E enjte, 25.04.2024, 06:16 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Antimafia’, sekuestro pasurive në familjen e Majlinda Bregut

E diele, 03.10.2010, 03:22 PM


Pronat dhe pasuritë e kunatit të ministres Majlinda Bregu, por ndoshta dhe të vetë ministres, mund të vihen nën sekuestro nga pala shqiptare. 
Burime pranë grupit hetimor të policisë së shtetit dhe Prokurorisë së krimeve të rënda, konfirmojnë për Gazeta Shqiptare se “hetimet për pronat e Albino Prudentinos dhe djalit të tij vazhdojnë edhe në Shqipëri”. Një gjë e tillë, është e bazuar në ligjin antimafia, ku në nenin 8, pika 1 thuhet se “Prokuroria dhe policia gjyqësore marrin dijeni për pasuritë që duhen verifikuar, sipas këtij ligji, me iniciativën e vet ose me njoftim të bërë nga të tretët”. Që do të thotë, se policia dhe prokuroria shqiptare, janë njohur me vendimin e prokurorisë së Lecces, dhe pas tij kanë kryer arrestimin e Albino Prudentinos, 59 vjeç në Shqipëri. Menjëherë (edhe pse nuk e kanë bërë) duhet të fillojnë verifikimet paraprake (të cilat sipas informacioneve e kanë filluar) për të vendosur bizneset e tij apo njerëzve të lidhur me të (duke përfshirë djalin dhe ortakët e tij), nën sekuestro. 
Sqarimi i ligjit 
Albino Prudentino, një ndër bosët e mafias “Sacra Corona Unita” u arrestua në Vlorë katër ditë më parë me akuzën e prokurorisë së Leces për organizatë mafioze dhe trafik të lëndëve narkotike. 
Pronat e Albino Prudentinos në Shqipëri, ekzistojnë në emër të djalit të tij Angelo Prudentino dhe janë tre të tilla, ku njëra prej tyre është “Betting System Albania” ku është përfshirë edhe motra e kunati i Ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Ndërkohë që në QKR, figurojnë edhe dy kompani të tjera “Kazino Italia” dhe “Bet plus”. 
Por ligji shqiptar “Antimafia”, i cili është marrë njëlloj nga pala italiane, e që ka hyrë në fuqi në Janar të këtij viti, parashikon se të gjitha pronat që burojnë nga pasuri kriminale, vihen nën sekuestro. 
Sipas ligjit “Antimafia”, kryhen verifike për mjetet financiare, pasuritë, veprimtaritë ekonomike, tregtare dhe profesionale, nivelin ekonomik si dhe për burimet e të ardhurave të tyre. “Verifikimet bëhen në veçanti edhe nëse këta persona janë zotërues të lejeve, licencave, autorizimeve, koncesioneve dhe të drejtave të tjera për të ushtruar veprimtari ekonomike, tregtare dhe profesionale, si dhe për të verifikuar nëse ata përfitojnë kontribute, financime ose kreditime të çdo lloji, të dhëna apo të përfituara nga shteti, ente a persona juridikë publikë, organizma ose institucione ndërkombëtare, si dhe për të verifikuar nëse pasuritë, veprimtaritë apo të drejtat pasurore janë të përligjura” thuhet në ligjin “Antimafia”. 
Sipas ligjit, rezulton se prona e Angelo Prudentino, babai i të cilit u arrestua në Vlorë si mafioz, duhet të vihet në sekuestro nga pala shqiptare, dhe po ashtu edhe gjithë ortakëve të tij. Prona, nuk përfshin vetëm bizneset, por edhe shtëpitë, makinat dhe aktivitete të tjera. 
Blerja e aksioneve nga kunati i Bregut, “nul” 
Kryeministri Berisha dhe deputetët e Partisë Demokratike kanë qenë tejet të vendosur dhe të angazhuar në luftën ndaj krimit të orgizuar, mafies, trafiqeve të llojeve të ndryshme, kur kanë futur në ligjin “Antimafia” faktin se pasuritë e çdo lloji, të personave të përfshirë në veprën penale, nuk mund të shiten dhe nuk mund të transferohen. Aq më tepër kur është vendosur që zbatimi i dispozitave të ligjit zbatohet për “persona të afërm (bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka) të subjekteve të pikës 1 të këtij neni; si dhe b) personave fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, a janë përdorur, kanë lehtësuar apo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga personat e parashikuar në pikën 1 të këtij neni”. 
Sipas pikës (B) të këtij neni, rezulton se kunati i Ministres Majlinda Bregu, Ervis Gjeçaj, nuk është i lirë të veprojë me këto kompani lehtësisht, por ato menjëherë duhet të vendosen nën sekuestron e Prokurorisë Shqiptare. 
Nga ana tjetër, në këtë moment, që kur Albino Prudentino u arrestua me urdhër të prokurorisë së Lecces, as Angelo Prudentino, nuk mund të shesë dhe të blejë pasuritë e tij apo të tjera, sipas legjislacionit shqiptar. 
Kuvendi i Shqipërisë, në nenin 11 të ligjit antimafia është shprehur qartësisht se Gjykata duhet të vërë nën sekuestro pronat kur “a) ekziston një rrezik real për humbje, marrje apo tjetërsim të fondeve, pasurive apo të drejtave të tjera, mbi të cilat parashikohet vënia në zbatim e masës së konfiskimit, sipas dispozitave të këtij ligji; ose b) ka dyshime të arsyeshme që tregojnë se zotërimi i pasurive dhe ushtrimi i veprimtarive të caktuara ekonomike, tregtare dhe profesionale janë në gjendje rreziku apo ndikimi nga ana e një organizate kriminale ose që mund të lehtësojnë veprimtaritë kriminale”. 
Kjo do të thotë se shitja që Angelo Prudentono u ka bërë aksioneve të veta, i përket pikës (a) të nenit 11. Madje, këtë, e konfirmoi vetë edhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ndërsa deklaroi se u krye shitja e aksioneve, duke legjitimuar në fakt një shkelje flagrante të ligjit “Antimafia”, e po ashtu edhe Qendra Kombëtare për Rregjistrimin e Bizeneseve që legalizoi shitjen. 
Barra e Provës 
Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk ka asnjë dyshim që do të vërë nën sekuestro gjithë pasuritë e Albino e Angelo Prudentinos si dhe personave shqiptarë që kanë bashkëpunuar me ta, biznesmenë, diplomatë, juristë etj. Sipas ligjit “Antimafia” të miratuar nga kuvendi, askush nuk i shpëton dot faktit të dhënies llogari për të gjitha pronat që kanë në dispozicion dhe të deklaruar. 
Kunati i ministres Bregu, Ervis Gjeçaj, motra e ministres Ornela Bregu, do të kenë mbi shpinë barrën e provës për të vërtetuar se këto pasuri kanë origjinë të ligjshme dhe se nuk janë produkte të krimeve të organizuara nga Sacra Corona Unita, pas arrestimit katër ditë më parë në Vlorë, të bossit të mafias, Albino Prudentino.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora