E premte, 29.03.2024, 01:31 AM (GMT)

Mendime

Albin Kurti: Dëshira e fundit!

E diele, 03.10.2010, 01:58 PM


DËSHIRA E FUNDIT!

 

Nga ALBIN KURTI

 

 Duket që fotografia me presidentin e ShBAve, Barack Obamën, ka qenë dëshira e fundit e ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut. Gjykata Kushtetuese e ekzekutoi atë politikisht dhe juridikisht gjersa ai ndodhej në ShBA, prandaj vetëm atje ish-presidentit Sejdiu do të mund t'i plotësohej dëshira e fundit. Një fotografi me presidentin e famshëm Obama nuk do t'i mungojë më koleksionit të fotografive të shumta të Sejdiut me burrështetas të ndryshëm, të cilit ai mund t'i rikthehet tash që i mungon posti i

presidentit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte lajm për ish-presidentin Fatmir Sejdiu dhe as për qytetarët e Kosovës. Që të gjithë e denim që ai e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Ky vendim është lajm për vetë Gjykatën Kushtetuese.

 

Kërshëria e publikut konsistonte te dilema nëse Gjykata Kushtetuese do ta thotë atë që e dinim të gjithë: duke i mbajtur të dy postet, atë të kreut të vendit dhe të LDK-së, Fatmir Sejdiu po e shkelte Kushtetutën në nenin 88.2 të saj. Interesimi nuk ishte nëse

Sejdiu njëmend na e paska shkelur Kushtetutën, apo mbase edhe nuk e ka shkelur atë në fund të fundit. Njerëzit donin të dinin vetëm nëse Gjykata Kushtetuese do ta shkelë Fatmir Sejdiun, pasi që shkeljen e Kushtetutës nga ana e Fatmir Sejdiut s'e vinte në dyshim njeri. Por, pse gjithë ky dyshim në Gjykatën Kushtetuese? Pse njerëzit ishin të hamendur nëse Gjykata Kushtetuese do ta thotë atë që dihej botërisht?

 

Qytetarët e Kosovës e ndjejnë thellësisht që në institucionet e drejtësisë në Kosovë, që nga gjykatat për kundërvajtje e deri tek ajo Kushtetuese, nuk ka drejtësi. Ata e dinë nga përvoja që drejtësia në Kosovë zbatohet selektivisht ashtu siç do politika që ndodhet sipër saj. Kushtetuta e Kosovës nuk është respektuar fare në çerekun e territorit të Kosovës që kontrollohet nga strukturat e Serbisë dhe shumë zyrtarë të Kosovës kanë shkelur nene të ndryshme të kushtetutës gjatë këtyre dy viteve. Drejtësia në Kosovë është e ç'kyçur - ajo kyçet vetëm në momente të caktuara kur kjo i nevojitet politikës. Në dorëheqjen e ish-presidentit Sejdiu dora nuk ishte e tij.

 

Fatmir Sejdiu u shtrydh si limoni përgjatë tre vjetëve dhe tash u hodh porsi një limon i shtrydhur, gjithsesi i papërdorshëm për limonada të reja. Është pikërisht Fatmir Sejdiu, ai që mori pjesë në përpilimin e kësaj kushtetute që për thelb ka Planin e Ahtisaarit, i cili e solli decentralizimin mbi baza etnike dhe atë vetëm për serbët, eksterritorialitetin mbi baza fetare dhe atë vetëm për trashëgiminë kulturore ortodokse që për më

keq u serbizua, të drejtën e vetos për deputetët e serbëve që janë vetëm 6% e popullsisë në Kosovë, pjesëmarrjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë pa paguar ajo kurrfarë dëmshpërblimi për shkatërrimet e luftës, betonimin e protektoratit ndërkombëtar si një qeveri mbi Qeverinë e Kosovës, vendosjen e privatizimit si parim kushtetues, shuarjen e TMK-së dhe lënien e Kosovës pa ushtri etj., etj.

 

Kosova sigurisht që ka nevojë për president më të mirë, për kryeministër e qeveri shumë më të mirë, por sidomos ka nevojë për një kushtetutë tjetër që e bën

Kosovën shtet normal me sovranitet e demokraci, me mirëqenie e perspektivë për qytetarët e saj. Pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut, ligjërimet për krizën institucionale në Kosovë janë moskuptim i faktit që në Kosovë është institucionalizuar kriza. Madje, vetë EULEX-i e përkufizon veten si operacion i menaxhimit të krizës. Në Kosovë kemi krizë të thellë politike, të sigurisë dhe socio-ekonomike. Institucionet e Kosovës nuk janë këtu që ta zgjidhin këtë krizë, por që ta institucionalizojnë atë.

 

Kriza shumë më herët dhe shumë më tepër është krizë politike dhe socioekonomike sesa institucionale. Kriza në Kosovë është krizë për qytetarin më shumë dhe para se të jetë krizë për pushtetarin. T'i thuash qytetarit se vetëm tash jemi në krizë, meqë mbetëm pa president, do të thotë t'ia shpërfillësh atij krizën e rëndë që ai e jeton për çdo ditë teksa rropatet të mbijetojë. Jetën e qytetarit të Kosovës shumë më dramatike e bën mjerimi social dhe pasiguria politike sesa fakti që në vend të presidentit tash paskemi ushtrues detyre të presidentit. Për qytetarin është pakrahasimisht më e vështirë që s'ka bukë e s'ka vend pune, që s'ka arsimim cilësor për fëmijët e tij dhe s'ia del dot të blejë barna për prindërit e moshuar, sesa që në fund të një figure prej politikani në ekranin televiziv tash e tutje do t'i shohë titrat ku shkruan u.d., i presidentit.

 

Të gjithë politikanët që janë ngritur në hierarki në kurriz të Kosovës dhe në llogari të qytetarëve të saj janë rrëzuar prej andej. Fatmir Sejdiu nuk është as i pari e as i fundit. Edhe më herët u patën përdorur politikanë të tjerë që u hodhën si lecka kur u bënë më të ndotur sesa ajo që duhej pastruar me ta. Të gjithë këta politikanë do ta kenë shansin për dëshirën e fundit. Ajo patjetër që do t'iu plotësohet, porse zakonisht në formën e ndonjë fotografie që përmban buzëqeshjen e tyre të fundit. Nuk thotë kot populli ynë: shko fotografoju tash!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora