E merkure, 24.04.2024, 08:49 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Shugurim me politikë

E hene, 04.10.2010, 08:32 PM


Patriarku i ri i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, në vend të Zotit, për Kosovën, u drejtoi lutje fuqive të mëdha. Në shugurim, ai dha edhe deklarata nacionaliste. Kësaj here, Boris Tadic, President i Serbisë, u kthye pa e thënë asnjë fjalë. Dy politikanë tjerë serbë u dëbuan nga Kosova. Policia arrestoi tre të rinj shqiptarë, që hodhën ca gurë mbi disa autobusë me pelegrinë serbë.

 

Nga Nexhmije Ahmeti

 

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, gjatë vizitës në Patriarkanën e Pejës, nuk e tha asnjë fjalë. Por, atij mund të mos i mbetet fare merak për këtë. Krejt çfarë ndoshta ka pasur në mendje, i ka thënë Patriarku i ri, Irinej, i cili u shugurua të dielën në këtë Patriarkanë, si kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë.

 

Patriarku i ri, nga fjalimi i tij, dukej së më shumë kishte marrë në dorë punët e politikës sesa shërbimin e tij ndaj Zotit. Gjuha e tij ngjante me atë të paraardhësit të tij, Pavle, i cili vdiq duke mbajtur fjalime nacionaliste për Kosovën. Irinej nuk e harroi refrenin e dashur për serbët se “Kosova është djep i Serbisë”. Ai, madje, gjendjen në Kosovë e krahasoi me kohërat e luftërave e moçme në të cilat Serbia ka përjetuar gjatë historisë.

 

Për Irinejn, Kosova dhe siç tha ai, “Metohija”, vazhdojnë të jenë pjesë të Serbisë. “Populli serb nuk ka shtet tjetër pos Serbisë, në përbërjen e së cilës është edhe Kosova e Metohija”, tha Irinej. Ai nuk harroi të përmend djegien dhe rrënimin e kishave dhe shtëpive të serbëve nga shqiptarët. Madje, i bindur, tha se ato kanë lënë “shenjë të pashlyer për ekzistencën e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”. Edhe pse konsiderohet si njëri që i shërben Zotit, lutjet për popullin tij, nuk i drejtoi nga qielli, por i atyre mbi tokë. Irinej u bëri thirrje faktorëve të fuqishëm të botës, në duart e të cilëve tha se është Kosova. “Fati i Kosovës dhe Metohisë, është në duart e fuqive të mëdha”, tha patriarku Irinej. Madje, në vend të lutjeve, shteteve perëndimore, u mbajti leksion. “Ato të mos gabojnë me vendimet e marra sa i përket statusit të krahinës jugore të Serbisë, përmes së cilës popullit serb do t'i mohohej e drejta shekullore për të jetuar në vendin ku ndodhen varrezat e paraardhësve te tyre”, tha Patriarku Irinej, pasi mbi kokë vendosi kryqin dhe u bekua me ujin e Pejës. Në këtë rast, ai nuk harroi t’u bëjë thirrje edhe shqiptarëve. Duke iu drejtuar shqiptarëve të Kosovës që të jetojnë në paqe dhe harmoni, Irinej tha se duhet lutur që në këtë vend të mbretërojë paqja, harmonia, dashuria dhe të shërohen plagët e marra nga urrejtja dhe e keqja.

 

Por kjo thirrje Patriarkut Irinej, duket se është bërë kot. Para se ai të vinte, rrugët e Pejës ishin mbushur me pankarta në të cilat fotografia e tij shoqëroheshin me mbishkrimin “kriminel lufte” apo “Shko në ferr”. Kjo dukej të ishte porosia e shqiptarëve që kishin për patriarkun e ri të Kishës ortodokse të Serbisë e cila shpesh ka bekuar krimet e shtetit serb në Kosovë. Irinej ka kaluar pranë këtyre pankartave të cilat më vonë KFOR-i italian i ka hequr.

 

Këto trupa të NATO-s, së bashku me Policinë e Kosovës dhe atë të EULEX-it, janë përkujdesur për sigurinë e rreth 5 mijë e 500 pjesëmarrësve në këtë ceremoni.

 

Por rreth 900 policë të Kosovës, duket se nuk kanë mundur të sigurojnë secilin person. Pejanët nuk kanë duruar që serbët me autobusë t’i bien nëpërmes qytetit të tyre, ende pa kërkuar falje për ato që kanë kryer dhjet vjet më parë. Disa të rinj të këtij qyteti, kanë hedhur disa gurë mbi autobusët që bartnin pjesëmarrësit e ceremonisë. Policia ka arrestuar tre shqiptarë që dyshohen se kanë hedhur gurë në drejtim të autobusëve me serbë, teksa ata ktheheshin nga ceremonia. “Rasti i parë ka ndodhur në orën 15 e 5 minuta afër qendrës zejtare në Pejës kur një person ka hedhur një guri në drejtim të një autobusi. I dyshimti është arrestuar nga policia”, thotë Xhevat Ibraj zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës.

 

Në të njëjtën rrugë, gjysmë ore më vonë, prapë janë hedhur disa gurë mbi një autobus tjetër. Zëdhënësi Ibraj konfirmon se në këtë rast, janë arrestuar dy persona, shqiptarë të Kosovës. Është hera e parë që një ceremoni e tillë inauguruese e krerëve të Kishës Ortodokse serbe, mbahet në Kosovë, që kur vendi ka shpallur pavarësinë dy vjet e gjysmë më parë.

 

Shugurimi i patriarkut Irinej është i treti me radhë, meqë ai ka mbajtur dy ceremoni të tilla në muajin janar në Beograd, kur edhe ka marrë detyrën e kreut të Kishës Ortodokse Serbe. Në ceremoninë inauguruese të patriarkut Irinej, të dielën në Pejë ka marrë pjesë edhe Presidenti i Serbisë Boris Tadic, i cili ka mbërritur me helikopter të KFOR-it. Presidenti serb është i vetmi nga liderët serbë që mori pjesë në ceremoni, pasi, ka marrë leje për të hyrë në Kosovë përmes zyrës së Bashkimit Evropian në Beograd. Këtë leje e kanë miratuar paraprakisht autoritetet e Qeverisë së Kosovës, pas kërkesës së Presidentit Tadic.

 

Megjithatë, sikurse herëve tjera, Qeveria e Kosovës ka kërkuar që të respektohet karakteri i vizitës dhe ai të mos japë deklarata politike. Kësaj radhe Tadic e ka respektuar karakterin e vizitës dhe nuk ka dhënë fare deklaratë. Të pranishëm kanë qenë edhe mijëra besimtarë ortodoksë serb, të cilët në mënyrë të organizuar kanë mbërritur nga e shtuna në Pejë.

 

Asnjë nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës nuk ka qenë i pranishëm në këtë ceremoni, ndërsa zyrtari i vetëm i ftuar ka qenë kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, i cili ka refuzuar ftesën, pasi nuk kanë qenë të ftuar edhe liderët e tjerë të Republikës së Kosovës.

 

Në shugurim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare të Kosovës – shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier, shefi i EULEX-it Yves de Kermabon, komandanti i KFOR-it, Erhard Buehler, si dhe përfaqësues të korit diplomatik të akredituar në Beograd dhe Prishtinë. Ndonëse Policia e Kosovës nuk ka marrë asnjë kërkesë nga zyrtarë të Serbisë për sigurimin e tyre në inaugurimin e patrikut Irinej në Patrikanën e Pejës, ajo ka angazhuar rreth 900 zyrtarë policor të cilët së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin dhe garantimin e plotë të sigurisë, duke përfshirë edhe përcjelljen e grupeve apo delegacioneve të ndryshme që kanë ardhur në Kosovë.

 

Zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wichter ka thënë se siguria ishte në nivelin e duhur.

 

Ndalohet Nikolic

 

Tomislav Nikoliq dhe Velimir Iliq nuk e kanë pasur fat që të jenë të pranishëm në Patrikanën e Pejës në inaugurimin e patriarkut të ri të Kishës Ortodokse Serbe. Ata janë kthyer për në Serbi nga policia e Kosovës derisa po tentonin të hynin në Kosovë nga pikat kufitare Jarinje dhe në Leposaviq.. Velimir Iliq i Partisë Serbia e Re dhe Tomislav Nikoliq - Partia Serbe e Progresit, janë kthyer për në Serbi meqë nuk kanë pasur leje për të vizituar Kosovën në cilësinë e zyrtarëve. Në vendkalimin kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Jarinje, i është refuzuar hyrja Tomisllav Nikoliq, lider i Partisë Përparimtare të Serbisë dhe 10 zyrtarëve të tjerë që ishin pjesë e këtij delegacioni me arsyetimin se ai nuk ka paralajmëruar vizitë tek autoritetet kosovare. Zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadriu, sqaroi se sa i përket politikanit tjetër serb, Velimir Iliqi, i njëjti është ndaluar në Leposaviq dhe është dëbuar jashtë territorit të Kosovës përmes pikës kufitare në Merdare.

 

Vizita

 

Policia e Kosovës bën të ditur se në ceremoninë e inaugurimit të patriarkut të ri kanë marrë pjesë rreth 5 mijë e 500 qytetarë serbë. Policia bën të ditur se ata kanë ardhur me autobusë dhe automjete tjera. Policia ka regjistruar 76 autobusë, 23 kombi-busë dhe 75 automjete të vogla. Serbët janë kthyer për në Serbi nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora