Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Halldupi

| E hene, 04.10.2010, 09:59 PM |


KALOSH ÇELIKU

 

HALLDUPI

   

      E vërtetë, jam rritur qafë për qafe me Qenin e Shtëpisë. Edhe me macjen, në Katund. Dorën në zemër, ishin kafshë besnike. Nateditë e ruanin Shtëpinë. Shkak ky, që edhe kujdeseshin Nëna dhe Babai, e gjithë familja për këto kafshë besnike shtëpiake. E ndanim me to së bashku edhe bukën e gojës. Vetëmse, këto kafshë asaj kohe kurrë nuk e tradhtonin Shtëpinë. E ruanin nga hajdutët, e ruanin nga Ujku, e ruanin nga minjt që në atë kohë na hiqnin valle gjithë natën nëpër Shtëpi. Prandaj, edhe jetonin bashkë me ne nën një çati si një familje e madhe.

      Edhe, çuditem sot me Qenin Plak të Hoxhës me dy dhëmbë të kalbur në gojë: Natën leh në Iriq. Përmëkeq, edhe nuk i del zot Shtëpisë. Ndërsehet pas shpine sa herë që Hoxha ia bënë me gisht. Edhe atë pas miqëve. Armiqëve krah më krah ua hap portën. E kuptoj, Hoxha ia fluk nga një copë buke pas dere. Po, nuk e kuptoj se si ky Qen Plak i Hoxhës me dy dhëmbë në gojë, merr guximin të ndërsehet pas Ujkut të maleve. Edhe atë, tinës pas shpine nga pusia. E kishte ndjekur Ujkun e maleve ky Qen besnk i Hoxhës deri te autobusi urban, në stacion rrëzë Kalasë. Ujku, tek tashti e pa zgjebanin që edhe ai priste në stacion autobusin. I hodhi një vështrim të egër duke ia bërë me dije se të pashë, po nuk e kam mendjen të përshëndetem me ty si qen me zgjebe. Shkaku se: ne jemi fis ujqërish, vijmë nga malet dhe nuk trembemi nga ndjekjet dhe lehjet e sojit të juaj pas shpine. E di, se jeni fis i yni nga gjaku, jeni “vëllezërit” tanë, po fatkeqësisht jeni melezë. Një Zot e di se me kë jeni kryqzuar pas ndonjë mullari me bar.

      Dhe, nuk ia vuri veshin Qenit Plak të Hoxhës. Autobusi erdhi dhe hipi si të gjithë udhëtarët që prisnin në peron. U stacionua pranë disa grave, pasi nuk kishte vend të           lirë për t’u ulur në karrike. Në ndërkohë, më këmbë edhe e shfletoi gazetën e “pavarur të vëllazërim – bashkimit”, në të cilën Hoxha shkruante kolumne politike: “U bë Shkupi Kaçanik!” Qesharake, ë?! Shkupi me gjithë këta heronj bullgarë, misionarë grek, luanë, kisha ortodokse, xhami e hoxhallarë në minare, kurrë nuk mund të bëhet  Kaçanik. Shkaku, se: Kaçaniku është Kaçanik si te ajo kënga popullore shqiptare: ku, në një luftë flakë më flakë me pushtuesit osmanë, është derdhur gjaku deri në gju, sa që është mbytyr edhe kali. Nëntë sahat është therë me thika. E ka nemur turku: Kaçanikut i raftë pika, nëntë sahat është therë me thika. E në atë luftë dihet, nuk ka luftuar vetëm Kaçaniku, por e gjithë shqiptaria. Edhe: ku është ajo e mirë që Shkupi të bëhet Kaçanik. Hoxha nuk e ka gajlen e Shkupit, po gajlen e Kaçanikut shqiptar, që ia rrezikon thirrjen e ezanit në minare. Nëma e shqiptarit për Atdhe, është edhe më e rëndë se e turkut. Hoxhën me çallmë turku në kokë e ka mbuluar harami.

       Papritmas, dikushi  foli me zë të lartë pas shpine që ta dëgjojnë edhe udhëtarët: Marre duhet të të vij që më ke sharë në gazetë! Ujku plak e shikoi duke buzqeshur mjeranin trim me dimija turku. Asganin, që para pak kohe në stacion nuk e kishte atë guxim, e shi tashti pasi hipi në autobus i erdhi fuqia si te ato këngët kreshnike, kur Mujit e Hilit u japin gji Zanat e maleve, fuqi për luftë. Vetëmse, këtij “kreshniku” të Bit – Pazarit, tashti kush i dha tambël, me siguri jo Zanat e maleve po ndonjë ferexhezezë Anadolli. E ngriti bishtin mbi shpinë duke u shkundur mes grave. Qenisht filloi të leh mes udhëtarëve me zë të lartë halldupi.

       Ujku Plak edhe një herë e shikoi egër këtë “vëlla” gjaku, po përsëri iu dhimbtë mjerani me zgjebe. Tha, me vete: sa trim duket mes udhëtarëve në autobus, kur e di se nuk do ta bëj copë – copë me gjithë tesha arnë mbi arnë. E sa i mjerë ishte në stacion, kur e priste autobusin  me bishtin nën këmbë. E merre me mend se, si mund të duket ky Qen Plak besnik i Hoxhës në rrugë?! Ose, mes livadheve me një asht në gojë. E të mos flasim për në male, me siguri do t’i shpëtonte në brekë. E shkundi me habi kokën. I tha: dëgjo ti Qeni Plak besnik i Hoxhës, jemi në autobus se, po të ishim në tjetër vend, ndryshe me ty do t’i qëronim hesapet. Prandaj, të them ikë matanë, mos të të shqyej me gjithë arna edhe këtu mes udhëtarëve! Unë vërtetë jam i kulturuar, po edhe kultura ka kufi në disa raste mes Kryeqytetit të Dardanisë. E sidomos, kur Halldupi shqiptar imponon me dhunë rrugë turkoarabe dhe sllave. Asnjërën. Vetëm shqiptare. Edhe: me halldupët, që e kanë rrokur Shkupin për fyti, ia kanë zënë frymën me “flijime patriotike - kulturore” teknefese, nganjëherë të detyrojnë t’i përzish kësulat edhe në mes të pazarit.  

       Halldupi, kur e pa sa është sahati, iku e u struk mes udhëtarëve në fund të autobusit. Dhe, në stacionin tjetër të radhës, zbriti me bishtin nën këmbë. Iku me të katërta me gjithë zgjebe matanë rrrugës, drejtë e te Xhamia e Isa Beut…