E enjte, 25.04.2024, 02:33 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Robert Carolan, “Lee Harvey Oswald” i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

E premte, 01.10.2010, 09:58 PM


Robert Carolan, “Lee Harvey Oswald” i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Gjëja më interesante në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndaj Fatmir Sejdiut se ky, duke mbajtur postin e Presidentit dhe kryetarit të LDK, kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, është qëndrimi i gjyqtarëve ndërkombëtarë të kësaj gjykate.

Se në Gjykatën Kushtetuese të shtetit “të pavarur” të Kosovës, nga nëntë anëtarë, tre janë të huaj, jo qytetarë të Kosovës, të emëruar nga Pieter Feith, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar. Feith, nga ana e vet, ironikisht është “double hatted”, pra një zyrtar i dyfishtë, gjë që iu zu për të madhe Fatmir Sejdiut.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, edhe pse në letër është unike, në realitet është një gjykatë e përbërë nga dy dhoma. Nga “Dhoma e Lartë”, në të cilën bëjnë pjesë tre gjyqtarët ndërkombëtarë, amerikani Robert Carolan, portugezi Almiro Rodrigues, bullgarja Snezhana Botusharova. Nga “Dhoma e Ulët”, ku bëjnë pjesë gjashtë gjyqtarët vendas, nga të cilët katër shqiptarë, një serb i Kosovës dhe një turk i Kosovës. Mjafton të shikosh se kush u caktua gjyqtar raportues për këtë çështje gjyqësore shumë delikate, dhe e kupton se kush është kryetari i vërtetë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, dhe kush bëri puppet-master në këtë çështje, duke i luajtur si puppet-on-a string gjyqtarët që votuan pro kërkesës, pra se Fatmir Sejdiu kishte bërë shkelje të rëndë kushtetuese. Gjyqtar raportues u caktua amerikani Robert Carolan. Caktimi i gjyqtarit amerikan si gjyqtar raportues e ka kompromentuar që në fillim gjykimin.

Se nuk mund të mohohet që, nga mënyra e raportimit kuptohet dhe opinioni i raportuesit, sidomos mes juristësh. Dhe të gjithë anëtarët vendas të gjykatës qenë shumë të përqëndruar për të kuptuar se cili qe opinioni i amerikanit. Të katër gjyqtarët shqiptarë dhe ai turk do të votonin sipas opinionit të kolegut amerikan. Kështu që çështja praktikisht ishte e mbyllur që me raportimin e gjyqtarit Carolan. Gjyqtari serb, në çdo rast do të votonte pro pranimit të kërkesës, se për serbët janë të mirëpritura zhvillime të tilla në Kosovë. Kështu që mund të thuhet se, që me caktimin e gjyqtarit amerikan si raportues, u deklaruan praktikisht shtatë vota për pranimin e kërkesës, ashtu që u deklarua se Fatmir Sejdiu kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Nëse Robert Carolan do të kishte minimumin e deontologjisë profesionale, ai nuk duhet të kishte pranuar që të ishte gjyqtar raportues në këtë çështje, madje asnjë nga gjyqtarët ndërkombëtarë nuk duhet ta kishte pranuar këtë detyrë. Fakti se Robert Carolan ishte i vetmi nga tre gjyqtarët ndërkombëtarë i cili votoi pro pranimit të kërkesës, pra se Fatmir Sejdiu kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, e kompromenton përfundimisht gjyqtarin amerikan dhe provon se Carolan ka vepruar në keqbesim kur e ka marrë rolin e gjyqtarit raportues në këtë çështje. Dy gjyqtarët e tjerë ndërkombëtarë votuan kundër pranimit të kërkesës, duke qenë të vetmit nga nëntë anëtarët e Gjykatës që votuan kundër pranimit të kërkesës. Është shumë domethënës fakti se kundër pranimit të kërkesës votoi gjyqtarja bullgare Snezhana Botusharova, e cila është e vetmja nga tre gjyqtarët ndërkombëtarë që është specialiste e së drejtës kushtetuese.

Të tre gjyqtarët ndërkombëtarë të emëruar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës supozohet që të ofrojnë ekspertizë të nivelit të lartë sa i përket së drejtës kushtetuese, gjë që nuk e ka asnjëri prej tyre me përjashtim deri në njëfarë shkalle të bullgares Botusharova. Gjyqtari amerikan Carolan nuk ka asnjë lloj eksperience në jurisprudencën gjyqësore kushtetuese se në vendin e vet ai më tepër ka punuar si prokuror publik në shtetin Minesota dhe pak kohë si gjyqtar në shtetin Dakota. Në SHBA atributet e Gjykatës Kushtetuese i ka Gjykata e Lartë, kështu që do të kishte qenë më e përshtatshme që në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës të ishte emëruar një jurist amerikan i cili të kishte punuar pranë Gjykatës së Lartë, nga të shumtët që punojnë në zyrat e saj për çështjet që kanë të bëjnë me gjykimet kushtetuese. Duke mos pasur asnjë eksperiencë në gjykimet kushtetuese, gjyqtari Carolan nuk duket të ketë kuptuar se vesi kryesor i gjyqtarëve të gjykatave kushtetuese në botë, duke përfshirë edhe SHBA, është ai i legjislatimit ilegal, do të thotë se ata në vendimet e tyre, në vend që të interpretojnë ligjin kushtetues, praktikisht marrin përsipër që ta shkruajnë atë ashtu siç duhej të ishte në fantazinë e tyre.

Në periudha të caktuara edhe Gjykata e Lartë e SHBA-ve nuk i ka shpëtuar kësaj joshjeje. Është e njohur lufta e Gjykatës së Lartë kundër Presidentit Roosevelt në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, kur Gjykata e Lartë e SHBA, me një papërgjegjshmëri totale, deklaroi si antikushtetuese një pjesë të madhe të akteve presidenciale dhe ligjeve që përbënin New Deal, agjendën e Presidentit Roosevelt për nxjerrjen e Amerikës nga kriza më e rëndë në historinë e saj.

Vendimi në fjalë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është simptomë e qartë se anëtarët e kësaj gjykatë janë të infektuar keq nga ky virus juridik që është legjislatimi ilegal, do të thotë rishkrimi i ligjeve me anë të vendimeve gjyqësore, duke e rishkruar ligjin kushtetues ashtu siç duhej të ishte në fantazinë e tyre. Kjo paralajmëron se Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka për t’ u kthyer virtualisht në një Dhomë të Lartë ilegale të legjislativit të Kosovës, se ka për të funksionuar si një Senat ilegal, duke invaduar sferën e ligjshme të kompetencave të legjislativit dhe të ekzekutivit.

Nëse të shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që votuan pro pranimit të kërkesës do të kishin minimumin e përgjegjshmërisë për detyrën e tyre, ata do t’ i kishin sugjeruar Kuvendit të Kosovës që ta saktësonte nenin kushtetues mbi të cilin bazohej pretendimi se Presidenti kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Se neni është evaziv, çka kuptohet edhe nga fakti se Gjykatës Kushtetuese i është dashur që të bëjë një arsyetim të gjatë për të justifikuar pranimin e kërkesës. Por parimi minimal i së drejtës kushtetuese është se Kushtetuta duhet të jetë një tekst i përpiluar në terma të qarta, se supozohet që të kuptohet nga të gjithë qytetarët e vendit përkatës. Nëse Kushtetuta është një tekst ezoterik, i cili paska nevojë për kaq arsyetime të sofistikuara të jurisprudencës së lartë, për t’ u interpretuar, atëherë i gjithë procesi i arsyetimit juridik shndërrohet paradoksalisht në një argument të fortë se problemi është tek neni kushtetues dhe jo tek Fatmir Sejdiu, apo cilido person tjetër. Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë rast thuhet “Në rastin e Presidentit Sejdiu është e nevojshme të shohim situatën faktike”.

Por cilido jurist që ka minimumin e respektit për veten dhe ruhet që të mos bëjë kllounin juridik, do ta kuptonte se situata faktike në këtë rast është se Gjykata i kishte hyrë një ndërmarrjeje juridike të llojit boomerang, duke dashur që të vërtetojë se ishte bërë një shkelje e rëndë e një neni kushtetues, në një kohë që vetë arsyetimi i ndërlikuar i Gjykatës provon se neni ishte evaziv.

Por nëse ndiqet postulati i shpallur nga shtatëshja e gjyqtarëve në këtë gjykim, ashtu që të shihet situata faktike, atëherë një aspekt i faktualitetit të situatës gjyqësore është se të shtatë gjyqtarët që kanë përbërë shumicën në gjykim, në arsyetimin e vendimit kanë hyrë thellë në zhvillimet e brendshme në LDK, dhe kanë analizuar gjerësisht profilin politik të kësaj partie, çka përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës. E gjithë analiza e tyre për LDK në aktgjykim tradhton misionin e tyre si komando të hedhur në një mision për shpërbërjen e LDK. Ky mision i subversionit politik nuk mund të kamuflohet pas “gjethes së fikut” se ata duhet të bënin analizën e veprimtarisë politike të Presidentit Sejdiu dhe të raportit të LDK me Presidentin, për të verifikuar nëse Presidenti e kishte ushtruar ose jo detyrën e kryetarit të partisë dhe nëse kjo e fundit kishte përfituar prej qënies së tij President.

Derisa neni kushtetues ishte formuluar në mënyrë të tillë që nuk ndalonte mbajtjen e çdo posti tjetër publik veç atij të Presidentit, por vetëm ushtrimin e çdo posti tjetër, Gjykata Kushtetuese duhet ta kuptonte se, nga pikëpamja e gjyqtarit të përgjegjshëm, anëtarët e saj nuk mund ta anashkalonin dilemën se a duhej që Gjykata Kushtetuese të hynte në analizën e zhvillimeve të brendshme dhe të profilit të një partie politike, për hir të një neni kushtetues evaziv, për të cilin më e arsyeshme do të ishte që të sugjerohej saktësimi prej Kuvendit. Hyrja e Gjykatës në sferën e politikës derivon prej jurisprudencës sovjetike dhe jo prej asaj perëndimore. Në jurisprudencën sovjetike gjykata ishte një armë dhe kështu ka vepruar dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke u bërë armë kundër LDK.

Nëse kqyrim situatën faktike, atëherë një fakt i pamohueshëm është se SHBA, vendi i gjyqtarit Carolan, nuk mund të qe krejt i painteresuar dhe i paprirur që të influenconte në këtë gjykim kaq delikat ku ishte në lojë posti i Presidentit të Kosovës, por edhe fati i partisë më të madhe në Kosovë 20 vitet e fundit. Nuk është se gjyqtari Carolan ka vendosur me mendjen e vet se Presidenti Sejdiu kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Është e vërtetë se gjyqtari Carolan ishte i prirur për të ushtruar veset e jurisprudencës kushtetuese të vendit të vet, por dikush e lejoi që ta bënte këtë gjë, madje e inkurajoi. Edhe gjyqtari Carolan ishte një puppet-on-a-string në një rrafsh më të lartë dhe komandohej nga një puppet master në Washington.

Nuk është një gjë e panjohur se, megjithëse SHBA-të kanë qenë vendi që e bëri kauzë të vetën çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj, në SHBA-të ka ekzistuar gjithëherë një linjë e fuqishme kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo linjë ka qenë e sponsoruar nga shumë kahje, për interesa të ndryshme. Kur kjo linjë e kuptoi se çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës qenë bërë pjesë e agjendës së politikës zyrtare amerikane, ajo e ndryshoi taktikën, duke kërkuar të arrinte atë çka dukej e mundshme. Është shumë domethënëse se linja kundër shqiptarëve të Kosovës në Washington, në 20 vitet e fundit ka shënjestruar LDK-në. Në Washington, gjatë këtyre njëzet viteve ka ekzistuar një linjë e fuqishme kundër LDK, e cila ka luftuar Ibrahim Rugovën, ka nxitur Bukoshin kundër Rugovës, ka nxitur lidershipin e UÇK kundër Rugovës dhe LDK. Synimi ka qenë shpërbërja e LDK. Urrejtja kundër LDK vinte për shkak se armiqtë e shqiptarëve të Kosovës në Washington, dhe vetë Serbia, nuk mund ta duronin që partia më e madhe e shqiptarëve të Kosovës të ishte një parti e drejtuar nga intelektualë me profil perëndimor, njerëz të kultivuar.

Kjo vinte në kundërshtim me paradigmën që kërkohej të induktohej në perceptimin e perëndimorëve se shqiptarët e Kosovës qenë njerëz barbarë, të pagdhendur. Ata që donin dhe duan të shpërbëjnë LDK, duan që imazhi i politikës në Kosovë të jenë Hashimët, Jakupët, Xhavitët, Ramushët e lloji i tyre, “intelektualët” e sakicës, me frajericat e tyre në background. Pastaj ky lloj politikanësh do të nxjerrë ndonjë njeri si Enver Hasani në postin e Presidentit, si shpërblim që ai e bëri gjykatën armë në luftën politike. Se Enver Hasani sytë i ka tek kolltuku i Presidentit të Kosovës, jo tash, por kur t’ i mbarojë mandati si gjyqtar.

E keqja është se “Lee Harvey Oswald” që vrau Presidentin e Kosovës u bë një gjyqtar amerikan. Fjalën “vrau” e shkruaj pa thonjza se, derisa Fatmir Sejdiu dha dorëheqjen, Presidenti i Kosovës praktikisht u asgjësua si institucion, nga një skuadër pushkatimi juridik e përbërë nga shtatë gjyqtarë të gjykatës më të lartë të Kosovës. Derisa u krijua precedenti se kryetari i shtetit mund të shpallet me vendim gjyqësor të paapelueshëm si fajtor për shkelje të rëndë të Kushtetutës, në lidhje me një nen evaziv, atëherë kryetari i shtetit në të ardhmen është në mëshirën e tekave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Këta mund të çohen në mëngjes dhe ta bëjnë si Destan Begu i këngës, e të thonë: “në Presidencë e kom konakun”. Por kjo që ndodhi paralajmëron se Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ashtu si Destan begu i këngës, mund t’ i çojë institucionet e Kosovës tek “Abdullah aga”, që t’ ua masë “shtagën”.

Aspekti tjetër i keq i gjyqit në fjalë është se President i Kosovës, i cili i përkiste shumësisë shqiptare që përbën së paku 90% të popullsisë së Kosovës, u shpall fajtor nga një gjykatë e përbërë nga nëntë anëtarë, ku vetëm katër ishin shqiptarë. Kjo ndriçon realitetin e Kosovës ku shqiptarët janë të diskriminuar negativisht ndërsa minorancat janë të diskriminuara pozitivisht. Fati i Presidentit që i përkiste shumicës që përbën së paku 90% të popullsisë së Kosovës u vendos nga një gjykatë, ku kjo shumicë kishte vetëm dy herë më shumë anëtarë se minorancat! Gjyqtari serb dhe ai turk kanë votuar në bllok kundër Presidentit të Kosovës, me sa duket si shprehje e aleancës së re serbo-turke, të ideuar nga Davutoglu.

 



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora