E premte, 19.04.2024, 07:21 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ermelinda Hoxhaj: Pleqtë e azilit mes historive të trishta

E diele, 03.10.2010, 03:15 PM


Pleqtë e azilit mes historive të trishta

 

Nga Ermelinda Hoxhaj

 

Secili prej të moshuarve në Azilin e Tiranës ka një tragjedi sado të vogël për të treguar nga jetët e tyre. Dikush është lënë në harresë nga familja, nga fëmijët që i ka rritur me mund, e dikush tjetër nuk ka më asnjë preson të familjes gjallë, por ka edhe nga ata që nuk kanë krijuar familje me zgjedhje të lirë. E vetmja gjë që u ka mbetur është të mbërthehen pas kujtimeve, që edhe pse të largëta, një pjesë e tyre janë të bukura dhe u rikthen zjarrin e vetëm që u ngroh shpirtin. "Në këtë jetë, e vetmja gjë që më ngroh shpirtin janë kujtimet", - rrëfen një prej më të rinjve në shtëpinë e të moshuarve. Askujt prej tyre nuk do t'i shkonte mendja që vitet e fundit të jetës do t'i kalonte në një shtëpi të moshuarish. Midis tyre edhe Kamberit, të cilin fatkeqësisht e kanë braktisur fëmijët prej disa vitesh. Në godinën e azilit janë të akomoduar 24 të moshuar, ku gjashtë janë gra. Secili prej tyre ka një histori të trishtë në jetën e vet, dhe se si arritën të përfundonin në këtë shtëpi të moshuarish.

 

Zeqir Gjoni

73-vjeçari është një ndër mysafirët më të fundit të Azilit të Tiranës. Pamundësia për t'u kujdesur për veten, ka bërë që ai t'i drejtohet dyerve të shtëpisë së të moshuarve. Zeqiri nuk është martuar asnjëherë, por sot që gjendet në azil, kupton se zgjidhja e tij nuk ka qenë e duhura, pasi siç shprehet ai, "rininë mund ta kaloj pa një femër pranë, por pleqëria është shumë e vështirë për ta kaluar vetëm". Brenga më e madhe e 73-vjeçarit me origjinë nga Hasi, është fakti se nuk ka fëmijë. "Fakti që s'kam bërë fëmijë më mundon. Por kur shikoj persona, që këtu i kanë sjellë fëmijët se nuk duan t'i mbajnë, atëherë marr frymë i lehtësuar dhe them që këtu erdha vetë, se nuk kisha ku të shkoja tjetër", - shprehet i moshuari. Ai tregon se pasi iu shemb shtëpia që kishte në Kukës, sepse prekej nga plani urbanistik i Bashkisë, u detyrua që të shkonte në azil. Me gjysmën e pensionit që i mbetet, pasi gjysmën tjetër e lë për shërbimet që merr në shtëpinë e të moshuarve, ai pi ndonjë kafe, apo ble dhe cigare. Por nuk mohon faktin se ndonjëherë i pëlqen që të pijë dhe ndonjë gotë raki.

 

Luljeta Karaudhi

72-vjeçarja Luljeta Karaudhi, pas vdekjes së të shoqit jetonte vetëm me të bijën, të cilën e kishte të paralizuar qysh e vogël pasi kish rënë dhe kishte dëmtuar trurin. Por kalvari i vuajtjes së të moshuarës nuk merr fund. Duke qenë se lekët nuk i mjaftonin të mbante veten, të bijën dhe të ëmën që jetonte me të, ajo vendos që të shesë shtëpinë dhe t'i fusë lekët në firmat piramidale. Si tragjedia e shumë shqiptarëve asokohe, ajo humbi gjithçka, dhe çatinë që kishte mbi kokë. Pas vdekjes së të ëmës dhe të së bijës ajo mbeti fillikat. Me pensionin që kishte nuk mund të jetonte dot me shtëpi me qira. Por për fat të mirë, një familje e ndihmoi duke i dhënë mundësi që të jetonte në bodrumet e shtëpisë së tyre. Siç tregon 72-vjeçarja, ajo jetoi për shumë vjet në bodrum, mundohej që me atë pak pension që kishte, të mbijetonte. Por prej 2 vjetësh, ajo jeton në Azilin e Tiranës.

 

Adil Arapi

"Këtu në azil u bënë më shumë se shtatë vjet që jetoj. Pas vdekjes së gruas dhe të prindërve, askush nuk mund të kujdesej për mua, pasi nuk kisha asnjë fëmijë. Ndaj zgjidhja e vetme për mua ishte të transferohesha këtu. Ardhja në azil ka qenë shumë e vështirë për mua, sepse nuk doja të lëvizja nga tokat dhe shtëpia ime në Përmet. Por vëllezërit e mi, duke qenë se jetonin në Tiranë me familjet e tyre, mendonin se këtu meqë ata më kishin më afër, ishte më mirë", - tregon Adili. Jetesa në azil fillimisht për të ka qenë e vështirë, por me kalimin e viteve është mësuar dhe e shikon si shtëpinë e tij. Kjo ka qenë dhe historia e Adilit, i cili e tregon me shumë dhimbje faktin që në jetë nuk arriti të provonte fatin e të qenit baba, si dhe shpresën se ndoshta vitet e fundit të jetës nuk do t'i kalonte në Shtëpinë e të Moshuarve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora