thirrje për konvertime fetare në njërën apo tjetrën fe, ku shahen figurat kombëtare shqiptare, që nuk kanë luftuar për fe po për komb, ku shahet figura mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare e Gonxhe Bojaxhiut- Nënë Terezës, ku kërkohet në njërën anë djegia e xhamive dhe ndalimi i ezanit, e në tjetrën anë rreziku për greqizmin e Himarës sa vjen e shtohet, nuk janë asgjë tjetër përpos veprime misionare antikombëtare. Ngase kombi shqiptar nuk ka nevojë për gjëra të tilla. Gjuha që flet kombi shqiptar, gjuha shqipe është njëra prej gjuhëve bazë të kontinentit evropian. Llogaritet si njëra prej 5 apo 6 gjuhëve bazë të këtij kontinenti, ndërsa si njëra prej 10 apo 12 gjuhëve të botës. Nacionalizmi i këtij kombi nuk është vrastar, nuk ka shfaqur kurrë pretendime territoriale apo shovinizëm, për dallim prej nacionalizmit serb apo atij grek që institucionalisht dhe historikisht ka qenë vrastar. Nacionalizmi serb i konvertuar në shovinizëm kërcënoi për vdekje qenien shqiptare. Fatmirësisht një gjë e tillë nuk ndodhi, falë vigjilencës sonë dhe botës demokratike. Por, nuk duhet të lejojmë që edhe Shqipëria e Jugut, Himara e gjitha me radhë të na kërcënohen nga elementë mbeturinash, që duke shfrytëzuar vdekjen aksidentale të një njeriu, të abuzojnë me këtë rast. Himara, ka qenë dhe do të mbetet shqiptare. Për këtë duhet të reagojnë fuqishëm institucionet shqiptare gjetiu, organizatat e ndryshme joqeveritare dhe intelektualët.

Kombi shqiptar, përballë sfidave të jashtme dhe të brendshme të llojeve të ndryshme duhet të dijë se si të manovrojë me sukses. Përballë  sfidave të jashtme ai ka përballë nacionalizmin serb, i cili ende është i padenacifikuar, kërcënon edhe më tutje Ballkanin dhe shtetin e ri të Kosovës, e kësisoj shqiptarët në tërësi. Diplomacia serbe e përkushtuar me çdo kusht në lobim kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, përmes përkrahjes së strukturave paralele serbe në Kosovë, përmes margjinalizimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit,  përmes oscilacioneve të ndryshme është sfidë për kombin shqiptar. Përballë këtij kombi gjendet e ashtuquajtura çështja çame e cila rri pezull, dhe nuk faktorizohet, edhe pse shteti i cili pretendon të jetë demokratik Greqia, mban pa të drejtë popullsinë çame në mëshirën e  fatit, pa mos i njohur të drejtat elementare. Kombi shqiptar përballë duhet të ketë edhe sfidën tjetër, atë të ndihmesës dhe mbështetjes së shqiptarëve në Turqi, për mos t`u asimiluar shqiptarët atje. Këtë të drejtë duhet kërkuar nga e drejta e krijimit të njëfarë Albafonie, organizatë kjo e cila do të rigruponte shtetet që kanë popullsi që flet gjuhën shqipe dhe që janë shqiptarë. Kjo lloj organizate duhet të funksionojë sipas modelit të Frankofonisë. Kombi shqiptar përballë ka edhe sfidën e shtetit me këmbë të qelqta FYROM, ku shqiptarët atje duhet meodomos të kërkojnë me egzigjencë të drejtat e tyre natyrore, përndryshe duhet të kërkohen alternativa të tjera si federalizimi apo ndonjë formë tjetër e rregullimit kushtetues. Kombi shqiptar duhet ë ballafaqohet dhe t`i jepet goditje e rëndë grupeve ekstremiste fetare që duan të kryejnë misionet e tyre në dëm të kauzës kombëtare. Ky komb përballë ka edhe sfidat eurointegruese dhe euroatlantike, shkëputjen nga e kaluara komuniste si dhe hyrjen në familjen e kombeve të lira. Kombi shqiptar përballë tij si sfidë të brendshme ka unifikimin ndërshqiptar, në aspekt politik, ekonomik, gjuhësor, arsimor. Ky komb duhet të synojë unifikimin e strategjive dhe qëllimeve të përbashkëta, vijimin e një politike kohezive. Kombi shqiptar përballë ka konceptin monstër të disa pseudoanalistëve si “kombi apo gjuhë kosovare”, por edhe të disa analistëve dhe gazetarëve që ftojnë në konvertime fetare, në luftëra ndërfetare dhe në Shën Bartolomej mes shqiptarëve. Kombi shqiptar duhet ti luftojë këto sajesa të rrezikshme dhe armiqësore, sepse sjellin përçarjen dhe ndarjen e mëtutjeshme ndërshqiptare. Kombi shqiptar përballë ka heqjen e barrierave ndërshqiptare në çfarë do qoftë fushe qofshin ata, forcimin e ekonomisë, krijimin e mundësive për një lëvizshmëri dhe fleksibilitet më të madh ndërshqiptar, dhe këmbimet e ndryshme akademike, studentore ndërshqiptare. Kombi shqiptar përballë ka edhe një sfidë tjetër, iniciativat haxhiqamiliste që vijnë përbrenda tij, të ndihmuara nga qarqet e ndryshme sllave, greke apo qarqe tjera armiqësore antishqiptare. Tendenca e disa individëve haxhiqamilistë të cilët dalin dhe deklarojnë publikisht se “ Shqiptarëve nuk i duhet Evropa dhe Amerika” sa janë djallëzore, po aq janë edhe armiqësore. Shqiptarëve i duhet Evropa dhe Amerika më shumë se kurrë sot. Përndryshe qenësimi i ynë si shqiptarë është në pikëpyetje. Prirjet haxhiqamiliste të disa shqipfolësve, të cilët deri dje kanë qenë ose bashkëpunëtorë të sigurimeve shtetërore të UDB-së, apo janë aksidentalisht fëmijë të bashkëpunëtorëve, që sot e kanë veshur petkun ekstremist fetar, këta faqezinj dalin dhe pa fije turpi deklarojnë se Evropa dhe Amerika janë kundër nesh, ndërsa marrin edhe guximin të deklarojnë se figurat historike kombëtare si  Skënderbeu, Nënë Tereza, janë figura antikombëtare, sepse na qenkan krishtere. Çfarë gojëligësie e turpshme. Këta shqipfolës, duke u nisur gjoja se nga aspektet fetare, që aspak nuk i kontestoj, por që janë aspekte të marra qëllimisht me gabim, nuk pushojnë së deklaruari se shqiptarët nuk kanë nevojë për këta personalitete, që na bënë të njihemi ndërkombëtarisht. Kombi shqiptar duhet detyrimisht t`i luftojë këta forca të errëta, që tentojnë të fusin përçarjen ndërshqiptare në bazë të feve. Kombi shqiptar duhet të luftojë me çdo kusht iniciuesit e një Shën Bartolomeu ndërshqiptar, iniciuesit e një sllavizimi të figurave tona historike kombëtare. Kombi shqiptar duhet të promovojë diversitetin ndërfetar, duke mos cenuar aspak të drejtat fetare ndërshqiptare ose të drejtat fetare të kombeve tjera. Shqiptarët sot edhe pse me shumicë myslimane, nuk duhet të shikojnë me sy armiqësor shqiptarin katolik ose ortodoks. Kjo sfidë duhet patjetër të sfidohet nga kombi shqiptar. Ndërsa tentativa haxhiqamiliste ndër shqiptarët duhet të luftohet me mish e me shpirt, prirjet otomane të disa shqipfolësve që synojnë ndarjen e kombit shqiptar në Vilajete duhet të hidhen së bashku me to në koshin e plehrave dhe fundërrinave të fekaleve. Përndryshe do na mallkojë Zoti, të parët tanë dhe pasardhësit tanë. Kombi shqiptar gjendet përballë sfidës poashtu të disa heretikëve dhe qarqeve ortodokse progreke e proserbe, që u pengojnë xhamitë e që duan të i djegin ngase po “jepkan profil arab ndër shqiptarët”, e nuk ju pengojnë kryqet gjigante përballë shumicës myslimane, që duan të homogjenizojnë kombin shqiptar me një fe të vetme si Ferdinand Habsburgu i Perandorisë së Kombit të Shenjtë Gjerman,

Pra, kombi shqiptar duhet t`i japë përparësi prezencës së multikonfesionalitetit, të respektojë kultet e besimit, të ndërtojë xhami, por në anën tjetër nuk duhet të rrënojë kisha, ose duke ndërtuar kisha të rrënojë xhami, sepse në kompozicionin e tij ka edhe pjesëtarë myslimanë edhe të krishterë. Kombi shqiptar duke i dhënë përparësi ndjenjës së pastër kombëtare, kohezionit ndërshqiptarë, respektimit të diversitetit fetar, librave të shenjtë fetarë dhe të tempujve të shenjtë fetarë, mbrojtjen e këtij diversiteti, mbrojtjes së pastërtisë gjuhësore dhe etnike, ngritjes dhe mbrojtjes së personaliteteve të famshme historike shqiptare, pa marrë parasysh se a janë myslimanë (Naim Frashëri, Hoxhë Tahsini, Ymer Prizreni, Adem Jashari, etj), katolikë (Skënderbeu, Gjergj Fishta, Nënë Tereza, etj) apo ortodoksë (Papa Kristo Negovani, Fan Noli, etj), do të jetë detyrimisht i suksesshëm dhe me relevancë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Tjetër alternativë nuk ka. Shën Bartolomeu nuk na nevojitet aspak, Bin Ladeni dhe vehabizmi duhet luftuar me çdo kusht, thirrjet e Dom Anton Kçirës duhet të dënohen patjetër, po edhe thirrjet e njerëzve që duan ta prishin kompozicionin e kombit shqiptar. Në momentet që jam duke e përfunduar këtë shkrim, i dëgjoj vargjet e këngës më të re të këngëtares së famshme shqiptare nga Kosova, Shkurte Fejza, ”Amerikë, Amerikë, për shqiptarët diell dhe dritë”. Le të këndohet kjo këngë përgjithnjë.



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora