E enjte, 25.04.2024, 06:53 PM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Qëndrime tejet nacionaliste në distancë 50 vitesh

E diele, 16.12.2007, 02:49 AM


QËNDRIME TEJET NACIONALISTE NË DISTANCË 50 VITESH

Shkruar nga: Mërgim Korça
 

Mërgim Korça
Një mik i imi që në fëmijëri si edhe komunist i bindur që në moshë shumë të re, më 1985-ën, atëhere kur as nuk mund të mendoje lidhur me një kolaps total të komunizmit në të gjitha vëndet e Kampit t’ashtuquajtur Socialist, i mërzitur si dhe i zhgënjyer në maksimum se si ishin marrë nëpër këmbë pikërisht ato të drejta njerëzore dhe norma demokratike që propaganda komuniste i reklamonte me të madhe, më pati thënë : ... lus Zotin që sa të rroj të mos ketë përmbysje të kërij sistemi sepse po të ngjasë një gjë e tillë do të bëhet një kasaphanë dhe gjaku do të vejë deri në gju ! Si qëndroi pak i menduar, vazhdoi ... dhe e keqja është se atyre që do t’a bëjnë kasaphanën ne komunistët, me sjelljet edhe veprimet tona, u a kemi dhënë të drejtën që t’a bëjnë atë ... !
Tashti, ai ish komunist e ndjen akoma më të rëndë përgjegjësinë morale ndaj popullit të tij, si njeri i ndershëm që është, sepse komunizmi u përmbys dhe jo vetëm që nuk pati vetëgjyqësí, por aq më keq as drejtësia nuk veproi fare ndaj atyre që, edhe me ligjet e kohës së monizmit, duhej të përgjigjeshin rëndë penalisht. Pikërisht këtu qëndron edhe paradoksi i madh. Ata që e kaluan tërë jetën ndër kampe internimesh si bij baballarësh të cilët edhe ata nga ana e tyre u pushkatuan fare padrejtësisht, nuk donin të përsëriteshin të njejtat skenare të padrejta ! Ata kërkonin veç drejtësi për ç’ishte bërë ndaj tyre. Mirëpo e ashtuquajtura drejtësi e vendosur nga të vetëquajturit demokratë që gjë tjetër nuk ishin veç ish komunistë, çdo gjë mund të ishte por jo drejtësi !
E pashë të udhës t’a bëj këtë hyrje vetëm me vetëm për të theksuar se populli fali, të persekutuarit nuk deshën hakmarrje, por kurrsesi nuk duhet lejuar që harresa t’a mbulojë me vellon e saj historinë makabre 50- vjeçare se në të kundërtë shumë kollaj, mbas ndonja dy brezash, aventurierë politikë mund të veprojnë që së rishmi të përsëritet ai kob i mallkuar !
 
E tashti hyjmë në temën e mirëfilltë të shkrimit.
Më 15 gusht të këtij viti mbushen plot 50 vite që nga dita kur u ekzekutuan në Shkodër Ndue Pali edhe Caf Meti. Rastësía i bashkoi ata në bangon e të akuzuarve. Nduen, sepse kishte qenë anëtar i Qëndrorit të Ballit Kombëtar, kurse Cafin sepse kishte qenë nënoficer. Përse u dënua me dënimin kapital Ndueja ? Sepse që në fillimin e seancës i u drejtua Aranit Çelës : “E kërkojshim na në Shkollën Tregtare të Vlonës spiunin e fashistave e sot ai spiun, prej podiumit të prokurorit po na dënon ne si fashista”! Ndërsa Nduen e gjykonte ish shoku i tij i shkollës, përbindëshi që edhe fytyrën si të një karikature njeriu e kish, të cilit autori popullor anonim ia ngriti këngën e cila këndohej me gjithë terrorin e pashoq që ushtrohej. Ja edhe disa vargje që nuk i kam harruar ende sot :
 
Zêmër zjerm si shkamb granitit,
Ja xîn faqen Aranitit.
Prokuror je me detyrë,
Por ti je shqyptar’i paftyrë,
Dje spiû t’patne fashistat,
Sot xhelat te komunistat.
Ti po vret e bân shka t’thonë,
Kur t’pêndohesh do t’jet’vonë !
 
Ndue Pali ende nuk i kishte mbushur të 25 vitet e rinisë. Akuza për të si edhe Cafin ishte stereotipe:
“Tradhëtarë të popullit që e keni shitur Atdheun tek të huajtë”.

Tashti e ndjej për detyrë të prekim së bashku me lexuesin momentet nga më kulmoret të jetës së Ndue Palit. Si student i Shkollës Tregtare të Vlorës ndjenjat e tija anti-italiane i përhapte në të gjithë bashkënxënësit. Pasoja ? Dy vite e gjysëm internim në Ventotene të Italisë. Kur të internuarit i detyrojnë të përshëndesin romanamente (përshëndetja fashiste me krah të shtrirë) i vetmi që nuk pranoi t’a ngrinte krahun qe Ndue Pali. (Kjo e vërtetë që e dijnë të gjithë ish t’internuarit, i shtrembërohet në gjyq nga dëshmitari i tij i akuzës Sadik Bekteshi, të cilit natyrisht i digjte burracakllëku i tij, që e akuzon Nduen se paskish pranuar të nderonte alla fashistçe). Kur Ndueja lirohet nga internimi, si anëtar i Qëndrorit të Ballit Kombëtar që ishte, dërgohet në Dukagjinin e tij ku në të nëntë Bajraqet përhap edhe propagandon idetë e nacionalizmës si edhe Dekalogun e Ballit.
Mbas hyrjes së komunistëve në Shkodër, qëndroi ilegal në malet e Dukagjinit që e lindi dhe e rriti. Në ato kohë qeveria shpalli një anmisti për të arratisurit dhe, me pabesínë që e karakterizonte që atëherë edhe në vazhdim, ndërmjet të tjerëve që u dorëzuan e arrestoi edhe Ndue Palin. Përgjatë gjyqit që u zhvillua, nuk merrej vesh në se akuzues ishte inkuizitori Aranit Çela apo denoncues i sistemit, Ndue Mirashi.
Mbas dënimit me vdekje, në fjalën e fundit që u jepej të pandehurve që të kërkonin mëshirë, Ndue Pali tha : “Nuk âsht tue më frigue dënimi kapital që po më nepni, prokuror, se jam i pastër para Popullit e Kombit t’êm e kto janë kah më mjaftojnë”!
Në gjoks Ndueja kishte një distinktiv të Dedë Thanit, (që i a kishte dhënë Lec Gjeka), ku në fushë të kuqe ishte një zhgabë e zezë. Kur vanë t’i merrnin Nduen me gjithë Cafin për t’i ekzekutuar, hyri në qelí komandanti i togës ekzekutimit Zoi Shkurti dhe deshi t’ia shkulte Ndues nga gjoksi distinktivin. Ndueja i ngriti lart dy duart e prangosura dhe e goditi me forcë në kokë Zoin i cili u përplas për tokë.  Në atë çast e filluan së bashku me Cafin atë përleshje që është bërë tashmë legjendare si lufta e dy të lidhurve me pranga kundër togës së armatosur ! Rezultati ? Katër nga xhelatët mbetën të vrarë. Njeri nga ushtarët e Divizionit Mbrojtjes nga kulla e rojes i briti Ndues “... nuk ke se ku të shkosh o Ndue Pali se tani t’a morëm shpirtin”. Dhe trimi i u përgjigj “... Ti je kah m’a han ........ se vetëm trupin mundesh me m’a vrá po kurr jo shpirtin t’êm”! Në atë çast ora ishte shtatë. Të nesërmen në gazetë ishte shkruar “Dje në orën pesë u ekzekutuan armiqtë Ndue Mirashi e Caf Meti”.
Për t’u dhënë fund fakteve, përpara se të merremi me pak komentim, në Zallin e lumit Kir kur u thanë të thonin fjalën e tyre të fundit para skuadrës së pushkatimit, Ndueja tha :
“Nuk më vjen keq aspak pse un sot po pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që un po vdes në tokë shqyptare mbas pêsë vjet vuejtjesh që pata prej fashistash e nazistash. Shqypnia rrnon edhe pa Ndue Palin. Por nji fjalë due me i a drejtue rinisë nacionaliste : punoni deri në dekë t’uejën për nji Shqypni indipendente e me baza shoqnore moderne e demokratike. Rrnoftë Shqypnia e Shqyptarve. Të fala familjes”.   (Kjo fjalë e fundit e Ndue Palit më është dhënë t’a kopjoj nga i vëllai i tij, i mirënjohuri futbollist i përfaqësueses tonë Palë Mirashi, siç e kishte nxjerrë ai integralisht nga Arkivi i Shtetit).
Unë personalisht nuk di se me ç’epitet t’i përcaktoj këto fjalë të fundit të një djaloshi njëzet’e pesë vjeçar përpara togës pushkatimit. Vetë lexuesi le t’a gjejë një cilësor të përshtatshëm ashtu si t’ia thotë zemra !
Nisur nga fakti se për gati gjysëm shekulli historia u manipulua dhe u shkrua ashtu siç e donin pushtetarët, është më se e qartë se u mendua që edhe Ndue Pali së bashku me të gjithë ata që i edukuan dhe i frymëzuan atë me gjithë shokë, do të harroheshin. Por hesapet i bënë gabim. Kujtesa e popullit, kënga e tij, si edhe trashëgimía gojore e gjyshërve nipave si edhe mbesave, nuk do të lenë të shkelet mbi gjakun e këtyre viganëve të nacionalizmës mbi të cilët hodhën baltë sa deshën dhe akoma duan të bëjnë lloj, lloj spekullimesh pikërisht ata që kontribuan aktivisht që këto figura të poshtëroheshin !
Shkrimin nuk kam se si t’a mbyll pa treguar edhe një fakt tejet kuptimplotë i cili flet për edukatën nacionaliste me të cilën ishin brumosur pinjojt’e së njëjtës familje, pavarësisht se ngjarjet i ndan ekzaktërisht një lak kohor prej gjysëm shekulli.
Në mesin e muajit gusht 1995, mbasi trupat e të ndjerëve Ndues edhe Cafit ishin prehur për 48 vite në gropën e përbashkët dhe po bëheshin përgatitjet t’i rivarrosnin me nderet që u takonin, vete Palë Mirashi, i vëllai i Ndue Palit, tek familia e Caf Metit dhe u thotë : “Kam ardhë me nji propozim. Êm vëlla Ndoja si edhe vëllau e baba i juej Cafi u gjykuen s’ bashkut, u dënuen s’bashkut, luftuen s’bashkut, u pushkatuen s’bashkut edhe s’bashkut kanë katërdhet’e tetë vjet që prehen në të njajtën gropë. Pse t’i ndajmë ? T’i rivarrosim në të njajtin vorr nji të kshtênë me nji musliman si simbole t’atdhedashtunísë e cilla për hír t’Atdheut nuk merr parasysh dallime fetare ! Mos t’a harrojmë Padër Gjergjin e madh, atdhetarin t’cillit komunistat i vûne lloj, lloj epitetesh si tradhtár, që moton e tij e kish :  Për Atdhé e për Fé !
Dhe ashtu u bë. Më 14 gusht të vitit 1995 u rivarrosën me nderime në të njëjtin varr Ndue Pali me gjithë Caf Metin dhe shërbesa fetare, tek i njëjti varr, u bë si nga prifti dhe nga hoxha.
Nuk mundem t’a kaloj në heshtje një përfundim që duhet nxjerrë : Nga errësira e inkuizicionit komunist Ndue Pali i bën thirrje rinisë për të punuar për një Shqipëri demokratike. Pesëdhjetë vite më vonë Palë Mirashi propozon mos të bëjnë dallime fetare në rivarrim. A nuk i përshkon si një fill’i kuq këto dy veprime të këtyre dy vëllezërve nacionalistë dashuria dhe përkushtimi atdhetar ?
Në mbyllje, natyrshëm më vijnë në mëndje pyetje si :
- Kur e emëruan Aranit Çelën të përfaqësonte të drejtat e njeriut në forume ndërkombëtare, i dukej vetja i shpotitur dhe sa komik që ishte ?
- Pas një jete të filluar me spiunime dhe të vazhduar me krime deri në fund, vallë e vret ajo hije e zbehtë e ndërgjegjes së strukur dhe e ndrydhur thellë në shpirtin e tij ?
- A i dalin përpara si hije Ndue Pali me shokë të cilëve, tani që po i vjen fundi, mbase do të donte t’u kërkonte falje ? Ndonëse rapsodi e ka thënë në këngën e tij :
Kur t’pêndohesh do t’jet’vonë !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora