Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kreshnik Tartari rrëfen korrupsionin në sportin shqiptar

| E diele, 16.12.2007, 05:13 PM |


Kreshnik Tartari
Korrupsioni në sport, i cili ka lidhje jo vetëm me shit-blerjet e ndeshjeve, por me gjithçka që luhet si brenda fushës, ashtu edhe jashtë, është kthyer në temën kryesore të ditës. Kjo e shtyrë më tepër pas akuzave të kryeministrit Sali Berisha ndaj ekipit tonë kombëtar në futboll për shitje të flamurit në takimin që kuqezinjtë humbën 6-1 në Rumani. Gjithashtu, kërkesa e dërguar nga ministri Ylli Pango në adresë të UEFA-s, me anë të së cilës i kërkohet hetimi i dy takimeve të fundit të përfaqësueses në eliminatoret që sapo përfunduan, kanë hapur debate të mëdha në të gjithë komunitetin e sportit në vendin tonë.Nuk mund të rrinte pa marrë pjesë në këtë debat, një prej njerëzve që ka dhënë shumë për sportin shqiptar dhe për volejbollin në veçanti. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sot”, trajneri i mirënjohur i volejbollit, Kreshnik Tartari flet për çështjen në fjalë. Ai deklaron: “Në sportin shqiptar, duhet që të dalë në dritën e diellit, lakuriq, rezultati i skanimit të veprimit abuziv të fondit publik, si dhe shkelja e ligjit që shoqëron në përqindjen më të madhe të rasteve në përgjithësi, këtë lloj abuzimi”. Tartari flet edhe për futbollin në veçanti duke u shprehur se ky lloj sporti kërkon një skanim të veçantë. Më pas, trajneri i mirënjohur i sportit të rrjetës hedh idenë e tij se si mund të dalë sporti nga kjo gjendje në prag të vdekjes. “Unë jam për tavolina të vogla, por të rrumbullakëta ama, që me ligj quhen analiza vjetore e federatës së çdo lloj sporti, të cilat po me ligj, duhet të zhvillohen në çdo fund viti. Të gjitha analizat të ndiqen nga një përfaqësi e institucionit që drejton sportin, e cila duke respektuar deri në një autonominë e sportit, të mos lejojë asnjë shkelje në dëm të ligjit, transparencës, demokracisë etj. Më tej, institucioni që drejton sportin, në një tavolinë të madhe të rrumbullakët, shumë të përfaqësuar, duhet të bëjë konkluzionet, të cilat të sqarojnë përveç të tjerave halle të sportit, edhe argumentin në fjalë, që, ka apo jo korrupsion në sportin shqiptar. Nëse jo, ky kapitull duhet të mbyllet, e të shihet para për të ardhmen, nëse po, atëherë autorët duhet të bëjnë mënjanë e të merren me ç’të duan, por me sportin elitar, kurrë më” shprehet Tartari.

-Një nga temat më të mprehta të kohëve të fundit për Shqipërinë, është korrupsioni. Sipas IT, ndodhemi vend të tretë në botë. A ka korrupsion në sportin shqiptar?

-Më lejo, që të sjell në vëmendje të lexuesit, përcaktimin modern për sportin: “Sporti është më shumë se sport, është një shkollë universale e jetës, e vetmja lëvizje në shoqëri që mund të bashkojë botën, dhe të krijojë një fshat global edhe në kohë lufte apo konfliktesh të tjera sociale...”(Seminari i Lozanës). Por, Seminari i Lozanës, midis shumë porosive për lëvizjen olimpike e sportive botërore, nënvizon sa më poshtë: “...suksesi në rritje i sportit, në popullaritet dhe në terma ekonomike, gjatë dekadave të fundit, sjell sfida dhe çon në abuzime, të cilat do të inkurajojnë më shumë ndërhyrje të përcaktuara në ligje...Roli i qeverisë nuk mund të kufizohet në dekretimin e ligjeve sportive, apo vetëm në shpërndarjen e ndihmës financiare...Qeveritë nevojiten për të luftuar korrupsionin, bastet e paligjshme, pastrimin e parave, trafikimin e sportistëve të rinj, racizmin ose format e tjera të diskriminimit...” Është pikërisht kjo porosi e kohëve të fundit, e “tempullit” të sportit në Lozanë, që përveç të tjerave, na orienton tek argumenti i juaj: A ka korrupsion në sportin shqiptar?

-Pra, a ka korrupsion në sportin shqiptar?

-Do të vij shumë shpejt tek argumenti, por sërish më lejo të sjell në vëmendje të lexuesit, që deri sot, në botën e krimit e të korrupsionit shqiptar, nuk kemi të regjistrua asnjë, absolutisht asnjë, sportist apo trajner të nivelit elitar dhe jo vetëm. Vlen të theksoj, që ky binom është shtylla vetebrare e sportit.

-Atëherë, profesor, a ka korrupsion jashtë kësaj “shtylle vertebrare”?

-Në një vështrim të parë, korrupsioni lind aty ku është paraja, por po të hysh më thellë, e gjen edhe aty ku para ka pak ose aspak. Fenomeni është i njëjtë, por ka një përcaktim pak ndryshe. Quhet veprim korruptiv. Në sportin shqiptar, duhet që të dalë në dritën e diellit, lakuriq, rezultati i skanimit të veprimit abuziv të fondit publik, si dhe shkelja e ligjit që shoqëron në përqindjen më të madhe të rasteve në përgjithësi, këtë lloj abuzimi.

-Po futbolli, duhet të hyjë në këtë skaner?

-Futbolli don një “skaner” të veçantë për dy arsye: e para, sepse në çdo vend të botës ai klasifikohet veças sporteve të tjera, pasi jo rastësisht është krijuar ajo që në praktikë quhet “bota e futbolli”, dhe e dytë, në futbollin shqiptar ka para dhe interesa të ndryshme nga ato të sporteve të tjera.

-Në vijim, zoti Tartari, cili dhe si do të jetë skaneri?

-Unë jam në këtë intervistë, për të thënë ndonjë mendim lidhur me argumentin tuaj, jashtë çdo paragjykimi, sepse përveç të tjerave, nuk do ja lejoja vetes, edhe për arsyen se është jashtë natyrës time. Më lejo të them, që problemi i parë, nga sporti duhet të nisë, është që të ndalojë “vdekjen e tij”. Vetëm pasi të bëjë këtë, duhet të nisë një reformë, që ndonëse të supervonuar, ende ka kohë, por më mirë vonë se kurrë. Para se të nisë reforma, sporti shqiptar duhet të japë llogari, se, në këto 15 e kusur vjet, ç’farë ka bërë, si e ka bërë, pse e ka bërë, kush e ka bërë etj, etj,...

-Ju jeni për një “mega raund table?

-Jo, unë jam për tavolina të vogla, por të rrumbullakëta ama, që me ligj quhen analiza vjetore e federatës së çdo lloj sporti, të cilat po me ligj, duhet të zhvillohen në çdo fund viti. Të gjitha analizat të ndiqen nga një përfaqësi e institucionit që drejton sportin, e cila duke respektuar deri në një autonominë e sportit, të mos lejojë asnjë shkelje në dëm të ligjit, transparencës, demokracisë etj. Më tej, institucioni që drejton sportin, në një tavolinë të madhe të rrumbullakët, shumë të përfaqësuar, duhet të bëjë konkluzionet, të cilat të sqarojnë përveç të tjerave halle të sportit, edhe argumentin në fjalë, që, ka apo jo korrupsion në sportin shqiptar. Nëse jo, ky kapitull duhet të mbyllet, e të shihet para për të ardhmen, nëse po, atëherë autorët duhet të bëjnë mënjanë e të merren me ç’të duan, por me sportin elitar, kurrë më.

-Cilat, sipas jush, duhet të jenë prioritet e skanimit?

-E para, në mënyrë absolute, dhe jo sipas meje, është transparenca e fondeve publike, deri në qindarkën e fundit, dhe jo vetëm e këtij viti, por që në fillim të mandatit. E dyta, dhe jo sipas meje, nëse është shkelur ligji, pra statuti, rregullorja etj, dhe a ka lidhje me shpërdorimin e fondeve publike dhe jo vetëm. E treta, dhe jo sipas meje, ka pasë apo jo trafik influence që ka prurë favorizimet. E katërta, dhe jo sipas meje, mandat përsëritja, ka progres, apo ka sjellë të kundërtën. E pesta, dhe jo sipas meje, objektivat në nisje janë realizuar apo jo. Dhe e gjashta, kjo sipas meje, për arsye specifike të sportit shqiptar, në këtë panel të tavolinës së vogël të rrumbullakët, duhet të jetë ekskluzivisht, ajo, shtylla vertebrare e sportit, sportistët dhe trajnerët elitarë, si pjesa më e ndershme dhe më e vuajtur aktualisht e sportit shqiptar.

-Po roli i shtetit në këtë skenar?

-Të mos lejojmë as më të voglën shkelje në analizat e vogla, në rast se do të ketë. Por, mbi të gjitha, të gjejë urgjent bombolat e oksigjenit, për të sëmurin sport, që po jep shpirt. 

Sot