E premte, 29.03.2024, 06:33 AM (GMT)

Mendime

Mihal Naço: Një kujdes që s'është kurrë i tepërt

E shtune, 02.10.2010, 01:09 PM


Një kujdes që s'është kurrë i tepërt

 

Nga Mihal Naço*

 

Ka shumë arsye që në Ditën Botërore të kujdesit për të Moshuarit të gjithë të mendojmë më shumë, në mënyrë të përgjegjshme, me humanizëm dhe solidaritet social për kujdesin që duhet treguar për të moshuarit tanë, për ta dhe padyshim për atë që duhet dhe mund të bëjmë më mirë për plotësimin e natyrshëm të nevojave të tyre jetike. Ky nuk është detyrim, por obligim human dhe qytetar i shtetit, shoqërisë dhe veçanërisht i familjes shqiptare. Natyrisht do të ishte gabim i pafalshëm dhe fatal për të gjithë aktorët që kanë role dhe përgjegjësi për kujdesin ndaj të moshuarve, nëse për të moshuarit tanë mendojmë në mënyrë spontane, sporadike.

1 tetori është Dita Botërore e të Moshuarve që na kujton për detyrimet që kemi të gjithë së bashku për të krijuar kushte në familje, institucione dhe shoqërinë tonë që ata të jetojnë me dinjitet, të respektohen për punën dhe kontributet e tyre në shërbim të familjes, komunitetit dhe shoqërisë. Por, natyrisht, ne duhet të mendojmë në mënyrë prioritare dhe jo vetëm në këtë ditë për ata të moshuar që jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe sociale, që janë të margjinalizuar dhe që për shkaqe të ndryshme personale, sociale, biologjike jetojnë në ambientet e Institucioneve të Përkujdesit Social. Për këta njerëz, kujdesi ynë kurrë nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë, sepse ne e ndjejmë detyrimin që kemi për të plotësuar sa më mirë të jetë e mundur kushtet e jetës për të moshuarit që janë të vetmuar apo të braktisur.

Por, në këtë ditë të veçantë, ne mendojmë se akoma më shumë duhet të bëjmë jo vetëm për të sensibilizuar shoqërinë për vlerën e kësaj dite. Kujdesi për të moshuarit në nevojë nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm pjesë e sistemit të përkujdesit institucional, por element me rëndësi i kulturës sociale të popullit tonë, i cili në traditën e vet të shëndoshë kurrë nuk e ka konsideruar pjesë të nderit kombëtar që të moshuarit, njerëzit tanë me kontribute jetësore t'i trajtojë duke i "braktisur" në Institucionet e Përkujdesit. Përkundrazi tradita jonë e ka vlerë kryesore respektimin e tyre në gjirin e familjes biologjike. Kjo traditë kombëtare edhe sot që shoqëria është bërë moderne nuk mund të quhet pa vlerë apo ca më pak të si "mbeturinë konservatore" e familjes tradicionale shqiptare. Përkundrazi, ne duhet të krenohemi që në qendër të kulturës sonë kemi këtë vlerë, këtë traditë të respektimit pa kushte të të moshuarve tanë, nderimin e tyre për të gjithë arsyet sociale, biologjike, morale dhe tradicionale.

Natyrisht, zhvillimet moderne të shoqërisë shqiptare, ndryshimet e thella demografike, problemet e plakjes së popullsisë dhe shtimi i peshës specifike të të moshuarve në strukturën aktuale të popullsisë, e bëjnë të nevojshme që krahas familjes biologjike, këtij institucioni të natyrshëm social dhe natyral të përkujdesit për të moshuarit, të shtohen edhe rolet dhe përgjegjësitë sociale të përkujdesit të shtetit, pushtetit vendor dhe shoqërisë civile. Natyrisht, pasojat e modernitetit duket se edhe në shoqërinë tonë, jo në të gjitha rastet mund të përballohen vetëm nga familja. Kemi politika, legjislacion dhe institucione për kujdesin në këtë moshë, për të cilat gjithnjë e më shumë po bëhet kujdes nga shteti dhe pushteti vendor, duke bërë gjithçka mundemi për të ndihmuar sinqerisht ata të moshuar, që për arsye të ndryshme ju mungon kujdesi në familjen e tyre biologjike.

Si pjesë e sistemit të mbrojtjes sociale dhe e strukturave shtetërore të përkujdesit shoqëror, kujdesi për të moshuarit në nevojë ka pësuar ndryshime dhe transformime me rëndësi, që kanë bërë të mundur zgjerimin e konceptit dhe të resurseve sociale, me të cilat shteti dhe shoqëria po përpiqet të shtojnë detyrimin e përkujdesit për të moshuarit në nevojë.

Filozofia jonë e shërbimit modern synon që të nxitim ato forma të shërbimit komunitar sipas parimit që shërbimi për të moshuarit të ofrohet atje ku janë të moshuarit, që ata të jenë sa më pranë familjes dhe komunitetit të tyre. Shërbimet alternative, me forma dhe tipologji shërbimi më fleksibël, me struktura sa më të lehta dhe sa më afër nevojave të vërteta të të moshuarve, janë objektivi ynë kryesor që tashmë është bërë realitet evident dhe i prekshëm. Tashmë, shërbimi për të moshuarit nuk është më "monopol" i strukturave të shërbimit rezidencial shtetëror. Krahas tij, bashkë me të dhe në "komplementaritet" dhe "konkurrencë" me shërbimet e shtetit është krijuar një rrjet i tërë shërbimesh ditore e komunitare të financuara dhe të mbështetura nga pushteti lokal dhe organizatat e shoqërisë civile. Një kontribut konsistent dhe i vazhduar është shërbimi "Misionarët e Bamirësisë" që ofrojnë Motrat e Nënë Terezës.

Ndërkaq, i gjithë shërbimi për të moshuarit tashmë nuk është më si dikur, një shërbim i bazuar në koncepte empirike dhe me metoda të improvizimit intuitiv. Natyrisht, akoma më shumë duhet bërë, sepse kujdesi ynë për këta njerëz të nderuar nuk është kurrë i tepërt...

 

*Autori eshte Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora